| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] NANO - Akuza te ashpra ndaj qeverise - ZPAgron Alibali aalibali at yahoo.comWed Nov 14 20:50:26 EST 2001
Nano: akuzat t'i hetojë prokuroria Tirane - Lideri socialist Fatos Nano doli dje para medias duke iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të gazetarëve. Nano iu përgjigj pyetjeve për një mbledhje të mundshme të KPD, veprimit të mëtejshëm për akuzat e ngritura si dhe zgjidhjet sipas tij të krizës institucionale në vend. Sot Nano do të flasë para sekretarëve organizativë të PS në rrethe. Po mblidhen firma për mbledhjen e KPD. Komenti juaj? Normalisht ne jemi në një proces të programuar analizash, ku nuk mund të mos marrin pjesë kryesia dhe KPD. Dhe nëse ka ndonjë ethe, që të mbledhë firma për të përfshirë jonormalisht ose në mënyrë të dhunshme kryesinë apo KPD në këtë proces, kjo do të thotë që konsultimi i kryetarit me strukturat e bazës po jep efektin e duhur. Efekt të cilit unë nuk mund ti shmangem edhe në qendër, për të kuptuar të gjithë, që përgjegjësitë janë të përbashkëta dhe nuk mund të coptohen me kollovarë si Ruçi sot apo me lakrorë, që çuditërisht shfaqen në specialistë të transporteve, dje. Pra, jam në detyrë edhe përballë firmave dhe mbledhjeve të forumeve qëndrore. Në rast se mblidhet KPD, a mund të projektohet mbledhja e kongresit të jashtëzakonshëm për tju përjashtuar. Pra i trembeni një kongresi që mund të mbahet në fillim të verës së vitit të ardhshëm? Normalisht trembja apo emocionet mediative nuk më karakterizojnë. Nga ana tjetër këto çështje nuk është se përballohen as me gërdufje të tipit të konferencës së djeshme të kryeministrit. Nëse tashmë ballafaqimet po bëhen në media për moshën apo pjekurinë e argumenteve 5 apo 55 vjeç, më duhet të kuptojmë që forume si Kongresi janë të dobishme për të përcaktuar hierarkinë e gjërave, nëse arsyetimet e Kryetarit, që janë koherente në 10 vjet histori moderne të PSSH, konsiderohen të një 5 vjeçari, i bie që kryeministri Meta ose Ilir Meta si individ të mos ketë lindur akoma. Për këtë pasojë duhet të kuptojmë që zgjedhësit statutorë, që janë përfaqësuesit e partisë në shkallë vendi, janë të vetmit që mund të vendosin hierarkinë dhe disiplinën e arsyetimeve politike të një partie në pushtet. Nëqoftëse jeni njohur me projektbuxhetin e vitit 2002, mendoni se është i përshtatshëm? Eshtë shpejt për të artikuluar një vlerësim substancial për projektligjin që paska kaluar Qeveria për buxhetin e vitit të ardhshëm. Sepse mua si kryetar i partisë dhe maxhorancës më duhet të aktivizoj dhe të pres vlerësimet e munguara në vëmendjen e qeverisë - të komisioneve të specializuara, të institucioneve përfaqësuese të partisë kryesore të maxhorancës - për këtë program zhvillimi ekonomik dhe financiar afatmesëm dhe vlerësimet e ekspertëve të legjislativit në komisionet e ndryshme, për saktësinë e objektivave dhe të zgjidhjeve, që përmban ky dokument themelor i ushtrimit qeverisës për vitin që vjen. Meqënëse në dosjet e mija të punës ka tashmë vlerësime të sakta të prioriteteve që përmbajnë programet rajonale dhe kombëtare të zhvillimit, të identifikuara në procesin elektoral dhe qeverisës të këtij viti, me firmën e një numri përfaqësuesish ligjorë të zgjedhur të njësive administrative të Republikës së Shqipërisë, që përfshihen në ushtrimin buxhetor, atëherë ky është një ballafaqim i domosdoshëm, që ka kohën për tu realizuar, në rrugë politike dhe institucionale, për të arritur në vlerësimin, nëse projektbuxheti i kaluar nga qeveria është ai që duhet apo do ti nënshtrohet shqyrtimit të mëtejshëm, në marrëdhënjet midis legjislativit, partisë dhe qeverisë Meta. Në rast se nuk i plotëson kushtet, do ti bëni oponencë projektligjit për buxhetin e vitit 2002? Nuk bëhet fjalë për replika në këtë fushë. Bëhet fjalë për një debat profesional që do të vlerësojë përputhjen e prioriteteve tona politiko-qeverisëse me skemat që kanë ardhur nga ministria e Angjelit. Ka patur përgënjeshtrime për akuzat e hedhura nga ju në drejtim të qeverisë. I qëndroni këtyre akuzave dhe a do ti shkoni deri në fund, pra deri në Prokurori? Unë nuk po dëgjoj asnjë vlerësim simetrik të vërtetësisë ose jo të abuzimeve që kam denoncuar politikisht në publik. Nëqoftë se do të quhet i tillë shpjegimi që dha Zv.Ministri i Finos, unë gjeta argumenta të mëtejshme për vërtetësinë e abuzimit. Fjala "turizëm" apo "Republikë bananesh", ishte edhe në denoncim, edhe në shpjegim. Dhe, unë vazhdoj të jem i vendosur për të mos lejuar që vendimarrja ekzekutive të konsiderojë firma apo grupe ekskluzivisht fituese - në akordimin e prioriteteve të zhvillimit afatgjatë që ka vendi - ato që mbajnë emra apo mbiemra pushtetarësh apo familjarësh të tyre. Për pasojë, tani është koha për të kaluar nga këto replika emocionale që vërtetojnë prekje interesash nga ana e përfaqësuesve të pushtetarëve të denoncuar, në një argumentim dhe ballafaqim ligjor të realiteteve, të cilat kërkojnë medoemos përfshirjen e Prokurorisë në proces. Cila do të jetë rruga e zgjidhjes në këtë konflikt, ndarja e PS-së apo rrëzimi i njërës palë? Nuk besoj se ka skema kaq mekanike apo bardh e zi në zgjidhjen e problemit. Në fund të fundit, ky është një debat apo një ballafaqim midis dy moraleve dhe dy qëndrimeve në administrimin e pushtetit, që nuk shfaqen për herë të parë, sepse kanë karakterizuar pothuajse të gjithë tranzicionin dhjetëvjecar postkomunist. Unë kam thënë dhe e theksoj sërish që, nuk na lejohet të përsërisim gabimet e regjimit të Berishës, në administrimin e pushtetit prej mazhorancës aktuale të rikonfirmuar. Si rrjedhim, duke qënë një luftë parimore midis kulturës evropiane të qeverisjes dhe kulturës apo antikulturës provinciale ballkanase apo joqytetare, shkurt, midis të gdhendurish dhe të pagdhendurish, besoj se zgjidhjet do të jenë edhe politike, edhe ligjore, për të pastruar përfundimisht terrenin shqiptar nga lobe politike, që monopolizojnë pushtetin për abuzime private. Z.Nano! I përmbaheni deklarimit se jeni kandidatura kryesore e mazhorancës për postin e Presidentit? Ju ftoj të mirëkuptoni që, marrëzia aktuale e qeveritarëve të mazhorancës, ku përfshihet edhe tendenca për të uzurpuar, dominuar me forcën e parave apo të pushtetit edhe forumet vendimarrëse politike të mazhorancës, nuk mund të frenohet pa një riekuilibrim pushtetesh sipas ligjit dhe Kushtetutës. Kjo nuk përjashton as raporte të reja funksionale midis legjislativit dhe ekzekutivit dhe Presidencës, që do të krijonin hapësira të reja -pra, të tjera nga ato që ekzistojnë - midis këtyre institucioneve qëndrore dhe institucioneve të tjera të pavarura, sic janë shërbimet e specializuara dhe veçanerisht sistemi i i drejtësisë. Pra, po ritheksoj që kjo klimë bllokimi dhe atrofizimi e veprimtarisë legale ligjore dhe në dobi të progresit, midis partisë së mazhorancës dhe ekzekutivit të mazhorancës, tenton të shtrihet edhe në marrëdhëniet midis institucioneve shtetërore për shkak të të njëjtit grup ekzekutorësh, pra, anëtarësh të ekzekutivit, që duan ta atrofizojnë demokracinë dhe kuadrin e Kushetutës shqiptare. Dhe vetëm mbi këtë bazë unë kam afirmuar dhe riafirmoj se, zgjidhja më e logjikshme politikisht dhe në fuknsion të krijimit të pushteteve ligjore dhe kushtetuese që frenojnë marrëzinë e abuzimit aktual është që, kryetari i mazhorancës, të kandidojë natyrshëm për tu zgjedhur në funksionin e Presidentit të Republikës, i cili, sipas Kushtetutës, ka detyra të rëndësishme, ekuilibruese, koordinuese dhe bllokuese të abuzimit me një pushtet në dëm të të tjerëve dhe me grupe interesash private në dëm të interesave kombëtare. Në disa takime në bazën e PSSH keni kërkuar dorëheqjen e disa ministrave. Mendoni se është zgjidhja më e përshtatshme për momentin për të mos rrezikuar pushtetin? Unë sapo e thashë që është një pjesë e zgjidhjes, pra riformatimi i ekzekutivit, largimi i ministrave tashmë dukshëm deçiziv në vendimmarrjen abuzive dhe zëvendësimi i tyre me njerëz të përgjegjshëm, përfaqësues të mazhorancës socialiste gjithashtu, që do të ndalonin këtë proces negativ dhe do të riekuilibronin situatën. Por mbetet vetëm një pjesë e zgjidhjes, sepse nëse kryeministri Meta vazhdon të këmbëngulë publikisht, që është një me Angjelin apo me angjelët, atëherë problemi është më i madh se kaq. Sepse publiku dhe mazhoranca është shumë e interesuar të kuptojë se, në çaspekte jetike mesa duket, Meta është peng dhe objekt i shantazhit të angjelëve. Zoti Nano, si e shpjegoni juve faktin që ka mosangazhim nga anëtarët e kryesisë dhe KPD të PSSH në këto analiza? Eshtë një fenomen jo i panjohur dhe shqetësues. Një pjesë e tyre janë anëtarë të ekzekutivit dhe po angazhohen në mënyrë private në mbrojtje të linjës aktuale të ekzekutivit. Pra si ministri Lakrori sot. Një pjesë tjetër janë tradicionalisht në mbështetje të çfarëdo ekzekutivi dhe qëndrimit të ekzekutivit, pa kuptuar as rrugën në të cilën duhet të ecin reformat europianizuese të vendit dhe as koston e abuzimeve propagandistike me realitetin. E kam fjalën për zotin Ruçi, që para se të bëjë qesëndi provinciale me moralin tim prej dhëndri ose jo, duhet të kuptojë që ka 10 vjet që ngelet kollovar në Partinë Socialiste, në modernizimin e saj si forcë e Internacionales në Tiranën kryeqytetase, ku socialistët zgjidhen për të qeverisur për herë të dytë dhe në vendimmarrjen që unë kam drejtuar për të reformuar partinë prej 10 vjetësh. Ngelet i huaj dhe kollovarët përfillen vetëm për protokoll mikpritjeje dhe jo për ecuri reale drejt transformimit të familjes tradicionale, në një familje evropiane. Nga kjo pikpamje secili duhet të mbajë kryqin e vet dhe peshën e përgjegjësive përballë angazhimit politiko-qeverisës, përfshirë edhe anëtarët e kryesisë që nuk po angazhohen. Këto takime i keni zhvilluar në kuadrin e konsultimeve si kryetar i partisë apo janë fryt edhe i konkluzioneve dhe i qëndrimeve të kryesisë së partisë? Jemi në një proces ku po punohen konkluzionet e administrimit të pushtetit dhe të kredibilitetit tonë politik 12-mujor, nga zgjedhjet vendore në zgjedhjet e fundit dhe në fillimin e mandatit. Të cilat do të sintetizohen dhe shfaqen si konkluzione për përmirësim në aktivet e 37 rretheve dhe në aktivin kombëtar të fundvitit, duke përfshirë natyrshëm, me një program veprimesh që krahas vendosjes së normalitetit në marrëdhëniet midis partisë dhe strukturave të saj përfaqësuese në pushtet, do të kërkojë edhe ndryshime të përfaqësimit dhe ndryshime të rregullave të bashkëveprimit të këtyre dy niveleve, si garanci për stabilitet në të ardhmen e kësaj legjislature. Nëse ju kandidoni si president, keni menduar se cili do të jetë drejtuesi i Partisë Socialiste pasi në Pezë keni deklaruar se ende nuk është gjetur një njeri që ta bëjë punën si ju në PS? Më ndihmoni të ritheksoj thelbin e filozofisë sime politike dhe qeverisëse, meqë jemi në mazhorancë, atë të drejtimit me ekipe -me ekipe lidershipi politik dhe ekzekutiv apo pushtet administrues - kolegjiale, që funksionojnë me kontribute dhe përgjegjësi plotësuese me njëri-tjetrin, me atribute hierarkike, por jo ekskluzive. Dhe nga kjo pikëpamje unë jam krejt i qetë për ekzistencën dhe mundësinë reale të aktivizimit të të gjithë potencialeve që ka mazhoranca aktuale - pra PSSH si drejtuese e saj - për të krijuar një situatë tjetër në funksionimin e ekipeve të lidershipit politik të partisë, në harmoni me përfaqësuesit më të mirë të saj në drejtimin e institucioneve më të rëndësishme të vendit. Pra, kandidimi dhe suksesi i mazhorancës në zgjedhjen e kryetarit të saj në krye të shtetit, e bën skemën po kaq të hapur mikpritëse, në shërbim pozitiv si të partisë kryesore të mazhorancës, me dyert të hapura ndaj saj, ashtu dhe të partisë apo të partive kryesore të opozitës. Pra enë komunikuese që funksionon në bazë të parimeve tona të gjithëpërfshirëse dhe të integrimit të kontributeve të ndryshme politike, në një strategji kombëtare të integrimit euroatlantik. Kryeministri Meta dje u shpreh se ju nuk keni kërkuar në mbledhjen e kryesisë për heqjen e ministrave Angjeli, Fino dhe Muçi. Këto fakte që ju i denonconi sot janë fakte vetëm të kësaj qeverisje 2-mujore apo janë edhe një eksperiencë e mëparshme edhe të qeverisjen "Meta1"? Këto janë bllofe të zyrës së kryeministrit dhe jo të qeverisë së mazhorancës. Dhe më ndihmoni të ritheksoj se unë nuk arsyetoj me emocionin 2-mujor apo 5-vjeçar, por me një barrë përvoje që nuk është e imja, por është sinteza e drejtimit e një force politike drejt së majtës që qeveris Evropën prej 10 vjetësh. Përgatiti: J.Marena --------------------------------- Do You Yahoo!? Find the one for you at Yahoo! Personals. -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |