Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] FYI-Letter to NAAC

National Albanian American Council naac at naac.org
Fri Oct 5 16:51:45 EDT 2001


National Albanian American Council
1700 K Street, N.W., Suite 1201, Washington, DC  20006
Tel: (202) 466-6900   Fax: (202) 466-5593
Web: www.naac.org   Email: naac at naac.org
____________________________________________
For Your Information

Dear Friends,
We would like to share with you a letter we received from a member of our community expressing his oppinions on how NAAC's work benefits Albanians in the US and the Balkans and urging Albanian-American organizations to work together for the common good of our community.

  
I nderuar z. Zherka,
 
më ndjeni që shfrytëzoj emrin tuaj t' i drejtohem tërë Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan, mirëpo më lejoni t'ju bëj me dije që në fillim se këtë e bëj për arsye formale, ngase ju jeni presidenti i tij, dhe për arsyen se jam i bindur se duke ju drejtuar juve i drejtohem njërit ndër aktivistët më të gjithanshëm të organizatës suaj.
 
I nderuar z. Zherka,
 
përpara se të filloj të përcjell përkrahjen time dhe disa mendime për Këshillin Kombëtar Shqiptaro Amerikan dua t' ju bëj me dije se poashtu si për menyrën e adresimit edhe për përcaktimin tim t' ju drejtohem me një letër të hapur kam dy arsye. E para- disa shkrime në Internet dhe fjalë aty-këtu të cilat tentojnë që një pjesë të anëtarësisë suaj ta baltosin me thashetheme dhe bile, në raste ekstreme, edhe ta kualifikojnë si komuniste (!). Dhe e dyta- obligimi im t' ju përcjell amanetin e vazhdimit të punës derisa të realizohet ëndrra e mija bashkluftëtarëve të mi të UÇK-së që ranë të shohin kombin shqiptar të lirë dhe në paqe.
 
Ju lus që të më kuptoni drejt dhe faktin tim të të qenit luftëtar i UÇK-së t' mos e merrni si një ngritje të flamurit të meritave të shokëve të mi dhe më sëpakut të miat. Ju lus juve dhe lexuesin potencial të kësaj letre, (e ceka më lart se kjo është një letër e hapur dhe mund ta shpërndani edhe për anëtarësinë tuaj edhe për opinionin), që kjo letër t' mos keqpërdoret, por të merret si një thirrje për bashkveprim dhe bashkpunim.
 
Para së gjithash dëshiroj të filloj me arsyen e parë, atë të përlloqitjes dhe kualifikimit të disa anëtarëve të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan dhe në disa raste madje edhe si komunistë(!). Është një arsye dhe një insinuatë, që, sipas mendimit tim, tregon shumë për esencën e problemit të mosbashkpunimit dhe divergjencave të shumta ndërshqiptare. Është një çështje, që automatikisht detyron të kthehesh te e kaluara jonë dhe, që, menjëherë, më lejon të shpreh mendimin tim decidiv se komunizmi ka qenë murtaja më e rëndë që kombi ynë megjithatë arriti ta mbijetojë. Mendim ky, i cili, shpresoj, nuk do t'i jep material opozuesit të mundshëm të mendimeve të mia të më qesë edhe mua në taborrin e njëjtë të diskualifikimeve si ato ndaj juve. 
 
Ne, shqiptarët, kemi pasur dhe ende, pak më lehtësisht, kemi fatin ( nuk them as të mirë as të keq ) të kemi qenë dhe ende të jemi në një pozitë gjeografike ku shpesh herë është dhe vazhdon të ndërthuret kufiri i dy pllakave tektonike ndër më të mëdhatë të civilizimeve njerëzore- Orientit dhe Oksidentit. Koha e deritashme historike kryesisht ka qene e ashpër me ne dhe zhvillimet e ngjarjeve gati gjithmonë kanë qenë në disfavorin tonë. Sidoqoftë, përkundër kësaj vrazhdësie, e cila zakonisht i përcjell të gjitha grupet e vogla njerëzore, shqiptarët arritën të mbijetojnë dhe kur ishin para ose krejt afër finalizimit të tyre si komb i formuar, tragjedia më e madhe ndodhi dhe komunistët morën fatin tonë në dorë. Pas pesëdhjetë vitesh shkatërrimesh dhe gati çbërjeje historike, kombi shqiptar arriti të çlirohet, por jo edhe të krijojë një sistem të qartë të të trajtuarit të kaluarës dhe një sistem të qartë të drejtimit që do të merrte. 
 
Mendimi im gjeneral pse ndodhi kështu është shumë i thjeshtë: përcaktimi jonë gjithmonë ka qenë, ashtu siç vazhdon të jetë, bota përendimore, mirëpo faktorët e fuqisë dhe injoranca e një pjese të shqiptarëve, që historikisht në kontinuitet bashkpunuan me këta faktorë për fatin tonë të keq na rreshtuan në anën e Orientit dhe Lindjes komuniste. 
 
Kështu shqiptarët të ndarë, pa një traditë historike të vetëdijes kombëtare dhe qytetare plotësisht të qartë dhe të ravijëzuar, një ditë, le të pranohet sinqerisht, u zgjuan dhe filluan të shohin se ëndrra e tyre ishte më afër se kurrë të realizohej, dhe si ndodh zakonisht në të këtilla raste, ata për një kohë, e cila vazhdon me trende prapakthyese të kohëpaskohshme edhe sot, të pamësuar me këtë, sikur u shtangën. 
 
Natyrisht, kur progresi shtanget, regresi hidhet në valle dhe mundohet të marrë kryet e valles. Kjo ndodhi edhe me shqiptarët dhe me shkelësit e tyre nga vetë soji jonë të kohëve më të fundit, respektivisht me komunistët shqiptarë në trojet tona etnike. Ata, duke pasë pasur mundësi më të mëdha të njohin botën, të marrin edukim më të lartë dhe të mësojnë tërë dreqnitë e manipulimit të pushtetit dhe të njerëzve, për një cast, të ngazëllyer, filluan të shohin ardhjen e ditës së tyre edhe një here dhe duke ndier ende dhimbjen që u kishte shkaktuar goditja furioze e zgjimit kombëtar në tërë hapësirën kombëtare dhe tronditja e trendeve të reja historike, vendosën që kësaj radhe të punojnë me metoda të tjera të nëndheshme dhe deri diku ia arritën qëllimit. Kjo, më duket mua, është një fakt i cili qëndron i ftohtë dhe mospërfillës mbi gjendjen e sotme të kombit shqiptar. Është një fakt, i cili padyshim se është i dhimbshëm, por unë nuk besoj se jo edhe i fuqishëm mjaft sa të na ndalë nga dalja në rrugën e lirisë dhe prosperitetit.
 
Pra kontinualiteti historik është i tillë çfarë është dhe përkundër dhimbjeve, padrejtësive dhe prapambeturisë që ka shkaktuar, sipas mendimit tim, ai megjithatë, sot, nuk do të guxonte të na ndalte të ecim përpara. Por, në të njëjtën kohë, nëse nuk nxjerrim mësimet nga e kaluara dhe nuk e konfrontojmë atë me projektet e të ardhmes, koha që po vjen për shqiptarët si njerëz nuk të lë të jesh i pabrenga. 
 
Sido që të jetë, shfrytëzoj rastin të bëj të njohur se jam plotësisht i vetëdijshëm që forma e shkrimit të letrave është një formë që shtyen në përdorimin e një gjuhe të ngarkuar, e cila mund të manipulojë me emocionin e lexuesit dhe të largoj vëmendjen e tij nga shkarjet faktike dhe argumentative, prandaj dua te ndalem te disa nga përfaqësuesit, ndër më eminentët e Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan, sot, dhe të cilët disa i njoh edhe personalisht, e mbase mund t'i quaj edhe miq, dhe disa që u njihet veprimtaria edhe patriotike edhe konkrete për shqiptarët. Poashtu, në rast se kjo mund të fusë në ndonjë konfuzion, dua botërisht të them se miqësia dhe simpatia nuk kam lejuar kurrë të më influencojne që të mos kritikoj ose përkrah si miqtë ashtu edhe kontribuesit e çështjes shqiptare.
 
Komuniteti shqiptaro amerikan deri me rënien e komunizmit është ushqyer me pjestarë të rinj nga tokat tona etnike kryesisht me individë dhe familje të tëra që u detyruan të lënë vatrat e tyre mu për shkak të mospajtimit dhe kundërshtimit të tyre me komunizmin. Gjeneratat e para, përpara valës së të ikurve nga komunizmi, të vendosur në demokracinë amerikane të fundshekullit XIX-të ose të fillimshekullit të XX-të, besim dhe angazhim të vetëm kanë pasur formimin e kombit dhe shtetit shqiptar. Nëse merret kjo rjedhë historike si bazament gjeneral, kujtoj se jo shumë vështirë, mund të vihet te konkluzioni se nuk është e mundur që shumica, gati absolute, e komunitetit shqiptaro amerikan mund të kundrohet nga cilido kënd në lidhje me çfarëdo qoftë komunizmi apo lloji tjetër të ngjashëm ideologjik shumë fatkeq për shqiptarët. Në harmoni me këtë, është diletante, qesharake dhe joserioze që udhëheqës dhe aktivistë të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan të venerohen në këtë hije. 
 
Si mund të quheni komunist i ri, i sotëm ose i djeshëm, ju z. Zherka, bir i një emigranti patriot dhe i ikur nga komunizmi, bir i një emigranti që tërë jetën e vet ia ka dedikuar shqiptarëve, dhe njëkohësisht ish pjestar i administratës amerikane, shetit më antikomunist në botë? Si mund të hidhet në ujëra të tilla një shqiptar i kalibrit të Ekrem Bardhës, njeri i cili me aftësitë e tij arriti t'i ikë ferrit komunist shqiptar dhe në SHBA të krijojë principatën e tij të prosperitetit personal, familjar dhe në fund të kontribojë aq shumë duke u bërë botuesi i një gazete meritore si Illyria? Si është e mundur që njerëz intelektual e me kualitete shkencore si Dr. Sami Repishti, Dr. George Nashe ose Drita Ivanaj të quhen të këtillë apo të atillë, që çdo ditë të jetës së tyre e kalojnë duke menduar dhe bërë diçka për shqiptarët? Si është e mundur që yje të biznesit amerikan si Richard Lukaj, ose vëllezërit Kolaj, ose Tush Nikollaj, ose Cafo Boga, ose Ilirjan Rusi, ose Dino Erbeli, ose Bruno Selimaj, ose shpresat e reja si Stefan Kochi, Etrita Ibroci apo Vjollca Prroni dhe me, siguri, qindra të tjerë aktivistë të quhen komunistë? Kur të gjithë operojnë dhe sukseset e tyre i kanë arritur dhe vazhdojnë t'i realizojnë në tokën e lirisë dhe demokracisë amerikane?
 
E kam betonuar qartë në fillim se unë shpresoj shumë fuqishëm që letra ime nuk do të keqpërdoret, por më duket se është e rëndësishme që te inicohen debate publike konstruktive dhe kur flasim duhet të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt, dhe ç'është edhe më e rëndësishme duhet të pyesim- ç' kemi bërë ose ç'bëjmë ne vetë? 
 
Sipas mendimit tim sa i përket përkatësisë dhe identitetit kombëtar kjo vetëdije mund të jetë dy llojesh. Ajo mund të jetë atdhedashuri intuitive, pra e ngulitur në vetëdijen tonë të përgjithshme nga e vërteta e ekzistimit të saj si një fakt përkundër ndoshta tentimit ta mënjanojmë, dhe atdhedashuri e vetëdijshme, e pranuar si karakterstikë e personalitetit të një njeriu. Kjo çështje është shumë e thellë dhe prandaj nuk do të ndalem të diskutoj për të më shumë, mirëpo që të bëj qëllimin tim më të kthjellët po marr si shembull dy gjigantë të kulturës njerëzore: Sokrati dhe Johann Wolfgang Goethe, njëri filozof dhe tjetri një ndër poetët më erudite të botës. 
 
Sokrati thoshte se nuk ishte as athinas, as grek, por qytetar i botës. Goethe deklaronte të njëjtën gjë, duke mënjanuar identitetin e tij gjerman për atë njerëzor universal. Mirëpo as njëri e as tjetri nuk lëshuan vendlindjen e tyre dhe nuk krijuan në gjuhë tjera përpos të tyreve. Çfarë dua të them me këtë? Në fakt, me këtë, dua të them se shqiptarët shpesh herë janë të prirë të mendojnë se duke iu larguar identitetit arrijnë të bëhen qytetarë të atdheut tone të përbashkët- botës së tërë. 
 
Porse në qoftë se bota është atdheu i madh i çdo njeriu të mençur, si thoshte Goethe dhe si me shumbullin e tij i kontribonte përmirësimit të këtij atdheu nga atdheu i tij i vogël, Gjermania, edhe ne, duke qenë produkt i kushteve specifike, mund të kontribojmë më shumë duke u përqendruar në një kulturë, gjuhë ose regjion dhe pse kjo do të duhej të ishte diçka mëkatare?! Bota është e pasur pikërisht për shkak të diversitetit të saj dhe përgjegjësive dhe të drejtave respketive që çdo komponentë e këtij diversiteti i ka ose i tenton. Në këtë drejtim unë e shoh edhe punën dhe kontributin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan dhe derisa ai vazhdon të qëndrojë në këta binarë do ta përkrah deri në fund.
 
Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan u themelua me 1996, plot 100 vjet pas  institucionit kulturo- historik shqiptar "Albania" të Faik Konicës. E vërteta e hidhur është se edhe sot disa gjëra tonat janë si në kohën e Konicës, këtij madhështori të historisë sonë. Trojet prej nga njerëzit shqiptarë vijnë ende janë jostabile, ende janë të pazhvilluara, ende janë në konflikte. Ende nevojitin ndihma për fëmijë, për viktima të luftrave, për të dëbuar, për të demoralizuar, për shpresëhumbur, por edhe për besues se e ardhmja do të bëhet më e mire për të gjithë. Unë mendoj se Këshilli Kombetar Shqiptaro Amerikan, dhe jo vetëm ky, ka kontribuar një pjesë të madhe që gjërat të përmirësohen. Unë mendoj se kjo organizatë ka potencialin e një çerdheje që mund të japë produkte shumë lukrative për të ardhmen dhe duke përveçësuar posaçërisht profesionalitetin e saj dhe të anëtarëve të saj do të duhej të përkrahej dhe ndihmohet nga çdo njeri. Mu ashtu siç duhet të përkrahen dhe ndihmohen edhe organizatat e tjera të komunitetit.
 
Nuk dua të hyj në rreshtim të aktiviteteve të shumta të Këshillit Komëtar Shqiptaro Amerikan sepse mendoj se ato nevojisin një hapësirë të madhe qe fillon me ndihmën për fëmijët, këto krijesa më delikatet dhe të pastrat, dhe zgjerohet deri te ndihma e formimit të kuadrove të reja nga tokat tona. 
 
Përpara se të vie te fundi i kësaj letre dhe te përshkrimi i amanetit të dëshmorëve të UÇK-së, kësaj krijese të madhe të përpjekjeve tona për liri, paqe dhe përparim, dëshiroj të potencoj edhe një argument të rëndësishëm. Unë mendoj se duke kualifikuar patriotët dhe kontribuesit e çështjes shqiptare si komunistë ose duke i dekurajuar ata përmes diskualifikimeve kuturu njeriu më së shumti çon ujë pikërisht në mullirin e pakicës së zezë komuniste dhe antishqiptare, e cila, duhet ta pranojmë, se diku-diku është etabluar e fuqishme dhe me dinakëri luan lojën më të zezë të ndalimit të shkuarjes përpara të shqiptarëve. Mirëpo unë pyes: A nuk është kjo edhe një arsye më shumë që të bashkohemi?
 
Gjithashtu, unë mendoj se rruga e vetme që na ka mbetur është rruga e një konzensusi kombëtar i cili mund të arrihet vetëm perms punës së madhe, konkrete dhe të sinqertë. Në zhvillimet shoqërore nganjëherë është e pamundur të vazhdohet rruga e barazimit të krimit me dënimin. Ky rreth vicioz duhet të këputet dhe njerëzit duhet të shikojnë kah e ardhmja. Fatkeqësisht nganjëherë dënimi i vetëm të cilin kriminelët e fuqisë pushtetore e marrin është dënimi nga historia.
 
Është mendimi im se Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan nuk mund të izolohet nga rrjedhat në trojet shqiptare dhe por ai edhe nuk mund të përcaktojë ato direkt. Me këtë rast dua të marr si shembull reagimin e një shqiptari ndaj një interviste tuajën në kanalin nacional PBS ku ju folët me fjalët më të mira për Shqipërinë. A thua çfarë ka dashur ky person kur ju sulmoi juve për këtë? Që ju të filloni të shani Shqipërinë për shkak të disa dallkaukëve? Që të frikësoni investorët potencial? Që për inat të vjehrrës të vrisnit  krijesën tone- Shqipërinë?
 
I nderuar z. Zherka,
 
Të gjithë bashkluftëtarët e mi ditët që i kemi kaluar në frontin e luftës i kemi pasur më të lehta sepse e kemi ditur se në SHBA kemi shqiptarët tjerë që luftonin si ne vetëm se në një front tjetër. Të gjithë e kemi ditur se fitorja arrihet duke bashkrenditur aktivitetet dhe punën. Merreni pa rezerve përkrahjen time në emrin edhe të atyre që ranë se të gjithë qenë të vetëdijshëm se pas luftës që të ruhet fitorja do të nevojitet dija dhe profesionaliteti. 
 
Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan është në rrugë të drejtë dhe i posedon të dyja këto- edhe dijen edhe profesionalitetin. Poashtu dua t' ju përkujtoj se përpos këtyre keni edhe përgjegjësi që të bëni gjithçka për të mirën e shqiptarëve. 
 
Këtu në SHBA duhet që komuniteti të ketë një zë që kumbon ku duhet dhe duhet që sa më shpejtë t'i dallojë matrapazët dhe profesionistët dhe gjithashtu duhet që sa më shpejtë të ndalojë humbjen e energjisë me njëri-tjetrin dhe ta orientojë atë në drejtim të përpjekjeve të përbashkëta në të mirë të njeëzve tonë. 
 
Sa i përket trojeve tona dhe institucioneve atje është në dorën e shqiptarëve që të zgjedhin dhe të mbajnë në shpinë njerëz që ata ose i legjitimojnë ose i lejojnë që në mënyrë jolegjitime të vetlegjitimohen. Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan është një organizatë formale e para e komunitetit tonë në SHBA. Mendoj se organizata primare tradicionale kemi pasur dhe kemi mjaft. Çfarë na duhet sot janë organizata që bëjnë punë dhe jo fjalë. Çfarë na duhet sot janë individë që nëse shohin se diçka nuk shkon në rregull nuk flasin por inkuadrohen dhe nëse e nevojshme ndihmojnë që të metat të përmirësohen. 
 
Këtu dua t' ju përkujtoj gjithë atyre që prodhojnë fjalë në vend të konstruktivizmit se po të merrnim nga një dollar për çdo fjalë që shkruhet në emër të kriticizmit, Shoqata Atlantiku, organizata e ish ushtarëve të Batalionit Atlantiku, nuk do të kishte dërguar në Akademinë Ushtarake The Citadel vetëm dy kadetë, por sëpakut dhjetë si fjala bie Kroacia. Dhe sigurisht se edhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan do të kishte bërë shumë më shumë.
 
Më duket se ka ardhur koha që të pushojmë dërdëllitjet sepse do të bëhemi qesharakë dhe historia do të na dënojë për çdo vonesë dhe krijim të vonesave. 
 
Ju uroj punë të mbarë dhe shpreh besim të madh se ardhmëria është në anën tuaj. Ju lus që të vazhdoni punën dhe natyrisht të afroni sa më shumë aktivistë. 
 
PUNONI BASHKË PËR SHQIPËRINË! 
 
Ky është amaneti i shokëve të mi të vrarë për të njëjtën çështje për të cilën ata dhanë jetrat e tyre, për të njëjtën çështje për të cilën ju punoni dhe për të njëjten çështje për të cilën angazhohen ose pretendojnë të angazhohen edhe ata që kritikojnë dhe diskualifikojnë. Komuniteti shqiptaro amerikan, jam i bindur, do të dijë të bëhet me njerëzit që përfaqësojnë interesat e tij dhe të bashkatdhetarëve të tyre.
  
Suksese!
 
Sinqerisht i juaji,
Uk Lushi
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list