| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Gazeta ShqiptareAgron Alibali aalibali at yahoo.comFri Mar 16 23:29:17 EST 2001
Telini, Gjenerali italian që u vra se mbrojti çështjen shqiptare Historianët s'duhet të heshtin, duhet të fillojnë ta shkruajnë historinë tonë së mbarthi, jo me falsifikime, por me të mirat dhe të këqijat, që brezar ta dinë siç është e të nxjerrin mësime për të ardhmen". Duke qenë se rasti më ka dhënë mundësi të njoh disa rrethana që hedhin dritë mbi figurën e Telinit si mik i sinqertë i Shqipërisë, po shkruaj këta rreshta që bashkatdhetarët e mi të njihen me figurën e këtij miku të madh e të vlefshëm të Shqipërisë dhe me denigrimin e padrejtë që i bëri atij regjimi komunist. Shumë vjet më parë, kur isha nxënës në shkollën e mësme, nuk dija asgjë për gjeneral Telinin, ashtu si gjithë bashkënxënësit e mi, me përjashtim që një monument i tij , që kish qënë te lulishtja pranë Shkollës pedagogjike, te Rruga e Elbasanit, ishte hequr mbas vendosjes se regjimit komunist në Shqipëri dhe në vend të tij ishte vendosur ai i Qemal Stafës. Në vitin 1950, kur fillova punën si gjeometër, u caktuam, bashkë me gjeometrin Simon Berisha, të bënim rilevimin në fshatin Hajmel, i cili ishte i njohur në rrethin e Shkodrës si fshat reaksionar, siç thonin atëherë komunistët për të gjithë ata që nuk e donin regjimin komunist. Fshatarët e kishin traditë mikpritjen dhe na ftonin çdo mbrëmje për darkë, me atë që kishin, megjithëse varfëria e atyre zonave të pasura kishte filluar që atëherë. Unë isha disa vjet më i ri se kolegu im dhe nuk e kisha përvojën e tij nga fshati, kështu që tërë barra e bisedës binte mbi Simonin. Mua kjo më kënaqte, se më shpëtonte nga papërvoja ime ne atë lëmë. Por kjo vazhdoi vetëm për disa ditë, se papritur si unë dhe Simoni vumë re një vëmendje të çuditshme të fshatarëve për mua, që s'dinim ta shpjegonim. Ky mister u zgjidh pas disa ditësh. Një punëtor i yni i vjetër nga fshati, Zefi, më afrohet një ditë dhe, pasi u sigurua që s'kishte njeri pranë, më pyeti se ç'e kisha Kostë Bidoshin. Kur unë, i habitur, i tregova se ai ishte im atë, ai më tha me zë të ulët se e kishte parë emrin e tij në një zarf që më kishte ardhur dhe pastaj vazhdoi se ai kishte qenë një nga ata që kishin eliminuar bandën greke, që vrau Gjeneral Telinin.Unë që s'dija asgjë nga ato që po thoshte, mbeta i mahnitur. Këtë e vuri re dhe ai dhe e kuptoi që s'dija asgjë, prandaj më tregoi se në vitin 1923, kishte qenë ushtar në Kufirin Jugor ku kishte patur komandant tim atë. Historia e Gjeneralit "Pak kohë pasi vranë grekët gjeneralin italian, Telinin, vijoi ai, na mblodhi një mbasdite yt atë dhe na tha se i duheshin rreth 20 veta për një aksion që do të vinte në vend nderin e atdheut tonë, të përfolur nga shpifjet e palës greke. Asaj thirrje iu përgjigjëm të gjithë, por ai na falenderoi dhe na tha se i duheshin vetëm 20, prandaj vendosi t'i caktonte vetë. Unë pata fatin, tha Zefi, të caktohem i pari , se isha qitësi më i mirë i kompanisë". "Si na vendosi në pozicione atje ku mbaronte një livadh dhe fillonte pylli, ai na tha se nuk do të kishte komandë "ndal!" ose " duar lart", por vetëm një "zjarr!" "Ai që do të qellojë para se të jepet komanda,_ vijoi ai,_ do të ekzekutohet në vend. Prandaj ai që nuk e ka zemrën të fortë, të largohet që të vijë një tjetër".Por asnjëri nuk u tund nga vendi" "Mbas rreth një ore ,u dëgjua zhurma e një tufe njerëzish të armatosur që po vinin si në dasmë, duke folur të shkujdesur me zë të lartë". "Kur u afruan shumë afër , sa dëgjoheshin shkarpat që thyheshin nën këmbët e tyre, u dha urdhëri i prerë "Zjarr!" me zë të ulët, i cili i palosi të gjithë pa përjashtim." Rreth 45 minuta pas kësaj,. erdhën anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar për caktimin e kufirit të imët. Nga provat që kishin përpara, ata thanë se grekët ishin ata që e kishin vrarë Telinin me dy oficerë të tjerë dhe po ata kishin dhunuar edhe kufirin shqiptar". Unë dhe Simoni e kuptuam se Zefi e kishte biseduar atë histori me fshatarë të tjerë, kështu që, pa e kuptuar, unë isha vëndosur në qendrën e vëmendjes së tyre.. Mbas tre muajësh, kur u ktheva në shtëpi, e pyeta tim atë rreth kësaj ngjarje për të cilën ai s'më kishte treguar asgjë. Rrëfimi i babait tim "Kur erdhi Komisioni Ndërkombëtar për caktimin e kufirit të imët, grekët nuk pranonin të tërhiqeshin nga 16 fshatra shqiptare, me pretendimin se ato ishin greke . Atëhërë nga Konferenca e Ambasadorëve u udhëzua Komisioni të bënte verifikimin dhe caktimin e vijës së kufirit. Por bandat greke kishin shkuar fshat më fshat dhe i kishin kërcënuar fshatarët se do t'i shfarosnin me ç'kishin e nuk kishin, në qoftë se nuk brohorisnin para komisionit "Rroftë Greqia!". Dhe kështu ndodhi në tre fshatrat e parë, që i u caktuan Greqisë, por te fshati i katert Telini përdori një dredhi, që nxori të vërtetën në shesh." "Kur prindërit po thërrisnin "Rroftë Greqia!" për të shpëtuar fëmijët e tyre nga masakra greke, Telini u hodhi fëmijëvë një tufë më monedha dhe, kur ata filluan të grindeshin njëri me tjetrin, ai e pyeti përkthyesin se në çfarë gjuhe po flisnin ata. Nga përgjigjia ai mësoi se ata ishin shqiptarë e bij shqiptarësh. Kështu që, pas kësaj, komisioni e rifilloi punën nga e para, duke i nxjerrë të gjithë fshatrat shqiptare." "Grekët, të tërbuar që s'u eci loja, vunë pritë dhe e vranë Telinin bashkë me dy oficerë të tjerë, brenda territorit grek, kur ai po kthehej nga Janina dhe thanë se e kishin vrarë shqiptarët që, sipas tyre, ishin cuba që të vrasin për të vjedhur". "Ne kërkuam nga qeveria jonë të na akordohej një fond për një informator që do të na ndihmonte për të faktuar të vërtetën. Dhe kështu u bë. Informatori ynë na njoftoi se ,në fshatrat përtej kufirit, endej një bandë qe terrorizonte vendasit dhe e kalonte shumicën e kohës nëpër pijetoret , ku, kur dehej, kryetari i tyre nxirrte nje sahat xhepi të artë dhe e tundte, ndërsa anëtarët e bandës shkuleshin së qeshuri". "Një ditë tjetër ai na njoftoi se, kur bëhej tapë fare, kryetari qante dhe thoshte se e kishte marrë malli për Eftiqinë (të dashurën e tij), që banonte në një fshat përkëtej kufirit." "Pas kësaj, e udhëzuam të kujdesej mos na njoftonte për ndonjë shkelje të re të kufirit. Dhe vërtet erdhi njoftimi se një mbrëmje e gjithë banda do të vinte në fshatin e Eftiqisë të shoqëronte kryetarin e saj. Pas kësaj, informatori u njoftua të kthehej dhe ngjarjet u zhvilluan ashtu siç të ka treguar Zefi, por po shtoj se, kur erdhi Komisioni Ndërkombëtar dhe kerkoi vendin se ku ndodheshim dhe, si verifikoi me hartë se ishim disa kilometra brenda kufirit të Shqipërisë, deshi të mësonte diçka për identitetin e bandës, atehere me një shkop, sipas përshkrimeve të informatorit, i hapëm kryetarit të bandës xhaketën, prej nga u duk sahati i florinjtë. Ky veprim u shoqërua me thirrjen e oficerëve italianë të Komisionit që thanë "Kjo është ora e gjeneralit!". "Pas kësaj ngjarjeje, grekëve dhe shpifjeve të tyre u doli boja dhe Italia pushtoi Korfuzin që e mbajti deri sa një grup greko-amerikanësh paguan dëmshpërblimin. Kjo qe e gjitha. Telini u vra për të mbrojtur një çeshtje të drejtë ,ashtu siç bëjnë të gjithë njërëzit e ndershëm dhe me shpirt fisnik. Por fatkeqësisht regjimi komunist e hoqi monumentin e tij, duke e quajtur me ligësi dhe injorancë "një agjent të imperializmit italian", duke turpëruar kështu gjithë shqiptarët". Këtë ngjarje ma ka konfirmuar dhe një mësues i moshuar (në vitin 1953) nga fshati Tërbuq i Gjirokasrës, me mbiemrin Hila . E vërteta është që populli ynë nuk është mosmirënjohës. Kam dëgjuar me veshët e mi se si nga Kurveleshi këndonin kengë për presidentin Uillson, që mbrojti Shqipërinë në Konferencën e Paqes. Kënga fillonte: "Fol Uilson të lumtë goja " dhe përmendeshin 14 pikat që ai i paraqiti Konferecës, njëra prej të cilave ishte pavarësia e Shqipërisë që ujqërit fqinjë deshën ta kollofitnin. Kësaj kënge komunistët i morën rreshtin e parë dhe e transformuan "Fol Enver të lumtë goja". Duke shkruar për Telinin, jo vetëm dua të nxjerr të vërtëtën në shesh, por edhe të vë në vend nderin e mirënjohjen e popullit tonë për këtë figurë të ndritur, ashtu si dhe për kolonelin hollandez,Tomson, që u vra për të mbrojtur Shqipërinë nga antikombëtarët e Haxhi Qamilit. A nuk është në nderin e vendit tonë që këta të huaj, Edit Durhami , Fulci e të tjerë që e deshën dhe sakrifikuan për Shqipërinë, të nderohen me monumente? Le të kujtojmë se Skënderbeu ka monument në Napoli, se mbrojti Ferdinandin e Napolit si mirënjohjë për atin e tij, Alfonsin, që e kishte ndihmuar në luftën kundër turqve. Po kështu e ka edhe në Romë si mbrojtës i gjithë Perendimit. Amerikanët nderojnë kujtimin e gjeneralit francez Lafaiet, që luftoi përkrah kolonëve amerikanë për çlirimin e tyre. Grekërit nderojnë kujtimin e Bajronit, poetit të madh anglez, që mori pjesë në kryengritjen greke për çlirimin e Greqisë, ashtu si shumë shqiptarë që janë heronjtë kryesor të pavarësisë së Greqisë. Kurse regjimi komunist i përfoli këta idealistë të së drejtës dhe të së vërtetës dhe ,në të kundërtën, i ngriti monumente ngado Marksit dhe Stalinit, atyre figurave perverse qe janë shprehur keq për popullin tonë. Historianët s'duhet të heshtin, duhet të fillojnë ta shkruajnë historinë tonë së mbarthi, jo me falsifikime, por me të mirat e të këqijat, që brezat ta dinë siç është e të nxjerrin mesime për të ardhmen. Shënim. Gjeneral Telini (1871-1923) __________________________________________________ Do You Yahoo!? Get email at your own domain with Yahoo! Mail. http://personal.mail.yahoo.com/
More information about the ALBSA-Info mailing list |