Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Per bankat ne Shqiperi

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Tue May 1 23:56:19 EDT 2001


SHEKULLI

BSH hap një debat të lënë pas dore. Pronësia e huaj në sistemin bankar rezulton pothuajse e dëmshme për Shqipërinë

Shqipëria mbytet nga bankat e huaja

Shqipëria nuk ka asnjë bankë private vendase. Të huajt zotërojnë 87.4 % të sistemit bankar. Fitimi neto i këtyre bankave largohet nga Shqipëria. Nuk është bërë asnjë debat real mbi të mirat dhe të këqijat e privatizimit total të bankave shtetërore. Ekonomisti Dhori Kule kërkoi dy ditë më parë ruajtjen e pronësisë shtetërore në Bankën e Kursimeve, por sakaq procesi i privatizimit ka filluar

Bankat e huaja mund të interesohen për ekonominë e vendit nga vijnë më shumë se për ekonominë e vendit ku veprojnë. Ato mund të nxisin eksportet e vendeve të tyre dhe të mbështesin firmat bashkëpatriote. Depozitat e mbledhura në Shqipëri mund të kreditojnë biznese në vendet e tjera. Të gjitha këto fenomene të konsideruara "negative" janë vënë re në ekonominë shqiptare. Nuk ka asnjë projekt serioz për të zgjidhur këto probleme

Gjergj Erebara
Është mirë apo keq të kemi një sistem financiar tërësisht të privatizuar dhe rrjedhimisht të konstrolluar në masë të gjerë nga të huajt? Debati mbi privatizimin e Bankës së Kursimeve nuk u zhvillua thuajse fare në Shqipëri, ndërkohë që këto lloj debatesh kanë qenë të pranishme në shkallë të gjerë në të gjithë Evropën Lindore. Banka e Shqipërisë publikoi së fundmi një material diskutimi mbi efektet pozitive dhe negative të hapjes së plotë të ekonomisë ndaj financave të huaja. "Përqendrimi i kapitalit të huaj nga një apo dy vende krijon rrezikun e ekspozimit të ekonomisë shqiptare ndaj ecurisë së ekonomive të këtyre vendeve",- thuhet në hyrje të raportit. Edhe më parë BSH ka studiuar arsyet se pse asnjë biznesmen apo grup biznesmenësh shqiptarë nuk janë angazhuar për hapjen e një banke private të zotëruar nga kapitali vendas. Rezultati është se biznesi në Shqipëri nuk është zhvilluar deri në atë masë sa të hapë banka. Rrjedhimisht në Shqipëri është shfaqur dominimi gjithnjë e më i madh i sistemit bankar nga bankat e huaja. Në fund të vitit të kaluar pjesa e pronësisë shtetërore në sistemin bankar u ul në 12.6 për qind, kundrejt 37.3 për qind që ishte një vit më parë. Pjesa e kapitalit të huaj u rrit nga 62.7 për qind në 87.4 për qind. Në Rumani u kundërshtua publikisht kërkesa e FMN-së për privatizim total të sistemit bankar. Në Kroaci blerja e bankave më të rëndësishme të vendit nga bankat italiane i hapi rrugë një debati mbi mundësinë e ekzistencës së oligopolit italian në sistemin bankar të këtij vendi. Në Shqipëri ekzistojnë aktualisht 13 banka dhe vendet fqinje, Italia dhe Greqia, përfaqësohen me 1 dhe katër banka nën kontrollin dhe pronësinë e tyre. Në Maqedoni, falë një politike protektoriste, 54.2 për qind të kapitalit të sistemit bankar zotërohen nga privatë vendas. Nga të gjitha vendet e përfshira në studimin e Bankës së Shqipërisë, vendi ynë zë vendin e parë për nivelin më të ulët të pronësisë vendase (shtetërore) në sistemin bankar, ndërsa pronësia private shqiptare vazhdon të jetë zero. Duke qenë se Shqipëria është vendi ku prania e kapitalit të huaj në sistemin bankar është më i madh, atëhere Banka e Shqipërisë paraqet disa hipoteza: Shqipëria mund të jetë relativisht vendi më i pëlqyer për investime të huaja në këtë pikë; relativisht "më dashamirës" në lejimin e kapitalit të huaj. Dominimi i sistemit bankar të Shqipëri nga të huajt vjen si pasojë e licencimit të bankave të huaja dhe shitjes së bankës së dytë më të madhe.
Në Slloveni, si pasojë e politikës shtetërore të ndjekur, kapitali i huaj në sistemin bankar është shumë i kufizuar, vetëm 11.3 për qind. Grupe biznesmenësh vendas u grumbulluan, ndoshta me ndihmën e vetë qeverisë, dhe krijuan banka apo blenë aksione të bankave shtetërore. Nga institucionet zyrtare në vendin tonë është vetëm Banka e Shqipërisë që ka kryer studime dhe ka parashtryar nevojën për nxitjen e krijimit të një banke private shqiptare. Biznesi nga ana e tij ka kërkuar që të tilla bashkëpunime të mos kryhen vetëm në sistemin bankar, por në të gjitha fushat e ekonomisë. Një grupim prej 11 biznesmenësh arritën të privatizonin një ndërmarrje të rëndësishme (Birra Tirana) dhe morën pjesë njëkohësisht në tenderin për celularin e dytë, fushë ku natyrisht nuk patën mundësi të konkurronin për shumë kohë. Nga ana tjetër, dominimit relativ të sistemit bankar nga një vend i vetëm (Qreqia), kërkohet t'i jepet fund nëpërmjet privatizimit të 49 për qind të aksioneve të Bankës së Kursimeve në favor të institucioneve financiare ndërkombëtare. Bankat e huaja, sipas një studimi të pavarur, pëlqejnë të kenë për klientë, veçanërisht në aktivitetin e kreditimit, bashkëpatriotët e tyre dhe për shqiptarët nuk ka bankë të posaçme që t'i ndihmojë. Shqiptarët po ndihen aktualisht dhe mund të ndihen edhe në të ardhmen të persekutuar në vendin e tyre.




---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Auctions - buy the things you want at great prices
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list