| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] F. Lubonja ne ShekulliAgron Alibali aalibali at yahoo.comSun Nov 18 07:56:23 EST 2001
Thirrje Shkrelit,por edhe Angjelit,Ruçit, Naçit, Kuçit dhe Maçit
Zoti drejtor i Institutit të Monumenteve
E lexova me vëmendje polemikën tuaj lidhur me artikullin tim kundër shpërdorimit të identetit të ndërtesës së Bashkisë. Së pari, dua t'ju falenderoj që m'u përgjigjët. Kam qenë gjithmonë për respektimin e parimit: « The ato që deshe, ndij ato që s'deshe. »
Tani më lejoni ta ndaj përgjigjen time në dy pjesë, siç më duket se meriton polemika juaj.
Mbi shtesën mbi Monumentin e Kulturës
Nga sa kuptova prej shtjellimit tuaj të idesë së Kthimit në Identiet, pas atij mishmashi me argumente « të ditura » dhe emra të diturish, ju, zoti Shkreli, na çoni në përfundimin se: «Kthim ne Identitet, pra, do të thotë rifreskim i atyre regjistrave që e bënë Shqipërinë për herë të parë në historinë e saj, që nga koha e mbretit ilir Gent (sikurse do të thoshte konsulli Degrand), me shtet të vetin»). Pra, duke na shpjeguar se identitet do të thotë shtet apo se identitetin e përcakton shteti, ju na sugjeroni se edhe kjo shtesë e ndërtesës së bashkisë bën pjesë në procesin e pafundëm të kthimit të shqiptarëve në identitetin/shtet, duke na bërë të hamendësojmë se, pas shumë gjasash, të gjitha ndërtesat ku ka institucione shtetërore do t'i nënshtrohen, herët ose vonë, rifreskimeve të tilla shteto - identifikuese. Shembulli që edhe Zogu edhe Hoxha kanë kryer rifreskime mbi këto ndërtesa, duke u imponuar atyre identitetin e tyre, e ilustron më së mirë këtë ide. Përpara këtij përfundimi të hatashëm, që mund të dalë vetëm nga një mendje e sëmurë nga dashuria për shtetin, nuk më mbetet veçse të pranoj se « padituria » ime paskësh qenë vërtet e madhe dhe të tërhiqem, por, meqenëse shkrimi juaj flet edhe për arkitekturën përveç shtetformimit, duke respektuar lexuesin e "Shekulli"-t, po përpiqem të kaloj nga proza paranojake në prozë kritike.
Pa u zgjatur shumë, mund t'ju them që përpara se të shkruaja atë artikull, duke qenë i vetëdijshëm për faktin se vetëm dashuria ime për monumentet e kulturës nuk më jep të drejtën të flas si specialist, u konsultova me një arkitekte të huaj që merret pikërisht me ndërtimet italiane në Shqipëri. Në shkrimin tim jepet edhe konkluzioni i saj se ajo që keni kryer me ndërtesën e bashkisë është një fyerje për historinë e arkitekturës dhe për arkitektin e famshëm italian që ka projektuar kompleksin e ministrive. Lidhur me argumentin tuaj se kryerja e shtesave është një praktikë e njohur, përgjigja e saj dhe e të tjerë ekspertëve që kam konsultuar është se edhe kur bëhen - në raste mjaft të rralla dhe për arsye mjaft madhore - ato bëhen ose të stilit të përafërt me ndërtesën (rasti i Operas së Londrës) ose krejt të ndryshme (rasti i piramidës së Luvrit dhe i Rajshtagut) - por bëhen në mënyrë që integriteti i ndërtesë së vjetër të mbetet i qartë, pra, ndaras dhe jo ngjitmas e nallbançe, siç e keni bërë ju dhe, po ashtu, me një konkurs dhe debat specialistësh. Në rastin konkret, as që bëhet fjalë se mund të pranohej konkurs (që, sikurse del qartë, nuk është bërë kurrë), sepse çfarëdolloj shtese - me një synim krejt qesharak në krahasim me Luvrin dhe Rajshtagun, ndërtimin e një salle për Këshillin inekzistent Bashkiak) - përveçse do të deformonte ansamblin, siç e ka deformuar, do të cenonte edhe dy monumente të tjera që qëndrojnë afër atij ansambli, veçanërisht xhaminë e Ethem Beut.
Gjithashtu ju kujtoj, zoti Shkreli, se unë jam edhe një njeri i kulturës, që drejtoj edhe një revistë kulturore ("Përpjekja"), e cila në numrat e saj është marrë edhe me këto probleme. Midis të tjerash, nuk besoj ta keni harruar se është botuar edhe një artikull juaji dhe i kolegut tuaj Daniel Gjoni me titull «Tirana, ferri urban i shekullit XX» ("Përpjekja" 10), i cili më ka mësuar edhe mua ca gjëra. Po ju freskoj ndonjë fragment të shkurtër për atë se si mendonit për këto fenomene në kohën kur nuk kishit post shtetëror:
«Të parat që u nënshtrohen modifikimeve masakruese janë zonat historike [...] Pas një procesi asgjësimi me natyrë ideologjike që pësuan këto kuartiere gjatë viteve të diktaturës, tani po i nënshtrohen një tjetër procesi që asgjëson dhe memorien e tyre (amnezi urbane) e që ka natyrë komerciale... Përmasat e kësaj katastrofe shpirtërore janë akoma të pallogaritshme. Bile as godinat, rrugët, lagjet apo qytetet "e ruajtura" nga shteti nuk i kursehen kësaj shfarosjeje të grimcave të fundit të kujtesës dhe kulturës sonë materiale...» Ca më poshtë thoni: «Po priten pemë të vjetra e dekorative - dhe ky është një tjetër skandal, po prishen godina që transmetojnë një kujtesë të çmuar të së kaluarës - dhe ky është një skandal; po komprometohet gati në mënyrë të parekuperueshme peizazhi urban - dhe ky është një nga skandalet e skandaleve.... » dhe përmendni më poshtë edhe zhdukjen e « ndërtesave të Tiranës së viteve '20 - '30 ».
Dhe kur flisni për pafuqinë tonë për t'i ndalur këto skandale shkruani :
« ... nuk gjendet askush që të protestojë, pasi të gjithë ndodhen në të njëjtin pozicion përfitimi: qoftë arkitektët e inxhinierët që bëjnë projektin, qoftë spekulatorët që shesin, qoftë noterët apo avokatët që përpilojnë aktet, qoftë ndërmarrjet e ndërtimit, qoftë imobilierët që kontraktojnë e deri te funksionarët e shtetit, që korruptohen për shkak se shesin fuqine e tyre mbi lejet e shesheve apo ndërtimeve...»
Mirëpo tani, në rolin e dyfishtë të arkitektit-projektues privat dhe funksionarit të shtetit, ju, zoti Shkreli, me ndërhyrjet ideologjke të Enver Hoxhës po na justifikoni ndërhyrjet tuaja. Megjithatë ju kujtoj se në atë kohë ato nuk ishin ansambël monumental kulture dhe nuk mbroheshin nga ligji për mbrojtjen e pasurive kulturore, të cilin unë jua shkrova qartë e shkoqur, kurse ju e kaluat sikur të ishte gjëja më e parëndësishme e shkrimit tim, duke na bërë tym me termat «zona historike» dhe «zona muzeale», ndërkohë që ligji, i cili e shpall atë «ansambël monumental kulture» e vë, së bashku me qytetet muze, sipas nenit 16 të ligjit "Për pasuritë kulturore", në mbrojtje direkte të Kryesisë së Këshillit të Ministrave. Dyshoj shumë të keni ndonjë firmë të Metës apo Gjinushit për « rifreskimin » që keni bërë.
Për të mos u zgjatur, zoti Shkreli, mua më duket se mjafton kaq për të arritur në konkluzionin se në këtë debat ne të dy nuk na ndan edhe aq dituria dhe as paqartësia e ligjit, por ca gjëra të tjera që po i shtjelloj më poshtë:
Konflikti i interesave
Para disa kohësh, më saktë kur kryetari i bashkisë, Edi Rama, ishte eprori juaj si ministër i Kulturës, një ditë të bukur ky më bëri një telefon të shqetësuar dhe, në cilësinë e mikut dhe të këshilltarit të jashtëm, më kërkoi një takim. Kontrolli i Shtetit, kur kishte kaluar nëpër dikasterin tuaj, kishte konstatuar ca si abuzime dhe Rama erdhi të merrte mendimin nëse duhej të të procedonte. Këshilla që i dhashë, me dy fjalë, ishte se nuk më dukej se Shkreli mund të ishte i pari njeri në administratën shtetërore që meritonte të futej në burg për korrupsion, se ndoshta më shumë se me abuzime të qëllimshme aty duhet të kishte pakujdesi dhe paeksperiencë apo trashëgime nga paraardhësit dhe se, në një rast të tillë, këtë mund ta kalonte me një vërejtje apo paralajmërim për pushim nga puna. Këtë jua them për t'ju provuar se asokohe nuk kam pasur ndonjë qëndrim nihilist me zotërinë tuaj, siç kërkoni t'i quani qëndrimet e mia e me këtë t'i skualifikoni kritikat që ju bëj. Ishte një kohë kur ende besoja se ju dhe ministri juaj nuk do të lajthitnit kaq shumë nga pushteti, sa të arrinit deri të shkatërronit monumentet e kulturës (dhe ju kujtoj se bashkia nuk është i vetmi shkatërrim kundër ligjit që keni bërë).
Në fakt, më ka pëlqyer gjithmonë ajo parabola e Krishtit me atë fshatarin që, duke dashur të pastrojë fushën e grurit nga egjra, prishi edhe grurin, morali i të cilës është se drejtësi absolute nuk mund të bëhet në këtë botë. Mirëpo, zoti Shkreli, sikur nuk po mban më ujë pilafi. Egjra juaj po e mbyt fare grurin dhe dhunimi deri i ndërtesës së bashkisë mu në mes të Tiranës është një nga treguesit e abuzivizmit tuaj galopant. Duhet, më në fund, ta kuptoni edhe ju se ne, qytetarët që nuk kemi ndonjë post shtetëror, po shqetësohemi e revoltohemi gjithnjë e më shumë kur mësojmë se filan ministër ka kaq ndërmarrje private, filan deputet ka fabrikë, filan shef dogane ka një magazinë të madhe mallrash, ashtu sikurse keni edhe ju një studio projektimi private, duke qenë njëherësh edhe drejtor i Institutit të Monumenteve, kurse kolegu juaj, funksionar i lartë në bashki. Doni apo nuk doni ju ne kemi shumë arsye të mendojmë se këta filan fistekë nuk i lypin postet qeveritare për të marrë atë rrogën modeste, që shumë nga ju e quajnë «të qelbur», por për të ndihmuar bizneset e tyre. Në rastin e shtesës së bashkisë, kemi të bëjmë me një konflikt të hapur interesash: drejtori që duhet të merret me ruajtjen e monumenteve të kulturës nga ndërhyrjet - sipas ligjit nr. 7867, "Për mbrojtjen e pasurive kulturore", na del se është edhe projektuesi i ndërhyrjes. (Për të mos folur këtu për pjesën delirante të këtij projekti që për mua, si shkrimtar, më ngjason me atë sikur t'i shtoja ca kapituj dhe një epilog një libri të një shkrimtari të njohur italian të viteve '20). Ju, zoti Shkreli, nuk na bindni se mund t'i mbroni ndërtesat e vjetra të Tiranës, sepse ju kërkoni të fitoni, njëkohësisht, duke bërë prejektime të reja mbi shembjen e tyre. Ky konflikt i hapur interesash na bën që ato historitë që na tregon kryebashkiaku Rama për ca të stafit të tij, që paskan lënë Amerikën për të gjetur Shqipërinë, në vend të na mallëngjejnë, po na bëjnë të qeshim. Se, në fakt, për politikanët tanë, ka kohë që meriton të thuret anekdoda «ka gjetur Shqipërinë ».
Prandaj unë ju bëj thirrje ju, zoti Shkreli, por edhe Angjelit, edhe Ruçit, Naçit Kuçit dhe Maçit, të gjithëve atyre që kanë konflikte interesash të heqin dorë sa nuk është vonë nga funksionet shtetërore, sepse bizneset tuaja të lidhura me shtetin pak nga pak rrezikojnë të shndërrohen në piramidat e reja, që mund të na sjellin një tjetër 1997.
Tek e mbrajmja, edhe diçka më mbeti pa thënë: më erdhi shumë keq kur pashë se edhe ju, nën frymëzimin e kryebashkiakut Rama, punën e gazetarit që ai ka bërë përpara se të vishte petkun e shtetarit dhe që unë vazhdoj ta bëj prej dhjetë vjetësh, e cilësoni thjesht si «një pusi prej së cilës mund të sulmohet me lehtësi e pa rrezik», pra, si një punë të pabesësh, kurse punë «të vërtetë» të njeriut të ndershëm e të besës quani vetëm atë të shtetarit. Është e vështirë të besohet kjo, zoti Shkreli, qoftë edhe duke pasur parasysh se në historinë tonë, të paktën që kur është krijuar shteti shqiptar, nuk kanë qenë gazetarët dhe shkrimtarët ata më të poshtrit dhe më të pabesët, por shtetarët. Duke e lidhur këtë përcaktim edhe me atë konkluzionin tuaj se kthimi në identitet është kthimi në shtet, unë po kam frikë shumë se ndonjë ditë ju, njerëzit e besës shtetërore, do të kërkoni të na çoni ne, njerëzit e kulturës, të penës dhe penelit, për riedukim në punë fizike me kazma dhe lopata. Kam frikë vërtet se mund t'ia arrini kësaj - prandaj dhe kam filuar të bërtas kaq shumë, pra, jo për nihilizëm, siç thoni ju, por për mbrojtje të lirisë sime - sepse, ashtu sikurse e vërteton edhe rasti i « piramidës » suaj modeste, zoti Shkreli, sëra juaj po e grumbullon si shumë pushtetin politik, ekonomik, kulturor dhe mediatik nën të njëjtin kulm piramidal.
Duke ju uruar dorëheqje të shpejtë, ju falenderoj që gjithsesi mu përgjigjët dhe që më dhatë rastin t'ju bëj këtë thirrje për dorëheqje, ende jo shumë të vonuar, si ju dhe sivëllezërve tuaj.
Nga Fatos Lubonja
---------------------------------
Do You Yahoo!?
Find the one for you at Yahoo! Personals.
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |