| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Nano ne ShekulliAgron Alibali aalibali at yahoo.comTue Apr 23 07:32:33 EDT 2002
KUR INSTITUCIONET MBROHEN ME LOGJIKË KUNDËRINSTITUCIONALE Nga MUSTAFA NANO Neni 132 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thotë: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare. Nuk mund të gjendet artikulim më i qartë i pushtetit të një organi kushtetues. Vetëm pak nene të Kushtetutës sonë janë kaq të qartë në atë që duan të shprehin. Mund të rravgojmë kudo nëpër faqet e Kushtetutës për të gjetur nene të interpretueshme në më shumë se një mënyrë, por ky nen është i painterpretueshëm. Eshtë i qartë bash si një krim publik, d.m.th. duket që është ashtu si është. Të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë gjë. Ndryshe, nuk do të lindte ky nervozizëm i madh pas vendimit të fundit të Gjykatës sonë Kushtetuese. Në mënyrë të veçantë, politika e politikanët shqiptarë, të mësuar të lozin gjithëherën me gjëra e mes gjërash të interpretueshme, të mësuar të komandojnë, të qeverisin e të refuzojnë qeverisje ashtu si ua thotë truri, të mësuar pra të gjykojnë e të mos gjykohen, e kanë humbur toruan e janë bërë të papërmbajtshëm në deklaratat e tyre. Janë përfshirë në këtë valle nervozizmi Presidenti, kryetari i Kuvendit, kryetari i opozitës, kryetarë partish, politikanë të tjerë. Në të vërtetë, si rrallë ndonjëherë tjetër kanë arsye të ndihen të provokuar. E pata paralajmëruar edhe unë vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese si një provokacion që vjen pas një beteje të lodhshme e të zhurmshme, së cilës iu shkua deri në fund, dhe e cila pati viktimat e fitimtarët e vet. Nëse një veprim i tillë do të ishte kryer në kohën e duhur dhe nën nxitjen e një raison dêtre-je të shëndetshme, nuk do të kishim të bënim me asnjë provokacion; por veprimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi në momentin më të gabuar. Vonesa, ngadalësia e papërgjegjshmëria në dhënien e këtij vendimi janë sa të duash të qortueshme, aq sa atributet e kompetencat e kësaj gjykate për të dhënë vendime të paapelueshme e përfundimtare të ngjajnë me mëlçitë që, për ti ruajtur, varen në qafën e ujkut. E megjithatë, përtej alegorisë me ujkun, kjo që ndodhi i ka dhënë një goditje të rëndë besueshmërisë publike të institucioneve. Pikërisht këtu është dëmi më i madh i kësaj historie. Atëherë? Duke iu rikthyer arsyetimit të fillimit, më duhet të them se reagimi politik ka qënë i çpërmasuar dhe jo institucional. Janë të pakta mendjet e urta, të cilat, ndërsa reagojnë, kanë parasysh se respekti ndaj institucioneve nuk ka lidhje me drejtësinë apo padrejtësinë e vendimeve që merren nga këto institucione. Dua të them, se mund të sulmohet vendimi që është marrë nga Gjykata Kushtetuese, por aksioni për ta shpërfillur këtë vendim, apo më keq akoma, aksioni për ta çbërë nga themelet këtë gjykatë, vjen nga një konceptim emotiv e patetik i shtetit të së drejtës dhe i demokracisë. Ky është agresion ndaj parlamentarizmit thonë një mori zërash, duke harruar se në shtetin e së drejtës të gjithë organet kushtetuese, edhe Parlamenti pra, i nënshtrohen mekanizmit check & balance. Kjo do të thotë që Parlamenti, edhe pse është në qendër të organizimit të një Republike Parlamentare, (duhet të) kontrollohet e verifikohet në veprimtarinë e tij. Dhe këtë detyrë, sipas Kushtetutës sonë, e kryen Gjykata Kushtetuese, anëtarët e së cilës zgjidhen e shkarkohen nga Parlamenti, gjë që evidenton mekanizmin që sapo përmendëm: Parlamenti kontrollohet nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa kjo e fundit varet nga Parlamenti. Afërmendsh, kjo lloj varësie është ligjore e kushtetuese, e rrjedhimisht nuk mund të ngrihet e të funksionojë mbi bazën e emocioneve të njërit apo tjetrit. Sipas të gjitha gjasave, mekanizmi check & balance është i aplikuar në mënyrë jo dhe aq funksionale në Kushtetutën tonë, por kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga respektimi i Kushtetutës dhe i institucioneve kushtetuese. Kjo sdo të thotë gjithashtu se në rastin konkret, edhe kur biem dakord që Gjykata Kushtetuese është tërësisht gabim, kemi të bëjmë me një agresion kundër parlamentarizmit. Një logjikë e tillë lind në bodrumet, ku banojnë qejflinjtë e diktaturës parlamentare. Në një demokraci normale, më shumë se ndaj një veprimi të gabuar të një institucioni, duhet të reagojmë ndaj atyre që bëjnë thirrje për të injoruar institucionet. Një gabim i një institucioni është një gabim, dhe kaq; në këtë rast mund të themi që demokracia nuk funksionon si në vaj. Ndërsa shpërfillja e institucioneve është një precedent apo praktikë që e shndërron demokracinë në iluzore e na hedh në grackën e një arbitrariteti fatal; në këtë rast mund të themi që demokracia vdes. Duhet ta suprimojmë Gjykatën Kushtetuese thotë Ngjela, i cili, me stilin dhe kompetencën e doktor Adhamudhit, nuk heziton të na sugjerojë ta krrejmë njërin sy, për të shpëtuar syrin tjetër. Në rastin më të mirë, kjo është një zgjidhje e një njeriu përtac, i cili na shfryn në fytyrë të parën ide që i vjen në mendje. Janë lëvizje që bëhen nën moton për të hequr qafe një fuksionar, suprimo funksionin. Ideja për të veshur Gjykatën e Lartë me kompetencat e gardianit të Kushtetutës nuk është se vjen në kundërshtim me teoritë konstitucionale, por ndërsa Ngjela mund të na japë vetëm një model praktik të ngjashëm me atë që propozon, ne mund ti japim dhjetëra modele praktike të ngjashëm me këtë që kemi. Përveç kësaj, a garanton kjo një zgjidhje të problemeve të kësaj natyre? Po sikur nesër Gjykata e Lartë të ndërmarrë një agresion ndaj parlamentarizmit? Mos duhet të suprimojmë edhe Gjykatën e Lartë? Sipas Ngjelës, po. Të na rrojë Ngjela, pastaj! Të rikompozohet Gjykata Kushtetuese - thotë Mediu. Në kushtet, kur kjo gjykatë e ka humbur në një masë të madhe besueshmërinë, nuk do të ishte një zgjidhje e keqe. Madje, ngjan të jetë e vetmja zgjidhje e mençur. Po si? Kjo nuk mund të bëhet me akuzat e Berishës, të cilit, të parat fjalë që i dalin nga goja në rrethana të tilla janë vrasje, vrasës, gjak, etj. Parlamenti nuk mund ti futet një aventure tjetër të diskutueshme, pasi kjo do të përbënte një agresion ndaj institucioneve. Zgjidhjet institucionale do të ishin dy. Së pari, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke marrë në konsideratë realitetin e sotëm të gjërave e rrethanave dhe me vetëdijën për të mos i shërbyer një konfuzioni politik e institucinal, të jepnin dorëheqjen. Edhe mund tu kërkohet kjo gjë nga të gjitha anët. Mund të duket pak e besueshme që të ndodhë, por gjithsesi mbetet si një zgjidhje e paqtë. Së dyti, duke patur parasysh që emërimi i anëtarëve të kësaj gjykate është bërë mbi kritere politike, duhet kërkuar një konsensus transversal në realitetin politik e parlamentar shqiptar për të formuluar një lloj impeachment-i. Emërimi i tyre me kritere politike, nëse pranohet e deklarohet nga PS-ja (nuk ka diskutim që Abdiu është një socialist i thekur e një antidemokrat i tërbuar), është një argument i mjaftueshëm për të bërë atë që duhet. PS-ja mund ta bëjë këtë hap në kuadër të një reformimi institucional në Shqipëri, i cili lipset bërë me kontributin e opozitës. Por për këtë, duhet të evitohen presionet që vinë nga qendra di lottizzazione apo nga qendra reaksionare brenda PS-së e brenda shumicës parlamentare. Duhet të evitohet gjithashtu formulimi i impeachment-it nga aleanca parlamentare të ngritura mbi interesa të dyshimta, siç ndodhi me Rakipin. Çështja është të mos krijohet ideja që në themel të një aksioni të tillë është mbrojtja e interesave të pista, por që gjithçka po bëhet në emër të reformimit të institucioneve. Ndryshe, gabimi do të ndreqej duke gabuar. Eshtë e qartë pra se, sa më sipër nuk duhet bërë për të neutralizuar vendimin që ka marrë apo që do të marrë Gjykata Kushtetuese lidhur me shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Arben Rakipi. Përkundrazi, rezistenca ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, cilido qoftë ky vendim, duhet të marrë fund; sa kohë që ekziston kjo gjykatë me këtë përbërje dhe në emër të respektit për institucionet, vendimet e saj duhen zbatuar deri në një. --------------------------------- Do You Yahoo!? Yahoo! Games - play chess, backgammon, pool and more -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |