Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Deshmori i Peshkepise - Shekulli

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Mon Dec 9 09:41:56 EST 2002


Në shtëpinë e ushtarit 17-vjeçar nga Sheq Marinas i Fierit, vrarë nga Komandot greke në Peshkëpi 
Nëntë vitet e zisë në familjen e Arsenit

Babai: “Duam ndihmë. Më 8 nëntor shkova të takoj kryeministrin, por nuk më priti”


Nga i dërguari ynë Olsi Kolami

Shtëpia përdhese e Llazi Gjinit në Sheq Marinas të Fierit, është kthyer në një grumbull tullash dhe llaçi. Tavani i shtëpisë ka krijuar një hartë lagështire pas së cilës janë formuar bulëzat e ujit që pikojnë mbi dysheme. Në dhomën e mobiluar varfër, familja Gjini ka nisur të bëjë disa ndërtime, pasi ka hedhur pas shpine kujtimin e hidhur të vitit 1994, kur djali i tyre i madh Arseni mbeti i vrarë në atë që tashmë njihet si “ngjarja e Peshkëpisë”. Gjurmët e zisë ndihen ende në shtëpi. Nëna e Arsenit vazhdon të jetë e veshur me të zeza edhe pse kanë kaluar nëntë vjet nga gjëma e madhe që i ra familjes Gjini. 
“Më 22 mars e kam takuar djalin për herë të fundit, ndërkohë që me 27 shkurt e përcollëm për të kryer shërbimin ushtarak. Shkova me gruan për ta takuar. Pasi e lajmëruan e pashë që po vinte me pushkën puthuajse të lëshuar përtokë që e tërhiqte zvarrë. I thashë pse e zvarrit ashtu. Mund të të ndodhë ndonjë shkrepje pa dashur. Por ai më tha: “Eh, mor babi, se mos ka fishekë kjo….”
“Mora vesh se pas 15 ditësh do të lëviznin nga ky repart për në një repart tjetër ushtarak. Kisha vendosur që disa ditë më parë të shkoja ta takoja, por ai u kthye në shtëpi më herët…! Ishte data 10 prill, kur trupin e tij të pajetë ma sollën në shtëpi. Më thanë se e kishin shpallur dëshmor të rënë në kufi. Plumbi e kishte goditur në shpatull dhe i kishte dalë në gjoks ”,- rënkon babai i Arsenit. 
Ndërsa e ëma Maria, më lot në sy tregon se ishte duke gatuar bukën kur e mori vesh lajmin e hidhur. Ajo tregon se kishte ngelur e mpirë në vend për disa minuta, ndërkohë që vajzat nisën të qanin. 
Llazi Gjini akuzon shtetin. Sipas tij, shteti ka pjesën e fajit në vdekjen e djalit të tij. “Një ushtar që e lënë pa armë, një repart ushtarak pa telefon për të kërkuar ndihmën e parë…, - shpreh indinjatën kryefamiljari i kësaj familjeje të varfër. Ai shton se djali i tij nuk ishte 20 vjeç, siç është thënë në deklaratat zyrtare, por vetëm 17 vjeç. 
Ka nëntë vjet që djali i tyre po tretet në dhe, por asnjë nuk ka menduar ende që të ndihmojë familjen e tij ekonomikisht. Përveç dekoratës që i është dhënë menjëherë pas vdekjes, asnjë ndihmë ekonomike nuk ka mbërritur nga shteti për familjen me 5 anëtarë. “Shkova të takoja kryeministrin dhe t’i thoja se si qëndronte puna. Unë punoj i vetëm me një traktor të vjetër dhe kam nevojë që familjjes sime t’i lidhet një pension për djalin, por nuk mora asnjë përgjigje”,-tregon Llazi. Ka shumë vjet që në zyrat e shtetit i thonë të përgatisë dokumente pas dokumentesh. Më 8 nëntor të këtij viti, kryefamiljari i familjes Gjini është nisur drejt Tiranës për të takuar kryeministrin Nano. “Nuk më priti”, - thotë Llazi.
Vetë familja vazhdon të jetë ende e paqartë në lidhje me ngjarjen e kufirit, ku u sakrifikua djali i tyre. Ata kanë kërkuar që të takojnë një prej shokëve të tij dhe të mësojnë të vërtetën. Tjetër rrugë nuk kanë gjetur. 



---------------------------------
Do you Yahoo!?
Yahoo! Mail Plus - Powerful. Affordable. Sign up now
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list