| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Zeri i Popullit, 17 Nentor 2001Agron Alibali aalibali at yahoo.comSat Nov 17 18:12:47 EST 2001
Nano: Akuzat publike do t'i kthejmë në akuza penale Po hapim me ju sot këtë debat të hapur pub lik të analizave politike që ka përfshirë partinë në shkallë vendi, gjatë këtyre dy muajve. Natyrisht janë në detyrë që të gjithë shokët që marrin pjesë në këtë analizë të hapur publike, si kryetari i PS-së së Lezhës, Ndoc Lleshi, ashtu edhe një nga drejtuesit e grupit tonë parlamentar deputeti Viktor Doda, një nga përfaqësuesit më të denjë të trevave të Veriut në Kuvendin e Shqipërisë. Ne po analizojmë këto dy muaj pune të institucioneve dhe të organizatave, në të cilat Partia Socialiste jeton politikisht dhe institucionalisht. Dhe vetëm në sajë të ndihmës së Partisë Socialiste edhe Edi Rama është në pushtet. Po përqëndrohem në dy komponente. Së pari analiza e hartës së rezultateve tona elektorale duke identifikuar se cila është diferenca midis subjektit dhe individëve edhe ku kemi fituar edhe ku kemi humbur. Momenti i këtyre analizave, vlerësimi i antarësisë dhe i forumeve të Partisë Socialiste, si forca kryesore drejtuese e maxhorancës dhe kontaktet dhe tek vlerësimi, shqetësimet dhe sugjerimet e zgjedhësve edhe këtu në Lezhë, se si e kemi administruar pushtetin vendor dhe qëndror, çfarë detyrash kemi realizuar, çfarë mbetet ende për të bërë, cila është prirja e qeverisjes sonë vendore dhe qëndrore dhe sidomos në fillim të mandatit të dytë qeverisës të socialistëve dhe progresistëve në Shqipëri -është një rast i veçantë në gjithë Evropën ish komuniste - si po përpiqet për zbatimin e prioriteteve politiko-qeverisëse që kemi përcaktuar së bashku me zgjedhësit. Sepse me këto prioritete u votuam dhe u ndihmuam nga aleatët e mëdhenj ndërkombëtare, para të cilëve, në prag të zgjedhjeve dhamë angazhimin solemn që ta nxjerrim Shqipërinë brenda vitit 2003 nga harta e vendeve problematike për funksionim të dobët të institucioneve demokratike në luftë kundër korrupsionit dhe trafiqeve, nivelin e vet shqetësues i krimit të organizuar dhe i lëvizjeve të paligjshme të kontrabandës dhe trafiqeve, të mallrave të ndaluara në botë dhe në rajon. Duke e nxjerrë Shqipërinë prej kësaj vatre të synuar edhe nga trafikantë dhe nga krimi rajonal dhe ndërkombëtar, që nga tregëtia e qënieve të gjalla - pra prostitucioni - deri tek ajo e mallrave të ndaluar në listën e OKB-së dhe të Organizmave të tjera ndërkombëtare. Vij në këtë takim me ju, ashtu siç kam shkuar në të gjithë analizat në këshillat zonal të vendit, për të analizuar dhe marrë së bashku masat për ruajtjen e suksesit tonë elektoral ku kemi fituar dhe korrigjimin e difekteve që na kanë sjellë humbje. Dhe krahas kësaj, për të përpunuar së bashku me ju, një numër konkluzionesh dhe masash politike, programore dhe statutore të cilat do tja paraqesim për miratim aktivave kombëtare të partisë në rrethe, që fillojnë së afërmi dhe aktivit kombëtar të Partisë në shkallë vendi, në fund të muajit dhjetor. Çfarë del nga ky konsultim i gjerë në parti jo vetëm i imi por edhe i strukturave dhe anëtarësisë në sytë e publikut dhe i udhëheqjes në tërësi qeveritare apo partiake edhe socialiste në shkallë vendi, me zgjedhësit socialistë dhe qytetarë, por jo detyrimisht anëtarë të PSSH-së. Vlera themelore e këtij konsultimi është që ne po realizojmë një referendum për të gjithë partinë. Kërkojmë një Referendum në të gjithe