Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Arkeologji

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sat Aug 3 19:52:57 EDT 2002


Specialistë të Muzeut Historik, ekspedita sensibilizuese për vlerat arkeologjike
TIRANE, 3 Gusht/ATSH-Eni Kaçi/.-Specialistë të Muzeut Historik Kombëtar prej disa kohësh kanë ndërmmarrë ekspedita informative për sensibilizimin dhe ruajtjen e vlerave dhe pasurisë arkeologjike të vendit. Dr. Moikom Zeqo, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, shprehet për ATSH-në se, "një nga detyrat funksionale të Muzeut Kombëtar lidhet me ekspeditat informative rreth monumenteve historike për të bërë skedimin e tyre, dhe mundësisht pasqyrimin e tyre në arkivin e MHK. Por mbi të gjitha këto ekspedita janë të domosdosme për të sensibilizuar opinionint publik, të brendshëm dhe atë të jashtëm, për vlerat kombëtare si dhe ruajtjen e tyre". Ekspedita të tilla janë bërë në qytetin e Persiopit pranë Petrelës, në Shpellën e Urakës në Qafë Thanë, ku dhe u zbulua një afresk bizantin kishtar i periudhës së Mesjetës. Ndërkohë ekspedita informative janë ndërmarrë edhe në pika të tjera arkeologjike si, në Kaninë të Vlorës, në Porto Palermo dhe në Shpat të Matit. "Këto ekspedita kanë vërtetuar se disa klasifikime, të bëra nga shtypi i përditshëm jo ekspert në këtë fushë, nuk qëndrojnë nga pikëpamja shkencore", shprehet dr. Zeqo, duke theksuar "se rasti më i fundit ishte për Shpellën e Urakës, për të cilën u tha se ajo i takonte një Orakulli antik. Falë ekspeditave të specialistëve të MHK u vërtetua se ajo ishte një shpellë eremitësh me një afresk kishtar, megjithëse i dëmtuar, dhe që ka ngjashmëri me afreske të zonës së Prespës". Afresku i Shpellës Urake tashmë është fotografuar nga specialistë të Muzeut Historik Kombëtar dhe për të mos u dëmtuar më, ai po ruhet në arkivin e këtij muzeu. "Këto ekspedita nuk janë vetëm për të mbledhur dhe ruajtuar informacionet mbi vlerat arkeologjike, por gjatë tyre janë bërë edhe zbulime të reja", shprehet dr. Zeqo. Në Persiop u zbulua një varr monumental prej guri, i shekullit të 3 p.e.s., për të cilin Muzeu Historik Kombëtar, së bashku me Institutin e Monumenteve, ka ndërmarrë një projekt për rikonstruksionin e tij, për ta vendosur më pas në oborrin e brendshëm të Muzeut Kombëtar, ku janë edhe një pjesë e kullës me gurë të mëdhenj ilir, Cukës së Alta në jug të Butrintit, Mozaiku shumëngjyrësh i Apolonisë, i shekullit të 3-të. Ndërkohë, sipas drejtorit të MHK, dr. Moikom Zeqos, "ekspedita e ardhshme informative do të bëhet në qytetin arkeologjik të Baltezës, pranë qytetit të Shkodrës, qytet ky ende i pa eksploruar nga ekspertët arkeologjik. Eshtë shumë e rëndësishme që ky qytet të njihet më mirë nga arkeologjia, pasi ende shumë gjëra nuk njihen dhe nuk janë zbuluar". Ekspedita më e fundit informative u bë në qytetin mesjetar të Sardës, ose të Shurdhaut, ku për njohjen sa më të mira të këtij qyteti Muzeu Historik Kombëtar ka ndërmarrë edhe hartimin e një guide turistike. Qyteti i Sardës është një kodër shkëmbore buzë Drinit, 8 km në juglindje të Shkodrës. Krijimi i liqenit të Vaut të Dejës me ndërtimin e hidrocentralit bëri që kjo kodër të kthehet në një ishull. Më 1967 - 1970 nga ekspertë janë bërë gërmime arkeologjike, të cilat kanë vërtetuar kulturën e hershme arbërore. Qyteti i Sardës, 5 hektar, është i fortifikuar me dy mure, i pari me një perimetër prej 700 m dhe i dyti 400 m, të cilët rrethojnë përkatësisht qytetin e sipërm dhe të poshtëm. Muret janë të pajisura me tulla trekëndëshe dhe katërkëndëshe me nga një hyrje. Në shekullin 11-12 Sarda ishte një qytet tipik mesjetar shqiptar, i cili përmendet edhe si një qendër e rëndësishme peshkopale. Në të janë zbuluar 12 kisha të tipit bazilik pranë njëra-tjtrës dhe ku janë ruajtur ende gjurmë afreskesh. Ky qytet, i cili njihet edhe si rezidenca e familjes së Dukagjinasve, pas pushtimit osman u rrënuar tërësisht dhe prej asaj kohe nuk u arrit të rimbëkëmbej më. Kjo ekspeditë u zhvilluan në bashkëpunim me shoqatën "Sarda". Në ishull kodër të Sardës është e mundur të shkosh me anije duke u nisur nga Vau i Dejës. Sipas dr. Zeqos, "Sarda është një mundësi shumë e madhe për turizimin kulturor, ndaj MHK në bashkëpunim me shoqatën "Sarda", do të hartojë një guidë në shqip dhe anglisht, e cila do të shërbejë jo vetëm për njohjen e këtij qyteti të veçantë, por edhe për sensibilizimin e opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm për njohjen e vlerave arkeologjike dhe urbanistike të Sardës". Në MHK është e ekspozuar një fotografi e madhe e portës hyrëse të këtij qyteti. Sarda është një qytet shumë i rëndësishëm që pasqyron më së miri periudhën mesjetare në Shqipëri, ashtu si qyteti i Drishtit dhe i Danjës, qytete që përmenden edhe në veprën për Skënderbeun të Marin Barletit. Sipas dr. Moikom Zeqos "këto ekspedita informative kanë një karakter shpëtimtar për vlerat kombëtare arkeologjike. Gjatë ekspeditave po vihen re shkatërrimet tërësore dhe të shumta të ndodhura në një sërë monumentesh, ndaj është e domosdoshme dokumentimi edhe i gjurmëve të tyre". Jo rrallë herë ekspertët e Muzeut Historik Kombëtar janë përballur me shkatërrimin e monumenteve, të cilat sipas tyre, "para pak kohësh ishin në gjendje të mirë". Me një përvojë e tillë janë përballur në ekspeditën e përfunduar para dy ditësh specialistët e MHK në Kishën e Shirgjit, buzë lumit të Bunës. Gjatë kësaj ekspedite u konstatua se afresku i vetëm me figurë shenjtori ishte shkatërruar. Sipas Zeqos "për fat të mirë në arkivin e muzeut gjenden fotografi të afreskut, të cilat do të shërbejnë për restaurimin e tij". /s.s./ 0
2002-08-03  



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Health - Feel better, live better
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list