Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Fwd: Artikull per Boshkovskn dhe Janullatosin / Shekulli

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Mon Aug 5 07:57:26 EDT 2002


 



Një fundjavë politiko-diplomatike-religjioze 
Nga Mentor Nazarko

Dy ishin ngjarjet që prishën, e rritën apo e karakterizuan në njëfarë mënyre ritmin e ulët të lëvizjes së opinionit publik dhe atij politik në këtë fundjavë të nxehtë vere ku të gjithë pushojnë, përfshi edhe kryeministrin megjithëse në një pushim aktiv. Hyrja e ministrit të Brendshëm maqedonas Boshkovski në Prespë, dhe 10-vjetori i fillimit nga detyra në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare, të hirësisë së tij, kryepeshkopit Janullatos.
Por le t'i marrim një e nga një të dy ngjarjet që në të vërtetë nuk kanë ndonjë lidhje me njëra-tjetrën, përveç asaj kohore dhe një elementi tipik për shqiptarët: kozmopolitizmi dhe hapja mendore për çështje të patriotizmit. Cilësi, diku të dëmshme, diku jo të tilla, por që në përgjithësi na bëjnë nder.

Boshkovski dhe marrëveshja e tregtisë së lirë 
Pa dashur të pozicionohem në mënyrë të sforcuar kundër rrjedhës së mendimit patriotik, madje lavës vullkanike që përfaqëson ky mendim dhe që e nxehu më shumë fillimin e gushtit shqiptar, më duhet të them që në fillim se kjo ngjarje është një flluskë sapuni e vogël, tipike për një politikë provinciale si ajo maqedonase. Edhe sikur për t'u bërë qejfin maqedonasve, të themi se ajo ishte flluskë e madhe, prapëseprapë flluskë sapuni ishte. Në këtë kuptim, marrja me të nuk duhet të na hajë kaq kohë dhe energji, megjithë mirëkuptimin për partitë e vogla që patën rastin të rrisin protagonizmin e tyre mediatik dhe faktorët e rinj të politikës që u përfshinë në polemikë me një stil të zhurmshëm. Ja disa arsye për këtë ftohje të gjakrave.
Së pari, Boshkovski është një kartë e djegur kalimtare e politikës maqedonase, dhe që nuk përfaqëson asgjë të qëndrueshme në këtë politikë.
Së dyti, ky njeri duhej të pengohej në kufi që në fillim, për shkak të begraundit të vet kriminal, apo për shkak të personave që e shoqëronin (Ministria shqiptare e Rendit, ende nuk ka shpjeguar se ç'ishin ata), ose tani pas pilafit nuk ka më asnjë kuptim të flasësh. Do të ishte një veprim i sforcuar, aq më shumë që ai u paraqit në version privat, por edhe duke mos bërë një gjë të tillë, nuk humbëm shumë nga dinjiteti ynë kombëtar. Dihet fare mirë, që ndryshe nga të gjithë fqinjët tanë, pa përjashtim, ne nuk bezdisim në kufi askënd për arsye të kombësisë, as me kompjutera të prishur dhe as me ndonjë gjë tjetër, me përjashtim të ndonjë polici apo doganieri të varfër që zhvat apo përpiqet t'u zhvasë ndonjë gjë të gjithëve pa përjashtim kombësie. Kjo na bën nder ne sigurisht dhe në këtë kuptim edhe Boshkovski, përfitoi prej kozmopolitizmit tonë kombëtar, apo menefregizmit tonë në punë patriotizmi.
Së treti, Boshkovski shkoi në një zonë ku banojnë vërtet shtetas shqiptarë me kombësi maqedonase dhe ky është një veprim politik që e kanë bërë shpesh edhe politikanët tanë, që kanë shkuar në zonat ku banojnë shqiptarë në Maqedoni, kanë marrë pjesë na aktivitetet politike të partive të tyre, etj, etj.
Së katërti, injorimi i ngjarjeve të tilla është më dinjitoz sesa dhënia rëndësi atyre. Sa për shembull, do të ishte shumë më normale që ne të merreshim më shumë me një ngjarje tjetër mjaft të rëndësishme në marrëdhëniet midis dy vendeve, fillimi i funksionimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë. Me përjashtim të televizionit TopChannel që e shtjelloi gjerësisht dhe ndonjë komenti të zbehtë, kësaj ngjarjeje nuk ju dha rëndësia e duhur. 
Bilanci i ditëve të para të funksionimit të kësaj marrëveshje ishte padyshim në humbje të prodhuesit shqiptar. Janë tmerrësisht të vonuara deklarimet e presidentit shqiptar të Dhomës së Tregtisë, zotit Luan Bregasi se "prodhuesit shqiptarë nuk kanë forcë për të përballuar hyrjen e mallrave maqedonase". Ai duhej të ishte protagonist aktiv që në kohën e negocimit të kësaj marrëveshjeje, duke u bërë përfaqësues i fortë i interesave të shoqatave të prodhuesve shqiptarë. Trajtimi i një teme të tillë megjithatë do të kërkonte një hapësirë më të madhe, që është mirë të shfrytëzohet nga më kompetentët, por megjithatë ne mund të nxjerrim një konkluzion të thjeshtë. Bashkëpunimi ekonomik dhe në fusha të tjera, përfaqëson hapësirën ku ne duhet të matemi me maqedonasit dhe duhet të shprehim patriotizmin tonë modern, dhe jo debati rreth hyrje-daljes së një figure si ajo e Boshkovskit.

Kryepeshkopi Janullatos- 10 vjet në Shqipëri 
Nuk duhet të jetë ndjerë fort mirë presidenti i Republikës, zoti Alfred Moisiu, nga vapa dhe gjithë ato mesazhe greqisht që kumbuan në kishën e madhe ortodokse të Tiranës të përfaqësuesve të patriarkanës së Stambollit, apo edhe përgjigja po në greqisht e kryepeshkopit të kishës sonë autoqefale hirësisë së tij Anastas Janullatos. Por edhe të ftuarit e shumtë folës, kryesisht grekë, por edhe nga kishat e tjera simotra, në liturgjinë hyjnore me rastin e dhjetëvjetorit të aktivizimit të tij në krye të kishës së Fan Nolit, duhet të jenë të ndjerë të lehtësuar nga ikja e zotit Moisiu, sepse duke injoruar besimtarët e tjerë të shumtë politikanë dhe jopolitikanë, ata i vazhduan pa ndihmën e përkthyesit mesazhet vlerësuese dhe hyjnizuese për Janullatosin në krye të kishës shqiptare. Në greqisht ishte edhe thënia e kryepeshkopit se "ai ka kontribuar shumë në bashkekzistencën paqësore midis feve në Shqipëri, gjë që i ka bërë nder figurës së shqiptarëve në botë", ndërkohë që atij do t'i bënte më shumë nder po të thoshte se ajo ekzistonte edhe para ardhjes së tij. Në fund, po në greqisht,- megjithëse kryepeshkopi, ynë e di shqipen,- ai foli për diskriminim të kishës ortodokse, dhe "për përfitim nga rasti i pranisë së presidentit për të kërkuar dhënien fund të këtij diskriminimi, veçanërisht në kthimin e pronave të kishës". Për të qenë të sinqertë, kjo është një kërkesë që ai e bën zakonisht sa herë që pranë ka presidentë, por të flasësh për diskriminim të kishës ortodokse në raport me fetë e tjera është pak e tepruar nga ana e intelektualit të shquar Janullatos.
Shqipëria është praktikisht, vendi me kuadrin kushtetues dhe ligjor më liberalin në Ballkan për çështje të fesë, kuadër që nuk favorizon fe të caktuara, e duke u nisur nga përqindja e popullsisë që përfaqësojnë. Prej këtij kuadri, prej dobësive objektive, por edhe subjektive në "personalitetin" e politikës shtetërore shqiptare ka përfituar edhe vetë hirësia e tij, duke u vendosur në krye të një kishe autoqefale. Ne duhet të jemi realistë, se gjatë dhjetë vjetëve të qëndrimit të tij në Shqipëri, janë ndërtuar dhe rindërtuar shumë kisha dhe është ngritur një sistem kishtar institucional, arsimor, , etj, etj, që vështirë se mund ta bënte kush tjetër në vend të tij, punë që ishte pasqyruar në një dokumentar grek të transmetuar të shtunën nga TVSH. Natyrisht ka edhe vërejtje, se ndërhyrja restauruese prej specialistëve grekë, ka cënuar nga pak stilin shqiptar të kishave, shqiptare dhe ka qenë selektive- jo në Voskopojë, p.sh; se zoti Janullatos nuk e ka nderuar sa duhet figurën e paraardhësit të vet shqiptar Fan Noli;, se ai është përfshirë edhe në fushatën kundër heqjes së fesë nga pasaportat e qytetarëve grekë, me letra solidariteti, etj, etj.
Por gjithsesi, duke u marrë vetëm me punën e tij pozitive në këto dhjetë vjet, pikërisht dhe vetëm për shkak të saj ndoshta duhet diskutuar ideja e zëvendësimit të tij me një peshkop shqiptar. Emërimi i vëllait të at Artur Liolinit si peshkop, por edhe krijimi nën kujdesin e tij kuadrit njerëzor kishtar, që mund t'i plotësonte kushtet hierarkike, janë disa elementë që të bëjnë të marrësh në konsideratë një gjë të tillë. Madje vetë propozimi prej tij i pasardhësit shqiptar, do të ishte një mbyllje e mirë dhe dinjitoze e karrierës së tij prej misionari në Shqipëri.




---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Health - Feel better, live better
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list