| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Edi Rama degron leter Nanos.Xhuliana Agolli xagolli at stumail.sjcsf.eduSat Nov 17 00:06:52 EST 2001
Fatos! Fjalën e Tribunave e ke fasadë, Veprimin e Kulisave e ke mënyrë jetese Edi Rama publikon qëndrimin e tij ndaj Kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano, duke vendosur që komunikimin e shkruar disavjeçar me Mikun e Humbur ta vazhdojë në sy të lexuesit të "Korrierit" I dashur Mik i Humbur, Në komunikimin mes nesh, ose, e thënë më mirë, në komunikimin tim të shkruar me ty, kam vendosur të ftoj pas kaq vjetësh një person të tretë: Lexuesin! Lexuesin e gazetës ku ti do të lexosh sa më poshtë m'u duk, a do të më duket edhe në kohën e ardhshme, e udhës të të them në sy të tij. Jam i vetëdijshëm se ai mund të jetë i çfarëdo moshe, seksi, profesioni, socialist, demokratikas, legalist a krejt indiferent karshi cilitdo ndër turlisojet e politikës shqiptare. Mund të jetë, për dreq, tmerrsisht i bezdisur nga gjithshka ka të bëjë me llallallanë e kësaj politike, ashtu siç mund të jetë, e kjo për motive nga më të larmishmet, tejet i interesuar të na shohë ballë për ballë faqe tij. Duke vendosur të fus në urën e komunikimit mes meje e teje këtë person me kaq shumë prerje, e prandaj edhe me plot anë të panjohura, e kam marrë në sy rrezikun e mbetjes peng në vallen çmendurake ku ti ke hyrë së fundi dhe kam pranuar, kësisoj, dorëzimin përpara Zërit të Vetëdijes sime Qytetare e Politike! Ky zë, ndryshe nga ç'më sugjeronte deri para ndoca ditësh zëri përfundimisht i mekur i marrëdhënieve tona miqësore, më urdhëron përditë e më kumbueshëm thyerjen e heshtjes dhe publikimin e qëndrimit tim. Lidhur jo thjesht me gjithshka të padenjë për një lider historik të ka nxjerrë goja në adresë time përgjatë valles mediatike që ke zënë të hedhësh në "bazën e partisë", por edhe me atë që fatkeqësisht mendoj se është roli që ke marrë përsipër duke i hyrë një valleje të tillë. Fillimisht ke pretenduar një borxh moral, personal, që, sipas teje "refugjati thonjpaprerë", domethënë unë, i paska "bamirësit" të vet, domethënë ty. Dhe kësisoj ke harruar ose, më saktë, ke dashur të harrosh, tërë ato ftesa të tuat të përsëritura qyshse u bëre kryeministër e më kërkoje, sipas fjalëve të asaj kohe, "në krah të djathtë si partner të denjë nga Shoqëria Civile". Ashtu sikundër ke harruar, më anë tjetër, "qëndresën" time konstante nga pozitat e njeriut që nuk donte të kthehej në atdhe për të hyrë në politikën aktive edhe pse shikonte tek ti Njeriun e Kthesës Shqiptare drejt Europës. Por, duke dashur të harrosh edhe rrethanën shumë të veçantë që, një ditë me shumë shi e baltë, më pruri mua në shtëpi, me një biletë kthimi Paris-Tiranë-Paris, për të varrosur babanë e jo për t'u bërë ministër i qeverisë sate, si edhe duke spekulluar turpshëm me dorën e sinqertë të bashkëpunimit që unë të shtriva si një sonambul mbrëmjen e asaj dite zie, për të bërë, bashkë me ty e të tjerë sigurisht, punë të mira në dobi të këtij vendi, ti ke provuar katërcipërisht rrëshqitjen në një nivel të komunikimit me njerëzit ku s'është e vërteta që të intereson, as interesi i përbashkët që gjermëdje dukej se të lidhte me mua, as e "nesërmja më e mirë" apo ecja "sëbashku në udhë të mbarë" që trumbetonin, vetëm para pak muajsh, afishet e grisura të fushatës sonë fituese elektorale. Jo Mik i Humbur! Për fatin tënd e për fatin tim, fat i keq në të dyja rastet, ty tashmë nuk të interesojnë as këto dhe bile, mesa duket, nuk të intereson as vetë fati i kapitalit tënd politik, i cili mishërohet në organizmin e forcës politike që ti drejton prej dhjetë vjetësh e me të cilën je ti që, pas dhjetë vjetësh në drejtim, po futesh qorrazi në një borxh pa hesap! Teksa mendoj që personalisht nuk të kam asnjë borxh moral, jam çdo dekikë e më i bindur se, nëse mund të flitet për borxhe morale, publike jo personale natyrisht, je ti ai që ke hyrë prej kohësh në një borxh të tillë me mua! Sepse ndërkohë që unë kam pranuar "të ndërroj jetë" e i jam përgjigjur ftesës sate për të punuar, me ty e me të tjerë miq, shokë e kolegë, në emër të ëndrrës së përbashkët të Shqipërisë Europiane, ti ke qenë për mua, jo njëherë, shkaktar zhgjëndrrash të dhimbshme. Duke filluar që nga koha e qeverisë sate, kur bash siç ka mbetur e shkruar në letër apo e arkivuar në kujtesë, jo vetëm për fajin tënd, por në rradhë të parë për fajin tënd, punët e qeverisë ishin një zallahi e vërtetë ku gjithkush bënte sa mundej, po ku askush nuk e gjente dot kufirin ku ndahej miku nga shoku, shoku nga kolegu, kolegu nga truproja, e drejta nga detyra, detyra nga interesi i përveçëm, interesi i përveçëm nga etja për fitim, etja për fitim nga uria për pushtet, uria për pushtet nga urrejtja për shtet e kështu më tutje. Duke vazhduar me kohën e revanit tënd pas rimarrjes së kreut të Partisë Socialiste kur nuk le gur e marionetë pa luajtur për të më demoralizuar dhe penguar në punën time! Me qëllim që ta detyroje kreun e qeverisë të më hiqte qafe si ministër konfliktual e të realizoje kësisoj, jo përmirësimin e qeverisjes, por një betim tëndin, si rëndom në të gdhirë pranë një tavoline të rrëmbushur me qelqe të zbrazëta, kur më anunçove, nja një duzinë orësh pasi kishe mbajtur në hollin e Pallatit të Kongreseve një fjalim mbi "solidaritetin parimor", se "nga unë fillonte rradha e atyre që do të qëroheshin meqë zgjodhën Majkon e jo ty"! Dhe duke ecur më tutje në të tëra kohërat që, siç e thonë edhe letrat që të kam dërguar dorazi në konfidencë, u mundova të fsheh nga "sytë e botës" shkopinjtë e panumërt që ti më vure sistematikisht ndënë rrota pa e çarë kokën fare në unë po bëja punën që, natyrisht bashkë me punën e tërë të tjerëve në Familjen tonë Politike, të ndihmonte ty të dilje kryelartë në fushatat elektorale apo punën e ku e di unë se kujt armiku që i kanosej autoritetit tënd! Ndaj edhe për ta mbyllur pa shumë ornamente logjike kornizën e argumentimit tim për Borxhin Moral, Publik jo Personal, që mendoj se më ke, po ndalem tek e drejta e njeriut që, me vepra jo me fjalë, i ka mbetur sot e gjithë ditën besnik ëndrrës dikur të përbashkët të Shqipërisë Europiane, por që e pati të pamundur të mbetet bashkëpunëtori yt besnikërisht miop, kur, me kalimin e kohës, ndjeu, pa, preku nga afër dhe kuptoi, jo pa dhimbje për vetveten, atë difekt të pariparueshëm të konstitucionit tënd etiko-moral që Fjalën dhe Veprimin i mban gjithnjë të ndara brenda teje! Që, e thënë ndryshe, Fjalën e Tribunave e ke fasadë dhe Veprimin e Kulisave e ke mënyrë jetese! Që, e thënë edhe më shkoqur për këtë "kryqëzatën" e fundit, Fjalën për Interesat e Vegjëlisë e ke gënjeshtër me brirë dhe Veprimin për Interesin tënd Personal e ke kredo morale! Por, shkurt fjala, ajo çka ty të bën borxhli ndaj meje nuk shpjegohet tekembramja vetëm me fjalë, pas të cilave jam i sigurt se do të rendë ndonjë, a më shumë se një, ndër kalorësit vanitozë të kësaj palo "kryqëzatës" tënde e do të përpiqet të më kapë "befasisht" në llaf. Borxhin tënd moral, e përsëris Jo Personal por Publik, karshi meje, e shpjegon, si në një kronikë Pa Koment, kontrasti mes Llafeve gjithnjë e më pa bukë që ti ke prodhuar qyshse "më more nga Parisi" për ndërtimin e Shqipërisë Europiane dhe Tullave që, me shumë mund mendor e fizik, kam vënë unë në themelet e saj! Në daç kur punova me ty, në daç kur punova me Pandeli Majkon e në daç qëkur po punoj me Ilir Metën! Të tjerat janë dokrra hiri! E përpara se të shtrij më tutje fillin e arsyes, dëshiroj të tërheq vëmendjen e lexuesit lidhur me faktin se këtë lloj Borxhi Moral Publik ti nuk ma ke vetëm mua, sepse afërmendsh që s'jam vetëm unë që punoj pa u lodhur në këtë vend e për këtë vend, por ju'a ke të tërë atyre qytetarëve të këtij vendi, qofshin të Familjes sonë Politike a jo, të cilët, si unë apo më shumë e shumë më shumë se unë, përpiqen të vënë "tullën" e tyre në urën që, Dhëntë Zoti, do të na bashkojë një ditë edhe neve me Europën. Kështu që, o Miku im i Humbur tash së fundi në një lumë erëkërmë hakmarrjeje politike brenda llojit, mos u përpiq ta mbash skeptrin që po të ikën duarsh për fajin tënd duke përdorur "thonjtë e mi të paprerë"! As të rifitosh terrenin e humbur të besimit të njerëzve duke më treguar mua si Bukëshkalë! Sepse as unë jam shkaktari i zbehjes së yllit tënd në orbitën socialiste e as socialistët janë kaq tuhafë përballë armëve të demagogjisë ekstreme që ti ke zgjedhur për të hedhur baltë mbi tërë ish-miqtë, ish-shokët, ish-bashkëpunëtorët, ish-kolegët dhe mbi vetë Partinë Socialiste, të cilën, le ta themi faqe lexuesit Fatos, betohesh klub më klub se do ta shkatërrosh përpara se të krijosh një parti tënden të re! Mos u përpiq më kot, as të zhbësh në sytë e njerëzve suksesin e arritur me shumë punë të Bashkisë së Re të Tiranës, duke më treguar mua me gisht - E pse? Vetëm e vetëm pse edhe kësaj rradhe s'jam e s'kam si të jem hiç gjëkundi i një mendjeje me ty! - si një dobiç faqezi të Familjes Socialiste. Sepse s'ma ha mendja të ketë peshk të të besojë kur më denoncon nga kafenetë e fshatrave të Shqipërisë si "shitës ikonash të vjedhura në kohën e Saliut", e vete bie pre e atij imoraliteti të skajshëm politik që bazohet mbi moton e mbrapshtë, "Qëllimi justifikon mjetin". Ashtu sikurse nuk ma do mendja të ketë qytetar të informuar të të aprovojë kur më akuzon si "hajdut në xhepin e Scorpions-ave", duke vërtetuar në fakt kësisoj, bile katërcipërisht, se metoda që ke zgjedhur "për të shëruar Partinë Socialiste" nuk është kurative, po destruktive, nuk është transparenca me bazën e partisë, po manipulimi i skajshëm i bazës e i vetë opinionit publik në përgjithësi, nuk është forcimi i demokracisë së brendshme në parti, po degjenerimi në anarki i saj. Lëre pastaj kur rrëshqet fare në vakum logjik e më rendit mua në listën e të akuzuarve për tentativë të rikthimit të komunizmit në gjirin e partisë tënde apo për përpjekje për futje të metodave të Doktorit në P.S! "Për fat", as Enveri nuk është harruar akoma këtyre anëve tona e as Doktor Rrumpalla nuk na e ka lënë ende shëndenë. Që do të thotë se kësi budallallëqesh në adresë time qelben erë qoftë si ato tabllotë sinoptike mbi agjenturat në gjirin e Partisë, të cilat Ai i pari ia servirte bazës komuniste përmes magnetofonëve sovietikë të Komitetit Qendror, qoftë si ato përrallat me mamuthë e me sorra që ky tjetri, me të cilin gojët e liga thonë se ke filluar të japësh e marrësh mesazhe, por që mua emrin me gojë s'ma do xhani t'ia zë, ka dy pesëvjeçarë që u rrokanis kokën shqiptarëve. E pse atëherë më ha mua meraku e të shkruaj kur vetmevete jam i bindur se, për sa më takon në pikëpamjen morale, zotrote më merr të keqen jo me sa ke nxjerrë gjermëtash nga goja, po edhe sikur deri në fund të kësaj valleje t'i kesh nxjerrë goje të tëra pocaqitë që, për fatin tënd të keq, i kanë jashtëqitur më parë për mua të shtatë palë gojët e Partisë Demokratike?! Mua o mik i humbur më ha meraku, përsëpari, për administratën që mezi po e ngre prej një viti e që ti e shqetëson, e shkurajon, e paralizon; Më ha meraku për qetësinë shpirtërore të tërë atyre nëpunësve civilë që punojnë me mish e shpirt, deri në mbrëmje vonë, në Bashkinë e Re të Tiranës për të kryer çdo ditë e më tepër nga ato punë të programit tonë, të cilat ty aq shumë të pëlqenin, vetëm këtu e tre muaj më pare, sa që vajte e dole, jo vetëm përpara tërë krerëve lokalë socialistë, por edhe faqe qindramijëra teleshikuesve e the, "Edi Rama është modeli i qeverisjes socialiste!"; Më ha meraku për shumë të rinj ndër ta, të cilët nuk mund e nuk duhet të ceken asnjë grimë në dinjitetin e tyre nga stërkalat e baltës që ti lëshon, vetëm tre muaj pas deklaratës tënde emfatike, teksa hedh vallen e akuzave të tua absurde duke më goditur pabesisht mua, njeriun tek i cili ata besojnë e me të cilin janë bashkuar në një rrugë të vështirë. Dhe bën një Krim Moral ta dish, kur, njësoj si të tjerë demagogë vulgarë të këtij atdheut tonë të cfilitur, ti harron se pas punëve të një të akuzuari veresie me gjojafakte, si puna ime në këtë rast, ka të rinj që janë rikthyer prej jashtë shtetit e të tjerë që kanë lënë sektorin privat apo kanë zgjedhur të mos i drejtohen këtij sektori për një rrogë më të mirë, thjeshtethjesht sepse duan të punojnë për rindërtimin e vendlindjes së tyre! Mua o Fatos më ha meraku për Alban Eftimin, një emër që ty me siguri nuk të thotë asgjë. Eshtë emri i një djali që pasi ka kryer studimet e larta dhe ka punuar si arkitekt matanë detit, është rreshtuar në "ushtrinë" e nëpunësve civilë të shtetit shqiptar me "gradën" Drejtor i Përgjithshëm i Planifikimit Urban në Bashkinë e Tiranës! Më ha meraku për të sepse është goditur pabesisht në dinjitetin e tij nga Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilin e pa në televizor në orën njëmbëdhjetë të natës - pasi në orën shtatë e gjysëm Albani është normalisht ende në zyrë duke punuar edhe për Planin Rregullues të Tiranës që ti the, "nuk po bëhet sepse me lejet e ndërtimit", që sipas teje, "jepen me pikatore", "po fitohen miliarda nga Kryetari i Bashkisë e nga miqtë e tij"! Më ha meraku për të sepse është krejt i paralizuar, teksa i duhet të fshijë pështymën e pabesë që zotrote i ke hedhur mbi fytyrë ndërkohë që ai dhe drejtorët e juristët e atij sektori, jetojnë prej muajsh nën presionin konstant, ndonjëherë edhe të egër, deri edhe me armë pas veshi në pragun e errët të shtëpisë, të atyre që janë mësuar t'i marrin lejet jo sipas Planit Ekzistues Rregullues, as sipas Studimeve Pjesore Urbanistike që në Bashkinë e Re të Tiranës janë konceptuar, aprovuar e imponuar sipas ligjit, po sipas logjikës së vjetër të "ngritjes së traut" të ligjit me para nën dorë! Cfarë t'i them Alban Eftimit shoku Kryetar i Partisë Socialiste?! T'i them siç u thua ti atyre që të pyesin se ku e ke hallin që ke marrë kot?! Domethënë që, "O ti bëhesh President i tërë shqiptarëve o të tërë albanët e këtij vendi do t'i hajë dreqi si në vitin 1997"?! Po Belinda Ikonomit, Drejtoreshës së Përgjithshme të Burimeve Ekonomike, e cila është ende larg të tridhjetave dhe në Bashkinë e Tiranës ka hyrë pasi ka grisur përgjigjen pozitive të Zyrës së Emigracionit në Kanada, ku e priste një punë me rrogë të mirë e sigurisht jo një kryetar partie në pushtet që ekran më ekran mbulon me shpifje kryebashkiakun që nga parti e tij është zgjedhur e votuar, si t'ia shpjegoj broçkullat që u thua zotrote fshatarëve të Malësisë së Madhe a të Pezës për gjoja davaritjen e 300.000 dollarëve të Koncertit të Scorpions-ave?! T'i them siç u thua ti atyre që të pyesin se ku do të dalësh?! Domethënë që ja, sa të nxjerrë kryetari dufin personal me partinë e qeverinë e partisë së tij dhe pastaj kjo gojështhurrje pa din e as iman do të marrë fund?! Cfarë t'i them Drejtoreshës së Njësisë së Prokurimeve Valbona Malaj, o kryetar mavria?! T'i them që "na e ka nxirë jetën" kot duke kërkuar në mënyrë pedante për çdo proçedurë prokurimi të fondeve publike male dokumentash, sepse, në fakt, sipas të parit kryetar partie në pushtet që kërkon zgjedhje të parakohshme në historinë e botës moderne, fondet janë shpërdoruar?! Po si janë shpërdoruar këto fonde mor zotëri, që kam frikë se nga zotnillëku gjë hiç s'ruajte për ditë më të vështira, kur vajte e pozove si i revoltuar në një kafene të Ballshit kundër "fasadave erotike të Edi Ramës"?! Nejse, nejse, ndoshta janë pyetje të kota këto për ty në drejtimin e paditur ku je larguar politikisht. Kurse mua, afërmendsh, s'më ha meraku vetëm për qetësinë e administratës ku shërbejnë këta emra "pa kuptim" që të përmenda apo për plot e plot të tjerët që nuk t'i përmenda, por edhe për krejt mjedisin ku ka filluar të implementohet projekti ynë dikur i përbashkët e, tashmë, qofsha krejt i gabuar, prej teje pothuajse plotësisht i tradhëtuar zoti Kryetar i Partisë Socialiste. Më ha meraku për Tiranën që meriton më shumë e që prej një viti ka filluar të jetë nën vëmendjen që meriton, për Tiranën që pas një viti punë të parreshtur është mbarsur me embrionin e shpresës e që vetëm ndonjë qorr i kapur për fyti prej instiktit primordial të hakmarrjes politike brenda llojit mund ta quajë "të pajetueshëm"! Më ha meraku për Tiranën sepse Tiranës i duhet punë, shumë punë, vetëm punë, dhe natyrisht edhe shumë durim që të rimëkëmbet, kurse sulmet e paskrupullta që ti bën kundër meje paralizojnë ata që punojnë për kryeqytetin, por edhe, çka është lajmi më i zi i fushatës sate, minojnë krejt terrenin e durimit të domosdoshëm në këtë fazë delikate të rimëkëmbjes së tij, duke rinxitur shpirtin e mezitopitur të anarkisë, të thyerjes së ligjit e të përbuzjes për çdo rregull të bashkëjetesës! A të jetë rastësi fakti që në zyrën time kanë rinisur të vijnë ankesa për prishjet e ndërtimeve të paligjshme mbi Lanë, që Policia Bashkiake po has një rezistencë shqetësuese nga qytetarë deri dje të gatshëm për t'iu nënshtruar rregullit apo që një kryetar socialist i një bashkie simotër ka gjetur kurajon të yshtë njerëzit për t'i qëlluar me gurë autobuzëve "që vijnë nga Tirana e Edi Ramës!"? Unë them jo edhe pse uroj megjithë shpirt që të jetë rastësi. Fakti është se qyshse ti ke filluar të minosh personalitetin tim publik, të përbaltësh dinjitetin tim, të ngresh pikëpyetje mbi ndershmërinë time në ushtrimin e detyrës, ti ke goditur embrionin e besimit që ka lindur në zemrat e kryeqytetasve; Qyshse ti ke filluar t'ia kundërvësh Tiranës çdo fshat, komunë a bashki ku të hedh vallja jote e paklasifikueshme në asnjë zë të fjalorit të politologjisë, duke spekulluar me emocionet e atyre që të dëgjojnë përmes shifrash të stërfryra me para që gjoja janë marrë për Tiranën e që kanë humbur sa në "fasada erotike" e sa në xhepat e mi, ti ke marrë trajtat e një Haxhi Qamili modern që rreket të kalërojë mbi varfërinë dhe errësirën për të përmbysur gjithshka të mire që, dreqi e mori, është bërë në këtë vend dy vitet e fundit e në Tiranë në vetëm një vit; Qyshse ti ke filluar të përdorësh terminologjinë ku ngrenë suksesin e tyre tërë demagogët fondamentalistë të kësaj bote, qofshin ekstremistë të majtë a të djathtë, mbrojtshin Kuranin, Biblën apo Manifestin, dalshin përpara popullit këmbëzbathur apo me kostum "Pierre Cardin", asketikë apo gushpëllumba, me kalashnikov në sup apo me një gotë xhin përpara, ti ke minuar, as më shumë e as më pak, sesa themelet e vetë Partisë Socialiste. E, njëkohësisht, Miku im i Humbur, ti i ke kthyer shpinën me një shpejtësi marramendëse asaj figure politike të krijuar në një dekadë, përmes jetës tënde me siklete e sakrifica por edhe përmes dashurisë pakufi që more pa kursim nga e tërë Familja Socialiste e Progresiste, ti i ke kthyer shpinën sa hap e mbyll sytë asaj vetveteje që ndoshta s'ka qenë asnjëherë vërtet e jotja, por që ishte ama e fiksuar në përfytyrimin kolektiv të të gjithë atyre që të deshën vërtet, ndër të cilët edhe letërshkruesi, e që, njësoj si edhe letërshkruesi, veset e tua i konsideruan me mirëdashje si kapriçiot e një talenti të madh politik, dembel e të paaftë për t'u ngulur në punë apo qoftë edhe për t'iu adaptuar normave elementare të mirësjelljes me kolegët e me njerëzit në përgjithësi! Unë besoj me të gjithë forcën e mendjes se, ndër të gjitha gjërat e diskutueshme që shkruajta me mllef, dhimbje, sinqeritet, gjermëkëtu, ka diçka që meriton të mos anashkalohet kurrësesi. Asnjëherë, asgjëkundi dhe për asnjë çast, një kryetar i denjë për një Familje të madhe si ajo e Socialistëve dhe Progresistëve nuk mund të zgjedhë terminologjinë e një dumbabisti për të "shëruar", siç thua ti, partinë nga e keqja që e ka zënë. Duke të thënë këtë nuk po të përsëris, as ty dhe as atyre kalorësve vanitozë që ndjekin me një kënaqësi thuajse perverse "kryqëzatën" tënde, ritualin e "debatit në forumet e partisë". Jo, nuk po të përsëris këtë, sepse ti mund të shkosh edhe në Firifistun e mund t'i drejtohesh publikisht edhe një anëtari të vetëm të Familjes sate Politike për problemet që të shqetësojnë, por po të them se armët ekstreme të demagogjisë që po përdor duke shfrytëzuar, nga njëra anë, tërë investimin personal politik të dhjetë vjetëve dhe nga ana tjetër mungesën e informacionit, varfërinë, errësirën me të cilën jetojnë sot qytetarët e anëtarët e thjeshtë të Partisë Socialiste, jo për faj të kësaj qeverie, por për një sërë faktorësh që ti i ke rradhitur aq mirë tre muaj më parë kur u kërkoje votën shqiptarëve, nuk bëjnë asgjë tjetër përveçse gërryejnë themelet e Familjes sonë Politike dhe jo vetëm. Ato armë ndjellakeqe gërryejnë nga e para në psiqikën e shqiptarëve varrin e sapombyllur të Vitit 1997! Përderisa nuk i nënshtrohen ballafaqimit me argumentat që ofrojnë faktet e shifrat, përderisa nuk identifikojnë problemet reale të rritjes, emancipimit, demokratizimit të brendshëm e të vetë nevojës për një funksionim shumë më të mirë që ka Partia Socialiste, përderisa nuk ofrojnë asnjë lloj baze të qëndrueshme për të korrigjuar të metat përherë të pashmangshme të qeverisjes, armët e tua të nxjerra nga sëndyku i historive me "Dum Babën!", nuk bëjnë tjetër veçse injektojnë tek njerëzit virusin e urretjes primitive të njeriut "të bazës poshtë" ndaj njeriut "atje lart", i cili paskëtaj, vetëm e vetëm pse është "lart", është shënjestra ku duhet të shfryjë "urrejtja e vegjëlisë". Teksa t'i shkruaj këto rreshta më mundon tmerrsisht shumë pamundësia për të marrë vesh se çfarë po mendon lexuesi. Unë vetë do të uroja që ai të ishte paskëtaj sadopak më i kthjellët lidhur me tërë këtë mjegull të re që ti përhape bash dy muaj pasi, së bashku me tërë përfaqësuesit e Familjes Socialiste e Progresiste në Kuvendin e Shqipërisë, i dhe edhe vetë "lejen e kalimit" Qeverisë së Re. Do të uroja që lexuesi të kuptonte se fjalimet e tua demagogjike nuk duhen parë si shqetësimi i sinqertë i një Kryefamiljari të përgjegjshëm për fatet e Familjes së tij Politike, por si zemërata e verbër e kreut të një partie që kërkon të ndëshkojë, pa llogaritur koston, të gjithë ata, "të mëdhenj" e "të vegjël" brenda partisë e pranë saj, të cilët nuk janë më të predispozuar as "t'i puthin dorën" në të gdhirë e as "t'i vijnë pas midesë" në të ngrysur. Do të uroja, pse jo, që lexuesi të kuptonte se rebelimi yt i papritur karshi të gjitha forumeve të zgjedhura të partisë, pra karshi të gjitha tryezave ku ti s'do të mund të bëje dot vetëm monologun tënd haxhiqamilist, është një makinacion i mirëfilltë politik për të përgatitur alibinë e çfarëdo aksidenti artificial që ke vendosur t'i shkaktosh Partisë Socialiste dhe qeverisë së saj, duke u rrekur të dalësh vetë si një Engjëll Shpëtimtar e duke ua lënë ish-shokëve, ish-miqve, ish-bashkëpunëtorëve, pra tërë Familjes tënde Politike, petkun e Djallit të Zi. Do të uroja gjithashtu që lexuesi të kuptonte edhe të thjeshtën arsye njerëzore të kësaj kryengritjes sate Mik i Humbur, e cila konsiston në faktin se ti, krijuesi i kësaj krijese të çuditshme politike që është prej dhjetë vjetësh Partia Socialiste, nuk mund të dorëzohesh përpara realitetit të ndryshuar të gjërave e të pranosh se vetë kohët ka ndryshuar, se krijesa jote nuk të bindet më ty si një manar i urtë, nuk e dëgjon më zërin tënd sa herë do ti, bile as nuk të ndjek më kur ti futesh në rolin e viktimës si në vitin 1999! Me shpresën që këto urime të miat të shkojnë në veshin e Perëndisë po e mbyll edhe këtë letër që nuk do të kisha dashur ta shkruaja kurrë në adresën e një njeriu që vetëm përpara tre e kusur vjetësh më tërhoqi nga bota e artit në baltën e politikës shqiptare duke më ngulur në kokë një fjali gozhdë, "Kur do të ktheheni në Shqipëri ju djemtë e nënës (?), kur ne djemtë e njerkës ta kemi pastruar të tërë baltën?"! Edi Rama Post Scriptum. Po për ty a uroj gjë o Mik i Humbur? Uroj të kujtohesh sadopak për ato letrat e mia të hapura drejtuar Presidentit të Shqipërisë, përmes të cilave, siç më ke thënë, edhe u miqësove me mua në distancën e mosnjohjes personale kur ishe në Burgun e Bënçës! U hodha mbrëmë një sy. Ishin zverdhur krejt, por brenda mbanin ende ato të vërteta, të thëna jo vetëm prej meje natyrisht, që po të mos kishin rënë në vesh të shurdhër, disa gjëra fort të rënda edhe mund të mos kishin ndodhur në historinë tonë të përbashkët. Me një shpresë atrofike se ti nuk do të bësh gabimin e tij dhe nuk do të jesh krejt i shurdhër ndaj tërë këtyre fjalëve të rreshtuara, gjithësesi, me kujdesin e njeriut tënd që, në fund të fundit, "mishin ta ha po kockën ta ruan", i lutem megjithë zemër Zotit të të mbrojë nga armiku yt i pamëshirshëm: Vetvetja! -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |