Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Nano per doreheqjen e Dokles - Shekulli

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Mon Apr 29 19:37:40 EDT 2002


MORALI DHE GABIMI I DOKLES


Nga MUSTAFA NANO


Dorëheqjet ndodhin rrallë këtej nga anët tona. Sidomos kur bëhet fjalë për poste të rëndësishme të llojit e të nivelit të kreut të Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë kuptim, edhe ngaqë nuk është është në harmoni me mentalitetin e kapjes me thonj e me dhëmbë pas kolltukut, vendimi i Namik Dokles është disi befasues. Por analiza e kësaj dorëheqjeje nuk mbaron këtu.
Kryetari i Kuvendit, Namik Dokle, e ka shpjeguar dorëheqjen e tij. Thelbi i shpjegimit përmblidhet në frazën: "Jap dorëheqjen, sepse nuk mund të pranoj të zbatoj një vendim antikushtetues të Gjykatës Kushtetuese". Në një përqindje të madhe, duhet besuar se është vërtet kështu, d.m.th. Dokle është i bindur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm është antikushtetues. Në këtë kuptim, kjo dorëheqje në thelb ka vetëm motive morale. Ai as nuk është i nxitur nga të tjerë, as nuk e bën këtë gjest si pjesë të një loje politike me synime të caktuara. Eshtë thjesht një urdhër që ka marrë nga ndërgjegjia e morali i tij politik, si për të na mbushur mendjen se edhe vota e tij pro shkarkimit të Arben Rakipit, ka të bëjë me këtë ndërgjegjie e me këtë moral, e jo me interesa e arsye të tjera të dyshimta. Ndoshta është vërtet kështu. Dhe si për ta përforcuar këtë përshtypje, grupi politik, të cilit i ka përkitur në betejën brenda Partisë Socialiste e me ndihmën e të cilit u zgjodh kryetar Kuvendi, nuk e ka miratuar këtë lëvizje të fundit. 
Por duke e pranuar këtë dorëheqje si një gjest moral, duhet thënë me plot gojën se është një gjest i gabuar. Nuk është ndonjë gabim që merr në qafë ndokënd, që shkakton ndonjë krizë institucionale, politike apo parlamentare, por sidoqoftë është një gabim. Arsyetimi politik që bën Dokle me këtë rast nuk është shumë i shëndetshëm. Ai pa ndonjë shkak ndihet i sfiduar dhe i fyer në një plan personal, a thua se shkarkimin e Rakipit e ideoi, e programoi dhe e vuri në jetë ai dhe vetëm ai. Ai pa të drejtë i shikon raportet midis institucioneve e pushteteve nën një dritë disi emotive e në një plan shumë të personalizuar. Nuk është çudi të ketë thënë me vete: "Edhe këtë ma bëri Fehmi Abdiu!" Dhe nën trysninë e një konceptimi të tillë emotiv të marrëdhënieve institucionale, ai është ndjerë përgjegjës më shumë se ç'duhet. 
Përveç kësaj, Dokle është ca si tepër arrogant në përcaktimin si "antikushtetues" të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, apo në trajtimin e lëvizjes së kësaj gjykate si një agresion ndaj Parlamentit. Në fakt, nuk është ndonjë mëkat të japësh përcaktime të tilla, sidoqë një figurë institucionale e rangut të kryetarit të Kuvendit, është mirë të jetë ca më shumë skrupuloz. Dua të them, se Dokle afërmendsh është i lirë të ketë opinionin e tij lidhur me vendimin e Abdiut, ashtu si edhe të tjerët kanë qënë të lirë të kenë mendimin e tyre të ndryshëm nga i Dokles lidhur me vendimin e Parlamentit, por çështja është që institucionalisht vetëm Abdiu (nënkupto Gjykata Kushtetuese) ka detyrën e të drejtën për të dhënë përcaktime të tilla. Me Kushtetutën që kemi (në një farë kuptimi, është Kushtetuta e bërë prej Dokles e prej socialistëve), është Gjykata Kushtetuese ajo që ka të atributin ta interpretojë Kushtetutën e të thotë se çfarë është kushtetuese e çfarë është antikushtetuese. Në Shqipëri mund të ketë konstitucionalistë shumë të mirë që nuk janë "nën hyqmin" e Abdiut, gjë që do të thotë se jashtë Gjykatës Kushtetuese mund të ketë interpretime të tjera, ndoshta më të sakta. E kjo nga ana e vet, nuk do të thotë asgjë. Gjykata Kushtetuese nuk është ngritur e kompozuar me synimin që të japë gjykime matematikisht të sakta, të cilët duhet të duartrokiten. Përkundrazi, është ngritur që të japë vendime, të cilat janë të pakundërshtueshme (të pakundërshtueshme, edhe kur janë apo kualifikohen si të gabuara). Në këtë kuptim, ndërsa është krejt legjitime të diskutohet drejtësia e një vendimi të dhënë nga Gjykata Kushtetuese, nuk janë aspak legjitime planet politike që thurren për ta kundërshtuar këtë vendim apo për t'iu kundërvënë vullnetit të kësaj gjykate. Dokle me dorëheqjen e tij, dashje pa dashje, krijon terrenin, mbi të cilin mund të ngrihen plane të tilla.




---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Health - your guide to health and wellness
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list