Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Opinion nga Nafiz Bezhani - GSH

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Wed Apr 17 23:25:27 EDT 2002


OPINION Shkruan Nafiz Bezhani, ish-kryetari i Komisionit te Kontrollit të Figurave Shtetërore. "Ja çfarë mendoj unë për deklaratën e Haxhisë, kreun e Shërbimeve Sekrete, liderin e PD, për Tropojën dhe djemtë e saj"  "Dosja Klosi" dhe apeli i sinqertë që i bëj politikës
---------------------------------

Nga Nafiz BEZHANI

Gjatë pesë viteve të fundit, hapa dhe verifikova shumë dosje me vepra makabre të shtetit diktatorial, të cilat m'u rishfaqën si ëndërr e keqe e asaj të kaluare të zezë, ku sundonte intriga, urrejtja , hakmarrja dhe krimi. Kur erdhi dita e fundit e Komisionit që unë drejtova, thashw me vete; shpëtova! Mos u pafsha më bojën dhe mos u dëgjofsha më zërin dosjeve të diktaturës.


Por disa ditë më parë, në organet e ndryshme të shtypit e të medias, shpërtheu me bujë, si bubullimë vere, një lajm sensacional për një dosje, të quajtur "Dosja Klosi". Njeriu që është marrë me dosjet nuk mund të mos hapë sytë e të shikojë me dyshim dhe sy kritik çdo detaje, nuk mund të mos emocionohet nga pasaktësitë që vëren dhe që ngjallën hijen tragjike të dosjes së diktaturës.Dhe nuk mund ta fshehesh ate tronditje të ligjshme, atë mosbesim dhe atë neveri që pushtoi ndjenjat e mia në ato çaste. Dosja "Klosi", nuk mund të dallonte nga ato dosje që kisha hapur dhe kontrolluar unë, me plot shpifje, intriga, fakte të sajuara sipas dëshirave e planeve të caktuara, dosje që kishin vetëm një qëllim: të realizonin politikën destabilizuese nëpërmjet krijimit të urrejtjes, armiqësisë dhe hakmarrjes midis njerëzve.


Në fshatin tim, Fterrë, qarkullon një këshillë e urtë: për mikun, qoftë edhe për vëllain, mos i vër të dy duart në zjarr, ruaje njërën! "Por në një rast te tillë, kaq të pastër, do të kishte vend të kapërceheshin edhe kufijtë e kësaj këshille kaq të mënçur. Për mua, portreti i zotit Fatos Klosi, u skalit në marrëdhëniet institucionale tepër korrekte, gjatë pesë viteve të fundit, vite shumë të vështira për mua dhe për atë. Pikërisht në këto marrëdhënie, krijova bindjen e plotë se kisha të bëja me njeriun e ndershëm, me gen fisnik, me zemër të madhe, mendje të ftohtë, të kulturuar dhe human. Me këtë njohje kam patur kurajon për të deklaruar "shyqyr zotit që kemi Fatos Klosin për kryetar të këtij institucioni kaq të rëndësishëm.


Për "Dosjen Klosi", këto ditë janë dhënë vlerësime të ndryshme. Si njeriu i dosjeve të diktaturës, më ka bërë përshtypje të veçantë arsyetimi politik se kjo "dosje" bën pjesë në një program të gjerë politik, të hartuar e të proklamuar nga opozita. Por unë, jashtë këtij koncepti politik, dëshiroj të shpreh mendimet e mia, thjeshtësisht si qytetar, ndërsa pjesërisht të specialitetit tim, si jurist.


E rikonstruktojmë ngjarjen me deklaratën që bëri i pandehuri Ismet Haxhia para trupit gjyqësor, me anën e të cilës implikon Kryetarin e SH.I.SH, zotin Fatos Klosi, si nxitës për një krim të pa kryer, kundër Kryetarit të Partisë Demokratike , zotit Sali Berisha, përcaktuar qartësisht koha, kur ai do të vizitonte Vlorën. Të habit fakti që vetëm disa orë pas kësaj deklarate, zv. kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, duke tentuar të ndërpresë punimet e Kuvendit, paragjykon dhe vlerëson të mirëqenë këtë deklaratë, me llogjikën e saj, dhe kërkon me urgjencë diskutimin e çështjes në seancë speciale të Kuvendit. Nga qëndrimi i saj i prerë dhe me ton tejet të ashpër, mund të dilet në përfundim se për të nuk kishte rëndësi fakti nëse ajo deklaratë duhet të verifikohet paraprakisht nga organe të posaçme, nuk kishte rëndësi fakti që kjo deklaratë bëhet nga një person i prezumuar fajtor për krime të rënda, si vrasës apo bashkepunëtor në vrasjen e deputetit Hajdari, nuk kishte rëndësi fakti që ky i pandehur gjatë disa muajve në proçeset hetimore dhe gjyqësore ka provuar se deklarata të tilla kanë synim përfitime personale, sepse shpifja është arma e fundit e të humburve, nuk kishte rëndësi fakti që një deklaratë e tillë, shumë e rëndësishme, cënon dinjitetin e personaliteteve të larta dhe aktivitetin e institucioneve që ata drejtojnë, nuk kishte rëndësi fakti që kjo deklaratë mund të bëhet për qëllime më të thella, pikërisht në prag të Takimit të Vjenës, ndoshta për të nxirë artificialisht para opinionit ndërkombëtar faqen e Shqipërisë, apo për të ashpërsuar më tej klimën e jetës shqiptare. Dhe, pa iu nënshtruar një gjykimi të butë e ligjor, në një mjegullnajë artificiale dhe të pakuptimte, bien me fuqinë më të madhe këmbanat e alarmit, duke krijuar artificialisht ndjenja të nxehta e të ashpra. Degjoj televizorët që nuk pushojnë së trumbetuari këtë "dosje", lexoj gazetat pa përjashtim me tituj bombastikë në faqet e para dhe pyes: Po sikur edhe unë do t'i pranoja të mirëqëna deklaratat denigruese të disa sigurimsave për personalitete të shquara, pa i verifikuar me kujdes dhe përgjegjësi, t'i quaja ato të vërteta dhe t'i publikoja , çdo të ndodhte vallë? Nuk ka asnjë dyshim se do të ndizeshin flakët e urrejtjes për njëri-tjetrin dhe do të kërkohej shpagim i egër, shpagim me gjak, ashtu siç ndodh në disa zona veriore. Publikut i kam dhënë rast të njohë disa nga këto figura të paraqitura si viktima në librin tim "Mëkatarë", por natyrisht ka edhe shumë të tjerë, që nuk e kanë kohën për t'u bërë publike. Ata janë verifikuar me përgjegjesi dhe me ndërgjegje, pa patur parasysh ngjyrat e kostumit të politikës së tyre, duke ruajtur në maksimum edhe nderin dhe dinjitetin e tyre. E pra, përse ndodh ndryshe me "Dosjen Klosi"?


Për mendimin tim, deklarata e zonjës Topalli në Parlament, veçanërisht kërkesat e saj ekstreme dhe të paligjshme, "për një diskutim urgjent në Kuvend për pushimin e Z.Fatos Klosi dhe për të bërë denoncimin e tij për t'u ndjekur penalisht", janë të nxituara. Eshtë krejtësisht pa kuptim dhe ngjall keqardhje fakti që një personalitet i tillë i beson deklaratës së një personi të prezumuar kriminel, e merr atë si të saktë dhe kërkon menjëherë që çështja të shqyrtohet në Parlament për të vendosur jo vetëm shkarkimin e kryetarit të SHISH-it, por edhe denoncimin e tij për ndjekje penale. Një qëndrim i tillë ekstremist, pa asnjë bazë ligjore dhe logjike, sipas mendimit tim, mund të ketë vetëm tre shpjegime, të cilat nuk besoj se i përkasin zonjës Topalli, e cila njihet si grua e emancipuar, e kulturuar dhe e formuar politikisht. Në radhë të parë, të krijohet përshtypja se një inskenim kaq i trashë duhet të ketë autor ordiner, që nuk njohin ligjet dhe parimet e shtetit demokratik. Në radhë të dytë nje qëndrim i tillë mund të jetë pasojë e një bashkëpunimi me autorin e prezumuar fajtor. Në radhë të tretë, qëndrime të tilla janë metoda të veprimtarisë të disa figurave politike që kërkojnë të nxjerrin përfitime të caktuara nga marrëdhëniet e ndera politike dhe nga shteti i destabilizuar. Kuvendi, si organi më i lartë i pushtetit shtetëror, ka të drejtë të ushtroje kontroll dhe të marrë çdo vendim në interes të efektivitetit të veprimtarisë të institucioneve, ka të drejte të shkarkojë jo një Arben apo Fatos, por figurat më të rëndësishme të shtetit. Por Kuvendi ka miratuar edhe Kushtetutën, ku janë shprehur qartë të drejtat e çdo qytetari për t'u mbrojtur. Kuvendi ka miratuar edhe aderimin e shtetit tonë në Konventën Europiane të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, ku shprehet qartë e drejta për t'u dëgjuar dhe për t'u mbrojtur. Kuvendi ka miratuar Traktatin e Helsinkit apo Kartën e Kombeve të Bashkuara, ku të drejtat e njeriut zënë vendin kryesor. E, pra, në qoftë se këto akte jetike për shtetin demokratik do të shkeleshin nga vetë deputetët, a mund të pretendohet për shtet ligjor e demokratik, apo për të shkuar në Europë. Cilido deputet që shpërdoron besimin e popullit duke shkelur mbi këto akte-themel të shtetit ligjor e demokratik, duhet të marrë përgjegjësi të rëndë. Me status të deputetit nuk duhet kuptuar e drejta e tij për të bërë ç'të dojë e për të thënë ç'të dojë, por për të respektuar me përsosmëri dhe korrektësi normat ligjore, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Statusi i deputetit presupozon stadin më të lartë të ndërgjegjes, të kulturës, të edukatës dhe moralit të shoqërisë, ai nuk pranon cënim të nderit dhe dinjitetit të personit, nuk pranon fjalor vulgar dhe fyes për personin, si "trumcak" apo "terrorist", për deri sa kriteret demokratike të Kushtetutës dhe ligjeve tona nuk lejojnë as për të pandehurit fjalor të tillë. Ndonëse krimet e tyre janë evidente, deri në dhënien e vendimit gjyqësor ata mund të quhen fajtor, por të pandehur ose fajtor të prezumuar.


Dëshiroj të bëj të qartë se duke shprehur këto mendime, në asnjë mënyrë nuk kam ndërmend të mbroj Fatos Klosin, por demokracinë dhe ligjin. Në qoftë se për Fatos Klosin do të dalin në rrugë ligjore, prova bindëse për fajësinë e tij, personalisht, do të shprehem i pari për dënimin e tij. Por në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohem me qëllimin keqdashës të ndonjë deputeti për të nëpërkëmbur një personalitet të lartë mbështetur mbi bazën e dëshmisë të një pandehuri për krime të rënda, veprim që nuk mund të shpjegohet ndryshe, veçse si një akt antidemokratik që fyen rëndë shtetin shqiptar, si shtet ku kriminelët bëjnë ligjin. Këto konkluzione shprehën shqetësimin tim të madh për praktikat që përdor Kuvendi. Dhe këto janë deklarata të sinqerta që nxiten nga motive të pastërta të një persekutuari politik, që provoi egërsinë e regjimit monist për 35 vjet, në terrorin e një urdhëri makabër të Mehmet Shehut, drejtuar Komitetit të Partisë dhe organeve të diktaturës me këtë përmbajtje: Nazif Bezhani, armik i Partisë, të tërhiqet zvarrë si krimb dhe të përplaset gurë më gurë! Si i tillë, jam i vendosur të denoncoj çdo formë arbitrariteti apo vepër antiligjore dhe anti demokratike, të tipit fashist apo monist . Këto parime i kanë të shenjta dhe i mbrojnë me fanatizem të gjithë të persekutuarit politik, për të ruajtur fitoret e arritura. Unë kam respekt të madh për të persekutuarit demokrat, veçanërisht për Mandëlën tonë, zotin Pjetër Arbnori, i cili nuk resht për të dhënë kontributin e tij në zbutjen e klimës politike, në interes të kombit. Jam i sigurtë se gjykimi i tyre i butë e i ligjshëm, do të fitojë mbi vrazhdësinë inatçore të cilitdo politikani që trashëgon shfaqje të ideologjisë diktatoriale.


Duke e gjykuar mbi bazën e ligjeve të llogjikës formale akuzën që i bëhet zotit Klosi, "për të vrarë Kryetarin e Partisë Demokratike gjatë vizitës që do të bënte ai në Vlorë", nuk mund të krijosh asnjë dyshim mbi absurditetin e kësaj deklarate. Ky gjykim rezulton nga kjo analizë:Vizita e Berishës në Vlorë i kushtoi shtetit shpenzime të pallogaritshme vetëm për mbrojtjen e jetës së tij. I gjithë populli ndoqi i habitur masat e shumta që ishin marrë për të siguruar këtë vizitë. Sipas disa deklaratave atë ditë u mobilizuan mbi 9000 shikas dhe polic, nën vëzhgimin e rreptë të kryetarëve të tyre. Atëherë si mund të besohet që pikërisht atë ditë Kryetari i SH.I.K-ut paska patur për qëllim të merrte jetën e z.Berisha?! E dyta: kush do të përfitonte në rast se atë ditë do të vritej Kryetari i Partisë Demokratike? Dyshimet mund të rëndonin më shumë mbi figurën e ndonjë demokrati që synonte t'i zinte vendin, por kurrsesi mbi Fatos Klosin, sepse përgjegjësia kryesore për këtë krim do të binte mbi të dhe në asnjë mënyrë nuk mund të shpëtonte nga kjo përgjegjësi. Por duhet shtuar edhe një fakt tjetër:Dihet se në Vlorë ka patur shumë njerëz që rrezikonin seriozisht jetën e Berishës, të cilët atë ditë u izoluan nga policia dhe SH.I.K. Por provë e tillë qesharake që të shton bindjen në falsitetin e deklaratës të zotit Haxhia është edhe akuza që i bëhet një të panjohuri që i paska ofruar edhe një snajper për të kryer aktin kriminal. Si është e mundur që një person i panjohur i cili akoma nuk është identifikuar të guxojë për t'u futur në një aferë të tillë kriminale?! Përse i pandehuri e ruajti atë deri në ditët e sotme?! Gjykoj se politikanët duhet të nxjerrin konkluzione nga një situatë kaq e tensionuar në Shqipëri, nuk duhet t'i hedhim benzinë zjarrit. Për mendimin tim ka shumë shkaqe nga të cilat vuan ky popull, por fajësia troket vetëm në dyert e politikës. Në të shumtat e rasteve është politika ajo që ndërsen njerëzit në krim apo qëndron sehirxhi përball krimeve. Le të marrim p.sh. ngjarjet tragjike në Tropojë. Gjatë pesë vjetëve të fundit për motive politike janë vrarë aq shumë djem tropojanë sa nuk janë vrarë në të gjitha rrethet e Shqipërisë të marrura së bashku. A nuk përbën kjo një tragjedi të pashembullt që shkakton dhimbje të thellë tek çdo shqiptar? A nuk përbën kjo një shembull të keq në opinionin botëror dhe një provë të zezë që tregon se shqiptarët nuk janë të zotë të qeverisin veten? A nuk bën kjo një njollë për historinë e ndritur të Shqipërisë që i ka dhënë 35 kryeministra Perandorisë Turke dhe ka qënë djepi i pregatitjes të kuadrove për vendet fqinjë? I bëj apel politikanëve, t'i thërrasin mendjes, për të mos e lënë vendin të vuajë më gjatë. Një rol i tillë historik, do t'u takonte demokratëve, për ta filluar nga zona më e nxehtë, nga Tropoja. Jam i bindur se Zoti Berisha, si bir i Tropojës, ndien dhimbje të thellë për të. Por Tropoja nuk pret që njerëzit të derdhin lot, por vepra të guximshme e të sinqerta, për t'u dhënë fund akteve tragjike që kanë terrorizuar gjithë rrethin dhe më gjerë, për t'u dhënë fund përpjekjeve të disa politikanëve që i përdorën tropojanët si "mish për top" për interesat e tyre të ulëta. Unë kam bindje se Zoti Berisha mund të hidhte një hap të tillë vendimtar, në një "takim në besë të tropojanëve", sipas traditës së kuvendeve të burrave të malësisë, për të vulosur një pakt historik kundër gjakderdhjes, të çdo forme, për të vulosur edhe një vendim tjetër historik, sipas të cilit Partia e tropojanëve do të jetë Tropoja, shërimi i plagëve të saj, ndërtimi dhe lulëzimi i saj, në zbatim të ligjeve të shtetit shqiptar. Në kushte të tilla tropojanët do të kenë me siguri ndihmën e shtetit të tyre, por organizatorët e ringjalljes së Tropojës mund të llogarisin edhe një llotari kombëtare për nëvojat emergjente të saj. Dhe kjo kartë do të legjitimonte Berishën si protagonist i unitetit jo vetëm i Tropojës. Ky legjitimim buron nga sinteza popullore: "Ai që nuk qeveris dot shtëpinë e tij nuk pranohet për kryeplak!" Jam i bindur se suksesi i një politike të tillë do të ndikonte pozotivisht për të shkrirë akujt polarë të politikës, që fatkeqësisht sundojnë aktualisht të gjithë Shqipërinë. Ndoshta me një politikë të tillë të urtë, edhe sikur të bëhej rrokadë në drejtimin e shtetit, çka nuk mund të përjashtohet, do të gjykohej ndryshe edhe "terroristi" Fatos Klosi, i cili ndoshta mund të mos ishte një kryetar i SHIK-ut siç mbeti homologu i tij në Amerikë, George Tenet. Por me siguri do t'i kërkohej të mbetej këshilltar specialist i Kryetarit demokrat.



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Tax Center - online filing with TurboTax
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list