Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] UCK: Lufta e Keqe por e Nevojshme

Kreshnik Bejko kbejko at hotmail.com
Mon Mar 19 12:36:41 EST 2001


Bisedë e të përditshmes “Fakti” me përfaqësuesin e luftëtarëve shqiptarë, 
“Sokolin”



Bisedimet janë të paevitueshme sepse lufta do t’i diktojë ato. Helikopterin 
e ushtrisë maqedone e kemi rrëzuar ne!



Prishtinë, 19 mars (Kosovapress) – Përfaqësuesi i UÇK-së në intervistën 
dhënë të përditshmes në gjuhën shqipe “Fakti”, flet për luftën e shqiptarëve 
atje dhe për konsekuencat e saj. Ai demanton lajmin zyrtar se helikopteri i 
ushtrisë maqedone është rrëzuar pasi ka hasur në një largëprçues rryme. 
Sipas tij atë e kanë rrëzuar pjesëtarët e UÇK-së, pasi që është vërejtur se 
pjesëtarë të njësiteve speciale të Maqedonisë që kanë qenë në helikopter, 
kanë tentuar t’i sulmojnë prapa shpine pozicionet e UÇK-së….



Pyetje: Si do ta komentoni pikën 7 të konkluzioneve të Parlamentit të 
Maqedonisë, ku thuhet se do të intensivohet dialogu i brendshëm 
institucional për zgjidhjen e të gjitha problemeve të hapura?



“Sokoli: Maqedonia prej vitit 1992 propagandon demokraci, dialog, por 
shtrohet pyetja, cili ka qenë hapi që ata kanë ndërmarrë në praktikë. Ju e 
dini çka ndodhi me manifestimin paqësor të shqiptarëve me rastin e hapjes së 
Universitetit të Tetovës, në vitin 1994. Atëherë ai manifestim u shua me 
gjak. Tani është shumë vonë që pushteti maqedonas të ndërmarrë hapa për 
dialog. Ushtria jonë është organizuar gjatë kohës sa ka qenë diktatura, dhe 
tani është vetëm momenti kur ka dalë në skenë.

Ne e kemi përfaqësuesin tonë politik, dhe pushteti maqedonas duhet t'i 
caktojë njerëzit e vet për t'i filluar bisedimet me ne, dhe e tyre është që 
t'i thërrasin edhe partitë politike shqiptare. Mirëpo, platforma politike që 
parashihet nga përfaqësuesit politikë të UÇK-së nuk guxon të ndryshohet, 
sepse nuk e rrezikon territorin dhe kufijtë e Maqedonisë, por kërkon që 
shqiptarët të jenë popull shtetformues i Maqedonisë.



Pyetje: Edhe përfaqësuesit e partive politike shqiptare këtu në Maqedoni 
kanë qëllime identike me ato që i kërkon UÇK-ja, pra ngritjen e shqiptarëve 
në popull shtetformues dhe barazinë e tyre në të gjitha segmentet, mirëpo 
ata nuk i pranojnë metodat luftarake që ju i preferoni për t'i realizuar 
këto qëllime politike?



“Sokoli”: Edhe Evropa dhe Amerika thonë se metodat ushtarake nuk janë të 
pranueshme. Dhe është fakt se nuk janë të pranueshme. Mirëpo, nëse nuk janë 
metodat ushtarake, atëherë qëllimet politike nuk arrihen. Dihet rasti i 
Kosovës kur Serbia 9 vjet prolongoi kërkesat politike të shqiptarëve, madje 
edhe hapjen e shkollave, ku ndërmjetësues ishte Vatikani, por lufta ishte 
ajo që e detyroi Serbinë që të pranojë kërkesat politike të shqiptarëve. 
Edhe Maqedonia patjetër një ditë do të pranojë që të bisedojë për kërkesat 
tona. Është mëkat të luftohet, të bien viktima kot, dhe në fund të pranojnë 
bisedimet.



Pyetje: Mirëpo, të gjithë faktorët politikë në Maqedoni janë të mendimit se 
në kushtet kur luftohet nuk mund të bisedohet dhe nuk mund të sillet 
kurrfarë vendimi nën presionin e armëve?



“Sokoli”: Atëherë ne vazhdojmë luftën një vjet, dy, katër, dhjetë dhe një 
ditë patjetër Maqedonia do të ulet dhe të bisedojë me ne për kërkesat që 
tanimë i kemi bërë publike. UÇK-ja ka kondicion shpirtëror dhe potencial 
njerëzor e teknik që të luftojë gjatë kohë deri në realizimin e kërkesave të 
veta. Një ditë Maqedonia patjetër do të detyrohet të pranojë dialogun 
politik dhe çdo prolongim i këtij dialogu do të ndikojë negativisht në shumë 
aspekte, e para së gjithash në shkatërrimin e fshatrave, qyteteve, në 
humbjen e jetës së njerëzve, ashtu siç vepruan para dy ditësh forcat 
maqedonase, të cilat kanë vrarë me snajperë civilë. Si mund t'i kuptojmë 
forcat maqedonase të cilat pozicionet tona i gjuajnë nga lagjet e banuara me 
civilë. Ata na akuzojnë se jemi terroristë, kjo nuk është e vërtetë, sepse 
ne vetëm mbrohemi, kurse ata që fshehen në mesin e civilëve janë terroristë.



