Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Shekulli

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Fri Nov 23 13:58:30 EST 2001


FJALA E KRYEMINISTRIT ILIR META PËR OPINIONIN PUBLIK PAS MBLEDHJES SË KRYESISË SË PARTISË SOCIALISTE
Meta:Unë ose Nano në burg 

Duke ju falenderuar fillimisht për vëmendjen që keni treguar ndaj zhvillimeve të muajit të fundit në Partinë Socialiste dhe duke shpresuar se, falë jush, ky prononcimi  im do t'i transmetohet i plotë opinionit publik, theksoj se, në rendin e ditës së mbledhjes së sotme të kryesisë së Partisë Socialiste, nuk figuronte çështja që ka rindezur interesin e qytetarëve ndaj jetës sonë politike. Madje, siç e keni marrë vesh të gjithë, në këtë mbledhje, nuk figuronte as hartuesi i rendit të ditës dhe protagonisti kryesor i këtyre zhvillimeve, shoku ynë, Fatos Nano, i cili tashmë na ka mësuar me largime nga vendi i detyrës në momente ballafaqimesh serioze. 

Ashtu si të gjithë shokët dhe kolegët e preokupuar seriozisht për mbarëvajtjen e punëve në Partinë Socialiste dhe në vetë qeverisjen e vendit, e kam ndjekur me vëmendje aktivitetin politik të kryetarit të partisë sonë gjatë muajit të fundit. Megjithëse ky aktivitet, i servirur si një tur bashkëbisedimesh të kryetarit me bazën e Partisë Socialiste, ka qenë vetëm një zinxhir monologësh të Fatos Nanos përpara kamerave, unë nuk do të nisesha nga ky fakt për ta zhvleftësuar këtë çështje, tashmë të hapur në gjirin tonë, apo për të dalë menjëherë në përfundimin se kriza është e Fatosit dhe jo e Partisë. 

U ndala këtu me ju jo për t'i rrumbullakosur gjërat, por për t'i komentuar ato nga këndvështrimi im, si kryeministër i zgjedhur nga socialistët për të realizuar programin e mandatit të dytë radhazi në qeverisjen e vendit dhe si anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë, e cila - dua ta kujtoj sot për të gjithë - është e vetmja forcë politike e majtë në tërë Evropën postkomuniste, që ka marrë dy mandate qeverisëse rresht nga populli.

Duhet thënë se situata e krijuar nga monologët e kryetarit të Partisë Socialiste përpara mediave, është një situatë që nuk ka precedent, jo vetëm në historinë dhjetëvjeçare të forcës sonë politike, po as në historinë e tërë partive demokratike të Evropës, qoftë Perëndimore, qoftë Lindore. Një situatë absurde, ku kryetari rrëmben flamurin e opozitës destruktive dhe vërsulet kundër forumeve drejtuese të partisë së tij apo kundër qeverisë së votuar nga partia e tij dhe nga ai vetë në këto forume e në Parlament. Prandaj edhe është fare i natyrshëm pështjellimi që krijon një shfaqje e tillë ekstreme e protagonizmit politik.

Ashtu siç është e natyrshme që qytetarët të vënë pikëpyetje mbi forcën politike, që vetëm disa muaj më parë e votuan për të qeverisur vendin!

Dua t'ju tregoj fare sinqerisht juve dhe, përmes jush, bashkëqytetarëve të mi, se gjatë këtij muaji e kam pyetur vazhdimisht veten, lidhur me punën time në krye të qeverisë, për punën e ministrave të mi, për punën e administratës sonë. E kam pyetur veten lidhur me sukseset dhe mossukseset tona dhe jam përpjekur të reflektoj sa më objektivisht mbi frymën e sulmeve të Fatos Nanos, sepse nuk kam dashur të mjaftohem me faktin se të tëra akuzat e tij specifike ndaj meje apo ndaj shoqes sime të jetës janë sa të pavërteta, aq edhe të turpshme për liderin e një partie të madhe politike, si e jona.  

