| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Gazeta 'Illyria' - Kryepeshkopi Anastasios (Janullatos)Fatmir Cici foticici at yahoo.comTue Nov 27 00:44:52 EST 2001
Illyria 13-15, 2001, Volume 11,# 1089 Kryepeshkopi Anastasios për vizitë zyrtare në Athinë: çfarë ndryshoi? Javën e parë të nëntorit gjithë Greqia u elektrizua nga vizita zyrtare në Athinë e Kryepeshkopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë zotit Anastasios Janullatos. Sipas traditës së Kishës Ortodokse të gjithë primatët e kishave autoqefale, menjëherë mbas zgjedhjes dhe fronëzimit fillojnë vizitat protokollare në kishat simotra. Në rastin e Kryepeshkopit tonë vizitat në kishat e tjera fillimisht nuk ishin të mundura për shkak të statutit antikanonik të zotit Janullatos, gjë që ndryshoi me formimin e sinodit në vitin 1998. Mirëpo me ardhjen në pushtet të Kryepeshkopit të Athinës dhe gjithë Greqisë Kristodhulos, në të njëjtin vit, situata politike në Greqi u rëndua për arsye të kundërvënjes këmbëngulëse të Kristodhulos ndaj qeverisë socialiste greke, e cila ka ndërmarrë një fushatë për ndarjen e shtetit nga kisha. Kjo vizitë e Anastasios në këtë moment të nderë për politikën kishtare greke ishte dëshirë edhe e disa personaliteteve të politikës greke, të cilët besojnë tek roli i suksesshëm diplomatik i Fortlumturisë së Tij, pavarësisht se në vitin 1991, kur ai u dërgua në Tiranë, emrin Janullatos nuk e njihte askush në Greqi. Shtypi grek u shpreh qartë se Anastasios po vjen të ushtrojë gjithë ndikimim e tij për të afruar zotërinjtë Simitis dhe Kristodhulos në një takim të përbashkët, gjë që asnjë personalitet grek nuk mundi ta bëjë të mundur gjatë katër muajve të fundit. Janullatos shkon në Athinë të paktën një herë në muaj por kjo vizitë ishte e potershme sepse mbas marrjes së shtetësisë shqiptare dhe arritjes së përhershmërisë së qëndrimit të tij në Shqipëri, ardhja me zhurmë dhe lavdi në Athinë i vuri vulën pranimit universal të figurës së imzot Anastasios në Greqi. Gjatë takimeve me të gjitha personalitet e larta politike, kishtare dhe diplomatike të shtetit fqinj, dhe gjatë dekorimeve të shumta nga institucione shtetërore dhe kishtare greke, u thanë plot fjalë të ëmbëla me termat e dalë boje të Janullatosit mbi paqen e përbotshme dhe bashkekzistencën paqësore Por nuk doli asnjë fjalë në sipërfaqe për më shumë se gjysmën e anëtarëve të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilët jetojnë në Greqi nën thundrën e përdhunës, të privuar nga e drejta e meshimit në gjuhën e tyre, gjë që emigrantët e kombësive të tjera e kanë të praktikuar për vite të tëra tashmë në shtetin fqinj. Lidhja Ortodokse Shën Asti Në vitin 1993 shkuam në Tiranë dhe i kërkuam zotit Janullatos që të ndërhyjë për hapjen e një kishe në gjuhën shqipe në Athinë, ashtu siç bëhet dhe në arabisht, koptisht, sllavisht, etj., po në Athinë. Nuk kam asnjë kundërshtim, na tha, por nuk mund ta kërkoj unë. Duhet që më parë të paraprijë vizita ime protokollare në Kishën e Greqisë. Ne e njohim mirë misionin dhe karakterin e zotit Janullatos dhe nuk prisnim që të na thoshte të vërtetën por duke ditur se ai ishte ato vite në një pozitë delikate në Tiranë, menduam se në qoftë se shtrëngohej disi, edhe mund tia kërkonte këtë të drejtë qeverisë greke. Kaluan vite dhe çështja u gropos. Çështja e të drejtave fetare të emigrantëve nuk është përmendur gjatë këtyre dhjetë vjetëve dhe kjo ka arsyet e veta. Ata shqiptarë që përfaqësojnë çështjet e emigracionit shqiptar në Greqi rëndom mbështeten dhe vihen në këmbë nga organizmat e Partisë së Koalicionit të Majtë, të cilët si të gjithë bashkëfetarët e tyre komunistë kanë një alergji instiktive ndaj të drejtave fetare të emigrantëve në Greqi. Qeveritë tona të këtyre dhjetë vjetëve e kanë ngritur zërin për çështje madhore dhe jo për vogëlsira që iu përkasin priftërinjve. Ndërsa autoqefalistat, të cilit kishin tapitë kishtare të Peshkop Nolit, e patën pothuaj të vështirë të zbrisnin nga qielli i idealizmës poshtë në truallin e fakteve dhe të problemeve reale që lindën me zbarkimin e Janullatosit në Tiranë. Në vitin 1999, mbasi Kryepeshkopi Anastasios nuk kishte ndërmend të ndërmerrte asgjë përpjekje nga çka kanonet e kishës mëtonin nga ai, u themelua në Athinë Lidhja e Shqiptarëve të Krishterë Ortodoksë në Greqi Shën Asti, e cila u njoh nga gjykata e Athinës dhe mori lejen nga Kryepeshkopi Kristodhulos për të hapur një kishë në gjuhën shqipe për nevojat e emigrantëve në Athinë. Kryepeshkopi Anastasios jo vetëm që nuk pranoi të bashkëpunojë me Lidhjen, i cila i kërkoi bekimin disa herë, por kur pa se shoqata po zgjerohej dhe po fitonte terren të qëndrueshën në Athinë, me veprimtari serioze, me kurse falas në shqip, greqisht e anglisht dhe me programe të pasura kulturore për të gjithë emigrantët, udhëtoi urgjent për në patridhë dhe ndërmori një luftë të hapur kundër grupit të teologëve shqiptarë që kishin marrë këtë nismë. Zoti Janullatos kërkoi listat e emrave të anëtarëve të Lidhjes, gjë që shkaktoi frikë në radhët e anëtarëve. Për pasojë të kësaj lufte sistematike dhe bllokuese shoqata u shpërbë në mars 2000. Autori i këtij shkrimi pati përgjegjësinë të ishte dëshmimtar i atyre ngjarjeve. A është oksimor fakti që Kryepeshkopi i Athinës vendosi të organizojë një famulli me meshë në gjuhën shqipe në Athinë, ndërsa Kryepshkopi i Shqipërisë e ndaloi? A do ta bënte këtë Janullatos në qoftë se, larg qoftë, do të ishte shqiptar? Është më se e qartë se Kristodhuli është nacionalist, por ama ai vepron i pavarur si një shtet brenda shtetit grek dhe i intereson një kishë e fortë ortodokse nën juridiksionin e tij dhe jo vetëm për brezin e tij. Kryepeshkopi Kristodhulos u informua me hollësi nga një komision i posaçëm i emigrantëve se shumica e shqiptarëve nuk ndihet lirshëm të frekuentojë kishat greke dhe shumë prej tyre janë bërë pre e feve të huaja që janë ngulur në Athinë. Pra, Kristodhulos konkludoi se duke hapur një kishë në gjuhën shqipe emigrantët shqiptarë, fëmijët e të cilëve shkojnë në të njëjtat shkolla me fëmijët grekë, do të jenë moralisht më afër mendësisë greke pavarësisht nga identiteti i tyre kombëtar. Nga ana tjetër qeveria socialiste, e cila gjoja i përkrah të huajt, po ushtron një praktikë tepër të suksesshme për te asimiluar fëmijët e emigrantëve shqiptarë duke mos iu dhënë asnjë mundësi për të kultivuar identitetin e prindërve të tyre. Dhe kjo politikë asimilimi arrihet duke i ndihmuar shqiptarët që të bëhen pjesë e shoqërisë greke, dhe jo të dallohen nga ata, domethënë të mos trashëgojnë asnjë gjurmë nga origjina e tyre; dhe gjuha është pengesa parësore për të arritur këtë. Por këto përpjekje nuk do të kenë të njëjtat frute nëse një kishë në gjuhën shqipe i mbledh emigrantët dhe iu zgjon fëmijëve të tyre ndjenjën e origjinës, gjë që shkolla greke përpiqet ta çrrënjosë. Ja pse Janullatosi i shpalli luftë Lidhjes Ortodokse dhe u acarua edhe më keq me Kristodhulosin; në fakt ai bëri atë që iu diktua nga lart. Kur nuk kemi meshë shqip në Sarandë, mund të kemi në Athinë? Në qytetin e Sarandës, ku ndalohet gjuha shqipe në Kishën e Shën Harallambit këto dhjetë vjet, Anastasios shkon dhe këndon një herë në vit diçka në shqip për të na mbyllur gojën neve dhe për tiu hedhur hi syve atyre që kanë rënë në dashuri me të katërta me të. Të njëjtën taktikë demagogjike