| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Per gjuhen shqipeAgron Alibali aalibali at yahoo.comSat Mar 31 23:38:16 EST 2001
Perkthimi, "mjeshteria" e papergjegjshme qe po rrenon gjuhen shqipe Fatkeqësia është se gjithë këta përkthyes të rinj dhe të vjetër dinë gjithsej 850 fjalë prej të cilave të paarnuara rreth 500 fjalë dhe merren me autorë që të paktën në çdo libër mund të kenë nga 2000 - 3000 ose krejt veprën fjalë të papërsëritura Përkthimi i konsideruar si një punë tejet e vështirë, një përgjegjësi e lartë njerëzore dhe dashurore, është mbi të gjitha frymëzim, dhunti dhe mjeshtëri. Për të bërë një përkthim të arrirë kërkohet që pikësapari të njihet gjuha mëmë, pasi pa njohjen e saj, kurrësesi nuk mund të shkojë ndërmend që të futesh në xhunglën (në kuptimin e bardhë të fjalës) e përjetimeve të mëdha, qofshin ato të rrafshit letrar qofshin ato të rrafshit teknik. Pastaj do njohur gjuha nga e cila përkthehet. Sot gjuha nga e cila përkthehet quhet gjuha e burimit, ndërsa gjuha në të cilën përkthehet quhet gjuha e shenjës. Veç kësaj që është detyrë e çdo të shkolluari, kërkohet kur kemi të bëjmë me përkthime letrare njohja e autorit, njohja e kulturës, e zakoneve e qytetërimit të atij kombi që e ka lindur autorin dhe bashkë me autorin edhe librin ose librat e tij. Por edhe kjo nuk është e mjaftueshme. Thuhet se nëse mes tokave të shpirtit të përkthyesit dhe tokave të shpirtit të autorit nga i cili përkthen nuk ka mbi 50 përqind pjesë të barabarta atëherë edhe po u fillua puna, dështimi është i sigurt. Eshtë njëlloj sikur të marrësh një fidan limoni dhe ta mbjellësh në një vend verior. Në fillim do ti pëlqejë toka do të nxjerrë edhe gjethet, por në të dalë të dimrit ai do të jetë i tharë pasi i mungon temperatuara e duhur për rritjen e tij. Kështu ndodh edhe me përkthimet letrare. Ndërkohë që kur bëhet fjalë për përkthimet teknike, duhet së pari të jetë e përpunuar terminologjia e fushave përkatëse dhe do njohur edhe si thelb fusha përkatëse nga e cila përkthehet. Përpunimi i termave, i fushave të ndryshme të veprimtarisë njerëzore nuk është detyrë e përkthyesit, por është detyrë më shumë akademike shtetëore. Duke u nisur nga këto dy kushte kryesore dhe duke parë gjendjen e përkthimeve në Shqipëri, me keqardhje duhet pranuar se, nëse ka shkelje ato janë më të mëdha, më të dëmshme dhe më të dhimbshme në këto dy drejtime. Ukzenel Buçpapa Fatmirësisht ne kemi pasur një ndër shkollat më të mira të përkthimit dhe përkthyes të aftësive të larta si Malëshova, Zheji, Kuteli apo Caci që kanë mbetur të rrallë, qoftë në rrafshin e fjalës ashtu dhe në atë sintaksës. Fatkeqësia është se gjithë këta përkthyes të rinj dhe të vjetër dinë gjithsej 850 fjalë prej të cilave të paarnuara rreth 500 fjalë dhe merren me autorë që të paktën në çdo libër mund të kenë nga 2000 -3000 ose krejt veprën fjalë të papërsëritura. Kështu në vend që të punojnë për të rregulluar veten falë rregullave të gjuhës shqipe, (çdo tingull ka një shenjë), e kanë shumë të lehtë që ta shkruajnë fjalën ashtu si mendojnë ata se shqiptohet. Kjo pasi në pjesën më të madhe të rasteve fjalët që futin nuk janë as të shqiptuara në rregull sipas parimeve të gjuhës burimore nga janë marrë. Veç kësaj pjesa më e madhe e fjalëve që futen në gjuhën shqipe në kundërshtim me marrjen e fjalëve hua janë futur me kuptime ose të kundërta ose tjetër për tjetër. Kështu këta "përkthyes" bëjnë dy krime, krimin e parë ndaj fjalës së gjuhës tjetër dhe krimin e dytë duke e përçudnuar shqipen. Por absurdja është se kjo është madje pjesa më e mirë e atyre që merren me përkthim. Llojet e përkthyesve Përkthyesit e gjykatave fatmirësisht dhe fatkeqësisht kanë përkthyer dhe vazhdojnë të përkthejnë pjesë shumë të mira të librave që dalin në treg. Më pas vijnë të mjerët studentë që nuk marrin as 5 mijë lekëshin për faqen që merr përkthyesi i gjykatës, as fryrjet e grupit të parë të intelektualëve të shquar, për të cilët fajtore është gjithnjë gjuha shqipe. Këta të shkretët të detyruar nën shpatën e notës 4 të pedagogut që i ka lëpirë të gjitha shkallët e gjuhëve të huaja për të marrë një notë në anglisht, janë të detyruar të bëjnë në trajtën e shlyerjeve shumë faqe, të cilat kur nuk bëhen nga ata pedagogët paguajnë përkthyesit e gjykatës. Më e keqja është se këta profesorë që detyrojnë, nuk merren as me redaktimin e lëndës që është përkthyer, por shpejtojnë ti dërgojnë në shtyp për të marrë shuma të admirueshme dollarësh. Një ushtrim i thjeshtë Bëjmë një ushtrim të thjeshtë, për njerëzit që dijnë shkrim e këndim. Le të marrim një libër krejt kot vetëm të jetë i përkthyer, të fusim dorën aty ku futet dora, të hapim një paragraf dhe të shohim se si ndërtohet pësorja. Në pjesën më të madhe thuhet është punuar për punohet apo ishte punuar për u punua. Vetë gjetja e foljes ndihmëse "jam" si mjet për trajtimin e diatezës pësore, të çon te përfundimi që këta libra çfarë do qofshin, me shumë lehtësi po rrënojnë gjuhën mëmë. Loja e vjedhjes Kjo lojë bëhet në disa mënyra. Shtëpitë botuese gjithmonë e kanë pasur një mundësi të hapur për të vjedhur. Sigurisht e kanë pasur më të vështirë në kohën e asaj që quhet diktaturë, ndërsa në kohën e sotme për të ushtruar këtë lloj vjedhje shtëpitë botuese kanë një burim të shkëlqyer, siç janë botimet e shqiptarëve të Kosovës. Tani pengon vetëm kurnacëria për të paguar rradhitës sepse në pjesën më të madhe, ato janë vjedhur e vidhen me ca ndreqje të vogla, me ndërrime të vendeve të fjalëve ose me heqjen e ndonjë fjale që tingëllon sllave dhe në fund mbetet vetëm ti vihet emri përkthyesit. Vjedhja e kryeveprave Ajo që trishton më shumë dhe që po ndodh këto dy vjet është vjedhja e kryeveprave që janë përkthyer nga njerëz të përkushtuar, nga njerëz punëtorë të përkthimeve që janë bërë në Shqipëri me leje nga shteti. Tani këto na serviren si gjoja ripërkthime për të shmangur marrjen e lejeve të botimit, pagesat e honorareve që i takojën o atyre po të jenë gjallë o të afërmve të tyre dhe për të sajuar përsëri emra të rremë, sepse ne jemi të llahtarshmëm për sajimin e vlerave të paqena. Nuk shqetëson më shumë rrënimi i librave të autorëve të huaj, sesa të tmerrojnë dëmet që ka pasuar gjuha shqipe në këto dhjetë vjet. Gjuha në këto dhjetë vjetë ka pësuar dëme më shumë se në 3 mijë vjetët e fundit të gjallesës së saj. Si mund të shpëtojmë? Që të shpëtojmë të paktën nga këto lloj aventurash duhen tre gjëra. E para shteti shqiptar duhet të nxjerrë ligjin për të mbrojtur gjuhën shqipe. Së dyti të ndryshohet norma teknike e pagesës së përkthimit pasi janë më poshtërueset. Duhet të ketë edhe një apel për të huajt nëse ata i duan autorët, e duan kulturën, punën, vlerat e tyre që ta lidhin grykën e qeses se fundja shqipja ka shpëtuar nga ditë më të vështira dhe të japin para kundrejt kontrollit të përkthimeve që mund të bëhet fare lehtë. Kjo mund të arrihet kur ata të gjejnë agjentë që e njohin mirë gjuhën shqipe dhe të kontrollojnë me një paragraf apo më shumë, ndryshe quhet prapapërkthim. Si mund të realizohet një i tillë? Kjo është prova më e mirë nëse ti ke arritur të bësh një përkthim. Merret një paragraf nga gjuha anglish në shqip pas një farë kohe. I njëjti paragraf përkthehet dhe njëherë. Nëse kalon mbi masën 50 përqind më poshtë dhe aq më keq nëse ka devijime atëherë përkthimi nuk qëndron. Por po nuk doli ligji për të mbrojtur gjuhën shqipe sharlatanët do të vazhdojnë të punojë pa asnjë kriter. "Shoqatat" e përkthyesve pa përkthyes Shoqatat ka por nuk ka përkthyes. Njeriu kur përkthen ka një detyrë të shenjtë, pasurimin dhe ruajtjen e gjuhës. Por o do ta pasurosh ose do ta rrënosh gjuhën. Në Shqipëri nuk mund të bësh dot një përkthim simultant. Nuk ka mundësi që ti të marrësh vesh psh, në 12 degët e ekonomisë. Sharlatanë të tillë merren vesh me ata që japin lekët dhe për 100 dollarë çbëjnë fytyrën, çbëjnë gjuhën, profesionin, punën. Nga ana tjetër i njëjti person që përkthen në këto 12 degë përkthen edhe për energjinë bërthamore edhe për kanalet edhe për ujitjen edhe për mjedisin për filozofinë, mjekësinë. Shkurt këto shoqata merren me zyrtarizimin qytetar të veprimtarive të ndyra të ushtrimit të profesionit kundrejt një pazari. Sigurisht që edhe të huajt që japin paratë mendojnë se ky njeri nuk e do vendin e vet, ky njeri është i paftyrë dhe pranon të marrë jo 51 me 49 por 9 me 1 për të mbuluar paaftësinë e vet. Në një kohë që në 10 vjet mund të ishin krijuar ekipe me përkthyes të shkëlqyer pasi shqiptarët janë të jashtëzakonshëm për të mësuar gjuhët e huaja por nuk kanë mjedis dhe mësues të mirë. Problemi i pagesës Në botë çmimi dysheme i një faqe përkthim me 1500 karaktere është 40 dollarë pa tvsh dhe pa redaktim. Ndërsa në Shqipëri çmimi i një botimi bie fjala është më i lartë se në çdo vend të botës ku cilësia është të paktën 100 vjet prapa kur vjen puna për atë më të vështirën përkthimin paratë që merren janë poshtëruese. Epilog Nuk mund të mos e themi se nuk ka ligj të shtetit shqiptar që në çdo fjali të tij të mos jetë nga pikëpamja gjuhësore qoftë nga pikëpamja e fjalës dhe e sintaksës gabim. Dhe për këtë duhet të përgjigjen njerëzit e papërgjegjshëm të cilët përkthejnë nga gjuhë që mendojnë se i dijnë dhe nuk i dijnë, në gjuhën e nënës që e dijnë më pak nga të gjitha. Kështu përkthyesit në Shqipëri mendojnë se e dijnë gjuhën kur ajo është gjihtnjë e pamundshme. Sa më shumë të punosh aq më shumë e kupton se sa nuk di. __________________________________________________ Do You Yahoo!? Get email at your own domain with Yahoo! Mail. http://personal.mail.yahoo.com/?.refer=text
More information about the ALBSA-Info mailing list |