| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Vendimi i Gjykates Kushtetuese - Zeri i Popullit, 20 prill 2002Agron Alibali aalibali at yahoo.comFri Apr 19 20:21:58 EDT 2002
Ja vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e tre neneve të Kushtetutës sipas kërkesës së 30 deputetëve të Parlamentit shqiptar Vendim "në emër të Republikës së Shqipërisë" Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Fehmi Abdiu Kryetar i Gjykatës Kushtetuese Zija Vuci, Anëtar i " " Gjergj Sauli, Anëtar i " " Alfred Karamuço, Anëtar i " " Kristofor Peçi, Anëtar i " " Kujtim Puto, Anëtar i " " Tefta Zaka, Anëtar i " " Petrit Plloçi, Anëtar i " " Sokol Sadushi, Anëtar i " " me sekretare Arbenka Lalica, në datën 25.03.2002, mori në shqyrtim në seancë gjjyqësore me dyer të hapura çëstjen nr.59 Akti i përket: Kërkues: Një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësuar nga Lekë Çuka Subjekte të interesuara: 1. Kuvendi i Shqipërisë, në mungese 2. Presidenti i Republikës, në mungesë 3. Gjykata e Lartë, përfaqësuar nga avokati Krenar Loloçi 4. Prokurori i Përgjithshëm, zoti Arben Rakipi Objekti: Interpretimi përfundimtar i neneve 128, 140, 149, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Interpretimin përfundimtar të neneve 128, 140 dhe 149 pika 2 të Kushtetutës, të cilat parashikojnë rastet e shkarkimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, kërkuesi e ka kufizuar kryesisht në interpretimin e dy momenteve kryesore që kanë të bëjnë: - me kuptimin e shkaqeve dhe të motiveve të shkarkimit që lidhen me termat kushtetuese "akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën..." e gjyqtarit e të prokurorit, si dhe "shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve..." nga Prokurori i Përgjithshëm; - me kuptimin e procedurave që duhen të ndjekë dhe respektojë Kuvendi për verifikimin dhe vërtetimin e shkaqeve për shkarkim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Kërkuesi pretendon se procedura që duhet të ndjekë Kuvendi në këto raste ndikon drejtpërdrejt në garantimin e statusit kushtetues të këtyre organeve dhe mosrespektimi i rregullave të saj mund të krijojë precedentë të rrezikshëm për respektimin e Kushtetutës. Përfaqësuesi i Gjykatës së Lartë, parashtroi pretendimet e tij vetëm për kuptimin kushtetues të nenit 140, duke u përqëndruar në këto momente: - Përmbushja nga ana e Kuvendit e detyrës për të provuar dhe vërtetuar nëse ekziston ndonjë nga shkaqet që parashikohen në Kushtetutë për të vendosur shkarkimin e gjyqtarit, i jep veprimtarisë së tij disa tipare të ngjashme me veprimtarinë gjyqësore, pra ai kryen një veprimtari quasi gjyqësore; - Angazhimi i Kuvendit në seancat plenare për të shqyrtuar shkeljet e kryera nga një gjyqtar pa u shoshitur më parë në komisionet, ad hoc të Kuvendit, përgjithësisht mund të çojë në marrje vendimesh të nxituara dhe të pabazuara juridikisht; - Pavarësisht se procedura për shkakimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë është e mangët ajo nuk mund të mbushet me asnjë lloj vendimi gjyqësor. Prokurori i Përgjithshëm, e përmblodhi opinionin e tij kryesisht në procedurën që kishte ndjekur Kuvendi gjatë seancës plenare të marrjes së vendimit për propozimin për shkarkim të Prokurorit të Përgjithshëm. Gjykata Kushtetuese pasi dëgjoi relatorin e çështjes Sokol Sadushi, përfaqësuesin e kërkuesit, të subjekteve të interesuar dhe analizoi çështjen në tërësi, Vëren Kërkesa e një grupi deputetësh, të cilët përbëjnë jo më pak se një të pestën e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, ka për objekt interpretimin e neneve kushtetuese që parashikojnë rastet se kur mund të shkarkohen gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm. Arsyen e paraqitjes së kërkesës, kërkuesi e ka motivuar me faktin se në praktikat parlamentare të mëparshme janë krijuar keqkuptime, të cilat kanë sjellë dhe moszbatimin në të të njëjtën mënyrë të procedurave për shkarkimin e këtyre funksionarëve të lartë. Kërkuesi, në kërkesë, i referohet procedurave që janë ndjekur gjatë një mocioni të paraqitur para afro një viti për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të mocionit për shkarkimin e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, ndaj të cilëve Kuvendi ka mbajtur një qëndrim konkret. Në seancën gjyqësore, përfaqësuesi i kërkuesit ju referua gjithashtu, duke shprehur ku dështimet e tij edhe procedurës që kishte ndjekur Kuvendi gjatë shqyrtimit të mocionit të paraqitur lidhur me propozimin për shkarkim të Prokurorit të Përgjithshëm gjatë së cilës, sipas tij, janë shfaqur mendime të ndryshme në lidhje me kuptimin e dispozitës si në kuptimin material ashtu edhe procedural. Qëndrimet që ka mbajtur Kuvendi në të gjitha rastet që lidhen me procedurat e shkarkimit të këtyre funksionarëve të lartë, të cilat kanë marrë një zgjidhje përfundimtare pasi janë konkretizuar me vendime, janë konsideruar për kërkuesin si mënyra të ndryshme interpretimi të neneve 140 dhe 149 pika 2 të Kushtetutës. Grupi i deputetëve, duke mos qenë i qartë për nenet kushtetuese të sipërcituara, por duke patur edhe një mendim të ndryshëm për kuptimin e shkaqeve kushtetuese, si dhe të procedurës që duhet ndjekur në këto raste, ka kërkuar kryerjen e interpretimit përfundimtar të këtyre dispozitave të Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese. Në këto kushte: - përderisa nga praktikat e mëparshme parlamentare dhe qëndrimet janë mbajtur rezulton se dispozitave konkrete të Kushtetutës i janë bërë interpretime që shprehen nëpërmjet vendimevetë Kuvendit; - duke qenë se për këto dispozita ka edhe një qëndrim tjetër të ndryshëm nga i pari, i shprehur në kërkesën e një grupi deputetësh të Kuvendit të cilët i kanë inicuar këtë proces kushtetues, Gjykata Kushtetuese konkludon se kryerja e një interpretimi përfundimtar të neneve 128, 140 dhe 149 pika 2 të Kushtetutës bëhet e domosdoshme pasi krijon mundësinë e mënjanimit të mosmarrëveshjeve apo paqartësive që mund të lindin nga zbatimi në praktikë i tyre. Nenet 128 dhe 140 të Kushtetutës janë formulime të njëjta, sepse përmbajnë katër shkaqe kushtetuese, në të cilat duhet të bazohet Kuvendi për të motivuar vendimin për shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, ndërsa neni 149 pika 2 parashikon rastet për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, pra të cilat vetëm njëri prej tyre është i ndryshëm nga të parat. Nga të gjitha shkaqet për shkarkim të këtyre funksionarëve të lartë që parashikohen në këto nene kushtetuese, dy prej tyre dhe konkretisht "kryerja e një krimi" dhe "paaftësia mendore e fizike", janë të tilla që nuk mund të vërtetohen drejtpërdrejt nga Kuvendi, pasi ato kërkojnë që paraprakisht të konstatohen dhe të vërtetohen nga organe kompetente. Çështja paraqitet më e vështirë në aspektin e interpretimit të termave kushtetuese akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit e të prokurorit si dhe shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve nga Prokurori i Përgjithshëm. Për interpretimin e këtyre normave, Gjykata Kushtetuese nuk merr përsipër të kryejë rolin e legjislatorit pozitiv, duke parashikuar një për një të gjitha rastet që mund të përfshihen në këto shkaqe kushtetuese, sepse do të ishte e pamundur një gjë e tillë ndërkohë që Kushtetuta, ligjet, apo edhe vendimet gjyqësore nuk mund të kodifikojnë me saktësi aktet e sjelljet që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit a prokurorit, apo rastet se kur ligji është shkelur rëndë. Interpretimi që Gjykata Kushtetuese i bën dispozitave apo termave konkrete të Kushtetutës ka për qëllim që në mënyrë analitike të jap dhe të përcaktojë kriteret, konceptet bazë si dhe parimet mbi të cilat duhet të mbështetet organi kompetent për të konkluduar lidhur me aplikimin e shkakut të përshtatshëm kushtetues për shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë si dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Veprimet apo mosveprimet e këtyre funksionarëve të lartë të shtetit, të cilat mund të përfshihen në shkaqet kushtetuese që shërbejnë për shkarkimin e tyre, janë të tilla që mund të vlerësohen rast pas rasti nga vet organi që kryen këtë procedurë shkarkimi. Megjithatë, në çdo rast, ato janë të lidhura me sjelljet e parregullta e të padenja që këta funksionarë të lartë kryejnë jo vetëm gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj, por edhe jashtë detyrës, me abuzimin apo dhunimin që ata i bëjnë besimit publik dhe që lidhen kryesisht me dëmet që ata i sjellin shoqërisë dhe shtetit. Aktet dhe sjelljet e padenja që ata kryejnë duhet të jenë aq serioze, të kenë diskredituar aq rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit apo prokurorit dhe të kenë ulur dinjitetin e organit që përfaqësojnë, sa të detyrojnë organin kompetent për të marrë masën e largimit nga detyra. Nisur nga përmbajtja e nenit 149 pika 2 Kushtetutës, që parashikon ndërmjet shkaqeve të tjera për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm edhe shprehjen "shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij", Gjykata Kushtetuese arsyeton se kuptimi i saktë dhe i drejtë i saj i përdorur në këtë dispozitë kushtetuese arsyeton se kuptimi i saktë dhe i drejtë i saj i përdorur në këtë dispozitë kushtetuese; por edhe në të tjera, duhet të analizojnë dhe vlerësohet në tërësi nga disa faktorë që kanë të bëjnë me rëndësinë e shkeljes së ligjit, pasojat e ardhura apo që mund të vinin nga kjo shkelje, kohëvazhdimin e këtyre pasojave dhe të vështirësive për riparimin e tyre si dhe vetë qëndrimin subjektiv që mban personi konkret ndaj shkeljes së kryer dhe pasojës së ardhur. Gjithashtu, shprehja e "rëndë", përdorur si për rastin e diskreditimit të pozitës dhe figurës së gjyqtarit e të prokurorit, ashtu dhe të shkeljes së ligjit, i shërben njëkohësisht organit kompetent që fillon procedurat e shkarkimit për të dalluar këto veprime nga sjelljet e një kategorie më të lehtë, të cilat nuk mund të përdoren për të motivuar shkakun e shkarkimit. Mënyra e formulimit në Kushtetutë të shkaqeve për shkarkim, duket sikur e lë të hapur dhe të diskutueshme bërjen e interpretimeve pa fund të rasteve që mund të klasifikohen nga praktika parlamentare si shkelje e rëndë e ligjit, apo akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën e figurën e gjyqtarit e prokurorit. Megjithatë, jurisprudenca gjyqësore dhe veçanërisht shqyrtimi i deritanishëm apo edhe në të ardhmen nga Gjykata Kushtetuese i rasteve konkretë, të cilat lidhen me këto koncepte kushtetuese, sigurisht që do ti japin një kuptim më të plotë dhe më të qartë këtyre shkaqeve kushtetuese. Gjykata Kushtetuese, në analizë të mëtejshme të këtyre koncepteve kushtetuese, çmon të nevojshme të argumentojë se kuptimi i termave kushtetues që lidhen me shkaqet e shkarkimit duhet parë e lidhur ngushtë me gjithë procesin ligjor që ndjek Kuvendi në rastet kur inicon procedurat për shkarkim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Nëse gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Lartë, apo Prokurori i Përgjithshëm rezulton se ka shkelur Kushtetutën, se ka kryer akte që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e tij ajo ka shkelur rëndë ligjin, marrja e masës së shkarkimit nga Kuvendi është e lidhur domosdoshmërisht me kryerjen e procedurave përkatëse. Funksioni që kryen Kuvendi në këtë rast është i një natyre të veçantë. Procesi i realizuar prej Kuvendit ndryshon nga gjithë veprimtaria e tij e zakonshme si një organ që miraton ligje. Ky proces ligjor që është një proces gjykimi disiplinor dhe ngjashëm me procedurat hetimore administrative ka parimet e veta, të cilat lidhen me verifikimin, analizën dhe vërtetimin e atyre shkaqeve konkretë që kanë shërbyer për organin kompetent për të marrë masën e shkarkimit nga detyra të gjyqtarit apo prokurorit. Dispozitat kushtetuese objekt interpretimi janë materiale e procedurale dhe kanë për qëllim të përcaktojnë në mënyrë taksative raste klasike se kur mund të shkarkohen gjyqtarët apo Prokurori i Përgjithshëm. EKzistenca e këtyre shkaqeve kushtetuese për shkarkim përbën një garanci më shumë për funksionet që ata kryejnë, por edhe për vet institucionet kushtetuese që ato përfaqësojnë. Këto nene kushtetuese kanë lënë në vlerësimin e Kuvendit si karakterin dhe rëndësinë e shkeljes së kryer, ashtu edhe faktin nëse akti apo veprimi, është i asaj natyre që mund të diskreditojë figurën e gjyqtarit apo të prokurorit. Ajo që nënkupton dispozita kushtetuese është që rasti konkret për shkarkim duhet të ketë ndodhur dhe të jetë i vërtetuar si i tillë. Pikërisht ky konkluzion del nga interpretimi që i bëhet fjalisë së dytë në nenet 128 e 140. Gjykata Kushtetuese duke shqyrtuar vendimin e Kuvendit që ka shkarkuar gjyqtarin, vërteton nëse ekziston shkaku i shkarkimit. Pra, ajo vërteton nëse Kuvendi ka vepruar në përputhje me Kushtetutën, rregulloren dhe me ligjet përkatëse dhe nëse ai ka respektuar të gjitha procedurat për ta motivuar, argumentuar dhe arsyetuar plotësisht vendimin e shkarkimit. Nëpërmjet këtij kontrolli konstitucional që kryhet mbi vendimin e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese shqyrton jo vetëm procedurën e shkarkimit, por edhe thelbin e çështjes. Prandaj, me qëllim që vendimi i Kuvendit të jetë sa më i bazuar dhe të mos rrëzohet si antikushtetues, ai duhet të ketë plotësuar të gjitha elementët e domosdoshëm të një procedure korrekte, sepse mjafton mosrespektimi i procedurës dhe i formës së nxjerrjes së një akti, që ai të konsiderohet i pavlefshëm. Përsa i përket nenit 149 pika 2 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e çmon se është Presidenti i Republikës organi kompetent i ngarkuar nga Kushtetuta për të kryer një verifikim nga pikpamja kushtetuese të shkaqeve si dhe të procedurave të ndjekura nga Kuvendi për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ky konkluzion del nga mënyra e formulimit të këtij neni kushtetues në të cilin përdorimi i shprehjes: "mund të shkarkohet", do të thotë se vendimi i Kuvendit për propozimin e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk është përfundimtar, por është vetëm inicimi i një procedure shkarkim, bazueshmëria në ligj dhe në Kushtetutën e të cilës vlerësohet në këtë rast nga Presidenti i Republikës. Nisur nga sa u parashtrua më lart, Gjykata Kushtetuese e sheh të nevojshme të vërë në dosje elementët bazë të një procedure ligjore, që lidhen me mënyrën e inicimit të procedurës për shkarkim, kuourimin e nevojshëm për vendimmarrjen, shkaqet ligjore për shkarkim, si dhe organin që vendos përfundimisht për to, janë të parashtruara përgjithësisht në Kushtetutë. Megjithatë një rregullimi të mëtejshëm ato e gjejnë në ligje bazë, siç është rasti i kuourumit të domosdoshëm që nevojitet për inicimin e procedurave për shkarkim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Përsa i përket anëtarëve të Gjykatës së Lartë nuk ka ndonjë rregullim ligjor për inicimin e procedurës për shkarkimin e tyre. Gjithashtu edhe për propozimin për shkarkim të Prokurorit të Përgjithshëm, Ligji "Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë", nuk parashikon elementët bazë të procedurave. E vetmja referencë kushtetuese që mund të bëhet për këtërast është neni 78 pika 1 e Kushtetutës ku parashikohet rregulli i përgjithshëm, (me përjashtim të rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar) lidhur me votat e nevojshme që i duhen Kuvendit për të marrë vendim. Në kushtet kur në Kushtetutë, apo edhe në ligjet e tjera momentet thelbësore në një procedurë nuk gjejnë rregullim të hollësishëm, atëherë Gjykata Kushtetuese çmon të nevojshme të theksojë se këto rregulla proceduriale nuk mund të plotësohen nëpërmjet vendimit të saj interpretues. Interpretimi, si funksion dhe metodë, ka vënd për një normë ekzistuese kur ka paqartësi në kuptimin e saj dhe jo për të plotësuar boshllëkun, sepse përndryshe Gjykata Kushtetuese do të vihej në pozicionin e gabuar të krijuesit të normës juridike, funksion, që siç dihet, i përket ligjvënësit. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nënvizon se pavarësisht nga kjo mënyrë rregullimi në Kushtetutë apo në ligj të procedurave të shkarkimit të gjyqtarit apo prokurorit, kjo nuk e pengon Kuvendin të adoptojë rregulla të veçanta për çdo rast konkret, apo për të gjitha rastet në tërësi, por gjithmonë duke respektuar parimin kushtetues, atë të një procesi të rregullt ligjor. Standartet e gjithëpranuara demokratike, të cilat kanë gjetur vendin e tyre në Kushtetutë, si dhe një sërë vendimesh të Gjykatës Kushtetuese, kanë përcaktuar dhe konsoliduar një sërë elementësh të procesit të rregullt ligjor, mungesa e të cilëve zhvlerësojnë si procedurat ashtu edhe vendimet e marra nga cilido organ. Argumentimi i shkeljeve që atribuohen, respektimi gjatë shqyrtimit të parimit të ndarjes së pushteteve, njohja paraprake e personit ndaj të cilit kërkohet të merret masa e shkarkimit me materialet që e ngarkojnë atë me përgjegjësi, respektimi i të drejtës për tu dëgjuar dhe mbrojtur me anën e dhënies së sqarimeve paraprake ashtu dhe gjatë shqyrtimit të çështjes, janë disa nga elementët bazë që garantojnë të drejtën kushtetuese të cilitdo për një proces të rregullt, si një e drejtë themelore, cënimin e së cilës, jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese e ka identifikuar në çdo rast, si shkelje të Kushtetutës. Nga e gjithë kjo analizë kushtetuese, e cila nuk krijon ndonjë normë të re juridike, por që përbën veçse një arsyetim logjik dhe interpretativ të neneve 128, 140 dhe 149, pika 2 në vështrim dhe me dispozitat e tjera të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se kërkesa është e drejtë dhe duhet pranuar. Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, duke u bazuar në nenet 124 dhe 132 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në nenet 71, 72 e 79 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", me shumicë votash, Vendosi Interpretimin brenda kufirit të objektit të kërkesës të neneve 128, 140 dhe 149 pika 2 të Kushtetutës në këtë mënyrë: 1. Shprehja "akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën..." parashikuar nga nenet 128, 140 dhe 149, pika 2 të Kushtetutës, përmbledh në vetvete një sërë elementësh, të cilët mund dhe duhet të identifikohen rast pas rasti nga organi përkatës që merr vendimin për shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Ato janë të lidhura me aktet dhe sjelljet e parregullta e të padenja që këta funksionarë të lartë kryejnë gjatë ushtrimit të detyrës, për shkak të saj, por edhe jashtë detyrës. Këto veprime apo mosveprime që analizohen në bazë të rrethanave të kryerjes së tyre, momentit subjektiv si dhe nga dëmet që ato i sjellin shoqërisë e shtetit, janë të asaj natyre që e bëjnë të pamundur kryerjen e mëtejshme të funksioneve kushtetuese nga këto subjekte. 2. Shprehja "shkelje e rëndë e ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve" nga Prokurori i Përgjithshëm, parashikuar nga neni 149, pika 2 të Kushtetutës lidhet me një sërë elementësh që kanë të bëjnë me ato shkelje të dispozitave ligjore të kryera gjatë ushtrimit të detyrës dhe për shkak të saj. Këto shkelje marrin karakterin e rëndë të tyre lidhur ngushtë me rëndësinë e ligjit të shkelur, me pasojat e ardhura, apo që mund të vinin nga shkelja, me frekuencën e shkeljes, kohëvazhdimin e pasojave dhe të vështirësive për riparimin e tyre, si dhe me qëndrimin subjektiv që mban autori i shkeljes kundrejt saj dhe pasojës së ardhur. 3. Në përcaktimin e procedurave të shkarkimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, organet përkatëse duhet të respektojnë rregullat përkatëse për aq sa parashikohet në Kushtetutë, në ligjet organike të tyre si dhe në aktet e tjera ligjore. Në ndërmarrjen e procedurave për shkarkimin e këtyre funksionarëve, kusht thelbësor mbetet respektimi i të drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjore parashikuar nga neni 42/1 i Kushtetutës. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe ka fuqi prapavepruese. Tiranë më 19.04.2002 Nr.59 i Regj.Themeltar Nr.75 i Vendimit --------------------------------- Do You Yahoo!? Yahoo! Tax Center - online filing with TurboTax -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |