Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Per rolin e OSBE-se ne Shqiperi - Shekulli

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Mon Apr 1 01:27:29 EST 2002


Ambasadori Ahrens dhe situata në Shqipëri

Zef Mazi*

Në mbledhjen e  fundit Plenare të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, më 21 mars 2002, kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Gerd Ahrens, paraqiti një raport për situatën në Shqipëri. Raporti që paraqiti me gojë ishte i ndryshëm dhe disi më i gjatë se ai që u qarkullua. Sipas stilit të vjetër të diplomacisë, disa mesazhe jepen me gojë, pa u përfshirë në raportin me shkrim, për të evituar diskutimet, pse jo edhe ndonjë problem që mund të dalë. Ahrensi me gojë tha: në Shqipëri nuk ka as UNMIK e as KFOR, as SFOR dhe as Përfaqësues të Lartë (duke aluduar dhe duke bërë krahasim me Bosnje -Hercegovinën), nuk ka as NATO, as EU as ndonjë organizatë tjetër. Në Shqipëri jemi vetëm ne, jam vetëm unë... të tjerët kanë ca zyra të dorës së dytë". Të kujtohet thënia e mbretit të Francës, Luigjit të 14-të: "L'etat c'est moi!" - Shteti jam unë! Po të lexosh atë raport duket se pa praninë e OSBE-së nuk mund të ketë Shqipëri dhe pa Ahrensin nuk mund të ketë OSBE në Shqipëri.  Dhe të mendosh që niveli i z.Ahrens është Ministria e Punëve të Jashtme. Kjo ministri është zyrtarisht partneri dhe pika kryesore fokale për punën  e Prezencës sipas Memorandumit të Mirëkuptimit që është nënshkruar për këtë Prezencë. Kështu veprohet kudo.
Nga ana tjetër, përmes atyre fjalëve, direkt apo indirekt, z.Ahrens nxin gjithçka që bëhet në Shqipëri, ku me siguri diçka ecën dhe nuk mund të jetë gjithçka zi! Aty gjithçka bëhet keq, shkon keq e më keq (anashkalohet dhe pjesëmarrja e opozitës në Parlament që ka përmirësuar mjaft klimën politike). Komentojmë: derisa situata, siç raportohet, është keq dhe ka ardhur duke u keqësuar pothuajse në të gjithë drejtimet, a nuk do të thotë kjo edhe se puna e Prezencës, në përgjithësi, ka dështuar në këto 5 vjet, përfshirë edhe dy apo tre vjet nën drejtimin e z. Ahrens? Nëse nuk pranohet se është kështu, atëherë puna, objektivat, rezultatet, shkurt mandati i Prezencës, duhen analizuar hollësisht, siç kërkohet nga  vetë mandati.
Unë kam qenë ambasador i akredituar në atë organizataë për shumë vite, dhe kam edhe punuar në të më vonë, bile në kohëra më të rënda se sot. Në asnjë rast nuk kam dëgjuar ndonjë ambasador apo kryetari misioni të OSBE-së, të raportojë apo të flasë në OSBE me atë gjuhë për vendin ku ai është akredituar dhe kryen detyrën, pavarësisht sa e vështirë ka qenë situata.  Përfaqësuesi i një vendi apo organizate, dashje pa dashje, krijon disa lidhje afektive tërheqëse me vendin ku është akredituar. Këto lidhje mundet edhe të trashen dhe si të tilla mund të mos i shërbejnë më punës. Prandaj bëhen ndërrimet periodike në trupin diplomatik. Ndërsa rasti në fjalë jo vetëm  duket se nuk ka krijuar lidhje të tilla, përkundrazi, nisur nga raportimet dhe çfarë thotë në takimet që bën, atij  duket se sa vjen e i shtohet e kundërta për vendin tonë. Raporti dhe raportimi i fundit në OSBE, si dhe përgojimet edhe më të rënda për Shqipërinë nëpër korridoret e Hofburgut dhe në dreka, darka apo takime më të ngushta me ambasadorë në Vjenë, çka nuk është zor të mësohen, rrëzojnë poshtë gjithë retorikën e "bukur" që përdoret në takime me politikanët apo mediat tona. Nëse politikanët edhe ekzekutivi ynë nuk e kanë mësuar ende këtë  realitet, ndoshta do bënin më mirë të ndërronin zanat.
Ndoshta z. Ahrens më shumë se imazhi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, i intereson të shtyjë qëndrimin në atë post dhe për të siguruar këtë, paraqet një situatë negative që Prezenca në Shqipëri  të bëhet edhe më e domosdoshme ? Në një artikull në nëntor apo dhjetor të vitit që shkoi pata paralajmëruar se ka shenja që Shqipëria gradualisht do të bëhet përgjegjëse kryesore, pika fokale për  gjithçka jo të mirë në Ballkan,  përfshirë krimin e organizuar dhe terrorizmin. Ajo mund të bëhej tabela e të gjitha kritikave. Po të lexosh raportin e Ahrensit shikon se ndodhemi shumë afër konstatimit të mësipërm. Opinioni im është që puna, arritjet apo dështimet e Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, duhen rishikuar. Duhet parë sa dhe si punon Prenzenca, me ç'efikasitet, me ç'prioritet, me ç'objektiva, sa dhe si ka realizuar çfarë gjatë këtyre viteve ?! Duhet rishikuar i gjithë mandati i Prezencës. Ky rishikim duhet bërë një herë në vit, dhe jo vetëm të merret vendimi për zgjatjen e mandatit a'priori, pa analizuar dhe vlerësuar relaisht punën dhe arritjet e tij konrete. Kësaj Prezence i duhet bërë një "revizion" politik i vërtetë. Ajo duhet bërë për të mirën e  vendit tonë, por edhe të organizatës që e ka dërguar atë në Shqipëri. Për këtë çështje, shtetet e mëdha nuk duhet të bëjnë presion. Është e drejta jonë ta kërkojmë dhe ta realizojmë këtë gjë. Nëse ndodh që ata do bëjnë  presion, kjo gjë i duhet relatuar hapur popullit tonë.   Kjo aspak nuk do të thotë mosbashkëpunim me organizatat ndërkombëtare. Përkundrazi, kjo do të vendosë në raporte të drejta dhe të rregullta bashkëpunimin duke respektuar njëri-tjetrin. Shqiptarët janë të ndërgjegjshëm se bashkëpunimi ndërkombëtar është i domosdoshëm. Por duhet parë mirë forma, përmbajtja dhe masa e bashkëpunimit, objektivat, fushat e përcaktuara qartë, efektshmëria e bashkëpunimit. Kjo sepse jo çdo organizatë mund të bëjë çdo gjë, përfshirë OSBE-në.
Shqipëria nuk ka nevojë të bëjë shumë: thjesht të shikojë të përdorë ato mekanizma që i jep e drejta e votës sovrane dhe të barabartë (dhe e vetos) për të argumentuar dhe kushtëzuar vazhdimin e qendrimit të Prezencës me domosdoshmërinë  e analizës, të rishikimit dhe  vlerësimit të mandatit, të punës, arritjeve dhe dështimeve të Prezencës. Askush nuk të vlerëson kur qëndron si aguridh, në pritje të lëmoshës, kur thua vetëm "si urdhëron", por kur paraqet mendime, qendrime dhe argumenta serioze, ku ke identitet dhe personalitet, edhe pse situata nuk është më e favorshmja sot për sot. Imazhi dhe emri i vendit dhe popullit tënd mund dhe duhet të ruhen  në radhë të parë nga vetë ne. Asnjë vend, cilido që të ishte ai, nuk do të lejonte që në adresë të tij të thuheshin ato monstruozitete që thuhen në raporte që shkruhen sipas midesë të disa të huajve. Me atë gjuhë që është folur së fundi për vendin tonë nuk është dëgjuar të flitet as për Afganistanin, për Çeçeninë apo Kolumbinë në kohën më të keqe të tyre. Jo ka ardhur koha, por ajo po kalon, kur politikanët dhe qeveritarët tanë duhet të shikojnë drejt në sy këtë realitet dhe të marrin të gjitha masat për të manaxhuar urgjentisht atë.

*Diplomat, ish-ambasador i akredituar në OSBE



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Greetings - send greetings for Easter,  Passover
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list