bëri edhe këto ditë në Athinë. Duke kënduar diçka në shqip me shpurën shqiptaro-greke që e shoqëronte nga Shqipëria, e mbylli edhe për dhjetë vjet të tjera kapitullin e ortodoksëve shqiptarë në Greqi. Dhurata që Anastasios i solli Kristodhulos nga Shqipëria ishte një ikonë e Shën Kozmait, pikturuar me shkronja greke nga të rinj shqiptarë. Në fjalën e tij Kristodhuli e çmoi punën e Shën Kozmait në Shqipëri si ndriçues i kombit (I kujt kombi?). Por në qoftë se kryeurata Janullatos është me të vërtetë i dërguar i Kishës së Krishtit dhe jo i Ministrisë së Jashtme të Greqisë në Tiranë, tashmë atij i ka ardhur rasti të na përgënjeshtrojë të gjithëve sa e akuzojmë për punë jo kishtare në Shqipëri duke sendërtuar programin ortodoks të Lidhjes Shën Asti, të cilën e përndoqi dhe e shfarosi. Ai ka në dorë sot të caktojë njerëzit e tij ta bëjnë këtë punë kishtare se ndoshta themeluesit dhe drejtuesit e Lidhjes nuk ishin të përshtatshëm; krahas të tjerave ata punonin pa mbështetje dhe pa rrogë. Dhe për të kërkuar të drejtat kishtare të emigrantëve shqiptarë ortodoksë në Greqi Kryepeshkopi i Shqipërisë i ka të gjitha të drejtat, dhënë nga kanonet e Kishës Ortodokse dhe nga reputacioni absolut që ai ka krijuar në shoqërinë greke, për arsye të misionit të tij të suksesshëm politik në vendin fqinj. Janullatosi është kandidat për çmimin Nobel për Paqe 2001. Referati i mbajtur gjatë kësaj vizite protokollare në Akademinë e Athinës Myslymanët dhe të krishterët në Europë është një orvajtje tjetër për të justifikuar kandidaturën e tij për Nobel, por në qoftë se ai i beson këto me të cilat po na çan veshët për dhjetë vjet, përse nuk kërkon nga qeveria dhe kisha greke tiu lejojnë emigrantëve shqiptarë të besimit myslyman të ushtrojnë besimin e tyre në trajtën e adhurimit fetar në Greqi? A është varësia e Janullatosit nga Ministria e Jashtme e Greqisë e vetmja arsye që nuk e lejon të pozicionohet në lidhje me problemin kishtar të emigrantëve shqiptarë në Greqi? Përse Anastasios ngurron të flasë hapur për këtë çështje dhe të marrë pjesë në dialogun që ka filluar në shtyp dhe të vendosë për një çështje kaq serioze për të ardhmen e të dy vendeve? Në qoftë se kjo çështje merr zgjidhje ortodokse ajo i jep dorën fanarjotit Janullatos për të dalur nga terri ku e ka çuar natyra e tij mafioze gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Veprimtaria e Janullatosit në Shqipëri është përshkruar disa herë me fakte të papërgënjeshtruara në faqet e kësaj gazete. Madje nuk duhen shumë mend për të shquar se roli i Anastasios në Shqipëri ka qenë dhe mbetet kryekëput politik, dhe bile i një politike të paskrupullt dhe dëmprurëse për të dy popujt. Janullatosi vazhdon të abuzojë pa drojtje me varfërinë e shqiptarëve, me mendjengushtësinë e grekëve përsa i përket konceptit të tjetrit, dhe me mungesën e gjykimit të shëndoshë të shumicës dërrmuese të anëtarëve të kishës ortodokse në Greqi, të cilëve nuk iu është dhënë rasti akoma për tu çliruar nga idiotizmi masiv i etnofetarisë së tyre. Si rrjedhojë e kësaj taktike të vetëdijshme dhe afatgjate imzot Janullatos po abuzon me misteret e Kishës Ortodokse dhe i tillë do të mbetet për ne, pavarësisht se 37 akademikë grekë dhe 13 shqiptarë të shquar (sipas shtypit grek) e kanë propozuar për çmimin Nobel. Kush nga ne e do Janullatosin si të tillë dhe përse? Sot nuk janë të paktë ata shqiptarë që nuk mund ta parafytyrojnë jetën në një vend të mallkuar si yni, pa praninë e një shenjti për së gjalli si Kryepiskopi Anastas, që edhe në qoftë se nuk ekzistonte duhet ta kishim shpikur. Sipas mendimit tim ka disa arsye që shpjegojnë triumfin e Janullatosit në Shqipëri. Nuk është vetëm