Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Reportazh per Saranden - Tema

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Fri Apr 12 21:02:06 EDT 2002


Reportazh nga Saranda

Në “Shkëmbin e pëllumbave” nuk ulen më pëllumbat 

Altin Xhaferi

Mëngjesi në Sarandë vjen një erë të mirë algash dhe jodi. Nga ato erërat që të bëjnë t’i mbushësh fort mushkritë e të duket se të zgjasin jetën. Në dimër Saranda është ndryshe. Nuk ka thuajse asgjë prej asaj që mund të keshë njohur nëpër stinët e plazhit. Një zgjim i vonuar, dembelosës. Vetëm aty rreth orës 09:00 rrugët sikur nisin të gjallërohen nga pak. Edhe në kafetë buzë detit, atëherë duket se të zë syri ndonjë klient të rrallë. Kafetë dhe restorantet janë gati bosh thuajse gjatë gjithë dimrit dhe duket se jetojnë kot gjithë këta muaj në pritje të stinës së verës. Se njerëzve vetëm në verë u bie mendja për Sarandën. Saranda është si puna e syrit. Rëndësinë ia dinë ata që s’e kanë. Ndaj dhe vendasve nuk iu bën përshtypje dhe aq bukuria siç do të mahniste të ardhurit. Dhe këta të fundit rrallë ndodh të mos mahniten para hapjes së beftë të gjirit të kaltër. Kështu ka qenë gjithnjë. Të gjithë ata që vijnë mahniten nga pak para bujarisë së natyrës dhe para papërgjegjësisë së njeriut. Që nga italianët e luftës së parë që e quanin Santa Quaranta (shenjti i dyzetë) tek grekët që e quajtën si dhe sot Saranda, tek fashistët që e quajtën Porto Eda e gjer tek lebërit e zbritur për të dimëruar bagëtitë që e quajnë në dialektin e tyre Sarëna. Të gjithë sikur deshën të lënë pas diçka nga vetja. Madje mbrëmjeve bregut të detit ndërsa hëna lahet nudo nëpër ujëra, të ngjan se mund të takosh nga pak prej të gjithëve që kaluan. Edhe nëse nuk ndesh shenjtin e dyzetë me një shandan në dorë dhe me një kryq në tjetrën, do të ndeshësh patjetër siluetën e lagur të Eda Musolinit me bluzën ushtarake të lagur, të ngjitur fort pas formave të bukura të gjirit. Qyteti me 20 000 banorë në letër dhe më pak se dhjetë mijë aktualisht, në dimër është vërtet ndryshe. I heshtur. I trishtë. Si i harruar. Madje më shumë se qytet, në dimër i përngjet një fshati të madh indiferent që jeton sipas parimit “të dalë ku të dalë” e ku e vetmja ngjarje e ditës mbetet ardhja e një trageti nga Korfuzi me emrin ‘Kaliopi’ që krejt rastësisht mban emrin e nënës së Anastas Angjelit, teto Kaliopit ku Fatos Nano ka bërë trimërinë më të fundit të tij, ngrënien e fasuleve. Nga ajo kohë shumë gjëra janë më ndryshe. As Nano nuk ha më fasule, por as teto Kaliopi nuk gatuan më fasule në shtëpinë e saj, duke i konsideruar ato një ushqim të denjë për të varfërit, brekëgrisurit.Vetëm Saranda është po ajo, e trishta në dimër dhe gazmorja në verë, veçse më e plakur, më e rrudhur, më me halle. Në tregun e vogël të qytetit shiten fare pak gjëra të denja për një qytet turistësh siç pretendon të jetë Saranda. Kryesisht brekë, kanatiere, sytiena të varura në ca spango të koklavitura si për t’iu thënë vizitorëve se janë duke shëtitur në një qytet që i kanë rënë të brendshmet në fund të këmbëve, si dhe ca tufa preshësh e spinaqi tmerrësisht të shtrenjtë që tregtohen përtokë buzë trotuarit. As suvenirë, as imitime sendesh karakteristike, as copa kujtimesh nuk mund të marrësh dot me vete prej këtu.Nëse ke qenë si turist në Sarandë, s’ke me se i bind të tjerët, veçse po të besuan ngaqë je disi më i palarë nga herët e tjera dhe disi më i lodhur për shkak të rrugës së keqe. Madje as peshk nuk gjen. Fuqia blerëse është aq e vogël saqë s’ia vlen të peshkosh gjithë natën nëpër ujëra e lagështirë. Saranda në dimër i ngjan një guaske bosh ose më mirë një zogu të lagur që drithërohet prej të ftohtit dhe që mezi pret verën të shpuplohet, të shkundë krahët nën diell duke shpërndarë përreth një shi stërkalash uji e për të nisur mandej fluturimin. Por gjer atë ditë duket se nuk do ta arrish kurrë. Marsi i “plakave” siç i thonë vendasit ka ngrirë sërish gjithçka dhe iu ka kujtuar vendasve se nuk duhet të kënaqen kaq shpejt dhe të mos bëhen gati para kohe për fitimet e dy muajve më të cilat duhet të hanë pastaj gjithë pjesën tjetër të vitit. Saranda në dimër është tjesht një qytet me det ose e thënë krejt thatë, është vetëm Sarandë.

 ***

P.K. është nga ata pak fatlumë sarandiotë që ka punë dhe në dimër. Se në Sarandë nuk ka punë në këtë stinë. Madje dhe ata që kanë lokalet me meny peshku buzë detit, në dimër i mbajnë hapur kot ngaqë s’kanë ç’punë tjetër të bëjnë. Ose në pritje të ndonjë “peshku” të ardhur nga rrethet, të cilit ia rrasin sa krahu për të mbuluar me të, të gjitha shpenzimet e radhës. Ç’t’i bësh, lufta për mbijetesë është e egër dhe ata shpesh gjenden para asaj dilemës që gjendet shpesh gjahtari, të vrasë apo të shohë fëmijët e tij të vdesin urie. Dhe para një alternative të tillë, sigurisht që duhet të zgjedhësh të dytën.  Por P.K.  e ka një punë, ndonëse jo kushedi se çfarë. Ai punon në varrezat e qytetit, varrmihës, apo diçka e përafërt, për llogari të një shoqërie private varrimesh. Ndonëse nuk është i kënaqur se tani puna ka rënë. E bashkë me të dhe të ardhurat se pronari paguan me copë. Eh kohë e begatë ishte ajo ‘97-ta! Atëherë po, që kish punë. Po prapë me shpresa rrojmë. Tani që u ngrit Stefani, besoj do na shtohet puna. Se kur ngrihet Fanja dhe ne të varrezave me qar dalim. Kur u bë Fanja kryetar i shoqatës “Vullnetarët e Enverit” në Sarandë, nuk dolëm keq. Edhe në ‘97-ën kur ngriti Fanja Komitetin e Shpëtimit, prapë me qar dolëm ne të varrezave. Atëherë e bëra shtesën e shtëpisë ku nxjerr ndonjë lek gjatë beharit. E ç’rëndësi ka kush vritet, në është turk apo kaur, siç i thonë në Sarandë, rëndësi kanë copët se çdo copë, do të thotë parà.E di si e qante me ligje një nga këto plakat labe të zbritura në Sarandë vitet e fundit?! “Qani moj kaurka qani, / ua prishi (vrau) djemtë Stefani, / Stefan Çipë pilurioti, / hakën tënë ta marrtë zoti!” Po zoti duket se nuk dëgjon nga ai vesh. Duhet t’i dalësh nga krahu tjetër. E ndoshta Zoti nuk i do më fukarenjtë, është bërë dhe ai me të pasurit. Se jeta është bërë llogari dhe me ta i bie më mirë dhe vetë zotit. Ja shihe Fanen ti! Ja priste mëndja njeriu të ngrihej aq lart një njeri si Fanja! Se e kam njohur që shpejt Fanen unë, që kur qe në grumbullim. Pa ç’iu bënte bagëtive, sa ne ka ngrënë. Aq sa kur doli ai ligji i Saliut për genocidin e byroistëve, pata frikë mos e zinte dhe Fanen për genocid ndaj bagëtive. Se ka shtypur shumë Fanja. Pastaj i vajta ca kohë pas dhe me shoqatën e “Vullnetarëve të Enverit”. Aq kuptonim atëherë. Gjindje pa shkollë, mor mik. Na dukej se do të bëhej hataja. Kujt ja merrte mëndja se të vdekurit do më duheshin një ditë më shumë se të gjallët. Njësoj si Fanes, se ndaj e bënë ministër. Ai s’i hynte në punë as dreqit, po i hykërka Majkos. Punë e tij. I paftë hajrin. Ose sherrin, se Fanja sherret di të bëjë mirë, për të tjera s’e ke.Toka e bërë varrezë është një shkëmb ku varri do shumë mund për t’u hapur. Ndaj dhe punëtorët e varrezave nuk i hapin dot të thella, po rreth gjysmë metër dhe pastaj i derdhin beton përsipër duke e shëmbëllyer varrin me një bunker nga të kohës së Enver Hoxhës. Po fundja ç’duhet. Se mos marrin vesh gjë të vdekurit. Ndërsa murin e varrezave duket se lebërit e zbritur e përdorin në vend të tabelës së dikurshme të emulacionit socialist ku shkruajnë parrulla kundër pushtimit të Sarandës prej Angjelëve. Nuk thotë asnjë prej parrullave, ‘poshtë PS apo PD’ si kudo në Shqipëri, por parrullat kanë një dozë nacionalizmi të fyer. Duket se këtu tek muri i varrezave, kanë ngritur frontin shqiptaro-grek të luftës së kushedi se satë, që kundërshton tendencën greqizuese që ndihet kudo në qytetin-port, banorët shqiptarë puro që s’i kanë ndryshuar ende emrat. Veçse duket se nuk janë në kohë. Andej poshtë nga kasabaja ka kohë që shitet me dhrahmi, blihet me dhrahmi, flitet greqisht dhe lekun shqiptar ta flakin për turiri, si një gjë pa vlerë. E për kundërpeshë nëpër rrugica sheh tabela me ‘djathë labërie’, ‘mish kurveleshi’, policë e kambistë nga Labëria. Duket se një luftë e ftohtë, e pashpallur, zhvillohet prej vitesh midis tyre ku herë triumfon njëra e herë tjetra. Në fakt fati i Sarandës, i tillë ka qenë në vite, i ngarkuar me baticë e zbaticë greke në breg. Grekët, herë dynden këtu dhe duket se e kanë gjithçka të tyren dhe pikërisht kur iu ikën frika, atëherë i detyrojnë shqiptarët të kthehen andej nga erdhën. Një luftë e pashpallur që s’dihet me saktësi në cilin vit ka filluar dhe në cilin do të mbarojë, ashtu siç nuk dihet se kur do të marrin fund punët atje lart në qeveri me të qenët pro grek e pro italian.

Në Sarandë zbresin komitetet

 Në qendër të qytetit në një godinë të vjetër me shkallë guri të gdhendur ndodhet një pllakë që tregon se më 1909 Demo Emini çliroi Sarandën. Pllaka është që nga koha e Enver Hoxhës dhe askush nuk është kujtuar, as ta heqë, as ta rivlerësojë. Madje dhe kënga i këndohet akoma “Kërceu gjer në Sarandë, prishi hyqymet dhe bankë”.Komiti Demo Emini nga Nivica e Kurveleshit vetëm me nëntë vetë, i zboi turqit nga Saranda në emër të asaj që ai e quante Komitet Shqipëria e Lirë. Dhe meqë erdhi gjer aty pasi zboi hyqymetin, ishte që ishte, i futi një të shqyer dhe bankës, në emër të komitetit. Saranda asokohe ishte një fshat i madh me kryeqendër Delvinën dhe jo kjo e sotmja, e lakmuara nga të gjithë. Shumë e shumë vite më pas një komitet tjetër me emrin e ngjitur vetë ‘i shpëtimit publik’ do ta vidhte sërish Bankën e shtetit dhe do t’iu kallte flakën ndërtesave të hyqymetit.Mesa duket Sarandën, qenka e shkruar, ta djegin herë pas here komitetet që zbresin nga malet. Komitetit të fundit që ende nuk dihet se nga kush i shpëtoi dhe paskan qenë të rrezikuar, sarandiotët, ende s’i kanë ngjitur ndonjë pllakë, por gjithsesi gjurmët ende duken në godinat publike të nxira nga flaka. Madje i ka dalë dhe era asaj pune. Duket se asnjë prej godinave të djegura në ‘97 nuk është djegur pa një orientim. Të gjitha godinat e djegura asokohe po blihen tani për një copë bukë. ‘Hotel Turizmi’ i djegur u ble për 50 milion lekë dhe tani mbi të po ngrihet një perandori e tërë prej mermeri e poseduar nga njerëz të afërt me politikën. Komisariati i policisë në qendër të qytetit që nxin ende prej tymit është blerë për 170 milion lekë prej Angjelëve dhe një sekretari të lartë të PS. Biblioteka e qytetit buzë detit u ble po prej Angjelëve, thonë vendasit dhe në vend të saj tani ngrihet një godinë luksoze. Tani ia kanë vënë syrin Repartit zjarrfikës, të cilin duan ta nxjerrin diku jashtë qytetit pranë varrezave për ta blerë dhe atë. Mafia duket se i është ngjitur Sarandës si këpusha deles. Këtu pleksen interesa ekonomike të politikanëve të majtë, saqë këtej e kupton më mirë se pse po ndahen keqas atje lart tek kubeja e kuqe. Ndarja ka filluar këtu, në qytetin e vogël buzë detit për vende të bekuar me emra si ‘shkëmbi i pëllumbave’, ‘hotel turizmi’, ‘biblioteka’, ‘komisariati’, ‘shtëpia e oficerëve’ në murin e të cilës komitetasit e fundit me origjinë nga Salaria kanë shkruar me thëngjill “e zënë” dhe kanë ikur në kushedi ç’luftë tjetër, por që plaçkën e luftës që kanë lënë pas, nuk guxon t’ua trazojë askush. Dritaret e saj ende janë të mbyllura me mure tullash prej atyre që bënë luftën e që iu takon dhe plaçka e luftës. Se Saranda është bërë plaçkë lufte që e posedon më i forti.Në Sarandë shteti është një hiç që s’e pyet më njeri. Një shtet brenda shtetit i ngritur brenda këtyre dy vjetëve të fundit duket se është rregullatori i vërtetë i të gjithave. Një shtet paralel që s’duket, por ndjehet. Tre njerëz të fuqishëm me lidhje me politikën duket se janë pronarët e vërtetë të Sarandës së shekullit të ri apo të milleniumit siç iu pëlqen ta thonë së fundi për modë. Njerëzit i dallojnë nga fytyra dhe kur s’ua dinë emrat. Një fytyrë kuq dhe flokë bardhë, një tjetër flokë zbardhur e fytyrë nxirë dhe një i tretë akoma me flokë dhe fytyrë të zezë. Një kombinim fatal për qytetin e vogël. Ata që klonojnë qenie që e trembin njerëzimin do ta kishin zili këtë kombinim të rastit. Rasti është mbreti i botës. Pa bekimin e tyre asgjë nuk lëviz në qytetin port. Nëse do të nisësh një bisnes nuk duhet të shkosh në bashki por tek treshja e “miqve të Sarandës”. I vetmi biznes që mund të bësh pa lejen e tyre hë për hë është vetëm shtesa e pallatit tënd ku ata ende s’kanë interesat e tyre ekonomike për momentin.Ato që thotë e di Fatos Nano s’janë as gjysma e atyre që thonë e dinë  sarandiotët. Edhe nëse do të nisësh një biznes të paligjshëm si, fjala vjen, të fusësh cigare apo të nxjerrësh miell, jo bukë natyrisht, duhet të marrësh leje për të mos hyrë në linjat e tyre. Ndryshe shkon tek varreza në kodër pa e kuptuar e pa e pasur hiç në plan për të vdekur së afërmi. Ata janë shteti i vërtetë që të bën me parà ose të falimenton varret sipas sjelljes dhe sipas meritave të luftës ose kahjes politike. Të luftës së fundit natyrisht.

 Në ‘Shkëmbin e pëllumbave’ nuk ulen më pëllumbat

 Në gjirin e bukur pas qytetit është një heshtje e kobshme. Jo pse afër tij janë varrezat e njerëzve, por se është dhe një varrezë tjetër, varreza e marinës shqiptare. Në një liman të qetë të bërë enkas për paqe nuk dihet ç’mendje djallëzore vendosi dikur marinën luftarake ose anijet e luftës. Tashmë nga krenaria e dikurshme e atdheut të fortifikuar nga deti ka mbetur vetëm një grusht hekurishtesh si skelete që koten mbi ujë. Një dragaminë e vjetër ruse dhe pesë katërsilurues të vegjël dergjen nën diell dhe në peshën përfundimtare të ndryshkut dhe të humbjes. Kundërajrorët mbi trupin e tyre tashmë janë vetëm hekurishte mbi të cilat rrotullohen ca fëmijë gjithë qurre e zhul. Nuk kanë më flamur mbi vete siç mbajnë mjetet e bëra enkas për fitore luftërash. Ndoshta iu vjen turp ta ngrenë që nga hera e fundit kur u vunë mbi krye s’dihet pse një flamur të një shteti fqinjë. Nga ajo kohë s’e morën dot më veten. Hekura hesapi. Nuk mund të mësohen me këtë ulje ngritje flamujsh si njerëzit. I ka depresionuar historia e tyre e dhimbshme hiq e vër, e flamurëve që nuk mund të jenë thjesht një copë lecke e lyer me bojë. Të gjithë i kemi parasysh pamjet e televizioneve greke me ca djem të hardallosur me ballin e lidhur me shami që derdhnin prej këtyre kundërajrorëve, batare të panevojshme drejt qiellit. Sikur donin të vrisnin zotin. Tashmë shumë prej atyre djemve prehen pak metra më lart, brenda murit të varrezave, pa e kuptuar dot pse luftuan, për kë luftuan dhe ç’kërkonin. Ky ndoshta do të jetë pengu i vetëm për të cilën nuk arrin t’i tretë dheu, megjithëse dhe varret kanë fare pak dhé në kodrën e Sarandës. Vetëm beton dhe shkëmb sikur duan të ta bëjnë dhe prehjen e fundme me të dhimbshme.Ata djem që ngrinin flamurin grek mbi katërsiluruesit e marinës nuk i njihte askush gjer atëhere në Sarandë. Nuk dihej nga vinin e ç’kërkonin. Dhe sarandiotët ende s’e dinë pse u bë gjithë kjo. Çipa, Qilimi e të tjerët ikën në Tiranë dhe u bënë deputetë, kështu që nuk patën kohë t’iu shpjegonin gjë Sarandiotëve. E ndoshta dhe këtë s’arrijnë ta përtypin dot siluruesit e ndryshkur të gjirit të bukur. Nuk dihet gjer kur. Ndoshta gjer ditën kur të vijë një pushtetar e ta bëjë restorant lundrues dragaminën e vjetër që vjen erë urinë ushtarësh. Historia përsëritet dhe thonë që herën tjetër merr trajta qesharake. Kështu ishte dhe kësaj here. Kur zbrisnin komitetet e Demo Eminit në Sarandë njëri prej Qilimëve ngriti i pari flamurin në Delvinë, por atë shqiptarin ama. Shumë vite më vonë vjen një tjetër komitet dhe një tjetër Qilim që ngre flamurin e huaj.  Punë shqiptarësh, hajde e merri vesh nesër kur të shkruhet historia me gjithë qilimët brenda! Njëri vë nishanet e shtetit, tjetri heq nishanet e shtetit, për t’i bërë spaleta lufte mbi supet e tij. Hajde gjeje ku mbaron komikja e ku fillon marrëzia. Por Lufta ka mbaruar dhe fitorja hë për hë u përket atyre që guxojnë të parët. Qilimëve të dytë. Të tjerat lërua perëndive. Tani lufta hë për hë bëhet më larg. Tek ‘Shkëmbi i pëllumbave’. Atje ku pëllumbat s’guxojnë më as të ulen që kur u ulën korbat e zinj të politikës. Aty nuk ulen as ngrihen flamurë e prapë dihet kush e fitoi e kush e humbi. Ai që e humbi “betejën e Shkëmbit të pëllumbave” thonë se ka marrë inat të madh atje lart në Tiranë dhe do të bëjë një referendum. Me emër tjetër për pjesën që i takon prej Shkëmbit të pëllumbave. Ai që e fitoi betejën kërkon ta ngrijë referendumin për nja tre katër muaj sa të rregullojnë dokumentat e shkëmbit, por ngrirja nuk realizohet për shkak të mungesës kronike të korrentit. Zor se mundesh të ngrish gjësendi në këtë kohë pa drita. Nuk ka paqe pëllumbash gjersa dhe ai të marrë pjesën e tij të shkëmbit. Se kështu vijnë punët. Aty s’ka më ideale por vetëm interesa dhe komunistët idealistë ngjajnë tani me ato racat e rralla të peshkut që po shkojnë përditë drejt zhdukjes.

Në merkato ka dalë njeriu racional i llogarive të sakta. Thonë se gjer dje ishte koha e maskarenjve, por atdheu ishte i shqiptarëve, tani zor se e thua dhe këtë, se edhe atdheu është bërë i tyre pasi e kanë blerë vende vende.

 Në shtëpinë e Teto Kaliopit nuk hahen më fasule

 Saranda fle herët në mbrëje. Rrugët boshatisen aty rreth shtatës dhe mbrëmja nuk ka më erë algash dhe jodi por erë dinamiti nga gjuetia e paligjshme e peshkut. Dritat e qytetit zgjaten e zgjaten mbi sipërfaqen e lëmuar të detit duke të shëmbëllyer me ca fasha të përgjakura vende vende prej hënës që përpiqen me këtë të fshehin poshtë tyre plagët e qytetit. Se qyteti ka aq shumë plagë sa ai vetë e di, sa nuk gjen fashë t’ia mbulojë të gjitha. Nata është e trafikantëve tashme. Ato pak gomone që s’dihet ku qenë fshehur gjatë ditës nisen për rrugë pa e ditur nëse do të kthehen në mëngjes. Se kështu e kanë këto punë me kokë në torbë. Nga hoteli luksoz me katër yje në anën tjetër derdhet një lumë tingujsh muzike që të japin përshtypjen e rreme se këtu mund të jetosh i lumtur. Ose së paku i kënaqur, meqë lumturia është një nocion mjaft abstrakt. Vetëm ata që janë gjithnjë këtu mund të të thonë se nuk është krejt ashtu.Në shtëpinë e teto Kaliopit ka kohë që nuk gatuhen më fasule si dikur. Jo vetëm për arsyen që e dimë të gjithë se prodhojnë gazra që ndotin atmosferën që dhe kështu s’është më pak e ndytë, as për shkak se mysafiri i lartë nuk bujti më tek shtëpia e saj, ngaqë nuk fitoi dot pjesë tek Shkëmbi i pëllumbave, por dhe për arsye se tani shëndeti është bërë diçka me e vyer dhe konsumohen ushqime greke brenda afateve rigoroze të garancisë. Këto vitet e fundit jeta është bërë diçka me e vyer se dikur dhe në fund të fundit sikur ia vlen për të jetuar. Lëvizja për katarsis që thuhet se do na shpëtojë të gjithëve, këtu në qytetin port ka një emër të ndryshëm nga ai i grekëve të lashtë dhe quhet shqip ‘pordhë me rigon’. Të tjerat merren vesh. E ndërsa ikën i pafuqishëm për të ndrequr diçka në këtë xhungël të bërë me leje e pa leje përtyp nëpër mend krahasimet letrare që të ka zënë veshi nëpër vite për qytetin e vogël me ‘charme’ vajze. Dhe në çast i zhvlerëson në vetvete të gjitha. Më shumë se më gjithçka tjetër perla e fundit të Shqipërisë të ngjan me një adoleshente të bukur me fytyrë e faqe të nxirë nga ato që dalin mbrëmjeve buzë detit për t’u nisur në anën tjetër të detit, që pasi janë përdhunuar e rrahur në grup, nisen për të shitur trupin në vise të tjera e për të majmur dhunuesit e tyre apo siç i quajnë OJQ-të, - tutorët. Dhe tutorët këtu tani i njohin të gjithë, ashtu siç njohin nga nxirja e syrit të bukuroshes së radhës grushtin demokratik të secilit prej tyre. Në barkun e zi të “Kaliopit” tjetër futen një nga një njerëz e makina duke marrë dhe kursimet e tyre të tërhequra me ngut prej bankës së kursimeve. Ikin. Pa e kthyer kokën pas. Në një botë tjetër ku iu duhet të shesin të vetmen pasuri që u ka mbetur, muskujt e trupit. E nuk dinë si t’i thonë qytetit që deri dje ka qenë i tyre, por që sot ka pronarë të rinj. Mirupafshim apo lamtumirë. Në këtë botë të mbrapshtë ku askujt s’ja merrte mendja të bënte pronarët bujq dhe bujqit e dikurshëm pronarë, nuk ka më vend për ta. Nesër ‘Kaliopi’ do të kthehet sërish. Të gëlltisë të tjerë vendas. Gjersa një ditë të jenë larguar të gjithë dhe Saranda t’iu mbetet pronarëve të rinj që e kanë blerë e që do ta nxjerrin në punë siç nxirren vajzat e bukura dhe kjo ditë nuk duket larg



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Tax Center - online filing with TurboTax
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list