Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] "Friends of Albania" nga Zef Mazi- Shekulli

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sun Apr 21 20:07:09 EDT 2002


Grupi i Miqve - “lavdia” e fundit

Nga Zef Mazi 

Grupi i “Miqve” u mblodh në konferencën e tij të 6-të dhe shpresoj të fundit. Ashtu si edhe pesë herë të tjera, ai bëri konkluzionet, të cilat ishin përgatitur me parë nga prezenca (lexo:amb.ahrens).”Miqtë “, siç pritej ,nuk morën parasysh asgjë serioze nga 12 propozimet e Shqipërisë (me përjashtim të vetëm dy pikave absolutisht anësore, sa për të thënë ). Ndodhi kështu, sepse Shqipëria përsëri ishte “jashtë “, edhe pse Ahrensi përpiqet të justifikojë se ishte “brenda”. Mos harrojmë, kjo ndodh në një organizatë, e cila që nga koncepti i saj në vitin 1975, ka funksionuar dhe funksionon vetëm mbi bazën e gjithëpërfshirjes, të konsesusit të të gjithëve. Kjo është raison d’etre –i saj. Vetëm në rastin e Shqipërisë dhe të grupit të ashtuquajtur të “Miqve” të saj nuk ka qenë kështu.
Ndërsa Ahrensi vrapon për në Tiranë, ndoshta para se të mbërrinin shqiptarët nga Vjena, për të organizuar konferencë shtypi për publikun tonë. Ai nuk ngurron të bëjë justifikime se sa mirë shkuan punët në Vjenë, se sa shumë ka ndihmuar dhe po ndihmon grupi, dhe të bëjë paralajmërime se po prishët grupin, ose këtë diçka të ngjashme me prezencën, Shqipëria nuk do t’i ketë punët mirë! Ahrensi harron se në fund të fundit ka të bëjë me një shtet sovran (ndonëse në vështirësi) që në OSBE është pjesëtar me të drejta të barabarta me të gjithë të tjerët, përfshirë të drejtën e votës dhe të vetos. Për të vazhduar më tej mendimin, ai ofron forma të tjera të tij, siç mund të ishte një bërthamë e grupit në Tiranë, tashmë nuk ka asnjë dyshim se atij grupi përfundimisht i ka kaluar ora (ndonëse për mua ai asnjëherë nuk ka pasur orë). Ai duhet shbërë pavarësisht nga tentativa dhe përpjekjet si ato të Ahrensit a të ndonjë tjetri, vetëm e vetëm për ta mbajtur ende gjallë, qoftë duke përdorur si karrem pjesëmarrjen e Shqipërisë tani e tutje. Ai grup të kujton Londrën e vitit 1913, dhe si u veprua me shqiptarët asokohe! Ky grup, pa asnjë hezitim, duhet të pushojë së ekzistuari. Kjo është klima që predominon edhe midis delegacioneve të OSBE –së në Vjenë. Pozita dhe opozita është mirë të konvergojnë në këtë pikë dhe të mos manipulohen në qëndrime të kundërta në emër të bashkëpunimit me ndërkombëtarët, për ta mbajtur atë gjallë.
Ç’ndodhi në Vjenë? Prezenca përgatiti projekt-konkluzionet. Mësohet se ato Ahrensi i “shiti” te kryesia e OSBE-së, si material bruto për t’u përpunuar më tej nga “Miqtë”. Ai nuk donte të ngatërrohej më me to, sepse nuk donte të vazhdonte të shfaqej në sytë e shqiptarëve si “djali i keq”. Në mbyllje të mandatit të shtyrë, ai paska vendosur të lërë përshtypje të mira! Personalisht mendoj se nuk po largohet duke lënë emër të mirë ose ndonjë mik të vërtetë në Shqipëri. Ai nuk po largohet si duhej të largohej, veçanërisht një gjerman prej vendit tonë, por ndoshta atij nuk i duhen miqtë shqiptarë. Ka të tjerë nga fqinjët tanë, kryesisht ata në veri.