partinë, për çështjet themelore të Programit dhe te Statutit, për çështjet themelore të administrimit të investimit tonë politik dhe qeverisës nga ne dhe aleatët tanë, për çështjet themelore të ecurisë së sotme dhe të neserme të vendit, në raport me objektivat e rendesishme strategjike që kemi planifikuar, kryerjen me sukses e detyrave të asocimit dhe të përfshirjes së Shqipërisë në procesin e Bashkimit Evropian. Përballe këtyre diskutimeve të përgjegjshme të të gjithë partisë, shqetësimeve të bazuara në të gjitha nivelet për prirje që kanë filluar të bëhen kritike në qeverisjen tonë, që nga trafiku i votës deri tek abuzimet me pushtetin, që nga diskriminimi i anëtarëve dhe shkelje të barazisë së të drejtave dhe detyrave të statutit të partisë, deri tek privilegjimi i shtetasve apo i subjekteve tregtare, sipas afërsisë me qeveritarët. Pra me kritere abuzive, e gjitha kjo pjesë e historisë sonë të freskët, është përafërsisht e ngjashme me fenomenet negative dhe gabimet e rënda që bëri rrëgjimi paraardhës i Berishës, që e çoi atë në dështim të plotë dhe Shqipërinë në prag të kaosit. Përballë këtyre diskutimeve ku shumica dermuese e anëtaresisë dhe e përfaqësuesve të partisë së zgjedhur kërkon të mbahet qëndrim ndaj krizës së moralit të drejtimit dhe abuzimit me pushtetin - janë shfaqur dhe një numër pushtetarësh në qeveri dhe në udheheqjen qëndrore te Partisë, që kërkojnë - siç tha shoku Pjetër, që diskutimet të mbyllen në shtepine tonë, që diskutimet të mos bëhen publike, që ti mbyllet goja edhe Kryetarit dhe te tjereve që shtrojnë problemet kritike për zgjidhje, në mënyre që të mos na zërë shtëpia brenda. Shëmbulli më kuptimplotë i këtij paniku, që ka zënë drejtuesit dhe qeveritarët e Partisë Socialiste, është puna që po bën sot Gramoz Ruçi, Sekretari i Përgjithshëm i PSSH, që çuditerisht ka dalë nga shtylla e tij e kurrizit dhe nga funksioni i tij statutor dhe është nisur në disa rrethe të mbledhi firma për një mbledhje të jashtëzakonshme të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues - në një kohë që analizat tona janë të programuara pra të zakonshme - në të cilën për këtë kërkohen firmat dhe ndëshkimi i Kryesisë së PSSH, sepse nuk po i shkon pas avazit Kryeministrit dhe Qeverisë. Dhe natyrisht do të ndëshkohet me një vote te manipuluar, si me 20 gusht, të manipuluar nga e shoqja e Kryeministrit Meta me praktikat e njohura freshiste dhe antidemokratike, do te ndeshkohen të vetmit njerëz në Kryesi dhe në drejtim të Grupit Parlamentar, që po i shtrojnë problemet me kurajo në Parti dhe në publik dhe se për shkak të trafikut të votave, mbetet në minorancë. Atëhere unë po pyes: përballë këtij qëndrimi absurd e vetëvrasës për Partinë dhe për Qeverinë e saj, do të reagojmë me përgjegjesi politike dhe statutore, do të reagojmë në bashkëpunim me antaresinë - që jeni ju - dhe me zgjedhesit - që jeni sërish ju - apo do të vihemi të gjithe në rresht për të marrë një cope pusulle ku firmosim dhe regjistrohemi bashkë me hallet tona "të nje jete minimale", siç thotë shoku Namik - po i referohem njerës nga pyetjet - që Qeveria dha paratë e rezervës së buxhetit të shtetit kur të vijë rradha - që i pari e kishte radhen Ramadan Hasanaj në Lezhë - të na japin ndonjë kockë, që të lepijmë dhe të mbyllim sytë dhe që pasnesër të na zëjë shtepia brenda dhe të na zbojë populli me shqelma siç bëri në regjimin e Sali Berishës. Do të reagojme duke heshtur dhe duke u vënë në rresht përballë tentativave të uzurpimit të udheheqjes dhe iniciatives sonë politike nga një grusht i papërgjegjshëm qeveritaresh që abuzojnë me pushtetin tuaj, apo do të vazhdojmë ta thellojmë deri në fund këtë referendum në Parti. I cili sipas Nenit 7 të Statutit, po e lexoj: "...synon që për problemet kryesore të politikës së Partisë dhe për vendime të rendesishme të organeve drejtuese qendrore, janë prioritetet politike - qeverise që po shkelen, kur ka kundërshtime për mënyren e votimit të tyre nga organizatat e partisë ose në organet drejtuese lokale ose kur në gjirin e organeve drejtuese qendrore ka mosmarreveshje - janë bërë të njohura mosmarreveshjet në organet drejtuese qëndrore të Partisë - zhvillohet diskutim i gjërë ose referendum në të gjithë partinë". Dhe unë jam i vendosur, që këtë referendum dhe këtë diskutim të gjerë në të gjithë partinë, ta çoj deri në fund me konkluzionet e aktiveve të rretheve dhe aktivin Kombëtar të Partisë Socialiste, për të bëre kurimin e sëmundjeve që na kanë pllakosur. Mund të dëgjoni së afërmi ndonjë mbledhje të KPD-së të drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm Gramoz Ruçi - sipas statutit ai është i ngarkuar të drejtojë mbledhjen e KPD-së dhe të ndjekë zbatimin e vendimeve të saj - dhe me një sundim votash të Monikës, në Sarandë Anastas Angjelin e mbronte mamaja, kurse Monika ka nisur një tur takimesh me doganierë për të mbrojtur burrin e saj. Nuk besoj se mund të vazhdojmë të lejojmë këtë nepotizëm skandaloz të PSSH-së, kur familja Meta ka marrë frenat kryesore të drejtimit të shtetit në mënyrë abuzive. Këtu në Lezhë, së bashku me ju në zonën elektorale ku ka fituar deputeti Nikollë Lesi, unë sërisht po ndaj me ju shqetësimin dhe angazhimin në emër të Partisë Socialiste, që të vazhdojmë të luftojmë dhe të kuptojmë së bashku me partnerët për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e vendeve me trafik dhe krim të organizuar. Me trafikantë, me trafikun brenda nesh kjo detyrë e rëndësishme kombëtare vështirësohet dhe bëhet e pamundur. Unë vazhdoj tju them në sy ju, anëtarësisë dhe zgjedhësve, për të metat dhe dobësitë e qeverisjes sonë, të cilat janë prezente sepse nuk mund të mos marrim në kohën e duhur masat e duhura dhe përgjegjësitë e duhura sepse janë të njëjtit njerëz që ju keni zgjedhur në drejtim që ka punuar shumë mirë dhe bashkë me mua në ekipin që kam drejtuar 10 vjet, e ka çuar partinë në fitore pas fitoreje politike elektorale deri tani, rrezikojnë të na fusin në greminë për shkak të makutërisë së pasurimit nëpërmjet abuzimit shtetëror. I them këto në Lezhë - sepse jo rastësisht këtu në Lezhe ka hedhur rrënjët institucioni shqiptar i Beslidhjes - se sot vendi dhe në veçanti Partia Socialiste kanë nevojë më shumë se kurrë për solidaritet të iniciativave dhe kontributeve në luftën pa kompromis kundër trafiqeve, krimit të organizuar, abuzivizmit, korrupsionit, kontrabandës etj. Ne socialistët dhe aleatët tanë progresiste në qeverisje, kemi përgjegjesi për të drejtuar jo vetëm betejat elektorale, por dhe për të mposhtur përsëritjen e të gjitha fenomeneve dhe reminishencave të regjimeve të kaluara që ka sjellë frenimin e zhvillimit, kriza të rënda, humbjen e parave dhe rënimin e shtetit, por dhe në këtë ditë të rëndë të imazhit të Shqipërisë, përballë partnereve euroatlantikë. Kur flas për solidaritet të iniciativave dhe të kontributeve tona të përgjegjshme, nuk është plotësisht e mjaftueshme vetëm angazhimi, investimi dhe iniciativa jonë, e strukturave dhe e forumeve vendore dhe qendrore të PSSH. Unë i falenderoj në masë socialistët dhe forumet drejtuese të Partisë që kam themeluar, për mbështetjen e pa rezervë që po i japin angazhimit tim më të fundit politik, për të shëndoshur qeverisjen dhe për të realizuar objektivat tona të integrimit europian. Pa një konsensus dhe konvergim të kontributeve të përfaqësuesve tanë në qeveri të gjitha angazhimet tona serioze do të ktheheshin në sllogane boshe me kosto elektorale të paparashikueshme. Por jo vetëm kaq. Opozita shqiptare - ajo që është prezente dhe ajo që nuk ka ardhur në Parlament në mënyre të përsëritur - nuk mund të vazhdojë të luajë me votat e pasuesve të saj dhe me institucionin e opozitës në mënyre të papërgjegjshme si deri më sot - duke bërë aktualisht lojën e të pafajshmit përballë fenomeneve negative që po shoqërojnë tranzicionin shqiptar - sepse ajo na i ka lënë trashegim jo vetëm këto, por dhe kaosin dhe shkatërrimin e shtetit dhe te institucioneve. Në këtë këndveshtrim, unë i kërkoj nga Lezha opozitës së sotme, të mbartë mbi vete përgjegjesite e djeshme dhe këto aktuale dhe angazhimin e vet institucional, për tu bashkuar me rrymat e progresit, në lufte kunder krimit të organizuar, trafiqeve, kontrabandes, korrupsionit, abuzimit mbi pushtetin, sepse ky është një interes kombëtar dhe jo në dobi të pushtetit të ditës. Të mos ushqejne iluzione, se ne do tua dhurojmë pushtetin në mënyre të pamerituar dhe pa zgjedhje. Vetëm një konsensus i gjere politik pra, do të mund ta shpëtoje realisht Shqipërinë nga kthetrat e krimit dhe të trafiqeve, që nga brenda dhe nga rajoni synojnë ta coptojnë. Vetëm një konsensus i gjere politik do ta shpëtonte vendin nga sanksionet politike dhe ekonomike - të paralajmëruara nga SHBA -në vitin 2003, nëse ne nuk bëjmë mire këto detyrat tona të shtepisë, për të cilën jemi votuar. Cilido që do ta përjashtonte veten nga ky angazhim antikrim, antitrafik, antikorrupsion, antiabuzim me shtetin, do të paguajë jo vetëm faturat përkatëse elektorale, politike dhe morale përballe zgjedhesve dhe historisë, por do të ketë përgjegjësi të rëndë për bllokimin e zhvillimit të Shqipërisë drejt Europës. Ju e kuptoni tashmë që solidariteti dhe mbështetja juaj, investimi dhe angazhimi i masës dërrmuese të socialistëve për modernizim, progres dhe europianizim të partisë dhe të vendit, të hasur në rrezistencën tashmë tradicionale të të njëjtëve individë apo grupime interesash të cilat për 10 vjet me rradhë kanë investuar kundër reformave tona të suksesshme, që kanë vazhduar me anëtarësimin në Internacionale dhe po afrojmë ditën e integrimit tonë në Bashkimin Europian. Pra këta individë sot po përdorin pushtetin ekzekutiv - që u kemi dhënë ne për të na përfaqësuar - për të uzurpuar me trafik votash strukturat dhe institucionet e partisë, për të bërë që të mposhtet çdo analizë dhe vlerësim programor e politik i ecurisë së përdorimit të pushtetit. Unë jam kryetar i zgjedhur prej jush nga delegatët e kongresit kombëtar dhe i votuar bashkë me një paketë reformash programore e statutore, e cila në mënyrë plebishitare, me më shumë se dy të tretat e votave, ka nisur të zbatohet që nga viti 1999. Unë për asnjë çast, me të gjitha përgjegjësitë e mija, morale, politike, statutore dhe në drejtim të maxhorancës, nuk kam hequr dorë nga angazhimi për të ruajtur vlerat tona tradicionale që e kanë çuar partinë në fitore të përsëritura elektorale dhe këtë