Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Gazeta Shqiptare - 15 shtator 2001

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sat Sep 15 00:17:06 EDT 2001



GAZETA E GJIROKASTRES

Gjimnazi: Kisha
na vuri kryqin
Ortodoksët mbrohen: "Ka qenë toka jonë"

GJIROKASTER

Të gjithë ata njerëz që kanë kaluar këto tri ditë para shkollës së mesme të përgjithshme "Siri Shapllo", kanë mbetur të habitur nga vendosja e simbolit fetar -një kryq ortodoks- në portën hyrëse të territorit ku është vendosur shkolla, i cili më parë i përkiste kishës dhe ka vite që ka ngjallur debate mes dy institucioneve.

Ky debat jo rrallë herë është përcjellë edhe në institucionet më të larta shtetërore e fetare. Historia ka nisur pas vitit '92, kur kisha ka kërkuar prej KKRT-së njohjen e territorit të shkollës si pronë të saj. Ndërkohë drejtuesit e njërit prej dy gjimnazeve më të mëdhej të Gjirokastrës janë shprehur për "Gazetën", se "në bazë të ligjit, atje ku janë ngritur institucione publike trualli i tyre duhet kompensuar". Ndërsa përfaqësues të kishës vazhdimisht janë shprehur se territori u takon atyre. Debateve pa fund se kujt i përket territori duket se përfaqësuesit e e kishës kanë tentuar t'i japin fund të mërkurën pasdite në 16.00, kur e kanë bërë fakt të kryer vendosjen e një kryqi të madh mbi portën e shkollës. Ndaj këtij veprimi ka reguar menjëherë Genti Hyka, drejtori i shkollës. Ai shprehet se "ky është një akt i paligjshëm. Ne jemi institucion publik dhe vendosja e simboleve fetare është e palejueshme". Më tej ai i ka kërkuar "ndjesë dhe mirëkuptim komunitetit ortodoks për lëndimin e ndjenjave fetare". "Por, shton drejtori, deri sa këtu janë shkelur ligjet, mua nuk më mbetet tjetër, veçse të kërkoj drejtësi". Megjithatë drejtuesit e shkollës shprehen se do të përpiqen edhe një herë ta zgjidhin problemin me mirëkuptim. Për këtë qëllim ata do të organizojnë një takim me përfaqësuesit e kishës. Por drejtori Hyka garanton "nxënësit, prindërit e tyre dhe mësuesit se ditën e hënë ata do të hyjnë në një institucion publik dhe pa simbolin fetar te dera e shkollës". Ndërsa atë Fodhoriu sqaron: "Ne vendosëm ta ndërmarrim këtë hap për faktin se ky është një territor i kishës, i përket dhe do t'i përkasë kishës". 

==

FAQJA SOCIALE
Kryepeshkopi Anastas,
"Pro Humanitate"


TIRANE

Kryepeshkopi Anastasi premiohet me çmimin "Pro Humanitate". Fondacioni kulturor Evropian "Pro Europa", ka nderuar me këtë çmim kryepeshkopin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Ky fondacion vepron nën kujdesin e presidentit të Këshillit të Evropës, lordit Russel Johnston, të presidentit të Parlamentit Evropian, Nicole Fontaine si dhe të presidentit të Komisionit Evropian, Romano Prodi. Bashkshorti i mbretëreshës së Danimarkës, princi Erik, është president i Komitetit drejtues. Z.Anastasi është "Pro Humanitate" i këtij viti, ndërkohë në vitet e mëparshme me këtë çmim janë nderuar kardinali Franz Koing, Simon Wiesenthal dhe Mstislov Rostropovitch. Dhënia e çmimit do të bëhet mbrëmjen e së shtunës, më 15 shtator në Sarajevë. Ceremonia bëhet në kuadrin e Kongresit Ndërkombëtar "Të krishterët dhe myslimanët në Evropë". Në të njëjtën ditë, Anastasios do të flasë në këtë kongres, lidhur me temën e "Kontributit fetar për zhvillimin e vlerave të përbashkëta, të pranueshme në Evropë". Këtë kongres e organizon "Këshilli i Kishave Evropiane", në të cilin bëjnë pjesë kishat e Evropës(përveç kishës katolike romane) si dhe "Këshilli i Sinodeve Episkopale Katoliko-Romane në Evropë". 
gazetari

 



---------------------------------
Terrorist Attacks on U.S. - How can you help?
Donate cash, emergency relief information inYahoo! News.
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list