Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Lunxheria Pellazge - RD

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Tue Apr 9 20:05:49 EDT 2002


 
Si është zhvilluar ndër shekuj mjeshtëria e monumenteve shqiptare të kulturës

Lunxhëria pellazge

Prof. Dr. Zija Shkodra

 

Krahina e Lunxhërisë është një trevë etnografike me kostume të veçanta të saja që shtrihet përgjatë malit të Lunxhit përballë Gjirokastrës duke përfshirë 9 fshatra: 1)Erindi, 2)Nokova, 3)Minguli, 4)Këllezi, 5)Dhoksati, 6)Qestorati, 7)Saraqinishti, 8)Stegopulli dhe 9)Selcka. Pranë këtyre mund të përfshihen edhe 1)Tranushista, 2)Suha dhe 3)Krina. Gjetjat e shumta arkeologjike në fshatrat Këllez, Dhoksat, Erind e sidomos në qytetin e lashtë Antigonea në jug-perëndim të fshatit Saraqinishtë dëshmojnë se Lunxhëria ka qenë një trevë e populluar që në agimin e historisë.

Kalaja e vjetër e quajtur Paleokastër, me sa duket i shërbente sistemit mbrojtës të qytetit Antigonesë. Antigonea i takon shek. III para erës së re d.m.th. kohës kur Pirroja mbreti i Epirit, i cili e ndërtoi këtë qytet në kujtim të gruas së tij të quajtur Antigonea. Të dhënat dokumentare për trevën e Lunxhërisë shtohen sidomos pas shek. 15. Në regjistrin e parë osman të Sanxhakut të Shqipërisë (1431 – 1432) përmenden shumë fshatra me numrin e familjeve dhe të ardhurat për çdo familje. Në këtë regjistër të zbuluar dhe të botuar nga historiani turk prof. Halil Inalcik përmendet Labova e Madhe me 119 shtëpi, Krina me 12 shtëpi, F. Pouquevillë, Voyage de la Grece, Paris 1826, tomë 2, p.., 16 – 221 (botim II) (nënvizimi ynë).

Lunxhëria bën pjesë në trevat e lashta shqiptare për të cilën konsulli frëng pranë Ali Pashës, Fransua Pukëvil, thotë se"Lunxhëria banohej nga shqiptarë të krishterë që përbënin një popullsi vendase të lashtë me prejardhje pellazgjike të vendosur aty para fiseve të vjetra helene".

Treva e Lunxhërisë është një zonë me toka të pamjaftueshme që nuk është në gjendje t’i sigurojë bukën banorëve të saj. Prandaj lunxhiotët si dhe fqinjët e viseve përreth në një pjesë të mirë ishin të detyruar të mërgonin jashtë vendit që në kohët më të hershme. Këta njerëz të dalluar në fushën e ndërtimeve ujore, ishin gjithnjë në lëvizje për të gjetur punë në këtë fushë nëpër vise të ndryshme të Ballkanit, që ishin njëheri dhe vise të perandorisë osmane dhe sidomos në kryeqendrën e saj, Stamboll ku ishin vendosur më tepër. Sikurse edhe shokët e tyre vllehë, edhe këta, të dalluar në mjeshtrinë e gjetjes së burimeve ujrore prej ku furnizonin me këtë lëndë vendet e varfëra dhe kudo ishin të mirëpritur sepse kishin fituar emër të mirë, duke siguruar edhe monopolin e kësaj zeje të vështirë.

Para një shekulli e gjysëm, konsulli i Francës në Janinë F. Pukëvil, sikurse edhe i Austrisë, më vonë G. Hahn, duke folur për bujqësinë e kësaj treve thonin se ajo kishte mbetur në dorën e grave, pleqve dhe sakatëve. Këta ishin ata që kujdeseshin për punimin e arave, vreshtave, etj, mbasi burrat në gjendje pune, ishin detyruar të mërgonin ku ushtronin mjeshtri të ndryshme si atë të ndërtimit ujësjellësave, të kasapit, kopshtarit dhe rrallë herë atë të tregtarit. Këtë gjë bënin edhe fshatrat e Zagorisë, të cilët merreshin edhe me tregtinë lëvizëse.

Shkolla popullore e ndërtuesve lunxhionte e specializuar në fushën e ndërtimeve ujore, merrej më shumë me ndërtimin e çesmave, të banjove publike, ujësjellësave mbi harkada, çisternave të ujit, puseve, kanaleve ujitëse të bujqësisë, etj. Në Perandorinë Osmane, lunxhiotët gëzonin privilegjin e kësaj mjeshtrie që e mbanin me ferman (dekret) sulltanor të trashëguar brez pas brezi, qoftë në Stamboll ashtu edhe në qytetet e tjera kryesore të Perandorisë. Duke folur për këta mjeshtra të talentuar, Pukevili thoshte se ata të fshatrave Dhoksit, Këllez dhe Nokovë ishin më të dalluarit e kësaj zeje në këtë trevë. Të organizuar në grupe të vogla shëtitëse, këta ushtronin mjeshtrinë qysh nga kohët e antikitetit të vonë. Njoftimet e para historike mbi këtë mjeshtri të lashtë të ushtruar nga lunxhiotët i kemi nga letërsia osmane e shekulli XVII. Funksionari i lartë i Perandorisë Osmane E. Çelebi, në veprën e tij madhore 10 vëllimëshe të titulluar "Udhëtime" duke na përshkruar një parakalim publik të organizuar në Stamboll rreth viteve ‘40 të shekullit XVII në mes grupeve pjesëmarrëse zejtare, përmend edhe shumë shqiptarë, ndër të cilët edhe ujësjellësit lunxhiotë, që parakalonin para sulltanit me kazma e lopata nëpër duar që thërrisnin me zë të lartë:"po e hapim këtu gropën, jo po e hapim atje". Këta zejtarë, vazhdon ky studiues, që e zotërojnë këtë mjeshtëri... bëjnë gropa të thella 70-80 pash ndër male, dhe si zbulojnë burimin e ujit e sjellin atë me anë të kanaleve nëpër qytete duke e lëvizur deri 4-5 ditë rruge larg në këmbë. Çdo 100 hapa këta hapin nga një grykë si të pusit, prej ku me anë të velave prej pëlhure drejtuar kundër erës, fusin ajrin nën dhe ku punojnë shokët e tyre. Këta e grumbullojnë ujin në një vend (rezervuar) prej ku me anë kanalesh duke e terezitur e çojnë atje ku duan. Këtë mjeshtri të çuditëshme që vështirë e arrin mendja e njeriut e ushtron vetëm bashkësia e shqiptarëve".

Aftësitë e ralla të këtyre mjeshtrave i kanë vënë në dukje edhe një varg studiuesish të huaj të shekujve të kaluar si princi i Moldavisë D. Kantemir, W.M.Lik, F.Pukevil, A. Bue, G. Hahn, etj. Princi i Moldavisë D. Kantemir që jetonte në kryqytetin e Perandorisë Osmane në gjysmën e dytë të shek. XVIII, pat rastin të njihej me bashkësinë shqiptare të Stambollit. Kjo bashkësi sipas dëshmive arrinte në rreth 40-50 mijë frymë, ndërsa kur flet për zejet që shkëlqenin më tepër në dorën e këtyre mërgimtarëve, përmend ujësjellësit, ndreqjen e kockave të thyera si dhe mjekimin e sëmundjes së hernies. Për të parën, ai thoshte se "mjeshtëria e tyre nuk vihet në dyshim nga askush që ka parë ujësjellësit e Stambollit. Megjithëse të paarsimuar në matematikë, pa udhëzues ose mjete të tjera, ata bëjnë ujësjellës të tillë, masin lartësinë e maleve, largësinë e vendeve, më saktë se një gjeometër dhe gjykojnë shumë mirë për cilësinë e sasinë e ujit. Kur pyeten për anën teorike të kësaj mjeshtërie, ata nuk dinë se çfarë ju doni të thoni, as ti shpjegojnë vetë gjërat". Një nga këto vepra ku punuan këta mjeshtra të talentuar është edhe ujësjellësi i Stambolit mbi harkada dykatëshe i quajtur Bozdogan Kemberi në lagjen "Unkapani",i cili qëndron edhe sot në këmbë dhe ruhet si moment i rralë kulture i këtij arti nga bashkia e këtij qyteti. Duke folur për vendlindjen e këtyre mjeshtrave gjeniale F. M. Lik shkruan ndër të tjera: "Gjatë maleve drejt Tepelenës gjendet rrethi i Lunxhit... ose i lunxhiotëve. Këta njerëz janë të njohur për zotësinë e tyre në ujitjen e tokave dhe në ndërtimin e ujësjellësit dhe si të tillë ata ushtrojnë këtë zeje në Stamboll dhe në vise të tjera të Perandorisë Osmane. Edhe Pukevili përcaktonte se vendet më të shënuara të Qafës së Rrezes pranë Tepelenës janë Hormova dhe Lekli... Ata të pjesës së brendshme të quajtura Dhoksat, Kellez dhe Nokovë formojnë një bashkësi të vjetër epirotesh (shqiptarësh) që ushtrojnë prej kohëve të lashta në Perandorinë e Lindjes mjeshtrinë e tërëzitjes së ujërave ose të çesmaxhive publikë... Pa përcaktuar epokën, terezitja e ujit që zbuluar në Epir; shqiptarët e krishterë të Lunxhërisë ia atribuojnë të parëve të tyre ndërtimin e ujësjellësave mbi herkada dhe atë me terezitje që në kohrat e hershme, ata i sillnin ujrat nga burimet e Shën Gjergjit, 15 lega deri në qytetin e Nikopolit (Prevezës) ujësjellësit nga Edreneja që shifen nga lartësitë e Stymfalise deri në Korint si dhe në të gjithë veprat e tjera hidraulike të Stambollit. Në qytetin e Libohovës numëroheshin 6 000 shqiptarë muhamedanë dhe disa qindra grekë (ortodoks) që merreshin me tregti të ndryshme. Gati një legë në veri të Libohovës është Labova, pranë hyrjes së luginës së Sokakut, që e shpie udhëtarin lart në pllajën e sheshit të Merçikës, e quajtur Lunxheri, ose toka e pyjeve. Kjo hapësirë që përfshin majën e malit Eropuse, bregun verior të Vjosës, në Grykë kufizohet me qarqet e Këlcyrës, Përmetit dhe Paleo Pogonit. Në këtë trevë, pranë fshatit Stegopuli, duken rrënojat e një qyteti të vjetër, tani i emërtuar Gjonoksat dhe manastiri Spileon, i ndërtuar dhe paisur nga perandori i Bizantit, Aleks Komneni. Banorët e kësaj treve shqiptare të krishterë, arrijnë deri 1450 banorë. Në këtë vend ekziston një shoqatë Epirotëve (shqiptarë)të vërtetë, të cilët që nga kohët e lashta, në Perandorinë Lindore kanë ushtruar mjeshtrinë e terezitjes së ujërave, term i përbërë ky nga dy fjalë turke, "su" ujë dhe terazi (terezi) ekuilibrim ose nivelim. Fillimisht pas këtij profesioni ishin dhënë banorët e rajoneve klasike të Greqisë. Me sa duket kur Greqia ishte në fund të ditëve më të mira, njerëzit e Aeropus projektuan dhe zbatuan një sistem të ri ujësjellësi, sipas një rregulli që rrjedhja nëpër tub ose kanale të ngrihej gati në lartësinë e vendburimit. Qëllimi ishte sistemi horizontal dhe sipas terrenit, me kalime nëntokësore dhe mbitokësore me ndihmën e një arkitekture në formë harqesh me themele tokësore. Sipas shqiptarëve të krishterë të Lunxhërisë, paraardhësit e tyre banorë të Nikopolit kishin arritur të drejtonin ujrat e burimeve të Shën Gjergjit 15 km larg me anën e një ujësjellësi pjesërisht tokësor dhe pjesërisht nëntokësor, çka përbënte një monument fitoreje për aktiumin. Ata ishin gjithashtu përgjegjës për ujrat që vinin nga Adriani, nga lartësitë e Stimfalisë të Korintit dhe ujësjellësave të Konstantinopojës. Sido që të merren këto mendime e vërteta është se në të gjitha organizatat e mjeshtrave të formuar në perandorinë greke, vetëm drejtuesit e ujrave ndofta kanë qenë turq. Ata vazhdojnë ende, nga babai tek i biri të ushtrojnë të njëjtin profesion në kryeqytet dhe në qytetet e tjera kryesore të Turqisë. Punët e ndryshme të ditëve tona dëshmojnë për afësitë e lunxhiotëve. Midis të cilëve janë ujësjellësat mbi harkada në Santa Maura, të ndërtuar gjatë kohës që ky ishull ishte pushtuar nga turqit si dhe ujësjellësat e Janinës, Elbasanit, Tepelenës, Gjirokastrës, etj. Ata çonin ujin me anë kanalesh nga Edreneja deri në Korint si dhe punonin në të gjitha veprat hidraulike të Stambollit. Nga 400 punonjës dhe specialistë që kishte Stambolli në fillim të shek. XIX, 100 prej tyre ishin lunxhiotë që gëzonin me ferman (dekret) sulltanor, privilegjin e çesmaxhiut të kryeqytetit. Si arkitekt dhe drejtues të çështjes së ujërave të Stambollit dhe qëndrave të tjera kryesore të Perandorisë Osmane, lunxhiotët e trashëguan këtë privilegj për shumë kohë dhe gjatë shek. XIX.

Aftësitë e mëdha të lunxhiotëve në këtë zeje të vështirë dhe talenti i tyre siç thotë F. Pukevili duken sidomos në veprat moderne, në tunelet dhe ujësjellësit mbi harkada në ishullin Santa Maura, në ujësjellësin e Janinës, të Elbasanit, Tepelenës si dhe atë të Gjirokastrës, i cili u ndërtua gjatë viteve 1810-1811 nga Ali Pashë Tepelena, si dhe në shumë vepra të tjera të rëndësishme të ndërtuara në vise të ndryshme të Turqisë Europiane të atëhershëm. Krahas ndërtimit të çesmave, ujësjellësave dhe lëvizjes së ujërave me terezitje nga një vend në tjetrin për të ushqyer qytetet, kështjellat dhe garnizonet ushtarake, nxënësit e kësaj "shkolle" ndërtuesish popullor si bashkohësit e tjerë të kësaj zeje të trevës dibrane dhe korçare ishin njëherazi dhe specialistë të mirë të urave elegante të larta prej guri të ndërtuara me harqe me kurriz të dalë në mënyrë të theksuar. Këto ura që disa studiues të huaj i kanë cilësuar si punime venedikase, turke, etj., nuk janë tjetër veçse prodhimi i mundit dhe djersës, artit dhe talentit të këtyre mjeshtrave vendas dibranë, oparakë, lunxhiotë, etj... që i binin kryq e tërthor Shqipërisë dhe viseve të tjera të Ballkanit për të siguruar bukën e gojës. Dëshmitarët e kohës flasin qartë mbi prejardhjen vendase të këtyre ndërtuesve që kishin krijuar stilin dhe teknikën e tyre të punimeve. Në studimet e veta, arkeologu i njohur anglez W. M. Lik flet hapur për një gjë të tillë d.m.th. për teknikën shqiptare të ndërtimit të urave.

Një sistem harkadash që mbanin tubacionin ushqyes të ujit të Stambollit e kemi parë në mjedisin që përdoresh si vend piknikësh për banorët e Stambollit i cili quhej Orman Beligradi (pylli i Beligradit). Atje ishte një vend i pyllëzuar shumë i preferuar nga banorët e kësaj qendre të madhe ku qëndronin tërë ditën duke u dëfryer dhe duke luajtur në grupe, lojra të ndryshme. Jemi të bindur se ky studim do të tërheqë vëmendjen e studiuesve të tjerë për ta çuar më tej këtë problem shumë të rëndësishëm të kësaj zeje të lashtë, e cila me epërsinë e saj të padiskutueshme për shekuj me radhe u vu në shërbim të një bashkësie të gjerë që shtrihej në trevat e Turqisë europiane.

Lunxhiotët këta muratorË që lëviznin me torben e veglave në krah, kalonin nëpër vende të ndryshme të Perandorisë Osmane. Me interes janë njoftimet e udhëtarit angles Mek-Ferlein, të mesit të shek. XIX., për një takim në Kavaklia të Brusës me një japixhi (murator) shqiptar. Me këtë rast ky udhëtar na njofton se në këtë anë të Turqisë, shtëpitë ndërtoheshin pa përjashtim nga shqiptarët, të cilët vinin grupe-grupe dhe shpërndaheshin në brigjet aziatike të Bosforit, të Detit të Zi dhe të Marmarasë. Ata kishin zakon që në mbarim të dy viteve të ktheheshin në vendin e tyre, duke bërë një rrugë të gjatë. Pasi kalonin Dardanelet, ata udhëtonin në për Trakë e Maqedoni dhe arrinin në vendlindje Mek Ferleini kishte kohë që merrej me këtë punë (Turkey Trade) në Turqi. Ai kishte bërë dhjetë udhëtime të tilla nga Shqipëria deri në këto anë dhe kthim, kjo ishte ekspedita e njëmbëdhjetë. Ndërtuesit shqiptarë përdornin vegla dore: sharrë, çekiç, sqepare dhe vetëm në qytetet e mëdha shihnin karpentierin, ndërsa muratori përdorte edhe daltë. Me këto vegla ai "ndërton një shtëpi, i jep formë një dollapi dhe një tavolinë". (E. Spencer, Travel..., 152). CH. Mac Ferleine, Tyrkey an its destyin Londër 1850, II, 403).

Shumë vorioepiriotë ose arvanito-vlleh u vendosën definitivisht në Rumelinë lindore ose në zemrën e Bullgarisë si p.sh. në Arbanasi – ose arvanitohori siç quhej prej grekëve-Sulejmani i madhërishëm (1520-1566) i kishte përjashtuar nga taksat dhe bile u kishte dhënë privilegje të tjera, të cilat i përsërisnin sulltanët pasardhës deri nga fillimi i shk. XIX. Disa prej tyre u vendosën dhe brenda Tërnovës. Beloni duke udhëtuar për në Konstantinopoli mbi gjurmët e rrugës së vjetër Egnatia (pjesën e saj të shtruar me gurë e vërejti në fushën e Komotinisë në drejtim të Kipsalës)", takon grupe të mëdha "shqiptarësh..."...epiriotë në Turqi dikur quheshin edhe arvanitë si njohës të gjuhës shqipe: dhe në mënyrë mos përfillëse në momente zëmërimi kuptohet se quheshin arvanitë prej grekëve, deri në vitet e fundit.

E njëjta ngatërresë ndërmjet fiseve epirote dhe ilire duhet të ishte edhe në kohën e lashtë. Fshatarë ose argatë siç i quanin, po ktheheshin në atdhe të tyre. Këta ishin punëtore stinorë që punonin në verë si armanxhinjë (fshirës guri) dhe korrës në pronat e turqve dembela të Maqedonisë, Thrakës dhe të Anadollit. Ishin shumë të varfër, pothuajse të gjithë të zbathur, punëtorë të fortë dhe kursimtarë... Eshtë një realitet fakti se banorët e këtyre krahinave për 2000 vjet ushtronin zejen e muratorit dhe emigronin, Vakallopullos Apostol Istari tu neu elenizmu, fq.362-264, Thessalonik 1964.

Rreth tre vjet më parë, populli i qytetit të Beratit festoi me entuziazëm përurimin e ujësjellësit të ri atë të Bogovës 35 km i gjatë. Ujësjellësi i ri i qytetit të Beratit i përuruar në vitin 1988 është një vepër me rëndësi në shkallë kombëtare. Menjëherë mund të sjellësh ndërmend ujësjellësin e vjetër të mesjetës vepër e arkitetkit Mimar Kasemit nga Gramshi, që u rrit dhe u mësua në Berat. Ujësjellësi ishte një vepër që historia e ka shënuar, ky përcillet tek ne si trashëgim kulturor me gojën e udhëtarëve të huaj. Ai jetoi deri vonë dhe arkeologët po bëjnë përpjekje për restaurimin e tij, në miniaturë. Kjo vepër arti me harqe e kolona e fundit të shek. 17, me kalime e ndërtime me gurë të skalitur i dha ujë qytetit. Berati tërë jetën kishte mbetur pa ujë, ndonëse ujin e kishte te këmbët, megjithatë e përfundoi ujësjellësin e ri, Bogovë –Berat që i jep qytetit ujë të ftohtë dhe të rrjedhshëm nga mali i Tomorrit. (Xh. Lleshi, Kultura e një qyteti të kulturuar, në "Kushtrimi", 30 Mars 1988, f.2. Monumentet e qyteteve orientale më të rëndësishme pas faltoreve, janë çesmat; gjithashtu ndër fshatra gjenden shumë çesma të bukura. Çesmapunuesit me terezitje, përbëjnë një korporatë pothuajse e tëra nga shqiptarët nga treva e Dropollit, në veri-perëndim të Janinës, e cila ushtron mjeshtrinë brez pas brezi nga babai tek djali në tërë perandorinë. Ky fis në të vërtetë ka fituar një aftësi të madhe në artin e sjelljes së ujit më pak shpenzime nga distanca shumë të largëta; ata zëvendësojnë zakonisht ujësjellësat me kanale të hapura me tubacione me terezitje dhe për t’i dhënë ujit vrullin e humbur në rrafshinë, ata ndërtojnë punime në formë piramide hidraulike të quajtura "taksim". Piramida të tilla gjenden në të gjithë gadishullin ballkanik. C. Robert, Les slaves de Turquuie, Paris, 1852, I, f.48-49. Kurse Baironi dhe Hobhause-ni kur po udhëtonin për në Janinë në tetor të vitot 1809 shkruajnë "shkelim tokën e Lunxhërisë të gjelbër dhe pyjore, ndërsa brigjet përballë, matanë Drinos janë të zhveshura. Në Lunxhëri të dy anglezët flenë në Qestorat, që autorët e quajnë gabimisht Qesorat; këtu çdo send i duket më i bukur, më i pastër, më i qytetëruar dhe njerëzit më krenarë, më burra se ata që kishte parë rreth Janinës. Pasi flenë në Erind, udhëtarët arrijnë në qytetin e Aliut; Rev. Dituria, 1927, nr. 9-11, f. 325. Dijetari anglez Spencer thotë se shqiptarët e malësive "i njihnin mirë përparësitë e ujitjes dhe në kopshtet e tyre" nuk ishin të panjohura shumë prej frutave më të zgjedhura të Europës Perëndimore". Prandaj ai reklamonte së Shqiptaria është vendi që duhet vizituar prej botanistëve dhe kopështarëve. Kultura popullore, 1986, 1, f.174-5. nën perandorët grekë të Bizancit, shqiptarët nga treva e Lunxhit ishin të vetmit specialistë që gëzonin të drejtën e ushtrimit të zejes së çesmaxhiut në Konstantinopol, kurse pas rënies të kësaj qëndre në dorën e turqëve ata u vunë në shërbim të tyre, ata ruajtën disa nga privilegjet që kishin patur më parë. A. F. Andreossy, Voyage... f.234. Tregtarët e kuajve ishin kryesisht shqiptarë, ndërsa shërbyesit e stallave ishin jevgj. Qysh në vitin 1528 druvarët dhe tregtarët e lëkurave ishin prej fisi shqiptarësh, në vitin 1583 përmeden shqiptarët si sapunbërës. Si gdhendës guri ishin maqedonës të krishterë na thotë baroni Tott. Numri i anëtarëve ishte i kufizuar në disa esnafe. Kështu u ruajtën ujësjellësit e Stambollit prej një esnafi të posaçëm, i cili ishte i përbërë gjysma prej turqëve dhe gjysma prej shqiptarëve. Në familjet e shqiptarëve zanati trashëgohej, por kur je familje e shuante, atëherë asnafi kishte të drejtë të shiste vendin. H. Sehurtz, Die bazare und zunfte, in "Zeitschrift fur sozialëissenschaften", Berlin 1903, nr. VI, f.702.

Identile me ujësjellësat me harkada të ndërtuara nga lunxhiotët në Stamboll dhe në viset e tjera të Ballkanit, por kishte pranë Madridit. Arabët që vinin nga shkretëtirat e Saharasë ku problemi i ujit ishte pika më nevralgjike e jetës, sollën në Europë edhe kultin për ruajtjen, përdorimin dhe zbulimin e ujit, të cilin e veshën me kultin e shenjtë. E njëjta gjë ndodh me vendet Nordike që kishin kultin e diellit sepse kishin të pamjaftueshme këtë burim natyral jete.

Dalta e artistit anonim ka goditur pa pushim mbi gurin e rrëmbyer nga shkrepat dhe dalngadalë, në mënyrë të përsosur i ka dhënë atij formën e bukur të kapitaleve... Dalta e mjeshtrit popullor me plot shkathtësi e me durim të jashtëzakonshëm, ka krijuar mbi drurin, rrafshin e parë të dytin dhe të tretin që harmonizohen në mes tyre me gjithë të stilizuara duke bërë zogj, figura njerëzish, etj. Ashtu si lunxhiotët edhe përmetarët nuk e ndërpresin rrugën e njerëzve që shkonin në Turqi e veçanërisht në Stamboll. Kjo dukuri del më tepër në pah në shek. 17 dhe nga fillimi i shek. 18. Gjatë këtyre shekujve u bënë shumë ndërtime dhe duheshin krah pune, por edhe në mërgim fshatarët nuk i shpëtuan shfrytëzimit feudal. Në Stamboll ku një pjesë e mirë e tyre ishin përmetarë, duke qenë të pakënaqur nga shfrytëzimi, morën pjesë në lëvizjen e madhe antifeudale (kundra sulltan Ahmetit III). Kjo ishte një lëvizje e fuqishme qytetare që shpërtheu me 1730 në Stamboll nën udhëheqjen e Patrona Halilit me origjinë shqiptare. Një pjesë e tyre, siç thotë S. Fraseri në Kamusul "Alam-ishin përmetarë. Kjo tregon jo vetëm numrin e madh të përmetarëve që mërgonin në Stamboll, por dhe botën e madhe shpirtërore të tyre dhe pasionin për një jetë të lirë e pa shtypje. Për ustallarët epirotë-shqiptarë dhe maqedonas shih G. Mega, i quajturi qytetërim i përbashkët. Te poezia popullore në "Epitiris tu llaografiku Arhiju", nr. 6(1950-1951), f. 300. Ujëmbledhës i frenuar nga disa (penda) e madhe Belgradit shpërndante qetas ujin e lumit me të njajtin emër ku ndodheshin edhe këmbët e urës që mban kanalin e ujit që shpërndahej pastaj nëpër Stambol. Kjo është një vepër madhështore e arkitekturës hidraulikë e ndërtuar nga dora dhe mendja e këtyre mjeshtrave shqiptarë (Kazim Çeçen, Mimar Sinan ve kirkçesme tesisleri. Istambull 1988, 134).

Që shqiptarët u grumbulluan shumë herët në Stamboll kjo duket që në vitet 20 të shek. 16 kur sulltan sulejmani I për t’u hakmarrë kundra disa grabitësve që kishin plaçkitur shtëpitë e një tregtari të krishterë, në pamundësi për të gjetur fajtorët e vërtetë, masakron në mënyrë barbare dhe pa të drejtë me 1528 rreth 800 shqiptarëve si të dyshimtë të kësaj vepre. (J. Hamer, "Storie..." Tomo XI, f.120; hollësira rreth kësaj ngjarje shih të D. Cantemir, Istoria imperiuliu ottoman, f. 265-267.

Labova e Libohovës, fshat në rrethin e Gjirokastrës nga Juglindja në shpatin e malit Bureto mbi lumin e Suhës, degë e Drinos, përbëhet nga dy lagje: lagja e sipërme dhe lagja e poshtme. Labova është vendbanim i hershëm. Kalaja e vjetër e qujtuar sot Paleokastër, me sa duket i shërbente qytetit të lashtë lunxhiot të Antigonesë. Janë gjetur pjesë kolonash, mozaikë, etj. Në periudhën biznatine deri në mes të shek. XX quhej Labova e kryqit. Kisha e Shënmërisë e Labovës e shek. XIII është vepër e krijuar nga një shkollë arkitekture në Shqipërinë e Jugut. Vlera kanë veshja me tulla e pjesës së sipërme të monumentit dhe ikonostasi prej druri i vitit 1805.

Vepër e mjeshtërave lunxhiotë janë dhe hapja dhe ndërtimi i puseve. Nga të dhënat e banorëve më të moshuar, nga mënyra e punimit, puset e fshatit Dhravjan janë ndërtuar nga mjeshtrat e rrethit të Korçës. Puset e vjetra në fshatrat Dhrovjan i sipërm dhe i poshtëm janë vepër e këtyre mjeshtërve. Ndërtimi i puseve në këto fshatra i përket periudhës nga çereku i parë i shek. XIX deri në fillim të shek. XX.

Nq Berat në zonën fushore një përhapje të gjerë kanë patur përdorimi i puseve. Tuneli mbrojtës mbitokësor për marrjen e ujit prej kalasë në lumin e Osumit ishte një mënyrë më pak e përdorshme për sigurimin e ujit për këta banorë kjo rrugë përdorej zakonisht në kohë lufte. Në kala dhe më pak në lagjen Mangalem përdoreshin sterat e ujit.



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Tax Center - online filing with TurboTax
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list