Pyetje: Na tregoni për kushtet atmosferike që ndikuan në rrëzimin e 
helikopterit të policisë maqedonase?



“Sokoli”: Koha ka qenë shumë e mirë, me diell, nuk ka pasur kurrfarë ere. 
Helikopterin e kanë rrëzuar forcat tona, dhe sipas informacioneve tona në të 
kanë qenë pjesëtarë të njësisë speciale maqedonase, të cilët kanë dashur që 
prapa shpine të futen në pozicionet tona.



Pyetje: Sa janë të vërteta informacionet se në Maqedoni janë inkuadruar edhe 
"Tigrat e Arkanit"?



“Sokoli”: Kemi informacione edhe më herët, dhe këto informacione i kanë edhe 
partitë politike shqiptare se në territorin e Maqedonisë janë fshehur shumë 
kriminelë të luftës, një pjesë e të cilëve janë edhe në ushtrinë e rregullt 
të Maqedonisë. Këta janë kriminelët që kanë bërë masakra edhe në Kosovë. 
Prandaj, është e mundshme që në radhët e forcave maqedonase të jenë 
inkuadruar edhe "Tigrat e Arkanit".



Pyetje: Kohëve të fundit nga Tetova dhe Gostivari janë hetuar shpërngulje të 
popullatës civile, të cilët zhvendosen në drejtime të ndryshme, madje edhe 
në Turqi. Cili është apeli juaj që kjo dukuri të ndërpritet?



“Sokoli”: Shqiptarët e Maqedonisë e kanë parë luftën në Kosovë dhe tani janë 
duke e kopjuar ekzodin si metodë, por mendoj se kjo është metodë e keqe, 
sepse nuk kanë nevojë të largohen, ata duhet të qëndrojnë në vatrat e tyre 
shekullore.



Pyetje: Çka pritet në të ardhmen në planin ushtarak nga ana juaj?



“Sokoli”: Në bazë të përmbajtjes së komunikatës numër 5, ne do t'iu 
përgjigjemi të gjitha sulmeve të ushtrisë dhe policisë maqedonase, dhe ne 
tani për tani nuk jemi të interesuar që të zgjerojmë zonën e luftës. Nëse 
forcat maqedonase vazhdojnë me sulmin ne do të jemi të detyruar që ta 
zgjerojmë luftën në të gjitha qytetet, ku janë të banuara me shqiptarë dhe 
maqedonas, ku lufta civile do të jetë e paevitueshme. Nëse ushtria 
maqedonase nuk e ndërpret ofensivën me armatim të rëndë që ka filluar tani, 
dhe nëse ne e humbim durimin atëherë do të ketë një zgjerim të konfliktit 
edhe nëpër qytete. Ditëve të fundit kemi pasur edhe ballafaqime të afërta me 
pjesëtarë të sigurimit të Maqedonisë dhe kemi vërejtur se disa prej tyre 
flasin edhe serbisht.



Pyetje: Cilat janë humbjet në njerëz dhe teknikë nga të dyja palët?



“Sokoli”: Forcat maqedonase deri tani kanë humbur 13 automjete të blinduara, 
pesë prej tyre i kanë zënë forcat tona. Mirëpo, ka edhe humbje të mëdha në 
anën e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë maqedonase.



Pyetje: A ka përfaqësues të partive politike shqiptare, të cilët kanë 
treguar ndonjë shenjë të ndërmjetësimit për t'i ndërprerë këto konflikte?



“Sokoli”: Deri më tani vetëm përfaqësuesit e Partisë Demokratike Kombëtare 
janë ofruar si ndërmjetësues, por edhe si përfaqësues tanë politikë, edhe 
pse ndërkohë ka dalur përfaqësuesi ynë politik, Ali Ahmeti.



Pyetje: Përfaqësuesit e partive politike shqiptare mendojnë se mund t'i 
bëhet dëm i madh çështjes kombëtare nëse vazhdohet me konfliktet e 
armatosura dhe këtë qëndrim të tyre e kanë mbështetur edhe diplomatët e 
huaj. Kjo do të thotë se ka hapësirë politike për zgjidhjen e të gjitha 
problemeve të hapura?



“Sokoli”: Jo. Nuk ka hapësirë për politikë, sepse ne jemi të vendosur që të 
bisedohet për kërkesat të cilat ne i kemi bërë publike. Nëse nuk pranojnë 
bisedime, atëherë ne do të hudhemi në prapavijë dhe me metoda guerile të 
sulmojmë pozicionet e ushtrisë dhe policisë maqedonase.


_________________________________________________________________
Get your FREE download of MSN Explorer at http://explorer.msn.com




More information about the ALBSA-Info mailing list