Mësohet se disa nga “Miqtë” në mbledhjet dhe konsultimet informale për përfundimet, kanë qenë në garë kush e kush të shtojë sa më shumë të zeza për Shqipërinë. Sa më shumë të shtohen ato për Shqipërinë (tabela e qitjes) aq më shumë pakësohen ato (së paku teorikisht-politikisht) nga vendet e “kontribuesve”. Një shekull të përkryer të këtij zelli prej “miku”dha në këtë drejtim përfaqësuesi i Maqedonisë dhe ndonjë tjetër, duke vënë në vështirësi jo të vogla anëtarët e tjerë të grupit, dhe ato që nuk ishin në të njëjtin mendim. Konkluzioni i konkluzioneve: Në Shqipëri çfarë nuk bëhet, të gjitha të këqijat janë grumbulluar vetëm në Shqipëri, që nga krimi i organizuar, korrupsioni, prostitucioni, trafiqet e njerëzve, drogës dhe armëve, kufijtë, pakicat, drejtësia, energjetika, deri tek larja e parave, etj. Dhe me të gjitha këto merret “në mënyrë profesionale” prezenca e OSBE-së dhe “Miqtë”. Vetëm kopshtet e fëmijëve kanë mbetur pa u futur në planin e aktiviteteve të tyre!
Të tilla fenomene ndodhin kudo, bile disa prej tyre shumë më tepër se në Shqipëri, p.sh. organizata terroriste famëkeqe “17 nëntori”, “Kammorra” dhe Mafia ,”Skinheads” të organizuar edhe në parti politike, brigada nacionaliste, të tjera si ETA, IRA, krimi i organizuar dhe vrasjet e shumta politike, nuk janë krijuar e nuk janë të organizuara e funksionojnë nga Shqipëria. Në vendet ku ato ekzistojnë, janë të organizuara dhe operojnë, nuk thuhet se ka krim të organizuar, në ato vende nuk është dërguar OSBE, apo një Ahrens, për t’i evidentuar të gjitha e për të ndihmuar në kapërcimin e situatës.
Shembull tjetër, korrupsioni: është e vërtetë që ai është në nivele tepër të larta dhe në forma skandaloze. Ai medeomos duhet luftuar dhe eleminuar. Mesa duket kjo qeveri nuk është në gjendje të bëjë këtë gjë, por mos harrojmë se korrupsion ka kudo. Por korrupsioni në ato vende, për shkak të shifrave marramendëse dhe nivelet që kap, nuk është i tillë! Për të përdoren terma të tjera si “provizim”, “kaucion”, “komision”, “shpërblim”, etj., por jo korrupsion. Personat dhe firmat e përfshira në të, përdorin me lehtësi parajsat fiskale, si ishujt e Kanalit (Xhersej, Gërnsej, dhe ishulli Man), Luksemburgu (vend anëtar i BE-së ) Qipron(vend i asociuar në Be), etj. këto realitete të jetës së përditshme, dhe shumë të tjera si ato të përmendura në konkluzionet e “Miqve” tanë, në përmasa shumë më të mëdha, për praninë e OSBE-së apo për OSBE-në nuk ekzistojnë ato, vetëm tek ne ekzistojnë në formën e një liste të gjatë, dhe ato duhen zgjidhur përmes një “grupi miqsh”. Qesharake! Turp të luhet dhe të lejohet të luhet kështu me një vend në emër të ndihmës dhe bashkëpunimit!
Fjala e Ahrensit në plenaren e grupit të “Miqve” ishte mbështjellë me vellon e grisur të retorikës keqardhëse por shpresëdhënëse. Fjala mund të prekë vetëm çilimijtë (e politikës). Ajo tingëllon si qarjet dhe shpresat e krokodilit kur ballafaqohen me konkluzionet e grupit. Shumë gjëra paskëshin ndryshuar nga koha kur ka ardhur ai, duke lënë të nënkuptohet ”për të mirë”. Kjo bëhet si për t’u “shfaqësuar” për ato që thuhen në konkluzionet e grupit, dhe për të thënë: këto janë mendimet e mia, jo ato të grupit. Nëse është kështu, përse nuk thotë se nuk është dakort me ato pika, ose disa prej tyre? Apo nuk mund të ndërhyjë në atë pikë, sepse ato janë konkluzionet e takimit unanime të grupit? Po të krahasosh konkluzionet e takimit të parë të grupit me të fundit sheh se problemet, të këqijat në Shqipëri, janë shtuar. Mos ka ardhur kjo edhe si kontribut i miqve?
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka 12 zyra rajonale, më shumë se në çdo vend tjetër, me një përjashtim, siç e kam ngritur edhe në një artikull tjetër, askush nuk mund të thuhet saktë se me çfarë merren ato zyra dhe persona, çfarë bëjnë ato specifikisht. Ky proliferim zyrash duhet absolutisht i pakuptimtë dhe i pajustifikuar. Duket qartë që OSBE-ja në Shqipëri nuk ka mandat dhe program të fokusuar, nuk ka prioritete. Ajo merret me gjithçka dhe është e shpërndarë kudo. Asnjë shtet nuk do të lejonte një situatë të tillë. Është e mira që të identifikohen së bashku me autoritetet tona ekzekutive dhe politike, një numër i kufizuar fushash ku OSBE-ja vërtet ka kompetencë dhe mund të ndihmojë, dhe të fokusohet vetëm tek ato dy ose tre fusha. Pa dashur të prek askënd, duhet të shikohet që edhe cilësia, përgatitja profesionale dhe përvoja e anëtarëve të prezencës të jetë në nivelin që kërkon ndihma që duhet përcjellë, dhe jo të dërgohet kushdo që është “i lirë” në shtetet anëtare. Kështu ndihma do jetë më reale dhe e efektshme. Vendi ynë ka nevojë për ndihmë të tillë, të përcaktuar dhe definuar saktë, të fokusuar specifikisht në ato fusha ku ekspertiza lokale mungon ose është e kufizuar. Ky shqetësim, se prania në Shqipëri duhet të fokusojë veprimtarinë e saj, është ngritur në OSBE dhe shtete të mëdha, si SHBA-ja.
Ajo duhet bërë përmes një ridimensionimi të zyrave rajonale, përfshirë shkurtimin e tyre pa frikë në masën mbi 50% dhe rishikimin e mandatit të pranisë. Mos harrojmë, se në Memorandumin e Mirëkuptimit për vendosjen e pranisë në Shqipëri, mos gaboj, është e shkruar se zyrat rajonale happen (lexo: edhe mbyllen) me miratimin e vendit pritës. Çdo mision i kësaj natyre nuk mund të jetë i përhershëm. Diçka nuk do të ishte në rregull në rast se ai nuk përfshin në mandat edhe një strategji largimi (exist strategy). Është mirë që Ministria e Jashtme të fillojë të mendojë për këto çështje dhe të fillojë konsultimet me shtete të veçanta të OSBE-së. Kjo gjë duhet bërë me mençuri, pa u ngutur, pa zhurmë, për të mos qenë as tërthorazi jo produktive për vendin tonë.
Artikullshkruesi nuk e ka takuar asnjëherë Ahrensin, dhe nuk ka absolutisht asnjë problem personal me të. Po ashtu, nuk ka rëndësi çfarë mendon dhe thotë Ahrensi për të. Rëndësi ka që këto probleme janë reale, janë kështu, dhe duhen parë me kujdes pa humbur kohë, që vendit t’i bëhet shërbimi i duhur afatgjatë. Imazhi i tij duhet të ngrihet duke mos qenë më në rend të ditës, në fokus të organizatave ndërkombëtare dhe të mediave, dhe jo siç thuhet se kur je në fokus, në vëmendje, i ke punët mirë. Është e kundërta! Ndihma duhet të jetë e vërtetë dhe e efektshme, në barazi dhe respekt të plotë midis shteteve sovrane, në përputhje me të gjitha standartet dhe kartat ndërkombëtare. Ndoshta për këto pika Ahrensi do të mund të japë kontribut më të mirë në veprimtarinë e re që pritet të fillojë në një NGO (think tank) në Uashington.
 



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Games - play chess, backgammon, pool and more
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list