kredibilitet politik të ruajtur në Shqipëri. Me të njëjta parametra e përgjegjësi unë orientova edhe procesin e përzgjedhjes së kandidatëve tanë dhe për listat e deputetëve në mbarë vendin, si dhe për kryeministrin pas zgjedhjeve. Sepse sipas statutit tonë, në detyrat kryesore përfaqësuese të partisë konkurohet në mënyrë të fshehtë dhe me kandidatura alternative. Këtë e kam thënë për ti paraprirë dhe për të penguar me institucione përsëritjen e fenomeneve negative që dhe këtu në Lezhë na sollën atë rrjedhje elektorale më 24 qershor. Ky angazhim i Kryetarit të Partisë, u bllokua sepse sipas Statutit tonë, unë nuk kam të drejtën e vetos apo ekskluzitetin në përcaktimin e kandidatëve dhe përfaqësuesve të niveleve të ndryshme. Unë nuk kam qenë dakort për kandidimin e Ramadan Hasanajt në zonën e humbur elektorale këtu në Lezhë, siç nuk kam qene dakort për Halil Lalajn në Mat, siç nuk isha, dhe vetëm në një rast përdora autoritetin tim ekskluziv të mosfirmosjes së proces verbalit të regjistrimit, për kandidaten ose për ish kandidaten për kandidate të PSSH në Durrës, Prefekten aktuale Natasha Paço. Në rastin e fundit, vetëm për shkak të refuzimit tim, për ta paraqitur me firmën time si kandidate të Partisë Socialiste, ajo u vendos të vihet në listën proporcionale dhe në Durres për herë të pare u fituan 5 zona elektorale nga 6 që ishin gjithsej. Dhe sot, me Prefekten Paço unë nuk jap asnjë garanci se si do të jetë rezultati elektoral në takimet e ardhëshme në Durrës. Megjithatë, vetëm zbatimi rigoroz i procedurave statutore për zgjedhjen e kandidateve të shquar të Partisë Socialiste për Kryeministër, duke u kërkuar të gjitheve të plotësonin, në vemendjen e Partisë forumeve të saj dhe publikut, një dokument ku angazhoheshin për konceptet dhe metodat që do të përdornin në ushtrimin e detyrës së përfaqësuesit të Partisë në krye të pushtetit ekzekutiv. Ja disa prej angazhimeve që ka marrë kryeministri Meta në momentin e kandidimit dhe të zgjedhjes si kryeministër, pas më pak 100 ditë të marrjes së mandatit politik të përfaqësimit të PSSH në këtë detyrë të rendesishme. Po ju them diçka nga dokumenti i tij i kandidimit: "Në funksion të mirëqeverisjes, unë e shoh si burim ende të pashfrytëzuar sa dhe si duhet familjen tonë politike dhe si domosdoshmëri të mandatit të ri qeverisës, transformimin e plotë të PSSH në kollonë vertebrale te qeverisjes së vendit". Unë pyes: Njerëzit që sot përbëjnë më shumë se gjysmën e drejtuesve të lartë ekzekutiv që ka përzgjedhur Meta, të cilet ose nuk janë votuar nga elektorati dhe PSSH në zgjedhje, ose kanë fituar mandatin si deputet pas balotazheve të stërmundimshme, janë ato të përfaqësojnë PSSH dhe të përbëjnë kollonat vertebrale të PSSH në qeverisjen e vendit? Shoku Ilir Meta, do të mohojë kërkesën e përsëritur të Kryetarit të Partisë, për të vlerësuar, duke mos përfshirë në kabinetin e Tij qeveritar, ekzigjencat e përsëritura të opinionit partiak dhe publik, për të mos kaluar në qeverisje përsëri si Angjeli. Por unë jam i detyruar ti flas hapur elektoratit në mënyrë të përsëritur edhe këtu në Lezhë, sepse edhe këtu në Lezhë në Kune, Angjeli apo vellezerit e tij kanë marre troje në mënyre abuzive. E kjo Parti Socialiste fiton vazhdimisht zgjedhjet në Shqipëri për ta kthyer Shqipërinë në të katër anët në prona abuzive të priviligjuara vetëm për angjelët? Mua më vjen shumë keq që Kryeministri ynë Ilir Meta, jo vetëm nuk reflekton përballë kësaj akuze publike, të cilen unë nuk do të hezitoj ta kthej në penale dhe identifikohet në ekranet televizive me Angjelin dhe angjelët e tij. Të tilla prova dhe fakte nuk mungonin më 24 qershor. Prandaj dhe Angjeli mezi u votua dhe nuk e di sesi u votua në një nga zonat elektorale të kryeqytetit. Nëse, shoku ynë Ilir Meta pra, do të dëshmojë tani, se punon me të njejtin metër që i ka përcaktuar duke e zgjedhur Kryeministër, Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i PSSH, me prioritetet politiko-qeverisëse që ai ka miratuar për mandatin tonë të dytë, është koha që të degjojë opinionin partiak dhe opinionin e shëndoshë publik dhe të largoje angjelët nga Qeveria, për të shmangur krizat dhe koston elektorale për partinë, që e ka bërë dhe atë Kryeminister dhe njeri të udhëheqjes, që është rritur dukshëm në dhjete vjetët e fundit. Meta tentoi ta shndërronte në parti- shtet PSSH, duke premtuar një herë në javë do tia kushtojë kohën e punës kontakteve me strukturat dhe antaresinë e Partisë në zona të ndryshme të vendit. Siç po e them, në këtë proces analizash të programuara dhe statutore që ka përfshirë të gjithe strukturat dhe forumet e Partisë, shoku Meta nuk ka marrë pjesë në asnjë analizë, por përkundrazi, shokët tanë në pushtet edhe kur duan të mbledhin firma për ti mbyllur gojën përmes përjashtimeve të tipit komunisto-punist shokëve drejtues të Partisë, po bëhen zëdhënës të shqetësimeve të Kryeministrit për të ruajtur karriken dhe jo shqetësimeve të Partisë të anëtaresisë dhe të opinionit publik progresist. Nuk zbret poshtë, por organizon çdo gjë në zyrat e shtetit që nga Namik Dokle e deri tek zyra e kryeministrit, për të thirrur tek e tek ata që do të votojnë për tua prerë degët atyre që abuzojnë ose ata që do të rekrutojnë për të votuar kunder atyre që ngrenë shqetësimin parimor për të ndalur krizën në parti dhe qeverisje. Pra shoku Meta e konsideron Partinë si pjesë integrale te qeverisjes. Jo shokë. Partia është një institucion politik që zgjedh përfaqesuesit e saj pasi fiton zgjedhjet në pushtetet e ndryshme. Dhe këtë fakt, duhet ta mësojë edhe Edi Rama. Partia u ka dhënë zgjedhesve të saj - dhe ky është avantazhi i Statutit tonë demokratik - çertifikatën e vlerësimit politik të përfaqësimit në pushtet, por që e therret atë kur abuzohet me Ligjet me Kushtetutën dhe me pushtetin. Prandaj, të nderuar zgjedhes të partisë, delegatë të Konferencës lokale dhe të Kongresit Kombëtar, të justifikojmë mandatin e përhershëm të delegatit dhe të kontrollorit të njerëzve të zgjedhur për të qeverisur, ushtroni detyrën dhe rikthejini të bëjnë jetën e Partisë, në gjirin tuaj, përfaqësuesit të thjeshtë dhe jo të thjeshtë që keni zgjedhur në qeverisje dhe hiqini çertifikaten e kredibilitetit në qoftë se nuk e meritojnë më. PSSH nuk është as pjesë, as shtojcë e qeverisë, por është burimi i krijimit i një shteti që vihet në shërbim të qytetareve dhe jo të qeveritareve. Me këtë sllogan politik ne kandiduam dhe fituam edhe zgjedhjet e fundit. Në se angjelët nuk e kuptojnë këtë, nuk kuptojnë se në pushtet është PSSH dhe jo ish refugjati Edi Rama, atëhere forca jonë është këtu. Mos e tolerojmë traditën negative të abuzimit me pushtetin ekzekutiv, që po kultivon Ilir Meta. Meqenese herën e pare, në fushatën elektorale këtu në Lezhë dhe me një zë me Departamentin Amerikan të Shtetit u angazhuam publikisht për të luftuar dhe goditur se bashku me partinë çdo fenomen që e mbante Shqipërinë në hartën e vendeve problematike për trafiqe dhe krim te organizuar, Meta shkarkoi Drejtorin e Përgjithshëm të Telekomit, Dhimitraq Raftin, njeriun jo vetëm që kishte drejtuar në mënyre të shkelqyer këtë institucion të rëndësishëm, por që edhe unë dhe shoku Meta dhe Partia, e kishim në krah atë në inaugurimin e 40 centraleve telefonike gjatë gjithë fushatës elektorale. Mos u çudisni që pas takimit tim këtu, të shkarkohet Marash Noka apo ndonjë tjetër. Unë falenderoj kryetarin e keshillit zonal, anëtarin e shquar të PSSH dhe Prefektin e Lezhës, Marash Noka për punën e tij të palodhur dhe të shkëlqyer në strukturat e PS dhe në dobi të qytetarëve të prefekturës së Lezhës. Dua që të kuptohemi mirë, edhe këtu në Lezhë, edhe për shokët e mi që na dëgjojnë në Tiranë, besoj edhe nëpërmjet celulareve se ne nuk po komplotojmë kundër Qeverisë sonë por po kërkojmë që ajo të përmiresoje dhe të realizojë më së miri prioritetet politiko-qeverisëse që kemi miratuar dhe që përbëjnë skeletin e angazhimeve që kemi marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Askush prej nesh këtu, nga unë i pari, nuk po kërkon pushtet personal, por po kërkojmë që anëtaresia e Partisë - dhe për këtë përshëndes Pjetrin - të ushtrojë të drejtën e vendimmarrjes dhe të qeverisjes politike të vendit, duke kontrolluar te gjithë ata që ne shtet duhet të vënë institucionet në shërbim te qytetareve dhe jo të xhepave të tyre, të zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën duke reflektuar në administratën shtetërore - për shkak të detyrimit të Ligjit të Shërbimit Civil që nga 1 Nëntori - njerëzit më të aftë dhe më përfaqësues të potencialeve tona, për ta çuar Shqipërinë nga kriza e Saliut në prag të përfshirjes në procesin e pakthyeshëm evropian. Ne po kërkojmë që gjithe këto potenciale - anëtaresia dhe militantizmi ynë politik dhe profesional - të mos konsiderohen si prona që shtetëzohen apo privatizohen nga qeveritaret, por si protagonistë të progresit, që kanë rolin e tyre statutor në investimin qeverisës, të cilin nuk mund ta tjetërsojë asnjë tjetër. Ne duam që tani në parti dhe në çdo hap që del në ndertimin e institucioneve demokratike dhe për një mirëfunksionim sipas Kushtetutës, të burojë parimi "një njeri, një votë" dhe të ndalim rrezikun e trafikut, që po kthen këtë parim në zero parimin "një vote, për nje post". Në Kongresin e Tretë të Partisë ne ndertuam mekanizmin e decentralizimit të vendimmarrjes duke institucionalizuar demokracine direkte të Partisë. Dhe ky referendum që po zhvilloj është shprehja më e plotë e demokracisë dhe e forcës demokratike të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Nëse institucionet përfaqesuese të Partisë dhe të Qeverisjes së saj kanë hyre në krizë, jeni ju që përmes këtij plebishiti partiak, po e zgjidhni dhe do ta zgjidhni këtë krizë, duke siguruar vazhdimesine e qeverisjes dhe realizimin e angazhimeve tona përballë zgjedhesve shqiptareve dhe partnereve ndërkombëtare. Unë jam i bindur se ne do ta bëjmë detyren vetëm së bashku, duke ftuar dhe të paudhët të ndërrojnë rrugë dhe të kthehen në rrugën e solidaritetit tonë parimor dhe europian. Lajme nga Agjensia Telegrafike shqiptare Departamenti i Informacionit prane Keshillit te Ministrave Presidenti i Republikes se Shqiperise Kuvendi i Republikes se Shqiperise Agjensia e Lajmeve Kosovapress --------------------------------- Do You Yahoo!? Find the one for you at Yahoo! Personals. -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |