Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Privatizimi i BK-se - Shekulli

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Fri Apr 19 22:01:52 EDT 2002


Bankat greke mbetën dje përfundimisht jashtë procesit të privatizimit të bankës më të madhe në Shqipëri

Privatizimi i BK-së, grekët jashtë

Në garë janë dy banka italiane, një austriake dhe një kroate 

Një acarim i paqartë mbërtheu zyrtarët e shtetit menjëherë pas hapjes së zarfave dhe përgjatë të gjithë paradites asnjë zyrtar nuk pranonte të fliste. Ministri i Financave, Kastriot Islami, deklaroi për median se emrat e bankave kandidate do të mbahen sekret. Pasdite u njoftua se bankat greke janë përjashtuar

Gert Osmani
Alban Gjoni
Bankat greke, përfundimisht, janë jashtë garës për privatizimin e bankës më të madhe në Shqipëri, Bankës së Kursimeve. Lajmi u dha dje për “Shekullin” nga burime të mirinformuara pranë Bankës së Kursimeve. Një bankë greke, emri i së cilës nuk publikohet, shprehu dje zyrtarisht interesimin për blerjen e Bankës së Kursimeve bashkë me dy bankat italiane, një bankë austriake dhe një bankë kroate, por u skualifikua që në çastin e parë. Pas kësaj, katër bankat e tjera, ‘San Paoli IMI’ dhe ‘Intesa SPA’ nga Italia, ‘Bank of Austria’ nga Austria si dhe një bankë nga Kroacia do të vazhdojnë garën deri në 17 qershor kur do të hedhin në tryezë ofertat financiare dhe do t’i japin fund çështjes së privatizimit të kësaj banke. Për sistemin financiar shqiptar hapen dyert e diversifikimit të origjinës së kapitalit të sistemit bankar, duke i dhënë “frymë perëndimore” ekonomisë së vendit tonë. Gjatë muajve të fundit, përpjekjet e qarqeve greke për të shtënë në dorë Bankën e Kursimeve dhe Bankën Kombëtare Tregtare qenë shtuar dukshëm. Vetëm para disa muajsh, qeverisë shqiptare i ishte hedhur në tryezë një ide për ndarjen rajonale të shërbimeve qeveritare që kryhen nëpërmjet BK-së dhe dhënien e këtyre shërbimeve bankave të tjera. Grekët, aktualisht, zotërojnë 12 për qind të tregut bankar në Shqipëri. 
Blerja e Bankës së Kursimeve nga një vend perëndimor, si Austria apo Italia, i hap rrugën regjistrimit të Shqipërisë në listën e “tregjeve emergjente”, pra të vihet nën shënjestrën e investitorëve potencialë perëndimorë. Gjithashtu, blerja e BK-së nga një vend pa interesa të drejtpërdrejta politike mbi Shqipërinë, rrit shanset e përdorimit të bankës më të madhe në Shqipëri vetëm për qëllime biznesi. 
Enigma e sekretit të ofertave
Zyrtarisht, dje u hapën zarfat dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për privatizimin e Bankës së Kursimeve mësoi emrat e bankave pretendente. Një acarim i paqartë mbërtheu zyrtarët e shtetit menjëherë pas hapjes së zarfave dhe përgjatë të gjithë paradites asnjë zyrtar nuk pranonte të fliste. Ministri i Financave Kastriot Islami deklaroi për median se emrat e bankave kandidate do të mbahen sekret. 
Nuk është e qartë nëse ky sekret rrjedh nga ndonjë detyrim ligjor apo nga një ndryshim plani menjëherë pas hapjes së zarfave. Pasditen e djeshme, situata u qetësua dhe disa burime njoftuan se bankat greke mund të konsiderohen përfundimisht jashtë procesit të privatizimit të BK-së. Ministri i Financave u nis dje drejt Uashingtonit për të marrë pjesë në takimin e pranverës të komitetit të Breton Udsit si dhe të negociojë me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për dy marrëveshjet e reja trevjeçare. 
Bankat që dje shprehën interesin për blerjen e BK-së do t’i nënshtrohen procesit të kushteve ligjore për blerjen e BK-së si dhe do t’u krijohet mundësia për të njohur në thellësi dhe nga afër këtë bankë. Ato duhet të paraqesin deri më 17 qershor të këtij viti ofertën financiare, planin e zhvillimit të BK-së pas privatizimit si dhe sasinë e aksioneve që duan të blejnë. Pas hapjes së ofertave, në 17 qershor do të bëhet vlerësimi përfundimtar dhe do të përcaktohet fituesi. 



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Games - play chess, backgammon, pool and more
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list