Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Zeri i Popullit

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sat Nov 24 11:57:39 EST 2001


Nano: Meta, rikompozo Qeverinë, hiq trafikantët, të korruptuarit, inkompetentët 
Nga Fatos Nano

 

Të nderuar pjesmarrës, kolegë. Do të desha që në fillim të kërkoj mirëkuptimin dhe partneritetin tuaj për ta shndërruar këtë mjedis, në një mjedis që shoqëria shqiptare e ka të sajin dhe nuk duhet t’i mungojë, mjedis interlokutorësh për të korrektuar sëbashku vendimarrjen politike, politikat e zhvillimit, me të cilat në vlerësimin tonë si maxhorancë është e pamundur të zhvillohet si proces që na çon në identifikimin e pajtueshmërisë së plotë të vlerave të qytetërimit tonë me ato të BE dhe ato të vendeve të Europës moderne, pa ju, pa kontributin tuaj dhe pa integrimin tuaj në vendimarrjen politike dhe qeverisëse. Unë do të desha t’ju marr leje për të shprehur drejtëpërsëdrejti me ju, disa nga konkluzionet e analizave që po kryej bashkë me mjaft kolegë të tjerë vendimarrës në Partinë Socialiste dhe me strukturën tonë politike dhe qytetare në sensin e transparencës dhe të institucionalizimit të kontaktit me zgjedhësit, ne i kemi pjesë të veprimtarisë sonë publike si forcë drejtuese e maxhorancës aktuale. Dhe mbi këtë bazë ne jemi shumë të vëmendshëm për të dëgjuar gjithçka që ju do të mendoni të mundshme në këtë seri takimesh. Ne jemi përpjekur më shumë se katër vjet, si periudhë e drejtimit të vendit nga ne, pas krizës së vitit ’97 që ta strukturojmë bashkëpunimin me ju dhe sot, unë, do të shpreh qëndrimin tim autokritik për mosarritjen e bllokimit të të gjitha pengesave, jo vetëm konceptuale por dhe strukturore të politikës dhe të funksionimit institucional të shoqërisë shqiptare, nuk kemi arritur ta bëjmë këtë gjë siç duhet. Do të të desha t’ju qetësoj që në fillim ju dhe opinionin publik, kam bindjen se nuk keni ardhur në këtë takim për t’u bërë ose shfaqur nanoistë, pasi ju jeni një komponent i shoqërisë shqiptare që e bashkon ndërgjegjia për zhvillim dhe angazhimi atdhetar për të treguar vlerat tona europiane si shqiptarë. Të gjithë ne, jam i bindur, e dimë që çfarëdolloj etiketimi apo pozicionimi emocional nuk përbëjnë asnjë zgjidhje. Unë jam sot me ju, me bindjen që së bashku do të vazhdojmë të dëshmojmë vullnetin dhe kurajon tonë civile, morale dhe politike për të mos lejuar më tej frenimin e progresit në proceset e demokratizimit, zhvillimit, modernizimit të përafrimit dhe integrimit të Shqipërisë me komunitetin euroatlantik. Unë tashmë kam bërë publike shqetësimet e mija politike që grumbullohen rreth vlerësimit se ky progres ndihet i rrezikuar tashmë nga fenomenet e trafiqeve, të korrupsionit, kontrabandës, krimit të organizuar dhe veçanërisht të abuzivizmit dhe menaxhimit klientelist të pushtetit etj.

Nuk besoj se janë fenomene të importuara, thjeshtë, dhe kam besim në aftësinë tonë të përbashkët për të identifikuar rrënjët minimalisht konceptuale dhe strukturore të autoktonitetit të këtyre fenomeneve në Shqipëri dhe në Ballkan. Besoj se ndaj me ju të njejtin shqetësim që të menduarit ndryshe në raport me qeverinë, cilado qoftë ajo, sot ka filluar sërish të konsiderohet si sjellje e ashtuquajtur "antikombëtare’, të shprehurit hapur sërish po tentohet të ndëshkohet edhe në mjedisin tonë politik për fat të keq si antistatutore apo i paligjshëm, në një kohë që ata që dyshohen nga publiku, dhe unë kam marrë përgjegjësitë për t’i denoncuar publikisht si trafikantë dhe të korruptuar po shfaqen sërish si ëngjëj të martirizuar. Po sjell në vëmendjen tonë të përbashkët disa komponentë të evolucionit aktual. Zgjidhja e krizës energjitike sërish u rishty për në vitin 2003, ndërsa përpjekja dhe programet e nxjerrjes së vendit nga hartat e trafiqeve dhe krimit të organizuar, që disa prej qeveritarëve duke përdorur median e lirë i paraqesin si të realizuara tashmë, jo angazhime, në një kohë kur aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë kërkojnë angazhime, impenjim dhe rezultate më të prekshme për të evituar sanksionet.

Më tej besoj se jeni dëshmitarë të faktit që një metodologji teknike për reduktimin e varfërisë dhe rritjen ekonomike të ofruar nga FMN dhe Banka Botërore është përvetësuar nga profesor ministër Angjeli dhe titullohet "program kombëtar i zhvillimit".

Më tej akoma biznesi i ligjshëm vazhdon të përballet me arbitraritetin e shfrenuar tashmë të administratës fiskale, ndërsa tregu informal mbetet komod dhe ushqen trafiqet dhe trafikantët.

Evropa vazhdon të paraqitet prej propagandës qeveritare si ndonjë anije që po pret në radën e portit të Durrësit për të hyrë dhe për të na shkarkuar në formë grantesh para, mirëqënie, demokraci apo institucione standarte për të gjtihë.

Me paketën e re fiskale që ka mbërritur për shqyrtim në Kuvend, në vend të nxitjes së sipërmarrjes private, investimeve nga kursimet dhe të ardhurat e emigrantëve, që janë të rendit 1 miliard dollarë në vit të paktën, sigurisht do të bëheshin të gjitha të rikuperueshme, në oqoftëse do të kishin më shumë impenjim për të ndërtuar institucione të strukturuara të një tregu legal financiar dhe bankar. E pra kjo paketë e re fiskale shkon në sens të kundërt duke parashikuar thellim të arbitraritetit fiskal ndaj sipërmarrësve të lirë dhë të ligjshëm.

Ajo që më shqetëson politikisht gjithashtu është fakti se profesionistë e teknokratë të përkushtuar ndaj atdheut dhe detyrës, me rrënjë në shoqërinë civile që mezi po e krijojmë, po zëvendësohen tashmë vazhdimisht në administratën publike nga pseudomilitantë të pavotuar apo besnikë të atyre që emërojnë.

Më lejoni të ndaj me ju vlerësimin jofyes që në vend të konceptit primitiv për militantët, unë dhe ju militojmë për progres dhe zhvillim konteporan të Shqipërisë, pra jemi dhe ne militantë. Shkurt të nderuar kolegë, akademikë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, të nderuar kolegë deputetë, gjithashtu unë kam vlerësimin që kriza në Shqipëri po shfaqet në aspekte shumë të mbprehta politike, ekonomike, energjitike, morale, institucionale. Dhe kjo ka bllokuar dhe riskon të bllokojë apo të deformojë vendimmarrjen strategjike për zhvillimin e ardhshëm.

Me lejoni që të shfaqem që në krye autokritik, duke theksuar si Kryetar i Partisë së maxhorancës, se ndjej pjesën time të përgjegjësisë ndaj rishfaqjes së të gjitha fenomeneve që në sintezë dhe për një kombinacion rrethanash, që nuk u evituan dot shkaktuan në Shqipëri krizën dhe kaosin e vitit ’97. Prandaj dhe kam hyrë me kurajo dhe me autoritetin që më jep PSSH që më ka zgjedhur dhe elektorati i saj, në një proces intensiv kontaktesh, komunikimesh në publik dhe konsultimesh me ju dhe me të tjerë aleatë të zhvillimit, që të arrijmë sëbashku të frenojmë degradimin e shtetit dhe për të bërë së bashku të gjitha korrigjimet e duhura, që shpresoj të jemi në kohën e duhur.

Besoj se ndodhem sot, bashkë me kolegët e tjerë vendimmarrës në vendin dhe mjedisin e përshtatshëm për të analizuar së bashku me ju shkaqet që procesi i bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të saj legjitimë me qeverinë gjendet në një pikë të vdekur, duke shënuar hapa të ndjeshëm prapa. Ky fenomen shqetësues për vendin dhe diskriminues për ju, po ndodh sidomos për shkak të trafikut të votave që vazhdoj të denoncoj dhe të abuzimit me autoritetin fals që buron prej tij, të interesave ilegjitime afatshkurtra të individëve me pushtet ekzekutiv dhe të mediokritetit që si gjithnjë ka frikë të përballet me profesionalizmin, me racionalitetin e reformave të ndryshimit, integrimit dhe globalizmit.

Në vitin ’97, bashkë me marrjen e detyrës më të vështirë të Kryeministrit për kthimin e Shqipërisë së piramidave në normalitet, shpalla në emër të maxhorancës progresiste "Politikën e Ndryshimit". Në themel të asaj politike ishte meritokracia dhe pjesëmarrja e shoqërisë civile në institucionet dhe proceset vendimmarrëse. Sot shpreh shqetësim të thellë që në politikën qeverisëse dhe në administratën e lartë shtetërore, drejtuesit përzgjidhen mbi kritere të afërsisë apo besnikërisë ndaj Kryeministrit, duke lënë në hije armatën e dijetarëve, shkencëtarëve, profesionistëve dhe menaxherëve që vendit tonë nuk i kanë munguar asnjëherë dhe që me gjithë të ardhurat modeste, po vazhdojnë të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në Atdhe.

Vazhdoj të shpreh me forcë shqetësimin për lënien e katedrave dhe auduitorëve nga një numër shumë i madh specialistësh dhe profesorësh. Jam i bindur ashtu si dhe ju se emigrimi i intelektualëve dhe teknokratëve nuk frenohet me fjalime apo lëmosha në formë paraje, por me veprime të programuara dhe konkrete. Problemi është se edhe ju që keni qëndruar në detyrë, po ndiheni si mish i huaj për shkak të një qeverisje ekzekutive që nuk po ju ofron hapësirat e merituara të integrimit dhe kontributit në proceset e zhvillimit dhe reformate modernizimit të vendit. Si mund të mos ndihen refugjat në vendin e tyre psh profesorët e inxhinierisë së ndërtimit apo të asaj elektrike kur shohin se Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve emërohet me kriterin e vetëm të kontributit pro çiftit Meta në FRESSH, ndërsa ai i KESH si "talent" në besnikërinë e bindur ndaj Kryeministrit? A nuk ju duket edhe juve i frikshëm Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve me të njëjtin mbiemër si Kryeministri? Unë nuk po organizoj ndonjë konspiracion antiqeveritar me ju por po shtroj alternativa që na nxjerrin nga bataku i degradimit të përsëritur.

Meqenëse Kryeministri Ilir Meta ka dëshmuar se e ka dorën të lirë për të dhënë fonde dhe financime me prokurim të drejtpërdrejtë, do ta mbështesja politikisht nëse do të angazhonte fonde publike për të aktivizuar profesoratin në hartim dhe zbatim projektesh, studimesh, programesh, reformash, monitorimesh dhe auditimesh të administratës. Ky do të ishte      i i zhvillimit që na inspirojnë vëllezërit nju-jorkezë, apo londinezë, apo berlinezë dhe jo mbushja e auditorëve me lista të rinjsh të krijuara mbi kritere trafiqesh të votave, të influencës apo parave të pista që ekstrapolojnë trafiqe dhe trafikantë në të ardhmen. Ju më mirë se kushdo e dini se kur "gjenerata e re" në pushtet cënon rëndë liritë, të drejtat, shpresën dhe moralin e bashkëmoshatarëve të vet, ne profesorëve të tyre na takon të reagojmë të parët. Këto fenomene po shndërrohen në avion kamikaze dhe të shpuar në bisht, që kanë si target gjithshka pozitive që kemi arritur të ndërtojmë gjatë një dekade tranzicioni në demokraci.

Një miku dhe kolegu im, profesor i Fakultetit Ekonomik, po më thoshte para pak kohësh se e ndjente veten dyfish të fyer nga qeveria. Për shkak të vlerave dhe përgatitjes profesionale që përfaqëson, ai punon si konsulent në një sipërmarrje private. Prej andej më denoncoi arbitraritetin antiligjor të organeve fiskale dhe doganore ndaj përfaqësuesve të biznesit, veprime që i bëjnë këshillat e ligjshme të një profesori pavlerë. Sa profesionistë të tillë të dijes dhe menaxhimit e ndjejnë veten të pavlerë për shkak të arrogancës antiligjore të shtetit kur mëson se rreth 2 miliard lekë (14 milion USD) rimbursime legale fiskale nuk u kthehenarbitrarisht sipërmarrësve? Dyshoj që e gjitha kjo bëhet vetëm që ministri Angjeli të raportojë realizime të korrash fiskale në rendin e 100%. Ndërhyrja deformuese e shtetit në tregun kombëtar në favor të disa subjekteve klienteliste në dëm të konkurencës së ndershme dhe të ligjshme mes sipërmarrjes së lirë, tashmë është një fakt shumë kritik që po kompromenton rëndë stabilitetin makroekonomik dhe burimet e rritjes. Mungesa e veprimeve konkrete për minimizimin e tregut informal, më shumë se evazion fiskal po shkakton deformime të rënda në tregjet kombëtare dhe po pengon kanalizimin e kursimeve kombëtare (rreth 1 miliard dollarë në vit vijnë vetëm nga emigracioni) për investime të ligjshme nëpërmjet një sistemi bankar profesional dhe bashkëkohor.

Po rimarr sërish temën e bashkëpunimit të politikës dhe vendimmarrjes politiko-qeverisëse me shoqërinë civile, pasi ashtu si edhe ju, kam konstatuar që partitë politike shqiptare vazhdojnë të lëngojnë nga sëmundja ngjitëse e bunkerizimit. Iniciativat e mia politike si lider i maxhorancës për të përfshirë në qeverisje apo në ekipet legjislative dhe ekzekutive, qëndrore e lokale sa më shumë profesionistë me integritet-përfaqësues të shoqërisë civile, vazhdojnë të bllokohene të degradojnë. Partia që drejtoj ka vazhduar të qëndrojë e koracur përballë flukseve të anëtarësimit dhe promovimit të militantëve të progresit evropian nga rradhët e dijetarëve, shkencëtarëve, specialistëve apo ekspertëve atdhedashës. Jam i bindur se jo vetëm Partia Socialiste, por e gjithë politika shqiptare do të kishte qenë shumë më ndryshe, nëse do të kishte hapur më shumë dyert dhe forumet për të integruar atë pjesë tuajën që e ka pasion politikën dhe partneritetin me të. Ç’bunkerizimi i partive shqiptare, institucionalizimi i lidhjeve të tyre me shoqërinë e hapur në tërësi dhe me njerëzit e ditur në veçanti, do të ishin mocioni i nevojshëm "për ndryshim dhe integrim" në këtë fazë kritike të zhvillimeve demokratike dhe në Shqipëri, përballë rajonit dhe realitetitglobal.

Të nderuar miq dhe kolegë!

Mbrojtja e vetme që po bëjnë bartësit dhe nxitësit e fenomeneve regresive të qeverisjes nga analizat e mia kritiket në publik, është akuza se Fatos Nano po kërkon të djegë Shqipërinë për të marrë kolltukun e Presidentit.

Nëse do të vija gjithshka mbi një objektiv personal si detyra e Presidentit të Republikës, nuk do të isha sot me ju, as me zgjedhësitnë moshë madhore nëpër qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë për të denoncuar dhe bllokuar trafiqet dhe trafikantët, korrupsionin dhe të korruptuarit, krimin dhe kriminelët, që kërcënojnë individin dhe shtetin ligjor. Personalisht do ta kisha shumë komode të "bëja pazar" me Kryeministrin Ilir Meta që në këmbim të heshtjes sime për gjithë sa po analizoj dhe shpall publikisht, të merrja votën e tij, të ministrave dhe deputetëve trafikantë që e përdorin mandatin për të bërë pasuri për vete, fisin apo miqtë e tyre. Një pushtet i ngritur mbi trafikun e votës brenda forumeve qëndrore të Partisë, do ta vuloste menjëherë një pazar të tillë të fëlliqur.

Kontributi im politik dhe institucional, asnjëherë nuk është bazuar mbi pazare të fëlliqura interesash private amorale. Në pazare të tilla unë nuk hyra as në vitin ’93 me Berishën, pavarësisht se e pagova me 4 vite qeli. Unë do të vazhdoj të investoj sa të kem votë dhe frymë që Shqipëria të ketë atë që meriton, që shqiptarët të kenë atë që kanë nevojë; realitetin evropian nështëpitë e tyre. Prandaj i kam përbuzur votat e trafikantëve të Metës në çdo rast.

Por, në këtë kuadër unë nuk e fsheh dot shqetësimin për mosshfaqjen në lartësinë e detyrës institucionale nga kolegu juaj dhe miku juaj dhe miku im Rexhep Meidani si President i Republikës. Unë do ta votoj sërish nëse në këtë fazë të fundit të mandatit të tij të parë dhe në fillim të mandatit të dytë të maxhorancës sonë progresiste, profesor Meidani do të ushtronte të gjitha kompetencat e tij si garant i Kushtetutës, si ekuilibrues i pushteteve, si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, për të normalizuar dhe drejtpeshuar gjendjen anormale kritike që po krijon ekzekutivi në Shqipëri. Unë do e votoj sërish nëse profesor Meidani e nxjerr institucionin e Presidencës nga steriliteti gati laboratorik për ta vënë në shërbim të të gjithë shtetasve, në dobi të zhvillimit, në dobi të stabilitetit, në dobi të rritjes së ligjshme ekonomike, të rritjes dhe konsolidimit të sistemit të drejtësisë, kundër trafiqeve, kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe vendimmarrjeve abuzive e klienteliste, kundër cënimit të lirive dhe privatizimit të institucioneve shtetërore nga klane politike që bashkëpunojnë me botën e krimit.

Po kështu gjej me vend të ndaj me ju shqetësimin për mosveprimin dhe rolin thuajse inefiçent të institucioneve dhe organeve të specializuara të shtetit ligjor në luftën ndaj fenomeneve abuzive që po denoncohençdo ditë publikisht. Nëse nuk kanë guximin e duhur institucional për të shfrytëzuar hapësirat e Kodit të Procedurës Penale në nisjen e pavarur të hetimeve "kryesisht", unë jam gati të bëj edhe denoncime ligjore formale njëlloj të përgjegjshme.

Personalisht nuk do të hezitoja për asnjë çast të kryeja çdo veprim që ruan dhe konsolidon vlera të tilla si liria, demokracia, solidariteti dhe drejtësia sociale. Ky është investimi politik dhe qytetar që pritet prej maxhorancës progresiste dhe "koalicionit të të urtëve" në Shqipëri dhe unë jam duke e kryer. Lëvizja evropianizuese dhe reformiste që përfaqësoj dhe inicoj prej 10 vjetësh, nuk ka synuar gjë më themelore nga përafrimi i vazhdueshëm i politikës vendimmarrëse me shoqërinë e hapur. Sidomos kur partitë janë në pushtet, pa këtë funksion, qeverisja humbet bazën e besimit tek zgjedhësit si protagonistë të kontrollit të shoqërisë mbi pushtetin.

Në këtë funksion, duke rikonfirmuar në mënyrë autokritike përgjegjësitë e mia, ndaj me ju shqetësimin për thellimin e hendekut mes qeverisjes okulte dhe asaj që ne socialistët dhe progresistët mund të zhvillojmë dhe që zgjedhësit e maxhorancës presin prej nesh. Ne jemi angazhuar të ndërtojmë një shtet në shërbim të qytetarëve dhe jo vetëm për pushtetarët.

E kam thënë disa herë gjatë tureve elektorale që ne socialistët nuk jemi të përkryer, por jemi më të mirët. Kur je përballë detyrës së realizimit të angazhimeve elektorale, të qënit "më të mirët", ka vlerë vetëm për krahasim me Berishën dhe aleatët e tij, por nuk ka ekuivalencë me atë që qytetarët dhe zgjedhësit shqiptarë kërkojnë tanimë publikisht prej nesh.

Zgjidhja e krizës së besimit që qytetarët kanë sot ndaj institucioneve qeverisëse (jo për shkak të Fatos Nanos, por të fenomeneve negative që po ndikojnë drejtpërdrejtë dhe në jetesën dhe sipërmarrjen e shqiptarëve), zgjidhet me kurajon e pranimit të gabimeve dhe korrigjimeve të tyre.

Vazhdoj t’i kërkoj edhe në sytë tuaj Kryeministrit Ilir Meta të bashkëpunojë për rikompozimin e qeverisë duke larguar së pari të gjithë elementët e diskredituar për korrupsion, trafik apo inkompetencë. Ky rikompozim do t’i hapte rrugë ndërtimit të një raporti të ri marrëdhëniesh mes forumeve politike të Partisë Socialiste, institucioneve të saj, përfaqësuesve tanë në qeverisje dhe një bashkëveprimi transparent gjithashtu, në vëmendjene publikut. Çdo rezistencë irracionale ndaj një kërkese legjitime të Kryetarit të Partisë dhe pjesës më të madhe të përfaqësive tona zgjedhore partiake e qytetare, do të thellonte krizën qeverisëse dhe do ta interpelonte atë brenda vetë maxhorancës parlamentare.

Dalja nga kriza aktuale, por veçanërisht heqja e emrit të Shqipërisë nga hartat e vendeve me trafik dhe krim të organizuar brenda vitit 2003 dhe asociimi me BE, kërkon një proces të ri bashkëpunimi politik dhe institucional mes maxhorancës dhe opozitës. Përpara se t’i gjuajmë njëri-tjetrit pas shpine në dyert e botës, le të arrijmë një marrëveshje strategjike në interes të vendit, të demokracisë, të luftës ndaj së keqes së përbashkët, të integrimit kombëtar në komunitetin euroatlantik.

Sfidat që kemi përpara kërkojnë më shumë se kurrë një konsensus politik kombëtar në përballimin e tyre. Unë vlerësoj se çdo zgjidhje ndryshe, apo me metoda të luftës politike tradicionale ballkanase, do të ishte një kosto e rëndë për të gjithë zgjedhësit tanë dhe në përgjithësi për të ardhmen tonë.

Ju Faleminderit!

 



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! GeoCities - quick and easy web site hosting, just $8.95/month.
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list