| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Kadare tek KorrieriAgron Alibali aalibali at yahoo.comMon Nov 26 10:51:20 EST 2001
Kadare: Po tallen me popullin Pyetje: Do të më lejoni ta nisim këtë intervistë jo me probleme letrare, por me çështje të përgjithshme. Pas fjalëve për krizë morale të kreut të socialistëve në Shqipëri ka shpërthyer një polemikë që po ndihet në jetën e gjithë vendit. Do të na interesonte një mendim i juaj. Përgjigje: Më vjen keq që vendi ynë është i detyruar të tronditet nga grindjet e brendshme të një partie. Nga njëra anë kjo tregon se vendi është ende jo larg makthit komunist. Një anë tjetër dëshmohet se partia e të grindurve, ka ende një bërthamë të keqe staliniste. Është kjo bërthamë që rreh ta tregojë se partia është vetë Shqipëria, madje mbi të. Populli shqiptar duhet ti tregojë asaj të kundërtën, që ajo është nën Shqipërinë. Për çfarë trafik votash bëhet fjalë nga kreu i partisë? Për atë që ndodhi në kryesinë e saj. Kurse qytetarëve shqiptarë u intereson në radhë të parë trafiku i madh, ai i zgjedhjeve të parlamentit. Me dredhi bëhet amalgam midis të dyve dhe shumë shqiptarë kujtojnë se është fjala për bazën e demokracisë: zgjedhjet e lira. Po ta dinë se është fjala për zgjedhje brenda partisë njerëzit kanë të drejtë të thonë: çpunë kemi ne me grindjet tuaja? A nuk mbylleni në kongreset, a pleniumet, a forumet tuaja për ti zgjidhur ato? Nuk besoj se ka njeri normal që mund ti pëlqejë ky mish-mash retorikash, ku ka aq pak sinqeritet e aq shumë spekullim. Nuk besoj se shqiptarët mund ta gëlltitin një nivel kaq të ulët të kulturës politike, të mbushur me fjalë e togfjalësha si: iliri, xhoana, dhëndri gjashtëmujor, monika, thonjtë e paprerë, mamaja e angjelit etj. etj. Kaq shumë shpenzim energjish në drejtimin që nuk duhet. Kaq shumë aventurizëm politik, sfidim i institucioneve, thirrje për anarki të stilit bolshevik si në vitin 1997. Ose trysni për të mbyllur gojën si në vitin 1996. Së fundi kaq shumë dekurajim e paralizim të jetës, në kohën kur kemi nevojë për të kundërtën. Pyetja që duhet të shtronim në këtë rast do të ishte: është një marrëzi e zakonshme shqiptare, apo një mençuri e programuar antishqiptare? Pyetje: Lidhur me krizën morale, diçka më konkretisht? Përgjigje: Mendimi i parë që të vjen është se kjo furtunë a pseudofurtunë, nuk është serioze. Me sa di unë aktualisht ka krizë energjitike në Shqipëri. Përsa i përket krizës morale ajo ka vite që vazhdon në këtë vend dhe njeriu që u kujtua kaq vonë të flasi për të është një nga përgjegjësit dhe shestuesit kryesorë të saj. Natyrisht që ky njeri ka merita për emancipimin e partisë së vet. Veç kësaj ai ka bërë burg padrejtësisht, dhe autori i këtyre radhëve është një nga ata që ka kërkuar lirimin e tij. Por kjo nuk përligj lajthimin e askujt. Korrupsioni, trafiqet, shkeljet e demokracisë për të ardhur gjer te votimet e fundit dhe gjer te zona e famshme 60, të gjitha këto nuk filluan katër javë më parë. Mirëpo për liderin socialist ato filluan pikërisht disa javë më parë, ditën kur kolegët e tij i dhanë të kuptojë se nuk e duan për president të Shqipërisë. Atëherë liderit për çudi, iu hapën sytë, si në përrallat e budistëve. Gjer atëherë nuk shikonte as trafiqe, as korrupsion, as varfëri, as papunësi, as shkelje të demokracisë, madje nuk shikonte as dritat që nuk ndizeshin. Dhe befas i pa të gjitha. Pyetje: Megjithatë kritikat e tij janë gjykuar të drejta nga një pjesë e shtypit dhe e opinionit. Përgjigje: Natyrisht që kritikat janë të drejta. Është vështirë që në Shqipëri të bësh një kritikë që të mos jetë e drejtë. Natyrisht që disa prej ministrave të qeverisë mund të hiqen, e ndoshta duhet të hiqen sa më parë. Natyrisht që ka probleme dramatike në Shqipëri, për të cilat qeveria duhet të përgjigjet gjer në fund, që duhet ti zgjidhë sa më parë siç ka premtuar. Por ky nuk është argument në favor të kryesocialistit. Përkundrazi kjo është akuzë kundër atij vetë. Të gjitha kritikat që ai bën sot i ka bërë opozita e djathtë qyshkur. Dhe është pikërisht kreu i socialistëve që ska pranuar asgjë, madje i ka sulmuar kritikuesit me fjalët më të egra, me retorikë marksiste e çarturi gjuhësore, të padëgjuara ndonjë herë në këtë truall. Për këtë arsye ai smund të jetë i besueshëm. Personazhi nuk është serioz. Serioze është e keqja që po i sjell vendit. Shtypi flet për mungesë përgjegjësie e pandjesi kriminale të politikanëve ndaj halleve të vërteta të shqiptarëve. Shumë gjëra mund ti falen një politikani, por papërgjegjshmëria asnjëherë. Prapa mungesës së përgjegjësisë, prapa të folurit çoroditës fshihet shpesh diçka edhe më e keqe edhe më e rrezikshme: tallja me popullin tënd. Populli shqiptar është tepër i vuajtur e me fat mizor. Ndaj për të përqeshja e politikanëve është ndoshta më e padurueshme se varfëria dhe shtypja. Ndaj që të kthehemi te kriza morale, në qoftë se duam të flasim për një trazim moral në një kuptim më filozofik, ky ka të bëjë me shplarjen e Shqipërisë prej krimit komunist, shplarje pa të cilën smund të ketë kthjellim e emancipim të vërtetë të vendit. Pyetje: Keni ngritur shpesh çështjen e stabilitetit në vend. Sipas jush ky problem që ka dalë lidhet me destabilizimin e vendit? Përgjigje: Ky problem lidhet drejtpërdrejt me të. Më 1997 një forcë politike erdhi në pushtet me çmimin e lartë të destabilizimit. Tani brenda kësaj force që është në pushtet, një klan i pakënaqur i saj dëshiron të arrijë diçka, nëpërmjet destabilizimit. Është e rrallë në historinë e shteteve që klasa politike që ka pushtetin të kërkojë të destabilizojë atë. E ka bërë Mao Ce Duni me revolucionin famëkeq kulturor, atë që i vuri pishën Kinës më 1966. Sot konsiderohet një nga krimet më të mëdha. Unë nuk jam ndonjë fanatik i stabilitetit me çdo kusht. Me fjalë të tjera jam kundër stabilitetit në kurriz të demokracisë. Një stabilitet i tillë çon drejt diktaturës. Por aq më pak jam për demokraci në kurriz të stabilitetit, gjë që çon në anarki. Stabiliteti më fort se kurrë i duhet hapësirës shqiptare në Ballkan. Liria e Kosovës, të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, të gjitha këto rrezikohen nga mungesa e tij. Nëse stabiliteti prishet në qendrën e botës shqiptare, në Shqipëri, atëherë gjithë hapësira shqiptare do të vuajë. Do të fitojnë popujt që do të cilësohen faktor stabiliteti e do të humbin, në mos do të ndëshkohen ata që do të marrin namin e keq të kombit grindës. Ju e dini se përçarja, tribalizmi, mungesa e aftësisë shtetformuese, janë fajësime që po i bëhen prej kohësh kombit shqiptar. Ato janë shndërruar në njëfarë mallkimi të trashëguar. Dhe kjo nuk bëhet kot. Janë mëkate të shkuara që projektojnë të keqen drejt së ardhmes. Hyrja e Shqipërisë në Evropë do të pengohet prej tyre. Pavarësia e Kosovës gjithashtu. Po i kthehem papërgjegjshmërisë së politikanëve. Fjala në këtë rast është tepër e butë. Më lejoni të përsëris një mendimin tim të hershëm. Gjithmonë ia kam bërë vetes pyetjen: janë vërtet kaq të papërgjegjshëm apo hiqen si të tillë për të mbuluar një të keqe më të madhe? Duke përfytyruar ditën e dhënies llogari të tyre, duke përfytyruar justifikimin e tyre: ne i bëmë këto faje se ishim të papërgjegjshëm, kam menduar përgjigjen e popullit shqiptar: ju hiqeshit të tillë për të fshehur krimin tuaj: shkatërrimin e vendit. Pyetje: Në këtë rast kuptohet që përveç grindjes brenda P.S. është atëherë fjala për raportet pozitë-opozitë. Përgjigje: Do tju jap një përgjigje pa kurrfarë kujdesi dhe pa kurrfarë diplomacie. Mendoj se në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2005 pushtetin në Shqipëri do të duhej ta merrte e djathta. Jo vetëm e mendoj por edhe e dëshiroj një gjë të tillë. E dëshiroj sepse kjo do të jetë në të mirën e Shqipërisë. Do ti jepet rast popullit shqiptar të provojë alternativën tjetër të qeverisjes. Do të jetë vërtetimi më i mirë se makina e demokracisë po funksionon më në fund në këtë vend. Se nuk mund të kuptohet një vend demokratik pa këtë ciklim pa dhunë të pushtetit. Së fundi se e djathta shqiptare, ka një histori kaq të gjatë vuajtjeje në epokën komuniste saqë moralisht do ta meritonte pushtetin edhe në kushte të barazvlefshme me të majtën. Mirëpo për këtë marrje në dorë të qeverisjes e djathta duhet të përgatitet. Për fat të keq kjo nuk po ndodh. Një pjesë e së djathtës është ende robinë e një vizioni negativist. Gëzohet për çdo mungesë dhe disfatë të qeverisë, nuk e fsheh ngazëllimin për prapësitë që bëhen, për dritat që mungojnë, për vështirësitë, krimet gjer për mospranimin e Shqipërisë në Evropë. Këtu desha të kujtoj se e majta që është sot në pushtet, ka treguar të njëjtin negativizëm, të njëjtën fytyrë meskine e të njëjtën ligësi kur ka qenë në opozitë. Kemi të drejtë të dyshojmë se opozita të tilla, më shumë se për qeverisje përgatiten për hakmarrje ballkanase. Në Shqipëri ka kohë që ndodh një luftë që sdi çemër ti vësh. Veç ta quash luftë ndërqeveritare, formë e re e luftës civile, motërzim shqiptar. Qeveritë nuk duan ti lënë njëra-tjetrës asgjë. Të kishte mundësi do tia prishnin rrugët e urat, ashtu siç digjet trualli në luftë. Dhe kjo gjë e tmerrshme nuk ndodh vetëm me qeveritë e klaneve politike kundërshtare, por edhe brenda klanit të njëjtë. Është e hidhur të shohësh në TV brenda një dite, një lider socialist dhe një zëdhënës të PD-së, se si iu ndritin sytë nga gëzimi hakmarrës kur të dy u kujtojnë shqiptarëve sanksionet që mund të merren kundër Shqipërisë, në rast se nuk del nga lista e trafiqeve. Natyrisht që Shqipëria duhet të bëjë çmos të dalë nga ajo listë e mallkuar, por si mund të ketë politikanë që nuk e fshehin dot ngazëllimin për sanksione të mundshme? Pyetje: Keni bërë thirrje shpesh për një afrim pozitë-opozitë. Ditët e fundit flitet në shtyp për një si afrim të tillë. Çmund të na thoni? Përgjigje: Është e vërtetë se kjo ka qenë një ëndrra ime e përhershme. Dhe mbetet ende e tillë. Por afrimi për të cilën flisni ju, afrimi midis pjesës më radikale të së majtës me pjesën radikale të së djathtës, më duket më se i çuditshëm. Ish-kryeministri socialist Majko, një ndër liderët më të emancipuar shqiptarë, u sulmua e u quajt gati tradhtar nga stalinistët e partisë së vet, pikërisht sepse propozoi afrim dhe zbutje me opozitën e djathtë. Kurse tani, pikërisht ky krah radikal i partisë, për qëllime që merren me mend, ia bën me sy të djathtës. Shpresoj se e djathta e vërtetë shqiptare, dhe jo e djathta e rreme, ajo me zanafillë marksiste, nuk do të pranojë flirte të tilla, që vënë në dyshim moralitetin e saj. Megjithatë unë jam gjithmonë për afrimin e forcave politike kur ato bëhen për të mirën e vendit dhe jo të shtyrë nga pasioni i shkatërrimit. Megjithëse thashë më lart sa mendoj që më 2005 pushteti ti kalojë të djathtës unë nuk fërkoj duart kur shoh dobësimin e partisë që është sot në fuqi. Dëshiroj me gjithë shpirt që partia socialiste qoftë në opozitë, qoftë në pushtet të jetë serioze. Ashtu siç e uroj për partitë e tjera. Ato janë pjesë e vendit, dhe kur ato janë të shëndetshme, rrjedhimisht gjithë Shqipëria është e tillë. Në këtë sens, do të doja që edhe brenda socialistëve të gjendej rruga e kompromisit dhe e fashitjes së kësaj grindjeje që nuk i sjell të mirë askujt. Zërat e socialistëve të mençur e të ndershëm po e kërkojnë këtë. Kreu i socialistëve nuk ka pse të kërkojë me ngulm postin e presidentit, sepse ky post kërkon dy tipare kryesore që pretendenti nuk i ka: e para të jetë bashkues e pajtues i kombit, e dyta të pranohet edhe nga pjesa e shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve, në mënyrë që muri ndarës midis kombit të mos krijohet. Nga ana tjetër kryeministri nuk duhet të këmbëngulë për mbrojtjen e ministrave të përfolur. Në raste të tilla, pra edhe në raste hamendjesh të përgjithshme, ato mjaftojnë për të përligjur dorëheqjet. Jam i sigurt se shumica e shqiptarëve, të djathtë apo, të majtë qofshin, pavarësisht se mund të ndizen nga pasionet përpara ekranit të TV, kur shkojnë të flenë thonë me vete: e, sikur të mbaronte ky sherr i panevojshëm? E sikur të mendojmë një çikë më shumë si do ta ndreqim këtë jetën tonë? Pyetje: Të kalojmë te një pyetje tjetër. Lufta e re e koalicionit global e ka rreshtuar Shqipërinë përkrah këtij fronti të madh. A mjafton kjo për të bërë detyrën e përbashkët të mbrojtjes së qytetërimit? Përgjigje: Së pari ky rreshtim i Shqipërisë nuk duhet kuptuar kurrsesi vetëm si detyrë morale për të qenë bashkë me të tjerët. Më 11 shtator në Manhatan të Nju Jorkut, bashkë me gjithë qytetërimin perëndimor, me lirinë e tij, u godit edhe liria e Shqipërisë. Dhe këto nuk janë fjalë të mëdha, por shprehje e një të vërtete themelore. Një njohje e thjeshtë e historisë shqiptare mjafton për të kuptuar se populli ynë në këtë gjendje të re është një ndër më të rrezikuarit. Rrjedhimisht ai është një ndër më të interesuarit që kjo luftë e re të mbarojë me fitore. Fati i së ardhmes së tij është i lidhur me të. Ndaj deklarimi përkrah familjes evropiane do të ishte i pamjaftueshëm pa një aksion të vazhdueshëm, serioz e të nivelit më të lartë në këtë betejë. Pyetje: Si vend me një pjesë të popullsisë myslimane, a kemi probleme specifike në këtë gjendje të re? Përgjigje: Natyrisht. Kjo luftë i ka hapur probleme të mëdha gjithë universit mysliman kudo në botë. Rreziku i amalgamit të terrorizmit integrist me myslimanizmin në përgjithësi është i madh. Për fat të mirë, falë vetpërmbajtjes së lidershipit amerikan, qysh në orët e para u bë thirrje që mallkimi dhe akuza të mos bjerë mbi myslimanët e pafajshëm, por mbi terroristët. Mesazhi se armiqtë e botës së qytetëruar, terroristët, janë në radhë të parë armiq të popujve myslimanë u kuptua dhe u hap kudo. U bë thirrje që lufta duhet të transferohet brenda gjithësisë myslimane, aty ku ky terrorizëm u poll, aty dhe ku duhet të shuhet. Profecia e Huntingtonit për përplasjen e dy qytetërimeve, perëndimorit dhe islamikut, tani kur reklamohet me bujë nga disa si e vërtetuar, pikërisht tani tingëllon e pabesueshme. Në rastin e tanishëm nuk ka ndeshje midis dy qytetërimeve, ngaqë terrorizmi sështë qytetërim. Pyetje: Qarqe të caktuara e etiketojnë vendin tonë për fundamentalizëm islamik, por edhe një erë ferexheje, ndonjë shkollë islame varfanjakësh, ndonjë zë arab me fjalë doktrinore të një besimi, janë gjithashtu të pranishme në mjediset tona... Përgjigje: Është një e vërtetë e njohur që rrotull çdo fushe lufte vërtiten gjithmonë spekulantët dhe përfituesit. Ky është një rast që rrethet antishqiptare do të përpiqen ta shfrytëzojnë gjer në fund. Me flamurin e luftës kundër myslimanizmit u nis në betejë Millosheviçi dhe ra. Të tjerë e kanë bërë përpara tij. Të tjerë do ta bëjnë në të ardhmen. Shqipëria nuk ka arsye të mos e përshëndesi çdo mirëkuptim amerikano-rus kundër terrorizmit. Dhe çdo vullnet të fqinjëve të saj grekë apo sllavë të jugut në këtë luftë. Por Shqipëria duhet të jetë syçelët për tu mbrojtur në rastet kur luftën kundër terrorizmit do të përpiqen ta devijojnë kundër saj. Deklaratat e papërgjegjshme antishqiptare të ministrit të Jashtëm rus Ivanovit, janë me të vërtet të papranueshme. Ato tregojnë mungesë sinqeriteti në fushatën antiterroriste. Ato tregojnë se ka vende që duan të hyjnë në këtë luftë si matrapazët, për fitim të tyre. Vendet ish-komuniste nuk duhet të harrojnë se kanë qenë gjer dje strehë e gjithfarë terroristëve. Nuk duhet ta harrojnë gjithashtu urrejtjen e tyre të palodhur kundër Perëndimit, e sidomos urrejtjen kundër SHBA, këtë shtrat të sëmurë ku u përgatit shpirtërisht e u nanuris terrorizmi. Në qoftë se këto vende kanë vendosur të ndahen nga kjo sëmundje, kjo është pozitive. Por ndarja smund të bëhet me qëndrim dyfytyrësh. Ndarja smund të bëhet duke e transferuar urrejtjen e djeshme antiamerikane në drejtim të popujve të vegjël, që kur ua donte interesi i kanë quajtur miq si p.sh. shqiptarët ose ballkanasit ose kaukazianët. Pyetje: A u japim ne shkas për këto spekullime? Përgjigje: Besoj se po. Marrëzitë tona natyrisht nuk kanë fund. Por asnjë popull nuk përgjigjet bashkarisht për marrëzitë e një pjesëze të tij. Pak sekte fetare raciste e politike ka anembanë Evropës e SHBA? E megjithatë askush nuk e identifikon Perëndimin me to. Në një libër botuar kohët e fundit në Francë Islami në Ballkan, myslimanët faktor postkomunist, flitet gjatë për depërtimin e integrizmit në gadishull këta 10 vjetët e fundit. Midis të tjerave përmendet disa herë ish-shefi i shërbimeve sekrete të Shqipërisë Gazidede. Që të portretizohet si përçues i integrizmit, i lidhur me agjenturat e vendeve arabe, kjo është e pritshme në këtë libër. Ajo që është më pak e zakonshme është se autorët hedhin dyshimin e lidhjeve të Gazidedes me shërbimet e fshehta jugosllave. Në qoftë se do të besohej ky dyshim atëherë vijmë te teza e njohur se Jugosllavia e më pas Rusia kanë qenë të interesuara të nxisin depërtimin e integrizmit fetar në Ballkan, e sidomos në vende që ato nuk i duan, siç është Shqipëria, e sidomos Kosova, për të përligjur pastaj goditjen kundër tyre. Këtë gjë ato do ta kryenin natyrisht me ndihmën e shqiptarëve. Histori e njohur kjo e renegatëve. Pyetje: Edhe një pyetje të fundit për këtë problem. Çduhet të bëjë shteti, shoqëria shqiptare, opinioni publik në këtë gjendje të re? Përgjigje: Së pari njerëzit tanë duhet të kenë një kuptim të qartë për disa gjëra themelore të këtij vendi e të këtij populli. Ndër këto është përkatësia evropiane e Shqipërisë. Kjo përkatësi është sa gjeografike aq edhe historike e shpirtërore. Shqipëria nuk është midis Lindjes dhe Perëndimit, siç është bërë zakon të thuhet. Po të jetë për midis, i tillë është gjithë Ballkani. Kurse midis Shqipërisë dhe Lindjes janë ende dy vende që përbëjnë kufijtë natyrorë me kontinentin tjetër: Greqia dhe Bullgaria. Shqipëria, ashtu si gjithë gadishulli ballkanik bën pjesë në rrethinat e Evropës. Mendoj se Shqipëria nuk duhet të ngazëllehet as nga role që nuk ia mbajnë dot supet e saj të brishta, si ai që propozon Fan Noli: bashkon Islamnë me Krishtërimnë. Ne vuajtëm mbi shpinën tonë idetë delirante hoxhiane si mbrojtës të fundit të marksizëm-leninizmit në shkallë planetare e dokrra të tjera si këto. Shqiptarët, ndonëse të prapambetur e të vonuar në disa rrafshe, janë gjindje kokëforte e kontinentit, ashtu si korsikanët, sardët, baskët, sicilianët, malazeztë, zviceranët, tirolezët etj. Qytetërimi shqiptar, megjithë ngjyrimin dhe cenet e veta është pjesë e qytetërimit evropian. Kthimi i një pjese të popullsisë nga feja e krishterë në atë myslimane, pas pushtimit otoman, e kryesisht në shekujt 17, 18, 19, nuk ndryshoi ndonjë gjë në themelet e këtij qytetërimi. Myslimanët shqiptarë mbetën përgjithësisht po aq shqiptarë sa çishin të krishterët, madje sa çishin të krishterët e kryehershëm, katolikët. Myslimanizmi shqiptar e ka zanafillën jo në ide mistike e populiste të përhapura shkallë-shkallë midis brezave njerëzorë, por në një realitet të befasishëm: pushtimin ushtarak osman. Kjo zanafillë perandorake i dha këtij myslimanizmi një kah pragmatik, një përmbajtje e një stil administrativ, ku logjika e jetës mbetej gjithmonë zotëruese. Këndej rrjedh toleranca e myslimanizmit ballkanas, përfshirë edhe atë shqiptar. Këndej rrjedh edhe ngjyrimi qytetar dhe patriotik i tij (Mbeten ende të pastudiuara marrëdhëniet e ndërlikuara Ballkan-Perandori osmane. Mendoj se dukuria e njohur Romë-Greqi-pushtues-i pushtuar, u përsërit në njëfarë mënyre në simbiozën Ballkan-Perandori osmane. Vërtet perandoria, duke e gëlltitur e ndryshoi disi Ballkanin, por ajo vetë, në mënyrë tinzare u ndryshua prej ballkanasve. Përfundimi u duk në shekullin XX, kur qendra e universit osman, Turqia, përfundoi në një shtet laik, anëtar i Aleancës Atlantike. Pa harruar kursesi meritën e popullit turk dihet se shtylla e laicizmit turk dhe e vlerave republikane të këtij vendi u bë ushtria, e drejtuar tradicionalisht prej ballkanasve. Kështu, me vonesë, Ballkani i krishterë u duk se e kreu hakmarrjen e tij: konvertimin e pushtuesit të vet nga sulltanát në republikë. Në vitet e fundit të postkomunizmit, në myslimanizmin ballkanas e sidomos në atë shqiptar, u shfaq një dukuri e re: përpjekja për një ndryshim në themelet e tij, një ndryshim në gen, siç do të thoshin biologët. Si pasojë e trysnisë integriste, u bënë përpjekje që identiteti historik i myslimanizmit vendas, të ndryshohet në identitet arab. E bashkë me të të dobësohet fryma e tij qytetare dhe patriotike në favor të një fryme të përgjithshme mistike. Trysnia e jashtme e çdo lloj integrizmi përbën një rrezik të mundshëm për Shqipërinë. Ndaj politika e mbretit Zog në çështjen e besimeve fetare, politikë që ndalonte ndërhyrjet e huaja, ka qenë gjer më sot politika më realiste dhe më dobiprurëse për vendin. Pyetje: Mendoni se bota, e natyrisht vendi ynë do të nxjerrë ndonjë mësim me vlerë nga këto që po ndodhin në Afganistan? Përgjigje: Natyrisht që duam apo sduam ne, nga ngjarjet e rënda nxirren gjithmonë mësime. Mendoj se një afrim, mirëkuptim, ose ripajtim i botës me universin mysliman, është bërë më i nevojshëm se kurrë. Mund të jetë një aksion i gjatë, tepër i gjatë, politik, ekonomik, kulturor. Problemi dramatik i varfërisë në botë, është lidhur me këtë pajtim. Meqenëse përmendët Afganistanin, përsa i përket vendit tonë, atij i përket të nxjerrë një mësim më shumë prej realitetit afgan. Tragjedinë e këtij vendi e kushtëzon, veç të tjerash, tribalizmi, thënë ndryshe, përçarja e tij proverbiale. Është bërë shumë zhurmë për ndarjet shqiptare: jug - veri, mysliman - të krishterë, gjuhë gege - gjuhë toske etj. Zhurma është bërë me dashakeqësi, pa sinqeritet. Ka qenë më tepër një dëshirë, për ta parë Shqipërinë ashtu, të ndarë në katërqind copa. Por ndërsa kjo lloj përçarje ka qenë virtuale, një tjetër tribalizëm ka qenë real: tribalizmi politik. Nuk dëshiroj të zgjatem me këtë tmerr për të cilin është folur aq shumë. Në qoftë se më lejohet të përdor termin: afganistanizim të politikës shqiptare, këtë e bëj me pikëllim të madh. Atë që nuk ia ka bërë dot Shqipërisë as pushtimi otoman e as shkretëtira rreh tia bëjë klasa e sotme politike. Pjesa më e keqe e saj fajësohet sot njëzëri nga populli shqiptar. Tabloja është dëshpëruese. Kjo larmi groteske partish. Kjo furtunë e pambarim akuzash, që neutralizojnë njëra-tjetrën, thua se kundërshtarët e kanë bërë me fjalë dhe e kanë gjetur bashkarisht si mënyrën më të mirë për të mos u prekur prej saj. Kjo gjuhë barbare, ku arrihet gjer atje sa që një lider të përdorë si argument kundër një koleges së vet, fiziologjinë e saj femërore, duke ia kaluar kështu edhe mendjes së errët të talibanëve, të gjitha këto e të tjera si këto, janë thellësisht shqetësuese. Por mbi të gjitha qëndron një pyetje tjetër, një dyshim që e shpreha në fillim të kësaj interviste e që do të më lejoni ta përsëris: kjo këmbëngulje për të mos e lënë të marrë frymë vendin është rrjedhojë e budallallëkut dhe e verbërisë së kësaj pjese zotëruese, apo është siç e kam përsëritur, duke u bërë ndoshta i mërzitshëm, një këmbëngulje e qëllimshme, një synim, një strategji cinike e saj? Viti 1997, viti i rënies së shtetit shqiptar në një mënyrë ose një tjetër përpiqet të vazhdojë. Dikush është i interesuar që ky vend të mos gjejë qetësi, të mos zhvillohet, të mos jetojë normalisht. Janë forca tradicionale antishqiptare, që këtë qëllim e kanë vërtetuar disa herë gjatë këtij shekulli, që nga traktatet e doktrinat për zhbërjen e Shqipërisë gjer te shpërngulja e një milion kosovarëve më 1999? Janë arsye ekonomike e konkurenca, që aq mirë i njeh historia? Së fundi janë grupe mafioze që ky kaos u volit dhe që kanë arritur të kenë nën urdhër një pjesë të politikanëve? Koha do ta tregojë. Marrë nga, "Korrieri" --------------------------------- Do You Yahoo!? Yahoo! GeoCities - quick and easy web site hosting, just $8.95/month. -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |