| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Shkaterrimi i TiranesAgron Alibali aalibali at yahoo.comTue Apr 16 21:38:48 EDT 2002
POLEMIKA Projektuesi i dhjetra ndërtesave në mbarë Shqipërinë, Petraq Kolevica shprehet për rrezikun e dëmtimit të fasadave dhe nevojën e dhënies së mendimeve nga specialistët Mjaft me aventurën e shkatërrimit të kryeqytetitLetër e hapur kryetarit të Bashkisë së Tiranës, zotit Edi Rama dhe jo vetëm atij --------------------------------- Petraq KOLEVICA* Zoti Kryetar! Kam ardhur në Tiranë më 1952 një djalosh tetëmbëdhjetë-nëntëmbëdhjetëvjeçar dhe mbeta qytetar i saj për plot një gjysëm shekulli. Gjatë kësaj kohe kam parë të ndodhin në këtë kryeqytet shumë çudira, prandaj, tani kam ca të vështirë të çuditem lehtë nga ndonjë çudi që qëllon të ndodhë këtu. Mosha ime, profesioni dhe ndihmesa që kam dhënë me ndërtimet në Tiranë, gjatë një karriere profesionalë më se tridhjetëvjeçare si arkitekt, besoj se më jep të drejtën t'ju flas dhe të më dëgjoni. Vij të bisedoj për gjëra të rëndësishme, jo të grindem për t'i humbur kohën vetes dhe ju. Para së gjithash më duhet t'ju qartësoj e t'ju siguroj se: 1- Nuk kam ndaj jush as më të voglin inat personal. Për fat të mirë, timin dhe tuajin, jeta me dallgët e saj, as na ka afruar, as na ka përplasur me njëri-tjetrin ndonjëherë. Për më tepër, kam afrimisht moshën e babait tuaj, me të cilin u pata njohur në kohën e shpresave të kota të "shkrirjes" të fillimit të viteve gjashtëdhjetë. Ndonjëse nuk na lidhi ndonjë miqësi e veçantë, dhe ecëm në rrugë të ndryshme, na mbeti deri në fund një përshëndetje mirëdashëse. 2. Nuk kam ndaj jush as më të voglin mllef politik. Madje, një dyzinë vjet më parë, kur ishit disi më ndryshe dhe bënit refleksione, ushqeva ca shpresa. Sa për udhën politike që kini zgjedhur e nisur kohët e fundit, do t'i shihni hairin apo sherrin s'më intereson. Puna juaj. 3. Nuk kam ndaj jush as më të voglën ambicie për postin që mbani. Mosha, shëndeti dhe prirjet e mia s'më nxisin të ngre kurthe për t'i zënë vendin ndonjë kryetari Bashkie apo të luftoi për t'ia përgatitur atë vend një tjetri. Prandaj s'përpiqem t'ju demonizoj, po as t'ju mistifikoj. E bëra këtë ndërhyrje të gjatë për t'ju larguar çdo dyshim e keqkuptim rreth problemeve që do të trajtoj më poshtë. Pra, le të hymë në temë: Gjatë kësaj kohe që ushtroni detyrën tuaj, me aq sa mund të shoh unë, vë re se jini përpjekur të bëni mjaft punë të mbara, si fjala vjen, rregullimin e disa rrugëve kryesore dhe trotuareve të tyre, prishjen e kioskave në qendër të qytetit, fillimin e rregullimit të disa lulishteve, veçanërisht ish parkun "Rinia" etj, ndërsa kam plot rezerva për disa gjëra që ju guxoni t'i quani "Kthim në identitet", për disa prishje pa kriter gjatë Lanës që kanë marrë formën e shëmtuar të një histerie shkatërrimtare të panevojshme e të dëmshme etj. Për këto gjëra mbase mund të shkruajnë të tjerë. Unë do të kufizohem të flas për dy probleme që më duken të rëndësishëm. Llangosja e fasadave Nisma juaj e rregullimit të suvatimeve dhe elementëve të tjerë të fasadave të godinave gjatë rrugës së Durrësit e të Kavajës dhe bojatisja e tyre, ishte një veprim shuëm i drejtë që koha e kishte bërë të domosdoshëm. Për kryerjen e këtyre punëve përveç punëtorëve të thjeshtë ndoshta keni ngarkaur piktorë me diplomë Akademie dhe arkitektë, por thuhet se gjithçka bëhet nën frymëzimin, orientimin, drejtimin dhe miratimin tuaj deri në hollësi. Në qoftë kështu, keni meritat që ju përkasin, por mbani dhe përgjegjësinë, për gabimet e rënda që sipas meje, janë bërë në ato rrugë. Për këto gabime do të flas: Për të gjitha godinat në të dy anët e rrugës së Durrësit, nga fillimi në fund, janë përdorur dy ngjyra: Portokolli e ndezur dhe e verdhë e ndezur, të njollosura vende-vende me ngjyra dhe më të n dezura si jeshile e errët, blu e thellë dhe ndonjë trekëndësh në ngjyrë limoni gazmor. Në këtë mënyrë, të gjitha godinat janë veshur me të njëjtin kostum. Kështu, jo vetëm që u humbet atyre individualitetin dhe ua zbehët ose ua zhbëtë vlerat arkitektonike fillestare, por duke qenë të gjitha godinat të lyera njëlloj, duke sikur të gjitha janë projektuar nga i njëjti njeri dhe sikur janë ndërtuar në të njëjtën kohë. S'duhet të harroni se aty ka godina me vlera arkitektonike të ndërtuara nga mezi i viteve 1930 (katër- pesë godinat pranë Ministrisë së Arsimit dhe ajo përkundrejt Ambasadës Jugosllave) të tjerat janë ndërtuar në vitet '50. (ish godina e oficerëve) dhe të tjerat- nga arkitektë të ndryshëm në vitet '60, '70, '80. Juve ju duket sikur e zbukuruat këtë rrugë, meqë e lyet fund e krye me bojë madje dhe gurët e tullat e fasadave. Në të vërtetë ju e bëtë llum dhe e fshehët trashëgiminë ndërtimore të saj nën petkun e uniformitetit gjoja modern. Jam i sigurt se fjalët e mia të mësipërme po i lexoni me një nënqeshje tallëse. Kjo s'më prish punë, po dëgjoni ç'thotë në librin e tij "Amate l'architettura" njeri nga arkitektët modernë më të shquar italianë Gio Ponti, autori i grataçietit Pirelli, në Milano: "Faqet e rrugëve nuk janë më shirita të shrregullt, por përbëjnë një shfaqje njësish arkitektonike të ndara njëra nga tjetra, ndryshueshmëritë e tyre do të jenë dëshmi të vlerave të ndryshme dhe shprehjesh të ndryshme, të bëra nga njerëz të ndryshëm dhe epoka të ndryshme dhe përvoja teknike e konceptive të ndryshme. Kështu i bëjmë qytetet të bukur". Të njëjtët gabime po bëhen me lyerjet e godinave në rrugën e Kavajës. Ndërsa mund të thuash fjalë të mira për meremetimin dhe lyerjen e fasadës së godinës së ish stabilimentit "Mihal Duri", pak më sipër, tek të tri kullat e banimit, sheh karikaturizimin e arkitekturës së tyre të thjeshtë, por dhe të një godine tjetër afër Bankës Kombëtare, për të cilën do të flasim veçanërisht më poshtë. Gabimet e llangosjes së fasadave dhe karikaturizimi i arkitekturës së fasadave të tyre arrin kulmin qesharak te blloku i banesave të Shallvares. Dihet që ato godina kanë një arkitekturë të stipit butaforik sovjetik që s'na ka pëlqyer ndonjëhere, por të mos harrojmë se të tilla ndërtesa janë ndërtuar me qindra në ish-Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore të viteve 1945-60. Ato përbëjnë një epokë të ndërtimeve në ato vende dhe tek ne dhe kur bëhen riparime apo lyerje, u duhet qëndruar besnik stilit arkitektonik të tyre. Duke i shfytyruar fasadat, siç po veprohet tek këto ndërtesa, bëhet një gabim i madh. Këtu gabimi është edhe më i rëndë, se i ka karikaturizuar pamjet e tyre me lloj-lloj njollash e ngjyrash nga limoni te e zeza, e kuqja, grija etj. me të iclat piktorët dekoratorë treguan paditurinë e tyre të plotë ndaj arkitekturës. Sikur të jetonte i ndjeri arkitekt Gani Strazimiri, viktimë e shkollës që kreu dhe kohës kur punoi, por që e dinte mjeshtërinë e atij stili si askush tjetër, këta piktorë nuk do ta kalonin aq lehtë masakrën që po bëjnë tek banesat e Shallvares të projektuara prej tij. Këto pak fjalë i thashë për të nderuar të ndjerin arkitekt Gani Strazimiri, mikun tim mirëdashës pa interes dhe në mbrojtje të veprës së tij që tashmë, është jona, duhet të flasin të gjithë, jo në rrugë e në kafene, por atje ku mbetet e shkruar. Sëmundja e llangosjes së fasadave me ngjyra të ndezura po invadon banesat në Rr. "Luigj Gurakuqi". Ato janë projektuar nga arkitektë kolegë të mi të dikurshëm që për fat të mirë, të rinj e janë të gjallë. Sa s'është vonë, duhet ta thonë me zë të lartë e me shkrim të qartë nëse e miratojnë atë që po ndodh tek ato ndërtesa, apo janë kundër. Duhet ta bëjnë këtë, nëse duan t'u ketë hije emri arkitekt që mbajnë. Epidemia e ngjyrave të ndezura po përhapet dhe në godinat e reja shumëkatëshe, ndoshta si imitim i thjeshtë, ndoshta për t'ia bërë qejfin kryetarit, për të mos u hapur ndonjë telash të kotë. Kështu Tirana, qytet mesdhetar, që duhej të kishte- siç i ka pasur jet'e mot - ajo dhe gjithë Shqipëria si dhe gjithë qytetet e Mesdheut, godina me ngjyra krejt të çelura, mori ngjyrat e ndezura që pëlqehen e përdoren në banesa popujsh të vendeve me klimë, trashëgimi historike e kulturore krejt të ndryshme nga tonat dhe si pasojë, kanë shije ndaj së bukurës krejt të ndryshme nga e jona. Me asi ngjyrash s'duhet të gënjehemi e të themi që Tirana bëhet gjoja moderne. Duke përdorur këto ngjyra, ju s'mund të shfajësoheni apo të fshiheni prapa thënies së njohur latine: De gustibus et coloribus on disputandum. Jo, zotërinj! Kjo vlen vetëm kur lyeni shtëpinë tuaj. Lyjeni me çdo bojë që t'u pëlqejë dhe e mbajçi me shëndet, por kur merrni përsipër të lyeni një qytet të tërë, s'mund të dhunoni shijen e përgjithshme të formuar nga një kulturë qytetare shumëvjeçare për të mos thënë shekullore. Larg duart nga blloku i banesave mbrapa Bankës Kombëtare! Tani dua të vë në dukje përdhunimin e arkitekturës dhe shfytyrimin e fasadës së një blloku banesash që ka lidhje të forta me krijimtarinë time projektuese si arkitekt. Fjalën e kam për bllokun e banesave mbrapa Bankës Kombëtare. Ai bllok është ndërtuar gati dyzet vjet më parë dhe deri më sot nuk e ka pasur të nevojshme as të lahej, as të lyhej. Qëndroi i pastër dhe i paçngjyrosur dhe kështu do të vazhdonte të qëndronte edhe për një gjysëm shekulli, në mos më shumë, po të mos dëmtohej nga njerëzit që janë aleatët më të egër të kohës shkatërrimtare. "Bukuria është materiali më i qëndrueshëm". Këto godina, me bukurinë e tyre, e provuan edhe një herë këtë thënie të vjetër. "L'arcitecture chante" thotë Le Corbusier- Arkitektura këndon. Ka dyzet vjet që ky bllok po këndon këngën e tij të heshtur, por këtë këngë ia ndërprenë tani ca bojaxhinj që derdhën mbi paditurinë e tyre të mjerë. Ata po ia përdhunojnë arkitekturën e qartë duke e ngarkuar e ngatërruar me elementë të pakuptimtë që e karikaturizojnë dhe e veshin me rroba kllouni, siç po veshin dhe ndërtesa të tjera në Tiranë. Me këto veprime ata u bënë vazhduesit qesharakë të përdhunuesve të projektit dhe të ndërtimit të këtyre godinave në kohën e diktaturës komuniste. Ndokush që kërkon të dijë më shumë mbi ndodhitë e atëhershme, le të lexojë librin tim "Arkitektura dhe diktatura". Për lexuesit e sotëm, do të tregoj shkurt historinë tragjikomike që ka shoqëruar këto godina dhe mua deri më sot: Dyzet vjet më parë, unë, një inxhinier i ri njëzetetetëvjeçar për të mbrojtur projektin e këtij blloku, përplasesha me dy nga më të pushtetshmit e asaj kohe, S. Koleka dhe M. Shehu që me moshë ishin nja njëzet e pesë vjet më të mëdhenj se unë. Tani, për të mbrojtur këto godina, më duhet të përplasem me më të pushtetshmit e sotëm, që janë nja njëzet e pesë vjet më të rinj se unë. Deri më sot, për këto ndërtesa, kam dëgjuar fjalë të mira, madje, disa kolegë dashamirë që e çmojnë të bukurën, me të parë që po cënohej arkitektura e tyre, më telefonuan të alarmuar e të indinjuar për sa po ndodhte. Të tjerë, ndoshta kaluan aty pari dhe bënë sikur nuk e panë. Të tjerë, ndoshta mund të kenë buzëqeshur me ligësi. Sikushdo vepron sipas ndërgjegjes së vet. Unë e shoh me qetësi. Dikur e bëra detyrën time. Luftova sa munda për mbrojtjen e arkitekturës së këtij blloku. Madje i pata kushtuar dy-tre vjet të rinisë sime. Tani s'është më i imi. Që prej dyzet vjetësh i përket Tiranës. Ajo le ta mbrojë. - Nëse Tirana ka arkitektë që e mbajnë atë emër me dinjitetin që meriton, do të dinë ç'të bëjnë. - Kam dëgjuar se Shoqata e Arkitektëve shqiptarë është riorganizuar, ka zgjedhur organet drejtuese. Nëse vërtet funksionon si shoqatë arkitektësh, e di ç'duhet bërë. - Së fundi, do t'i kujtoja mikut tim të vjetër, Drejtorit të ri të Institutit të Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës, se ky bllok banesash është ndër të parët me arkitekturë moderne të ndërtuar tek ne pas më se një dhjetëvjeçari ndërtimesh me stilin e arkitekturës sovjetike. Për këtë arsye them se, në mos krahas, të paktën pas gërmadhave të kalave, meriton të mbrohet, kjo godinë që është një monument kulture i llojit të vet. Ky bllok banimi tashmë ka hyrë në historinë e arkitekturës moderne shqiptare dhe askush s'mund ta nxjerrë prej atje dhe po t'i verë minat e ta shembë. - Nëse Këshilli Bashkiak ende ka njerëz që dinë të shohin e të mendojnë, duhet të largojnë urgjentisht duart e këtyre barberinëve të rinj dhe të urdhërojnë t'u kthehen godinave vlerat arkitektonike të mëparshme, pa as më të voglin ndryshim. Turpi dhe faji do të jetë i atyre që do të bëjnë sikur nuk panë e nuk dëgjuan. Duke përfunduar po u kujtoj të gjithë këto fjalë të Gio Pontit: "S'kemi veçse qytetërimin tonë për të shpëtuar qytetërimin tonë". * Arkitekt --------------------------------- Do You Yahoo!? Yahoo! Tax Center - online filing with TurboTax -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |