Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Gazeta Shqiptare - 1 maj 2002a

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Tue Apr 30 22:36:15 EDT 2002


DOSSIER Historia e nështrimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës në shkurtin e 1950. Cilët ishin klerikët që firmosën Statutin Si e manipuluan komunistët Kishën Orthodhokse ShqiptareSi filloi goditja ndaj besimeve fetare në Shqipëri dhe përse komunistë e filluan me klerin katolik. Si dështuan ata me manipulimin e statutit të bektashijve dhe vrasja e dy klerikëve në Kryegjyshatë. Eleminimi i dy Kryepeshkopëve orthodhoksë Xhuvani dhe Kissi dhe ardhja në krye e Paisi Vodicës. Mbajtja e Kongresi i III të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë në shkurtin e vitit 1950 nën kryesinë e Kryepeshkopit Vodica dhe kush ishin personalitetet e larta të Qeverisë Komuniste që morën pjesë aty. Fjala e përfaqësuesit të Qeverisë Adil Çaraçani dhe si u ndryshua statuti i vitit 1928 që ishte miratuar nga qeveria e Monarkisë së Mbretit Zog. Çfarë thuhej në statutin e vjetër si u ndryshua ai dhe kush ishin klerikët që e firmosën atë
---------------------------------

Dashnor Kaloçi

Menjëherë pas ardhjes në pushtet në fundin e vitit 1944, regjimi komunist dhe personalisht Kryetari i Qeverisë, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha, u kujdesën dhe filluan marrjen e masave që krerët e tre komuniteteve fetare që ishin në Shqipëri: Myslyman, Katolik e Orthodhoks, të viheshin me çdo kusht nën kontrollin e tyre dhe t'u shërbenin vijës politike që do të ndiqte ai regjim. Goditja e parë filloi ndaj Klerit Katolik me qëndër në Shkodër, (gjë e cila u bë me porosinë e jugosllavëve) të cilët nuk e pranuan bashkëpunimin me komunistët dhe shkëputjen e tyre nga Vatikani. 

Si rezultat i kësaj, u pushkatuan dhe u burgosun shumë klerikë katolikë. Në këtë kontekst dhe për të realizuar nënshtrimin e tyre, qeveria komuniste i vazhdoi përpjekjet e saj në vitin 1945 me Kryegjyshin e Bektashinjëve Baba Fejzon, i cili kryesonte Kryegjyshatën Botërore me seli në Tiranë. Kjo gjë u bë për arsye se nënkryetari qeverisë komuniste, ishte Baba Faja Martaneshi, një bektashi tepër i njohur dhe me influencë të madhe në atë komunitet fetar. Përpjekjet për ndryshimin e statutit të bektashinjëve dështuan, pasi Baba Fejzo nuk e pranoi të nënshkruante atë statut të manipuluar nga komunistët dhe e vrau Baba Fajën e pastaj edhe veten. Pasi nuk ia arritën dot t'i nënshtronin me metodat e manipulimit, komunistët filluan dhunën edhe ndaj besimit myslyman e bektashinëjve, duke burgosur e pushkatur shumë prej tyre. Ndërsa ndaj krerëve të besimit katolik dhe myslyman u përdor një dhunë e egër me vrasje, burgosje dhe internime, kleri Orthodhoks u trajtua më ndryshe sepse nuk pati atë rezistencë që bëri Kleri katolik dhe ai Myslyman. Kjo gjë erdhi edhe si rezultat i ndikimit që kishte mbi qeverinë shqiptare Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik, qeveritë e së cilës ishin të lidhura ngushtë me Patriakanën Orthodhoksve të Moskës. Nisur nga kjo, Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, ishte e para që u manipulua prej komunistëve dhe u vu plotësisht në shërbim të saj. 

Ndërhyrja te Kisha Orthodhokse
Pasi kishte burgosur dhe eleminuar Visarion Xhuvanin dhe Kristofor Kissin, dy Kryepiskopët që kishin udhëhequr Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, qeveria komuniste arriti që vinte në krye të saj At Paisi Vodicën (babai i Josif Pashkos) i cili nuk kishte asnjë lloj arsimi fetar. Pas kësaj ajo e pati më të lehtë për të nështruar Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, gjë e cila filloi në shkurtin e vitit 1950, kur në Tiranë u organizua Kongresi i III Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili ndryshoi statutin e saj të vitit 1928 dhe miratoi statutin e ri. Në këtë Kongres i cili u bë tërsisht nën kontrollin e Patriakanës së Moskës, Kisha Orthodhokse e Shqipërisë e hoqi nga Statuti i saj i vitit 1928, nenin ku sanksionohej shtetësia e drejtuesëve të lartë të asaj Kishe (për Cilësitë e Peshkopëve. fq. 9 Art. 16) ku thuhej: "Kryepishkopi, Peshkopët, Zavendësit e tyre lokalë, Ikonomi i Madh Mitrofor, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodhit, si dhe ndihmësit e Zavendësit Klerikë të Kryepishkopit dhe të Peshkopëve, duhet të jenë prej gjaku, gjuhe Shqiptarë si edhe të kenë nënshetësinë Shqiptare". Në statutin e ri që u miratua nga ai Kongresi, ai artikull u ndryshua plotësisht dhe në të thuhej: "Krahas me zhvillimin e ndjenjave fetare Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të zhvillojë në besimtarët dhe ndjenjat e besnikërisë ndaj Pushtetit të popullit dhe të Republikës Popullore të Shqipërisë si edhe ndjenjën e Atdhe-dashurisë dhe të përforcimit të bashkimit Kombëtar. Prandaj gjithë funksionarët dhe personeli i saj, duhet të jenë shtetas shqiptar, të ndershëm, besnikë të popullit dhe t'Atdheut dhe të gëzojnë të gjitha të drejtat civile". Me anë të këtij ndryshimi, qeveria komuniste e Shqipërisë, realizoi synimet e qëllimin e Moskës dhe Patriakanës Ruse, e cila do ta kishte fare të lehtë që në krye të Kishës Orthodhokse në Shqipëri, të caktonte një njeri të saj, (jo shqiptar), shtetësinë e së cilit (si shqiptar) nuk do të ishte e vështirë për t'ia dhënë. Pra me kapjen e kreut të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, Patriakana Ruse do të arrinte atë që arriti në të gjitha vëndet e tjera të Europës Lindore të besimit orthodhoks, të cilat u vunë në shërbim të saj. Po si u arrit kjo gjë dhe cilët ishin klerikët orthodhoksë që u vunë në shërbim të qeverisë komuniste me dhunë apo me dëshirë" 

Aprovimi i projekt-statutit
Disa ditë para mbajtjes së Kongresit, më 1 shkurt 1950 u mblodh Komisioni për hartimin e Statutit të Kishës nën kryesinë e Kryepeshkopit Imzot Paisi Vodoica (Pashko) i cili hartoj një proces-verbal ku thuhej: " Vdekje fashizmit. Liri e popullit. Sot dit' e Mërkurë, më 1 Shkurt 1950 dhe ora 18.30, u mbloth Komisioni për hartimin e projekt-statutit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i përbërë prej Kryepiskopit të gjithë Shqipërisë Imzot Paisi, në cilësinë e Kryetarit, prej antarëve të Sinodhit, të Përndershëmit Arhimandrit Dhimitër Kokoneshit dhe Ikonom At Aristotel Stratos, prej Hirësisë së tij Episkopit Irene Banushi, nën cilësinë e specialistit për çështjet kanonike dhe dogmatike, prej Z.Z. Foni Qirko dhe Ilia Kota, nën cilësinë e juristëve, dhe prej Z. Niko Cane, nënë cilësinë e specialistit për çështjet kanonike dhe dogmatike. Komisioni në fjalë, pasëi shqyrtoi për të fundit herë, nën për nen dhe në tërsi projekt-statutin e përgatitur prej tij, vendosi unanimisht t'i parashtrohet Kongresit për shqyrtim dhe aprovim projekt-statuti që i bashkangjitet këtij vendimi dhe që përmban të gjithë faqet e tij të daktilografuara nënshkrimet e Kryetarit dhe të Antarëve të Komisionit të përbërë si më sipër. Kryetari Paisi Vodica". Ky proces-verbal iu paraqit për miratim Kongresit që i zhvilloi punimet disa ditë më vonë. Po si u mbajt ai Kongres, kush mori pjesë aty dhe çfarë vendimesh mori ai?

Mbajtja e Kongresit të III të Kishës
Kongresi i III i Kishës Orthodhokse Autoqefale i Shqipërisë i zhvilloi punimet në Tiranë nga data 1 deri në 5 shkurt të vitit 1950. Senacën e parë të këtij Kongresi e hapi me një fjalë të shkurtër Mitropoliti i Tiranës dhe Durrësit, dhe Kryepeshkopi i gjithë Shqipërisë, Hirësia e tij Paisi Vodica, i cili përshëndeti delegatët dhe falenderoi përfaqësinë e Qeverisë, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhën dhe autoritetet e tjera që mernin pjesë në Kongres. Pastaj kryetari i mbledhjes ia dha fjalën Adil Çarçanit, Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, i cili në emër të Qeverisë të RPSH përshëndeti Kongresin dhe i uroi suksese në punën e tij. Në fjalën e tij Çarçani përcaktoi në vija të përgjithshme të drejtat dhe detyrat e Komitetit Orthodhoks të Shqipërisë, të cilat duhet të ndiqeshin në kuadrin e kursit të ri të regjimit komunist që ishte vendosur në Shqipëri dhe që udhëhiqej nga Enver Hoxha. Më pas në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Sinodhit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, z. Niko Cane i paraqiti Kongresit një relacion mbi ndryshimin e projekt-statutit, ku në mes të tjerash thuhej: "Në emër të Sinodhit të Shenjtë, po i parashtroj këtij Kongresi për shqyrtim dhe aprovim, projekt-statutin më të ri të Kishës s'onë, të përgatitur prej vetë Sinodhit në bashkëpunim me specialistët e tjerë mbi çështjet kanonike dhe dogmatike. Në përpilimin e këtij projekt-statuti, shokë, janë marrë parasysh këta faktorë kryesorë: 1) Fitorja historike që korri populli ynë nëpërmjet luftës famëmadhe Nacional-çlirimtare, i udhëhequr nga Partija jonë e Punës, me në krye shokun Enver…4) Situata e re që u krijua në gjirin dhe në udhëheqjen e Kishës me marrjen e frerit kishtar nga ana e popullit dhe me rrëzimin e sistemeve totalitare dhe eksploatonjës të krijuar nga jerarkë të degjeneruar dhe renegatë të interesave të Kishës së popullit tonë, siç ishin Kristoforët dhe Visarionët me shokë, të cilët në kundërshtim të hapët me parimet demokratike të orthodhoksisë, e kishte monopolizuar Kishën në duart e një klike të privelegjuar, së cilës i shërbenin verbërisht. Kisha jonë duhet të frymëzohet nga ndjenja të zjarrta atdhedashunije dhe respekti të pakufishëm për Pushtetin e Popullit dhe për udhëheqësit e tij, ndjenja këto që dihet t'i nxisi dhe t'i ngrejë lart dhe në rradhët e masave, duke u nisur gjithmonë nga parimi se pa atdhe dhe popull të lirë, nuk mund të ketë kurrë kishë të lirë. Këto janë parimet themeltare që dallojnë rrënjësisht statutin e ri nga ay i vjetër, i cili nuk ishte gjë tjetër veçse një statut personal i Zogut dhe Vissarionit që ekzaltonte e mbronte dy Tiranë, njërin në shtet, dhe tketrin në Kishë dhe që mbështetste dhe përforconte pozitat e një klike të priveligjuar në gjirin e udhëheqjen e Kishës t'onë, Statuti, ay që u përdor pastaj si një simbol i shenjtë edhe prej Kristoforit, i cili e shpinte ujin në të njëjtin mulli dhe interesat e parimet e të gjithë tiranëve, bile me tendenca më të theksuara e më djallëzore prej këtij nxënësi të denjë të frymës së errët të fanarit. Sikur të zbrisnim pak më poshtë e të qasemi në Athinën monarko-fashiste të tjera bekime dhe këtu nga ana e udhëheqjes së Kishës greke, që nxiti monarko-fashizmin të masakrojë popullin grek dhe të vrasi shqiptarë apo bullagrët për të rrëmbyer tokat e tyre. Por le të mos zgjateme më tepër në këtë drejtim, pse këtë punë e bënte dhe Kristofori me shokë dhe le të themi me përgjegjësi se shumica dërmonjëse e Kishave ku pushteti nuk ndodhet në duart e popullit, ku edhe kishat sundohen e udhëhiqen nga renegatët e popullit dhe pseudofetarë" 

Mbyllja e Kongresit
Pas relacionit të Sekretari i Përgjithshëm Niko Cane, u miratua Projekt-Rezolucioni i Kongresëit të III të Kishës Ortodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ku midis të tjerash thuhej: "Kongresi u mbajt në një kohë kur populli i Shqipërisë, i çliruar qysh prej 6 vjetësh, në sajë të fitores së shkëlqyer t'Ushtrisë Sovjetike të lavdishme të prirë nga Gjeniali Stalin, dhe në sajë të luftës së tij heroike Nacional-Çlirimtare, të prirë nga Komandanti ynë i dashur Gjeneral-Armate Enver Hoxha, ka përmbysur regjimet anti-popullore të tiranisë, të shtypjes dhe të çfrytëzimit, duke marrë Pushtetin në duart e veta dhe ka dërrmuar me vendosmëri shëmbullore gjithë tentativat e tradhëtarëve dhe t'armiqëve të tij të brendshëm dhe të jashtëm që synojnë në mënurë sistematike dhe djallëzore t'i rrëmbejnë këtë fitore të lavdishme, të korrur me aq sakrificë dhe privacione dhe me mijra dëshmorë dhe heronj. U mbajt në një kohë kur vendi ynë, i prirë nga Qeverija jonë Demokratike, nga Partija jonë e Punës dhe Shoku Enver, dhe me ndihmën e paçmuar të Bashkimit Sovjetik e të Madhit Stalin, dhe me ndihmën e Demokracive Popullore, ka arritur suksese të mëdha në zhvillimin e gjithëanshëm. U mbajt në një kohë kur Atdheu dhe Populli ynë, nën udhëheqjen e Partisë dhe të shokut Enver, janë rradhitur vendosmërisht në Kampin e pathyeshëm Demokratik dhe anti-imperialist, të prirë nga Bashkimi i Lavdishëm Sovjetik dhe Madhi Stalin, Kamp i cili rritet e forcohet dita ditës, ndërsa kampi anti-demokratik e imperialist, që përfshin forcat e errësirës dhe të skllavërisë, me në krye imperializmin amerikano-englez, po gërryhet dhe dërmohet nga dita në ditë. U mbajt së fundi, në një kohë kur mbarë njerzimi përparimtar, është rradhitur nën Kampin unik të paqes, të dashurisë dhe të vëllazërisë, ku e ka vëndin dhe kisha jonë e rilindur dhe ku bëjnë pjesë Kishat përparimtare të Botës, me në krye Kishën e Madhe Orthodhokse Ruse. Kongresi, pasi dëgjoi Referatin e Kryetarit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, mbi gjëndjen e saj qysh prej kohrave të lashta e deri sot dhe prograqmin e ri të kishës së rilindur, si dhe diskutimet e delegatëve të Kongresit, dënon me një zë të gjithë veprimtarinë armiqësore t'ushtruar prej udhëheqsave të deridjeshëmnë dëm të saj, të popullit dhe Atdheut tonë, aprovon unanimisht rrugën dhe vijën ndërtimtare që ka caktuar udhëheqja e saj e sotme si dhe Statutin e ri të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, duke caktuar njikohësisht këto detyra: "1) Të aktivizohet në një mënyrë t'atillë që Kisha të orientohet e të drejtohet në rrugën që shpie drejt kampit unik të paqes, në dashurinë dhe vëllazërimin ndërmjet popujvet, në krye të cilit qëndron Bashkimi i Lavdishëm Sovjetik dhe i Madhi Stalin dhe ku bëjnë pjesë vendosmërisht të gjithë popujt përparimtarë e paqe-dashës dhe gjithë kishat përparimtare, me në krye Kishën e Madhe Orthodhokse Ruse…2) Gjithë funksionarët e Kishës, klerikë dhe laik, gjithë priftërinjtë dhe gjithë personeli kishtar, si dhe gjithë antarët e këshillave kishtare të qyteteve dhe katundeve, të jenë njerëz me ndjenja të larta patriotike, të jenë njerëz të ndershëm , të ushqeknë dashuri të pakufishme për republikën tonë Popullore, për Qeverinë Demokratike, për Partinë t'onë të Punës dhe udhëheqësin e saj të ndritur shokun Enver…4) Kongresi falenderon nga zemra Qeverrinë t'onë Demokratike, Partinë tonë të Punës dhe shokun Enver dhe u shpreh ndjenjat e mirënjohjes së thellë për përkrahjen e ndihmën e madhe morale dhe materjale që i kanë dhënë dhe po i japin vazhdimisht Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në përmbushjen e detyrave të saj karshi popullit dhe atdheut". Kongresi i III i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (nënshkrimet e delegatëve)

Pasojat e ndryshimit të Statutit
Ndërhyrja e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës në çështjet e besimeve fetare dhe ndryshmi i statutit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që ishte miratuar në vitin 1928 nga Qeveria e Monarkisë së Zogut, ishte me pasoja të mëdha për këto komunitet fetar dhe Shqipërinë. Në atë statut të miratuar nga Kongresi i III I Kishës Orthodhokse, u sanksionua që në krye të asaj kishe mund të vinte në Shqipëri çdo Peshkop i huaj. Në bazë të këtij statuti të vitit 1950, erdhi në Shqipëri edhe Hirësia e tij Anaqstas Janullatis, prania e të cilëit ngjalli polemika dhe debate të mëdha të cilat vazhdojnë ende jo vetëm në qarqet fetare por dhe ato shtetërore.



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Health - your guide to health and wellness
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list