dinakëria dhe pandershmëria e tij e ndërthurur me nevojën e politikës greke për të krijuar një figurë-instrument të tillë në Ballkan. Arsyeja kryesore është indiferenca e shqiptarëve ndaj fesë, mosnjohja e rolit dhe influencës së saj të pashmangshme në kulturë dhe politikë dhe sidomos injoranca që na trashëguan për sa i përket mësimit të historisë sonë. Janullatosi mbështetet gjithashtu dhe nga një akraba intelektualësh në Tiranë të cilët besojnë se janë lindur të çrrënjosin mendimin e kalbur të kritikës kulturore dhe politike në Shqipëri. Megjithëse luftojnë me zell mesianik për të kthyer lumin mbrapa, edhe këta bandillë janë produkt i së njëjtës shkollë. Këtyre iu intereson ta mbrojnë Janullatosin sepse kështu duan të dëshmojnë se nuk janë gatuar prej brumit të vjetër. Pastaj mendja e tyre e thellë dhe largpamëse nuk merret me thërrime si prifti Janullatos. Për më tepër me këtë petk të njeriut të së nesërmes këta zotërinj e kanë më të lehtë për të dalë e për të sharë vetveten nëpër simpoziume në Europë e gjetkë. Pra, në Tiranë bëhen aleanca ideologjish ku i vetmi fitues është Janullatosi. Varfëria e politikanëve tanë ka mëkatet e saj. Ndoshta një ditë do të çuditemi kur të mësojmë numrin e saktë të fëmijëve të politikanëve shqiptarë që studjojnë me bursa nga qeveria greke dhe shoqata Miqtë e vjetër të Krepeshkopit Anastasios në Greqi. Unë njoh disa prej tyre. Një shkak që ka ndihmuar shumë Janullatosin për të patur sukses është mungesa e një komuniteti të organizuar ortodoks jashtë Shqipërisë, me zë dhe me jetë kishtare e kulturore. Sado që të përpiqemi ne të zmadhojmë qënjen e Peshkopatës shqiptare në Amerikë, e vërteta është se ajo nuk ekziston ashtu siç e paraqesim ne. Çfarë është peshkopata jonë po ti heqësh Fan Nolin? Por a mund të jetojë një kishë vetëm me të kaluarën? Ajo sot është pa peshkop, pa një prift teolog në krye të saj, pa botime, me kisha gjysmë të vdekura që po mbyllen njëra pas tjetrës, pa plane konkrete për të hapur kisha të reja për emigrantët e ardhur rishtaz dhe pa teologë laikë që të njohin të dy gjuhët dhe tu vijnë në ndihmë emigrantëve (i vetmi teolog ortodoks shqiptaro-amerikan që mësoi gjuhën shqipe, mundi të sigurojë punë vetëm në një institucion protestant). Dhe arsyeja tjetër, siç e kemi theksuar, është mungesa e mendimit teologjik në Shqipëri. Nuk mund të zgjidhet problemi kishtar dhe kombëtar i KOASh-it me karagjozllëqet e autofeqalistave. Po tiu heqësh edhe këtyre qyqeve fanolizmin (Se ku dallohet fanolizmi nga studimet noliane është temë më vete) dhe antihelenizmin çfarë do tiu mbetet të gjorëve? Personalisht i përkas atij brezi që për të shikuar drejt së ardhmes së Shqipërisë nuk e gënjen veten me përrallat e të shkuarës së lavdishme dhe nuk është pushtuar nga histeria e nacionalizmit anakronik. Gjithashtu brezi ynë nuk i bie vajtueshëm fyellit të shqiptarizmit mbi rrënojat e historisë dhe as beson se importimi i idhujve do ta mbushë zbrazëtirën që na krijoi në mendje dhe në shpirt e kaluara komuniste. Nuk pres nga Janullatosi që të pendohet se në Ferr nuk ka pendim, por shpresoj dhe lutem që njerëzit që janë vetëthirrur të na prijnë në politikë dhe në kulturë këto vite të vështira, të jenë dhe ata të vetëdijshëm se procesi i demokratizimit dhe ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare, në rastin e KOASh-it shkon me hapa të shpejtë mbrapa, pavarësisht se Janullatosi e merr apo jo çmimin Nobel. Fatmir Cici __________________________________________________ Do You Yahoo!? Yahoo! GeoCities - quick and easy web site hosting, just $8.95/month. http://geocities.yahoo.com/ps/info1
More information about the ALBSA-Info mailing list |