Dëshiroj të theksoj, po aq sinqerisht, se nuk besoj të ketë qytetar normal në këtë vend që të jetë më i pakënaqur se unë nga puna ime, nga puna e ministrave të qeverisë sime, nga puna e administratës sonë.  Punojmë përditë me një trashëgimi mjaft të rëndë në kurriz dhe boshllëqet e së kaluarës nuk mbushen me një të rënë të lapsit.  Nuk riparohen me një të rënë të lapsit as gabimet e pashmangshme që bëhen në një vend ku punohet intensivisht. E rëndësishme është të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur, siç kemi bërë dy vjet rresht. Të punojmë e të ruajmë ekuilibrin mes punës së përditshme plot energji e vullnet që kryejmë në shërbim të vendit dhe vetëdijes se kjo punë ka plot dobësi e të meta që duhen riparuar në vazhdimësi. 

Duke mbajtur mbi kurriz trashëgiminë e rëndë të një administrate të superpolitizuar, ne po përpiqemi të forcojmë kapacitetet tona menaxhuese duke rritur transparencën e rekrutimit në administratën publike. Por jemi të vetëdijshëm se kjo administratë është ende larg standardeve evropiane, ashtu siç janë larg këtyre standardeve pagat e nëpunësve tanë civilë. Jemi te vetëdijshëm, gjithashtu, se kemi filluar një reformë të thellë në administratën publike, të cilën jemi të vendosur ta zbatojmë me shpejtësi.

Të nisur nga një boshllëk i madh ligjor e moral, ne kemi dy vjet që jemi të angazhuar në luftën kundër korrupsionit, ku kemi progresuar mjaft në përgatitjen e kuadrit ligjor në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, por ku nuk kemi ende rezultatet e dëshiruara nga të gjithë ne. Kemi hartuar, për shembull, ligjin për deklarimin e pasurive, por nuk kemi arritur ende të ndërtojmë e të zbatojmë procedura të qarta për verifikimin e këtyre deklarimeve dhe, për këtë, kemi kërkuar asistencë. Kemi hedhur hapa të sigurt në luftën kundër trafiqeve, por do të bëheshim qesharakë, nëse do të pretendonim që trafiqet të eliminoheshin brenda kohës së shkurtër që ka kaluar, nga fillimi me seriozitet i kësaj lufte. Dua të nënvizoj këtu se komuniteti ndërkombëtar ka qenë dhe është me të drejtë kritik ndaj nesh për trafiqet e paligjshme, por, po ky komunitet, ka qenë dhe është realist në vlerësimin se ato nuk janë një fenomen dyvjeçar, sa ç'është mosha e qeverisë që unë kam kryesuar, dhe as nuk mund të zhduken në dy muaj, sa ç'është koha që ka kaluar që kur kabineti aktual mori votëbesimin. Rrënjët e fenomeneve negative të tranzicionit, përfshirë edhe trafiqet, janë shumë më të vjetra se kaq, që nga koha kur qeveriste Berisha dhe, pas tij, vetë shoku Nano, dhe, sigurisht, do të duhet kohë që ato të çrrënjosen. E rëndësishme është se qeveria aktuale ka lindur me vullnetin e duhur për të vepruar në këtë drejtim, ku shpresojmë që edhe Prokuroria dhe sistemi gjyqësor do të luajnë rolin e tyre. 

Në vetëm dy vjet kemi arritur përmirësime thelbësore në dogana dhe në mbledhjen e tatimeve e taksave, por sot njëkohësisht janë sofistikuar me tej metodat e evazionit fiskal. 

Duke e gjetur krizën energjetike në zhvillim e sipër, ne kemi marrë masa thelbësore për kapërcimin e saj dhe jemi kryelartë, sepse kemi mundur të vendosim, për herë të parë, një afat të përcaktuar qartë për kapërcimin e kësaj krize. Fundin e vitit 2003! Por jemi më shumë se të vetëdijshëm për rraskapitjen psikologjike dhjetëvjeçare të qytetarëve, të cilët, personalisht, i mirëkuptoj edhe kur  bien pre e demagogjisë, lidhur me këtë problem, dhe besojnë përrallën që fajëson qeverinë që unë kryesoj për mungesën e dritave.

Jam i vetëdijshëm se një pjesë e mirë e çoroditjes që provokojnë llafologët e politikës shqiptare tek qytetarët ka të bëjë edhe me punën tonë të pamjaftueshme shpjeguese, si të arritjeve, ashtu edhe të vështirësive objektive në kapërcimin e pengesave. Por dua që të jeni të gjithë të vetëdijshëm se problemet e administratës publike, të korrupsionit e të trafiqeve apo të vetë sektorit të energjisë janë probleme tipike të një trashëgimie aspak pozitive nga qeverisjet me mentalitetin e së kaluarës dhe nga vënia mbi gjithçka e interesave politike individuale. Spostimi në kohë i problemeve të mprehta e katandisi sektorin e energjisë në gjendjen që është sot dhe i pengoi për thuajse dhjetë vjet institucionet financiare ndërkombëtare të ndërhynin për frenimin e krizës. Kështu që unë mund të marrë përsipër çfarëdo gabimi, lidhur me këtë krizë, vetëm pasi akuzatorët e mi, Fatos Nano dhe Sali Berisha, të kenë marrë përsipër fajin e trashëgimit të kësaj krize dhe të malit me probleme të akumuluara mbi supet e Pandeli Majkos e të miat.

Dëshiroj te ritheksoj me forcën e sinqeritetit se jam plotësisht i vetëdijshëm për të gjitha gjërat që duhet të korrigjojmë në rrugën e përmirësimit të vazhdueshëm të qeverisjes dhe të rritjes e të forcimit të institucioneve në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Dëshiroj, gjithashtu, t'ju garantoj se vetëdija  ime është rezultat i vëmendjes ndaj kritikave e ndaj vetë faktit se unë nuk kam asnjë kundërshtim që dobësitë e të metat e punës sime të më thuhen e të më përsëriten kudo, kurdoherë dhe nga cilido që dëshiron, aq më tepër nga anëtarësia e Partisë, nga forumet apo nga kryetari. Nuk kam, po ashtu, asnjë kundërshtim që puna e ekipit qeveritar që unë drejtoj të analizohet me hollësi, me transparencë dhe në vazhdimësi, sikundër bëjnë me qeverinë institucionet ndërkombëtare, të cilat, pas çdo hapi që hedhim, na kritikojnë, na vlerësojnë dhe na mbështetin fuqimisht.  

Por çështja është se, gjatë muajit të fundit, unë nuk jam ndier i kritikuar nga kryetari i Partisë Socialiste, por i akuzuar nga një individ agresiv, spekulant dhe abuziv, që duket sikur ka ardhur nga një planet tjetër! Një individ që, papritmas, është bërë palë me kundërshtarin tonë politik dhe ka marrë rolin e shkatërruesit të imazhit të forumeve të zgjedhura të Partisë Socialiste dhe të qeverisë sonë. Një individ që kërkon të fitojë vëmendjen e telespektatorëve duke shpifur, fyer dhe akuzuar njerëzit e familjes së tij politike.

Problemi im si kryeministër është se këto shpifje, fyerje dhe akuza nuk kanë si efekt të vetëm përbaltjen e Ilir Metës, si person. Kjo do të ishte më pak se gjysma e së keqes. Këto shpifje, fyerje dhe akuza mbartin të keqen e madhe të ngjalljes së panikut tek qytetarët. Ato nxitin krimin, futin ankth në komunitetin e biznesit dhe frenojnë ecjen tonë përpara, duke paralizuar administratën shtetërore, e cila, natyrshëm, humbet motivimin. Kjo fushatë denigruese brenda llojit, e shoqëruar me kërcënimin absurd të kryetarit të Partisë për zgjedhje të parakohshme, lëkund besimin tek institucionet, krijon zhgënjim tek partnerët tanë ndërkombëtarë dhe godet publikisht imazhin e Partisë Socialiste.

