Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] SHekulli - para vendimit te Gjykates Kushtetuese

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Wed Apr 17 23:28:50 EDT 2002


Kushtetuesja nuk ka marrë vendim përfundimtar për shkarkimin e Rakipit. Gjatë konsultimeve atij i është dhënë e drejtë 

Votimi paraprak, pro Rakipit 

Anëtarët: Asgjë nuk është vendosur, gjërat mund të ndryshojnë 

Arion Sulo

TIRANE - Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar rreth çështjes së shkarkimit të ish-prokurorit të përgjithshëm, Arben Rakipi. Pas një votimi paraprak të nëntë anëtarëve ka rezultuar se 7 prej tyre janë shprehur se “Shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm nga Kuvendi është antikushtetues”, ndërsa vetëm 2 janë shprehur se ky veprim është në përputhje me Kushtetutën. Lajmin e dhanë dje burime të besueshme nga Gjykata Kushtetuese, të cilat theksuan se “anëtarët ndodhen në fazën e konsultimit dhe vetëm këto ditë mund të hartohet një projektvendim, i cili pas shqyrtimit bëhet vendim”. Gjithsesi, shumica e anëtarëve të kësaj gjykate, si Tefta Zaka, Alfred Karamuço, Kujtim Puto, Zija Vuci, Gjergj Sauli, Sokol Sadushi etj, të kontaktuar dje nga “Shekulli” u shprehën se “Edhe ne kemi dëgjuar rreth zërave se kemi marrë një vendim. Por kjo nuk është e saktë. Ne ndodhemi në fazën e diskutimeve dhe shqyrtimit të dy kërkesave që na kanë ardhur që prej tre dhe dy javësh. Për asnjë rast nuk kemi konkluduar me vendim”. Sipas këtyre anëtarëve, gjykata do të shprehet kur të ketë një vendim përfundimtar dhe se pikëpamjet dhe mendimet e anëtarëve, normalisht mund të ndryshojnë pas çdo konsultimi. 
Votimi paraprak 
Edhe pse zyrtarisht asgjë nuk është vendosur, pak ditë më parë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë bërë një votim, që ata në procedurën e tyre të zakonshme e quajnë votim paraprak. “Ne kemi diskutuar dhe kemi bërë një votim paraprak për çështjen e procedurave të shkarkimit të ish-prokurorit të përgjithshëm, Rakipi. Nga ky votim që nuk është zyrtar është parë se shkarkimi është cilësuar jo kushtetues. Por pas votimit kalohet në projktvendim, i cili ende nuk është bërë. Gjatë shqyrtimit të projektvendimit votat dhe balanca e tyre mund të ndryshojë”,-shtuan dje burime nga Gjykata Kushtetuese. Sipas anëtarëve të kësaj gjykate, sot anëtarët do të mblidhen për të vijuar diskutimet dhe ndoshta për të hartuar projektvendimin dhe datën e shpalljes së vendimit. Por, edhe pse një votim paraprak është bërë, tani çështja mbetet hartimi i projektvendimit. “Ne nuk kemi ende një projektvendim. Kur ta kemi do të diskutojmë mbi të. Informacion tjetër përveç atij të vendimit nuk lejohet të dalë ”,-u shpreh dje anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Zaka. Sipas burimeve nga Gjykata Kushtetuese, zërat se ky institucion ka marrë një vendim kanë dalë në fazën e konsultimeve. “Kanë qenë dy ditë kur gjatë këtyre konsultimeve shumica e anëtarëve vlerësoi se shkarkimi i Arben Rakipit nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën, por kjo nuk do të thotë se kjo situatë nuk mund të ndryshojë”,- u shprehën dje anëtarët të gjykatës. Ndërkaq sipas një anëtari tjetër të Kushtetueses, Sokol Sadushit, ende nuk është vendosur as data e shpalljes së vendimit. “Data shpallet vetëm kur është gati vendimi. Ne jemi në fazën e konsultimeve dhe me ligj këto konsultime dhe raportet që dalin prej tyre janë konfidenciale”,-u shpreh ai. Dje, kryetari i gjykatës, Fehmi Abdiu nuk ka qenë i pranishëm në zyrën e tij duke e shtyrë dhe një ditë tjetër shqyrtimin e dhënien e përgjigjes për dy kërkesat e bëra rreth çështjes “Rakipi”. Nëse Gjykata Kushtetuese edhe në hapat e tjerë të saj do të respektojë kahun që ka dalë në konsultimet e këtyre ditëve, atëherë pritet që në politikën shqiptare të krijohet një pështjellim jo i vogël. I pari që duhet të fillojë të zgjidhë lëmshin nëse Kushtetuesja shprehet kundër shkarkimit të Rakipit, është presidenti Meidani. 



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Tax Center - online filing with TurboTax
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list