Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Kadare - RD 12.11.2001

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Mon Nov 12 21:24:49 EST 2001


Ta kundërshtosh të keqen, jo vetëm me jetën, por dhe me vdekjen, e mbi të gjitha me dashurinë

- tri romane të shkurtër nga Ismail Kadare-

Në paraditen e fundit të Panairit të Librit "Tiranë 2001" vizitorët e shumtë panë vetë Ismail Kadarenë, qe pranë stendës së Shtëpisë botuese "Onufri" firmoste për lexuesit e shumtë librin e tij më të ri me tri romane të shkurtër "Përballë pasqyrës së një gruaje". Rradha e njerëzve për të mbërritur te Shkrimtari i Madh qe e gjatë dhe vazhdimisht shtohej, prandaj dhe kamerat e televizioneve xhironin me mundim pas kokave dhe supeve të turmës më të bukur, që të vinte aq mirë ta shihje, ashtu si në Paris e Romë a Nju Jork.

Ishin një ngushëllim dhe kurajo vetë libri i këtij panairi, shkrimtari dhe të pranishmit.

Vepra "Përballë pasqyrës së një gruaje" përmbledh tri romane të shkurtër, "Kalorësi me skifter", ngjarjet e të cilit kapërcejnë luftën dhe pasluftën, por më shumë se sa kohërat, autorin duket se e tërheq këtu më shumë mundësia e krimit të pakohë dhe kryerja e tij, në koshiencë dhe pastaj në jetë, i paralajmëruar nga arti si një e keqe e ndjellur, si një qortim dhe apel parandalues.

Në romanin e dytë "Historia e shkrimtarëve shqiptarë përballë pasqyrës së një gruaje" me kontraste të forta dhe me dritëhije deri dhe rembrandiane, ku grotesku i shëmtuar i shkrimtarëve tanë të realizmit socialist sfidohet nga tragjedizmi i pazakontë, nga vetvrasja në internim e një gruaje (së bashku me të ëmën), e cila bënte punën e hershme, por ilegale të prostitutës. Ndërkohë më prostitutë se ajo është vetë koha dhe morali i saj.

Ndërsa romani i tretë "Ikja e shtërgut", i njohur nga lexuesi dhe më parë si një botim i veçantë me dy motërzimet e veta, risjell poetin parnasian Lasgushin tonë me një tjetër bukuri, me atë të një dashurie të vonë, të beftë si një trandje dhe si kundërshti ndaj mërzisë gjenerale të sistemit duke shkaktuar dhe ndjenja triumfi përkundruall një tirani të pashpirt dhe pa fantazi.

Të tri këto romane, që natyrisht lexohen dhe veç e veç, duke i përjetuar nëpërmjet emocioneve tejet të forta e të papërsëritshme, me mesazhe sa tronditëse dhe të larta, edhe ashtu së bashku të japin ndjesinë e një trinie të përkryer, gati si vazhdime të rëndësishme të njëra-tjetrës, gjithë ndërkallje sugjestionuese e befasira mahnitëse ashtu siç është e tërë vepra kadarejane, një korpus i ngjashme me një vargmal të dytë shtuar atdheut.

Vepra "Përballë pasqyrës së një gruaje", natyrisht ka atë stil dhe frazë që për një gjysmë shekulli mrekullon lexuesin, jo vetëm bashkëkombas, por edhe atë të pesë kontinenteve, përfton imazhin dhe forcën, ritmin dhe elegancën, përzishmërinë dhe solemnitetin e artit më të madh që bëhet në botë, ngjyrën e veçantë, të gjetur dhe të ndërrueshme, humorin, ironinë, portretin, më shumë të brendshmin që rrjedh natyrshëm nëpër dialogjet, ku bëmat ngërthejnë fantazinë e gjeniut, gjithmonë si një marramendsh i bukur.

Ndryshe nga të tjerët, Kadareja e kundërshton të keqen asgjesueshëm, të paktën moralisht, me artin, jo vetëm si arritje kulmore e veprave të tij, si formë e tyre, por dhe si përmbajtje madhore, si çështje e estetikës dhe e vetë etikës njerëzore. Pra në romanin e parë të këtij triptikut, te "Kalorësi..." një vepër arti, një pikturë mbart rol parësor e mistik në ngjarjet, kurse te "...Lidhja e shkrimtarve shqiptarë..." vdekja kundërshton një epokë të padrejtë duke ndërhyrë si zgjidhje, meqënëse jeta është paralizuar. Te "Ikja e shtërgut" dashuria me magjina e saj, pa përfillur sistemet dhe tiraninë, as dramën e moshës, të vërtetën, ndërhyn jo vetëm si një qortim sublim, por dhe si alternativa e vetme, si zgjidhje përfundimtare, e drejtë dhe e mënçur e jetës.

Kështu libri më i ri i Ismail Kadaresë vjen për lexuesin si një tjetër pasuri artistike, me vezullime të qëndrueshme.

Visar Zhiti

 

 

 

Ismail Kadare

 

Kalorësi me Skifter

 

11

Bardh Beltoja u kthye në gjuetinën e Lezhës katër muaj më pas. Nuk shoqëronte më kurrfarë dërgate. Kishte ardhur thjesht për gjah, bashkë me dy oficerë të Ministrisë së Brendshme, që i kishte njohur rastësisht në klubin e gjuetarëve të kryeqytetit. I kishin thënë se mund ta merrnin me vete për të gjuajtur rosa, në një vend që ishte i ndaluar për të tjerët. Kur kishte marrë vesh se ku po shkonin, Bardhi i kushte buzëqeshur: kam qenë një herë në atë gjuetinë. Por nuk kishte treguar përse dhe as ata nuk e kishin pyetur.

Ishte dhjetor. Qielli ishte i mbyllur, i shurdhër. Edhe biseda në makinë ashtu bëhej, me ca ndërprerje midis, si humnera.

Gjuetina ishte e zbrazët. Mbrëmja dukej si e rënë para kohe, kështu që nuk e patën të vështirë të flinin herët për t’u ngritur në tre pas mesnate. U kthyen ndaj të gdhirë. Dy prej tyre tërhiqnin rrëshqanthi të tretin, të vdekur ndërkaq. Përgjegjësi i gjuetinës vështronte me sy të shqyer pllangat e baltës, përmes së cilëve gjaku mezi dallohej.

Ata kërkuan një telefon dhe ashtu me fjalë të përgjysmuara lajmëruan për vrasjen aksidentale të njeriut.

Hetuesit mbërritën po atë ditë nga Tirana, bashkë me një mjek legjist e një fotograf. I pyetën për një kohë të gjatë dy oficerët, pastaj morën me vete nëpër kënetë për të rindërtuar ngjarjen. U kthyen të gjithë të ndragur me baltë, bënë matje e fotografi të tjera dhe disa herë u përpoqën të flisnin në telefon me kryeqytetin. Të gjithë linjat ishin zënë. Flitej se kishte ndryshim në vijën politike.

Pa u ngrysuar mirë, ikën të gjithë, duke marrë me vete edhe kufomën. Përgjegjësi i bujtinës i ndiqte me sy të të mpirë tek hipnin në makina.

U kthye në shtëpinë e vet që ishte fare pranë gjuetinës. E shoqja e priste gjithë frikë. Do të ketë hetime të tjera? Do të ketë ndoshta kontroll... si atëherë?

Një copë herë ai e vështroi ngultazi, si të mos kuptonte asgjë.

O, jo tha me zë të humbur. E ndiente se sa herë binte fjala për kësi gjërash, ajo frikësohej për një pasqyrëz gruaje, të vetmin send, që kishin mundur të merrnin tre vjet më parë, kur gjuetina ishte plaçkitur.

Jo, përshpëriti ai. S’besoj se do të ketë tjetër hetim... Madje dhe ai që bëhet sot... se si m’u duk... ashtu si atëherë... si theatër...

 

12

Më shumë se gjysëm, shekulli më pas, në dhjetor të vitit 1999, Bruno Mohr, arkitekt si i ati, me një sëmundje të ngjashme në shpretkë, zbriti në aeroportin e Tiranës me një avion të Al-Italia-s. Me t’u vendosur në hotel, kërkoi të dhëna për mënyrën e udhëtimit gjer në gjuetinën e Lezhës dhe të zënies së një dhome në të. Ia dhanë ato që kërkonte: largësinë e Lezhës, çmimet, kushtet e tjera. Në këtë muaj bënte ftohtë. Pajisjet e gjuetisë, nëse shkonte për gjueti, do t’i gjente atje. Pagesat mund t’i bënte me lekë ose në dollarë. Për arsye sigurimi ishte e këshillueshme që rruga të bëhej me taksi.

Mbërriti të nesërmen. Pasi la çantën në dhomë, doli të shikonte mjediset. Ndriçimi i pasdites dimërore thithej gjithkund nga muret prej druri. Ai picërronte sytë, si njeriu që prapa pamjes që ka përpara përpiqet të kapi diçka tjetër.

Kam projektuar shumë ngrehina, por ajo është e vetmja, me të cilën qenia ime pati një përkitje misterioze, i kishte thënë i ati pak ditë para vdekjes. Rrallëherë kjo u ndodhte arkitektëve.......

 

 

 

Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve shqiptarë, përballë pasqyrës së një gruaje

 

8

Ajo javë ishte e papërfytyrueshme. Asnjëherë në Lidhjen e Shkrimtarëve e të Artistëve nuk kishin pasur aq shumë hyrje e dalje.

Që nga dritarja e zyrës sonë dukeshin çadrat e lagura, të shkalafitura nga era.

Kryetari i Lidhjes bashkë me sekretarin e Partisë i prisnin të gjithë për të dërgjuar se në ç’vend mendonin të kryenin qarkullimin. Ishin të bindur se pavarësisht nga zotimi i njëzëshëm për qarkullim, vetëm një pjesë do të iknin nga kryeqyteti. Të tjerëve do t’u thuhej: ju lumtë për gatishmërinë, por kemi nevojë për ju, këtu në Tiranë.

Në zyrën e kryetarit, pasi, pasi tregonin katundin ose qytetthin ku ishin gati të shkonin për të njohur jetën, njerëzit rrëfenin hallet e tyre, ato që i pengonin tani për tani të iknin nga shtëpitë, me shpresën që Partia, me zemërgjerësinë e saj do t’i kuptonte.

Hallet e të fshehtat që ndynin shtëpitë e shkrimtarëve e të artistëve ishin nga më befasuesit. Ngjante e pabesueshme që vepra aq të shëndetshme e plot diell pranvere, që përbënin krenarinë e realizimit socialist shqiptar, ishin krijuar nga njerëz me aq shumë sëmundje e cene trupure. Prostati, majasëlli, dhjamthi, shurrimi në shtrat, dukeshin sëmundje të nderuara në krahasim me ca lëngata të tjera, ca puçra e pezmatime zorrësh e lloje zgjebjeje të papara qysh nga koha e mbretërisë.

Zakonisht ata që vinin një herë kërkonin të dëgjoheshin përsëri. Hera e dytë ishte ajo kur rrëfenin edhe zezonat më të mëdha, ato që "për shkak të sedrës së mallkuar mikroborgjeze" i kishin fshehur në takimin e parë. Kishte nga ata që zbërthenin pantallonat për të treguar pllanga të frikshme ekzeme, herdhe që vareshin sindozot, e të tjera lemeri. Njëri e niste rrëfimin me hallin e gruas që nuk i pillte, për t’u zhgrehur pastaj në vaj e për të thënë se e tradhtonte me fqinjin, tjetri rrihej nga djali e një i tretë sillte vërtetimin se ishte i metë nga mendja.

 

* * *

 

12

 

Dy ditë përpara Vitit të Ri u ktheve në Tiranë.

Qyteti m’u duk i huaj, i vëngër. Dola nëpër ca rrugë anësore me shpresë se mos takoja ndonjë të njohur, por nuk gjeta kurrkënd. Me siguri të gjithë fshihehsin.

Nga një zyrë poste, ku nuk kisha hyrë kurrë, i telefonova shokut të zyrës, me shpresë, se ndoshta ishte kthyer edhe ai për të kaluar Vitin e Ri në familje. Njoha zërin e nënës, që në krye më tha se nuk ishte aty, pastaj, kur e mori vesh kush isha, ma dha.

Pas pak ishin të dy në rrugë, të mbëshjellë me palltot e gjatë si dy humbameno, duke tështirë e duke thithur hundët. Me zërin e ngjirur nga rrufa këmbyem të rejat e fundit, kryesisht ato që kishin lidhje me qarkullimin. Asnjë shenjë zbutjeje, tha shoku im, përkundrazi.

Ndëndësa ndizja një cigare të dytë, ai më pyeti:

-E more vesh për Margaritën?

-Jo, i thashë. – Çfarë?

Kishim kohë që nuk e kishim zënë n’gojë dhe zemra më ndolli për keq.

-I hoqën edhe ato, nën e bijë, - vazhdoi ai.

Pyetjet: po pse, për ç’arsye, nuk pata kohë t’ia them, ngaqë ai u përgjigj vetë. Po hiqnin nga Tirana njerëzit që quheshin me vese: prostitutat, kumarxhinjtë, homoseksualët.

Aha, ia bëra me vete.

-Po s’është vetëm kjo, - vazhdoi. –Puna e tyre përfundoi në tragjedi.

-Tragjedi? – pyeta. –Tragjedi e kujt? Fol më qartë.

-Margarita me të ëmën, - tha ai. –Kanë vrarë veten të dyja.

Më mbeti fryma. Nuk isha në gjendje të thosha asgjë. Pa pritur ta pyesja ai më tregoi vetë, me një lodhje në zë, atë që kishte ndodhur.

I kishin hipur të dyja në një katund të humbur të Lushnjes. Atje, pasi u kishin thënë se këtej e tutje duhej të riedukohehsin, duke punuar në kooperativë, u kishin dhënë edhe banesën: një barakë të vogël.

Ato nuk kishin thënë asgjë. Kishin rregulluar plaçkat në barakë, pastaj po atë mbasdite kishin shkuar gjer te shitorja e kooperativës për të blerë ca gjëra. Atje, me sa dukej, kishin blerë midis të tjerash litarin dhe sapunin.

Në mbrëmje, si kishin ngrënë darkë dhe kishin pirë një kafe, ishin varuar njëra pas tjetrës qetësisht. Kishte gjasë që Margarita e kishte ndihmuar së pari nënën, pastaj ishte varur edhe vetë.

Ndërsa ai tregonte, unë përpiqesha të njehsoja ditën e të gjeja kohën e vetvrasjes. Si në një makth, truri s’më bindej. Isha i bindur se kishte qenë ajo nata e dehashpirtit tim. Sidoqoftë kishte qenë po ajo hënë e plotë, e cila Shqipërinë e ngushtë e kishte ndriçuar atë natë tejpërtej nga Perëndimi në Lindje.

Qafat e ligura të shkrimtarëve, me krevatat që u rrinin lirshëm, atë ditën e mbledhjes së fundit, më erdhën në kujtesë bashkë me mendimin se asnjë nga shkrimtarët nuk e kishte vrarë veten.

Një grua e kishte bërë për ne të gjithë.

Nga nyjet e kravatave tona te qafa e saj e mermertë kalonte filli misterioz, ai që në përfytyrimin tim bëri të mundshëm më pas skajimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Arstistëve të Shqipërisë përballë gruas, siç gjendet trupi përpara një pasqyre.

Si të mos e duronte sot atë përballim, pak kohë më pas Lidhja u shpërngul në Rrugën e Kavajës, aty ku ndodhet edhe sot.

 

 

Ikja e shtergut

 

12

 

Mbrëmja më zuri kështu, ndërsa përpiqesha të gjeja një rrugë të përshtatshme për t’u pagëzuar me emrin e tij dhe natyrisht të Ana G.

Që larg, në atë pjesë të qytetit ku qenë vilat e Udhëheqësit rrezëtinin dritëzat. Kurse kulla e poetit ndodhej në drejtimin tjetër. Kishte vite që pushonin të dy në një qytet, por nuk ishin takuar kurrë. Në vilat e të parit vinin të ftuar shpesh, gjithfarë zyrtarësh e veprimtarësh të ndryshëm, veteranë, plaka, "artistë të meritur", veç ai, krenaria e poezisë shqipe, nuk kishte marrë ftesë kurrë.

Në ndonjërën prej darkave, dikush prej të ftuarve, për ta zbavitur Udhëheqësin, do të kishte përmendur ndoshta marrëzinë e fundit të poetit. Dhe tjetri do të kishte qeshur me të madhe: ha, ha, ha, gjersa e qeshura, për habinë e të gjithëve, do të zëvendësohej në sytë e tij nga një hije e zezë. Kishte kujtuar se duke e veçuar krejt, e kishte ndaluar të jetonte, kurse paskësh ndodhur e kundërta. Në një çast tjetër do të gërmushej: ç’është kjo Ana G., ç’bënin shokët e sigurimit atje në veri, ku ishin dosjet, hetimet, kontrollet në rrugë, por me sa dukej, tani ishte vonë për të gjitha. Qysh tani, ende pa ardhur ajo vetë, ndihej pesha e vdekjes. Vetëm ajo, me sa dukej, ashtu si nata yjet, mund ta nxirrte nga terri. Dashuria e fundit e poetit, kjo lule e mortjes, ishte bërë e mundur nga që mbrohej prej saj...

Askush prej darkëtarëve s’mund ta kuptonte brengën e Udhëheqësit. I dukej se të gjallë e kishte pasur nën kontroll poetin, kurse i vdekur ai do t’i shpëtonte. Po pikërisht vdekja s’ia pengonte dot...

Bud poljegçe s poetom, sudar. Po në qoftë se sunduesit i thuhej: ji m’i butë me poetin, sundues! Ç’do t’i thuhej vallë poetit kur të vinte ora e gjykimit të tij? Ji m’i butë me sunduesin, poet?! Ha, ha, ha.

Vizitat e sunduesit H. në kullën time... Përderisa kjo nuk qe shkruar e s’do të shkruahej kurrë, do të thoshte se tjetri ishte i humbur.

Nuk i hiqja dot sytë nga ajo rregëtimë e largët dritëzash. Më kishin treguar se pikërisht në ato ditë, ndërsa në Tiranë vazhdonte gjyqi kundër pjesëmarrësve të familjes së shemrit të tij të përmbysur, në mbrëmje i sillnin videokasetat ku qe regjistruar gjithçka, dhe ai, bashkë me gruan, fëmijët, dhëndurët dhe nuset, qeshnin e talleshin tek i shihnin të lidhur me pranga, të rrënuar në baltë, kokëqethur, ata me të cilët pak kohë më parë i kalonin pushimet së bashku.



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Find the one for you at Yahoo! Personals.
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list