Nuk do të ishte e tepërt të thuhej se kjo lëkundje besimi e provokuar papërgjegjshmërisht reflektohet për keq në imazhin e Shqipërisë, si faktor stabiliteti në rajon.

Kam përshtypjen e hidhur se Fatos Nano po shpërdoron në mënyrën më të papërgjegjshme figurën e tij, sakrificën e tij njerëzore e politike nën regjimin e Berishës, imazhin e politikanit të tryezave e jo të rrugëve. Fatos Nano po divorcohet përfundimisht nga Fatos Nano. Simboli i dikurshëm përbashkues i të gjithë ne socialistëve në luftën për një shtet të së drejtës dhe të ligjit po simbolizon sot përditë e më shumë ëndrrën e vjetër të Sali Berishës për të përçarë e për të ndarë Partinë Socialiste.

Unë jam plotësisht dakord me profesorin e nderuar Ylli Popa, i cili iu drejua Fatos Nanos me fjalët: " Nëse këto i bën për të korrigjuar, bravo të qoftë, nëse jo, atëherë ne nuk mund të jemi me ty". Po a mund të korrigjohet ligji i buxhetit me monologë në Divjakë apo në Lezhë? A mund të luftohet korrupsioni dhe trafiqet me gjyqe popullore, pa avokat? A mund të zgjidhen hallet e pezakëve duke demonizuar skraparllinjtë? A mund t'u thuhet periferive se paratë tuaja ua merr padrejtësisht Tirana? A mund të shëndoshet Partia, duke denigruar forumin e rinisë të saj, siç bën kryetari ynë me FRESH-in?

Atyre që pyesin, pse nuk i heq Meta ministrat e perfolur nga Kryetari, u përgjigjem hapur se detyra ime si Kryeministër është të përkrah çdo anëtar të ekipit tim gjatë kohës që punojmë së bashku dhe të mos bëj kurrë koka turku për të mbyllur një fushatë denigruese apo per te siguruar një kompromis afatshkurtër. Nga ana tjetër zbulimi apo konfirmimi nëse ka apo jo të vërteta në akuzat që u bëhen në publik bashkëpunëtorëve të mi, është një detyrë që në një shtet demokratik e bëjnë mbi bazë provash prokuroria e gjykata. Kryeministri nuk është as gjykatës dhe as prokuror dhe nuk është i tillë as Fatos Nano. Prandaj, ne duhet t'i japim fund njëherë e mirë, akuzave të rënda dhe të pandëshkuara. Që do të thotë se i akuzuari ose akuzuesi duhet të ndëshkohen nga drejtësia. I pari nëse e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. I dyti nëse ka shpifur apo fyer për shkak të detyrës. Ka ardhur koha të mendojmë seriozisht, të gjithë bashkë, për t'i dhënë fund tranzicionit edhe në këtë aspekt.

Por, duke përfituar nga ky rast dëshiroj të bëj të qartë se punën e çdo ministri e vlerësoj me rezultatet konkrete që ai ka në përmbushjen e detyrave të programit të Qeverisë, si dhe me respektimin e etikës së funksionarit të lartë. Unë kritikoj rregullisht çdo shmangie eventuale nga këto kritere dhe nuk bëj asnjë kompromis me veten, kur gabimet përsëriten. Nuk kam familjaritet ose dobësi për ndonjë ministër, por në mënyrë të natyrshme e të drejtë i nxis të gjithë të punojnë dhe i mbështes që të mos stepen para presioneve që u bëhen. Jam i hapur të analizoj çdo fakt që më paraqitet në rrugë institucionale për cilindo nga ministrat. Jam i interesuar, gjithashtu, që ministrat e përfolur gjatë kësaj fushate populiste, të qartësojnë sa më parë pozicionin e tyre, duke sqaruar pa u lodhur opinionin dhe forumet e Partisë dhe duke u drejtuar në institucionet përkatëse për të vënë në vend dinjitetin e cënuar. Të jeni të bindur se do të mbaj një qëndrim të prerë e transparent, në lidhje me këto qartësime.

Ne socialistët kemi inicuar dhe do të zbatojmë politikën e përmirësimit të vazhdueshëm të qeverisjes e me këtë kuptojmë ndryshimin, si rezultat i një lëvizjeje të punëve në të gjithë sektorët e jetës së vendit. Kjo lëvizje konstante nënkupton edhe ndryshimin e njerëzve të drejtimit në çdo nivel, dorëheqjen e atyre që nuk e ndjekin dot ritmin e punës apo shkarkimin e të paaftëve dhe të papërkushtuarve. Por njëkohësisht kjo lëvizje përjashton bastet e klubeve të natës për shkarkimin e X ministri apo futjen e Y socialisti në qeveri, ashtu siç përjashton përfshirjen në axhendën e ekzekutivit të interesave financiare të lobeve të dyshimta apo premtimet dhe paradhëniet për të ushtruar trafik influence nga zyrat e partisë në zyrat e qeverisë. 

Ju e dini fare mirë se emrat e anëtarëve të qeverisë së Shqipërisë si edhe emrat e zëvëndësministrave i kam paraqitur në forumet drejtuese të Partisë, në kryesinë e saj dhe në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues dhe kam marrë për çdo njërin prej tyre miratimin dhe mbështetjen e plotë të forumeve dhe të kryetarit të Partisë. Mendoj se ka ardhur koha të thuhet hapur se ajo që kërkon kryetari i Partisë me presionin e tij të papranueshëm është përfshirja në qeveri, apo në struktura të tjera të qeverisjes, e personave të veçantë. 

Është e njëjta Qeveri që u votua dy muaj e ca më parë, edhe nga kryetari i partisë. Madje pa asnjë koment dhe me siguri të plotë. Është po ai program që u votua nga parlamentarët tanë, edhe nga Kryetari i Partisë, madje pa asnjë koment thelbësor. Nuk mund te thuhet se gjërat kane ndryshuar dramatikisht në më pak se tre muaj. Atëherë kujt duhet t'i besojmë, kryetarit që e votoi Qeverinë dhe Programin e saj, apo kryetarit që tani po e mallkon Qeverinë e tij?

Qeveria nuk është aspak e përkryer. Por, po për të njëjtët persona gjatë fushatës elektorale është folur nga Kryetari me terma glorifikues, duke i konsideruar ata si njerëz të aftë, si njerëz që do të na çojnë drejt Europës, etj. Pyetja shtrohet: kujt i duhet besuar, Kryetarit të fushatës elektorale të qershorit, apo Fatosit të fushates presidenciale të Nëntorit? Vërtet, ministrat u korruptuan për më pak se tre muaj? Ose, nëse Kryetari e dinte këtë më parë, përse foli ndryshe, kur u kërkoi votat shqiptarëve, ose përse nuk foli kur u votua Qeveria në strukturat e Partisë dhe në Parlament? A është e moralshme kjo?

Fatkeqesisht mendoj dhe jam i shtrënguar të shprehem se më shumë se dyzim mendimesh i Kryetarit, ky është një dyzim karakteri i Fatosit, qe po shfaqet qartazi me figurën e Sekretarit të Parë, që nuk pyet për Partinë dhe për askënd, që duhet të pyetet për gjithçka, që pa fjalën e tij nuk mund të bëhet asgjë, ose që me fjalën e tij mund të përfundosh keq e më keq. Bile me fjalën e tij mund të bëhesh e të ç'bëhesh Kryeministër, me fjalën e tij funksionet e forumeve të Partisë mund të çvlerësohen dhe të zgjedhurit në këto forume mund të kthehen në trafikantë.

Tashmë është e qartë për të gjithë, por është koha që edhe Nano me në fund ta kuptojë se koha e Sekretarëve të Parë, që rrijnë prapa skenes dhe telekomandojnë aktorët politikë, ka marrë fund njëherë e mirë. Është një mentalitet tejet i së shkuarës kerkesa që vendimet e Qeverisë të marrin më parë bekimin e Fatosit. Per shembull, eshtë krejtësisht e papranueshme për një Parti moderne, si Partia Socialiste, deklarata e Kryetarit që Qeveria për çmimin e energjisë elektrike nuk duhet të diskutojë me FMN-në, por me Partinë. Dhe me Parti nënkuptohet vetëm Fatosi, sepse Kryeministri dhe ministrat që diskutojnë me FMN-në të Partise Socialiste janë. Unë shpresoj se Fatosi e ka pasur fjalën vetëm për çmimin e energjisë elektrike, dhe jo për vendime të tjera që lidhen me privatizimet, me proçedurat e tenderave, etj.

Padyshim, është pjesë e rregullave të lojës në një demokraci që kryetari i Qeverisë respekton opinionin e kryetarit të mazhorancës që e ka miratuar, por vendin e qeveris Kryeministri dhe jo Sekretari i Pare. Nëse kryetari i Partisë ka të drejtë dhe ka shumicën, ai mund ta rrezojë Kryeministrin në rrugë institucionale. Por, në asnjë rast, ai nuk mund ta zëvendësojë atë, as t'i imponohet atij. Aq me pak me presione te gjithfarllojshme.

Mentaliteti i Sekretarit të Parë u duk qartë, edhe në mosmarrjen pjesë të Kryetarit të Partisë në mbledhjen e sotme të Kryesisë. Kjo ishte një mbledhje me një rëndësi tepër të veçantë, ku u diskutuan çështje thelbësore për Partinë dhe me ndikime të dukshme në jetën e vendit. Fatosi edhe këtë rradhë caktoi datën e mbledhjes dhe iku pa adresë, duke na dhënë mesazhin e qartë se ai mund të vijë e të ikë nga mbledhjet e forumeve, kur të dojë ai vete. Bile ai mund t'i cilësojë forumet edhe si jolegjitime, në rast se vendimet e tyre nuk i pëlqejnë.

Unë desha t'ju shpreh nëpërmjet këtij diskutimi shqetësimin tim për këtë debat që është hapur dhe vizionin tim për këtë dukuri, pa u futur në replika për çështje të veçanta. Unë kam bindjen se Partia Socialiste, si një Parti e pjekur dhe e konsoliduar do të dijë ta përcjellë e përfshijë me maturi në forumet e saj këtë debat, duke respektuar statutin e Partisë. Le të përpiqemi të analizojmë me kujdes gjithçka racionale në këtë debat, në të mirë të progresit të vendit dhe te shpresojme, gjithashtu, se kryetari i Partisë do të reflektojë ndaj kritikave të forumeve me realizëm dhe në përputhje me rregullat e Partisë.

Duke perfunduar, i siguroj te gjithe qytetaret dhe partneret tane nderkombetare se si Qeveri jemi teresisht te angazhuar qe te mos lejojme qe debati, polemikat apo konflikti artificial i krijuar brenda Partise te reflektohet ne trajten e nje krize te institucioneve te vendit. Viti 1997 dhe Shtatori I vitit 1998 nuk do te perseriten me ne Shqiperi, e cila ka hyre perfundimisht ne proceset e integrimit Europian. 

Falemderit. 
 



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! GeoCities - quick and easy web site hosting, just $8.95/month.
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list