| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Vendim Nr. 76 Gjykates KushtetueseAgron Alibali aalibali at yahoo.comThu Apr 25 21:29:09 EDT 2002
Vendim "Në emër të Republikës së Shqipërisë" Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Fehmiu Abdiu, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese Zija Vuci, Anëtar i " " Alfred Karamuço, Anëtar i " " Kristofor Peçi, Anëtar i " " Kujtim Puto, Anëtar i " " Tefta Zaka, Anëtar i " " Petrit Plloçi, Anëtar i " " Sokol Sadushi, Anëtar i " " Gjergji Sauli, Anëtar i " " me sekretare Arbenka Lalica, në datën 08.04.2002, mori në shqyrtim në seancëgjyqësore me dyer të hapura çështjen nr.78 Akti që i përket: Kërkues: Arben Rakipi, përfaqësuar nga avokatët Vangjel Kosta e Edmond Icka. Subjekte të interesuara: 1. Kuvendi i Shqipërisë, në mungesë 2. Presidenti i Republikës, përfaqësuar nga Vjollca Uruçi 3. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, përfaqësuar nga kryetari, zoti Arben Malaj 4. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në mungesë Objekti: Shfuqizimi antikushtetues i Vendimit nr.20, datë 19.03.2002 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe i Dekretit nr.3276, datë 25.03.2002 të Presidentit të Republikës. Baza ligjore: Nenet 7, 42 151 shkronja "f", 134/1 shkronja "g", 134/2 e 149/2 të Kushtetutës. Kërkuesi ka parashtruar në kërkesën e paraqitur se gjatë procedurës për nxjerrjen e vendimit të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Dekretit të Presidentit të Republikës për marrjen e masës së shkarkimit nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm, janë shkelur të drejtat e tij kushtetuese e ligjore nga një proces i parregullt ligjor, në këto drejtime kryesore: - Nuk është informuar për natyrën dhe shkakun e shkarkimit nga detyra; - Nuk i është dhënë koha e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes; - Nuk i është dhënë mundësia për tu dëgjuar dhe mbrojtur. Presidenti i Republikës, në pozitën e subjektit të interesuar, ka pretenduar se kërkuesi nuk legjitimohet për të paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese dhe se kjo Gjykatë nuk është kompetente të shqyrtojë çështjen. Gjykata Kushtetuese pasi dëgjoi relatorin e çështjes Gjergj Sauli, kërkuesin dhe përfaqësuesin e tij, përfaqësuesit e subjekteve të interesuara dhe shqyrtoi çështjen në tërësi, Vëren Me vendimin nr.20, datë 18.03.2002, Kuvendi i Shqipërisë, ka vendosur ti propozojë Presidentit të Republikës, shkarkimin e kërkuesit Arben Rakipi nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm, "për akte e sjellje që kanë diskredituar rëndë pozitën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës së tij". Mbi bazën e këtij propozimi, Presidenti i Republikës me Dekretin nr.3276, datë 25.03.2002, bazuar në nenin 149/2 të Kushtetutës, ka shkarkuar nga detyra Prokurorin e Përgjithshëm me motivacion, "përakte e sjellje që kanë diskredituar rëndë pozitën e prokurorit". Gjykata Kushtetuese e sheh të nevojshme që, para se të analizojë pretendimet e kërkuesit, të shqyrtojë dhe të mbajë qëndrim ndaj pretendimeve të bëra nga përfaqësuesi i Presidentit të Republikës si subjekt i interesuar, veçanërisht lidhur me kompetencën e Gjykatës Kushtetuese në shqyrtimin e kësaj çështje si dhe me legjitimimin e kërkuesit për të vënë në lëvizje këtë Gjykatë. Pretendimi i subjektit të interesuar se Gjykata Kushtetuese i mungon kompetenca e gjykimit të kushtetushmërisë së shkarkimit nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm nuk është i bazuar. Eshtë e vërtetë që në bazë të neneve 90, 115, 128, 140 të Kushtetutës, Gjykatës Kushtetuese, i është dhënë kompetenca të shqyrtojë shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, të anëtarit të Gjykatës së Lartë e të organeve të qeverisjes vendore, por kjo nuk do të thotë se ky organ nuk ka të drejtë të shqyrtojë ankesat kushtetuese në raste të tjera të parashikuara nga kjo Kushtetutë. Detyra themelore e Gjykatës Kushtetuese, si garant i respektimit të Kushtetutës, nuk mund të interpretohet e kuptohet e kufizuar vetëm në raport me organet apo funksionet e sipërpërmendura, por edhe me çdo individ, kur janë kushtet e shkronjës "f" të nenit 131 të Kushtetutës. Duke ju referuar përmbajtjes së neneve 131 shkronja "f" dhe 134 shkronja "g" të Kushtetutës, si dhe jurisprudencës së konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, arrihet në konkluzionin se ndërsa për rastet e subjekteve të pretenduara më sipër, Gjykata Kushtetuese shqyrton si themelin e çështjes ashtu dhe procedurën e zbatuar, në rastin e Prokurorit të Përgjithshëm, i cili pas shkarkimit nga detyra paraqitet si individ, ajo ushtron kontrollin kushtetues vetëm mbi zbatimin e parimit themelor për një proces të rregullt ligjor. Ndaj pretendimit tjetër të subjektit të interesuar sipas të cilit Prokurori i Përgjithshëm nuk legjitimohet të bëjë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese me rastin e shkarkimit të tij nga Presidenti i Republikës, kjo Gjykatës parashtron një sërë argumentesh duke u mbështetur në dispozitat e Kushtetutës, në dokumentet ndërkombëtare dhe jurisprudencën e saj. Në bazë të neneve 131 shkronja "f" dhe 134 shkronja "g" të Kushtetutës, çdo individ ka të drejtë ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese kur ai mendon se nga shkelja e parimit për një proces të rregullt ligjor, ati i janë cënuar të drejtat kushtetuese e ligjore dhe kur i janë shterur mjetet e tjera juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave. E drejta për të qenë Prokuror i Përgjithshëm sigurisht që nuk është një e drejtë themelore, por nga ky pozicion rrjedhin një sërë të drejtash kushtetuese e ligjore për individin, të cilat synon ti mbrojë neni 42/1 i Kushtetutës nëpërmjet procesit të rregullt ligjor. Subjekti i interesuar pretendon gjithashtu se dispozita e mësipërme mbron vetëm të drejtat e individëve dhe jo të individëve që kanë qenë të veshur me pushtet publik, duke ju referuar një qëndrimi të mbajtur nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen "Pellegrin kundër Francës". Gjykata Kushtetuese e çmon më të nevojshme të theksojë se çështja "Pellegrin kundër Francës" e referuar qoftë edhe si bazë për të nxjerrë përfundime teorike, dëshmon të kundërtën e asaj që pretendohet nga subjekti i interesuar. Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, problemin e legjitimimit e ka ngritur si çështje në lidhje me nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe me rastin në gjykim, por jo në raport me të drejtën kombëtare. Fakt është se Pellegrin, për të cilin Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ngre problemin e legjitimimit për nëpunësin publik, e kishte ushtruar të drejtën për tu gjykuar në të gjithë hallkat e sistemit gjyqësor të vendit të tij. Gjykata Kushtetuese konstaton se në çdo rast Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut vendos standartet e domosdoshme dhe garancitë që çdo shtet kontraktues duhet të sigurojë për të realizuar një proces të rregullt ligjor dhe jo rrethin e personave që duhet të përfitojnë prej saj. Ajo çmon se procesi i rregullit ligjor zbatohet për të gjitha konfliktet që janë vendimtare për pozicionin juridik të një personi qoftë ai edhe funksionar publik. Pra Gjykata Kushtetuese e shikon pozicionin e funksionarit publik në këndvështrimin e garancive që i siguron Kushtetuta, jurisprudenca e saj e deritanishme dhe fryma e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata Kushtetuese ka parasysh edhe dallimin që ekziston ndërmjet nenit 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 42/1 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa në Konventë parashikohet e drejta e individit për një gjykim të drejtë penal apo civil, në nenin 42/1 të Kushtetutës dhe në jurisprudencën tashmë të konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, e drejta e individit për një proces të rregullt ligjor nuk është e kufizuar vetëm në procesin gjyqësor, por edhe në atë me karakter disiplinor administrativ, siç është rasti në shqyrtim. Në kundërshtim me sa pretendohet nga subjekti i interesuar se kërkuesit nuk i janë shteruar mjetet e tjera juridike për të mbrojtur të drejtat e tij, Gjykata Kushtetuese konkludon se Dekreti i Presidentit të Republikës për shkarkimin nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm, si një akt individual me karakter administrativ, nuk mund të trajtohet në të njëjtën mënyrë si aktet e tjera administrative, të cilat shqyrtohen nga gjykata e juridiksionit të zakonshëm. Veçantia e këtij dekreti të Presidentit të Republikës qëndron në faktin se ai është i lidhur pazgjidhshmërisht me procedurat parlamentare, në bazë të të cilave ka dalë vendimi propozues i Kuvendit, që është një premisë e domosdoshme për nxjerrjen e dekretit. Nga kuptimi i neneve 324-333 të Kodit të Procedurës Civile rezulton se nuk mund të shqyrtohen nga gjykatat e zakonshme aktet me karakter administrativ të kësaj natyre, të cilat janë rezultat i procedurave parlamentare. Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese i konsideron të shteruara mjetet juridike që duhet të përdor kërkuesi për mbrojtjen e të drejtave të tij kushtetuese dhe ligjore për një proces të rregullt ligjor. Lidhur me pretendimin e kërkuesit se është zhvilluar një proces i parregullt ligjor gjatë procedurës për shkarkimin e tij nga detyra, Gjykata Kushtetuese çmon të theksojë se çdo organ i pushtetit publik gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues e ligjor ështëi detyruar të respektojë standartet e gjithëpranuara demokratike, të cilat kanë gjetur pasqyrimin e tyre në Kushtetutë. Në vendimin interpretues nr.75, datë 19.04.2002, Gjykata Kushtetuese e ka konsoliduar qëndrimin e saj lidhur me kuptimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, duke arsyetuar se njohja paraprake e personit ndaj të cilit kërkohet të merret masa e shkarkimit, me materialet që e ngarkojnë atë me përgjegjësi, respektimi i të drejtës për tu dëgjuar dhe mbrojtur, si me anën e dhënies të sqarimeve paraprake ashtu dhe gjatë shqyrtimit të çështjes, janë disa nga elementët bazë që garantojnë të drejtën kushtetuese të cilitdo për një proces të rregullt, si një e drejtë themelore, cënimin e së cilës, jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese e ka identifikuar në çdo rast, si shkelje të Kushtetutës. Duke ju referuar çështjes në shqyrtim, Gjykatës Kushtetuese i rezulton se Kuvendi, gjatë procedurës së ndjekur për shkarkimin nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm nuk i është përmbajtur pikërisht respektimin të këtyre standarteve. Kështu Kuvendi i ka konsideruar të mirëqëna të gjitha akuzat e drejtuara ndaj kërkuesit, duke u mbështetur vetëm në diskutimet e deputetëve, pa argumentuar shkeljet konkrekte, pa njoftuar rregullisht kërkuesin për përmbajtjen e materialit në ngarkim të tij, pa i dhënë kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe pa e dëgjuar atë për të parashtruar prapësimet rreth këtyre akuzave. Konkretisht, seanca e debatit për shkarkim nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm u zhvillua në mbasditen e datës 18.03.2002 dhe vazhdoi pa ndërprerje deri në orët e para të datës 19.03.2002. E gjithë procedura u zhvillua rreth një relacioni që shoqëronte projektvendimin, sepse vetëm në të e jo në mocion përmendeshin shkaqet konkrete, për të cilat kërkohej shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm nga detyra. Eshtë e vërtetë që kërkuesi është njoftuar nga Kryetari i Kuvendit me shkresën nr.434/2, datë 18.03.2002 për debatin që do të zhvillohej, por ky njoftim, që më shumë është një ftesë për të asistuar në Kuvend, iu dorëzua me mocionin përkatës disa orë përpara debatit, pa u shoqëruar me materialet për shkaqet konkrete në ngarkim të tij, për të cilat ai kërkohej të shkarkohej nga detyra. Gjithashtu, krahas njoftimit të mësipërm, në të njëjtën datë, më 18.03.2002, kur do të zhvillohej mocioni për debat, kërkuesit i është dërguar nga Kuvendi një shkresë e dytë me nr.683 Prot, me të cilën njoftohej se në orën 17.00 të kësaj date, të paraqitej në Kuvend për shqyrtimin e një materiali të prokurorisë, pra për një çështje tjetër, që nuk kishte lidhje me mocionin për shkarkimin nga detyra. Në këtë mënyrë, kërkuesi është vënë në pamundësi reale për të realizuar të drejtën e tij të mbrojtjes. Pavarësisht nga mënyra e rregullimit në Kushtetutë apo nëligj të procedurave për shkarkimin nga detyra të Prokurorit të përgjithshëm, Gjykata Kushtetuese thekson se Kuvendi nuk pengohej të adoptonte rregulla që ai mendonte se ishin të zbatueshme për rastin konkret, por gjithmonë duke respektuar parimin kushtetues, atë të një procesi të rregullt ligjor.Me këto shkelje është pajtuar edhe Presidenti i Republikës, i cili ka miratuar propozimin e Kuvendit për shkarkimin nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm. Procedura e ndjekur nga Presidenti përmban të njëjtët elementë që kanë cënuar të drejtën për proces të rregullt ligjor. Kërkuesi është thirrur nga Presidenti para dekretimit të shkarkimit nga detyra, por nuk rezultoi që ai të jetë njohur më parë me materialin që përmbante shkaqet e shkarkimit të tij nga detyra, apo që ti jetë dhënë koha e nevojshme për tu përgatitur për mbrojtje, me qëllim që Presidenti i Republikës, në përputhje me Kushtetutën, të kishte mundësinë për të ushtruar kompetencat e tij vendimmarrëse ndaj vendimit propozues të Kuvendit. Dekreti i Presidentit dhe Vendimi i Kuvendit, që janë objekt kundërshtimi në këtë gjykim, ndonëse i përkasin dy organeve të ndryshme kushtetuese, janë të lidhura me njëri-tjetrin dhe përfaqësojnë një proces të pandashëm. Megjithatë kjo lidhje jo vetëm nuk prek të drejtën e Presidentit që të verifikojë vendimin e Kuvendit, por e presupozon dhe e bën të domosdoshëm këtë verifikim. Ky qëndrim është mbajtur nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj interpretues nr.75, datë 19.04.2002, në të cilin thuhet se, përsa i përket nenit 149 pika 2 të Kushtetutës, "Gjykata Kushtetuese çmon se është Presidenti i Republikës organi kompetent i ngarkuar nga Kushtetuta për të kryer një verifikim nga pikëpamja kushtetuese të shkaqeve si dhe procedurave të ndjekura nga Kuvedni për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ky konkluzion del nga mënyra e formulimit të këtij neni kushtetues në të cilin përdorimi i shprehjes "mund të shkarkohet" do të thotë se vendimi i Kuvendit për propozimin e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk është përfundimtar, por është vetëm inicimi i një procedure shkarkimi, bazueshmëria në ligj e në Kushtetutë e të cilës vlerësohet në këtë rast nga Presidenti i Republikës". Prandaj roli i Presidentit në këtë rast është përcaktues. Detyra e tij si përfaqësues i unitetit të popullit është të mbikqyrë funksionimin normal të mekanizmave kushtetuese, duke ndërhyrë për eleminimin e mangësive në këtë drejtim. Si konkluzion, duhet theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk mori në shqyrtim se sa të bazuara në ligj dhe në fakt ishin aktet dhe sjelljet diskredituese të pozitës së Prokurorit të Përgjithshëm, sepse ato kanë të bëjnë me zgjidhjen në themel të çështjes konkrete. Ajo në ushtrim të plotë të kompetencave të saj shqyrtoi kushtetutshmërinë e procedurave të shkarkimit dhe konkludon se ato kanë qenë në kundërshtim me parimet kushtetuese. I përket Kuvendit të Shqipërisë të riparojë këto shkelje, duke rishqyrtuar çështjen në përputhje me parimet kushtetuese dhe normat e gjithpranuara ndërkombëtare për një proces të rregullt ligjor. Për këto arsye Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, duke u bazuar në nenet 131, shkronja "f", 132, 134 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 72, të ligjit nr.857 datë 10.02.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", me shumicë votash, Vendosi Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të Vendimit nr.20, datë 19.03.2002 të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Dekretit nr.3276, datë 25.03.2002 të Presidentit të Republikës. Dërgimin e çështjes për rishqyrtim Kuvendit të Shqipërisë. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Tiranë, më 25.04.2002 Nr.78 i Regj.Themeltar Nr.76 i Vendimit --------------------------------- Do You Yahoo!? Yahoo! Games - play chess, backgammon, pool and more -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |