| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Arratisja Nga Integrimi: Esai te Mentor Aganitalbboschurch at juno.com albboschurch at juno.comFri Mar 16 09:44:17 EST 2001
[ Nje esai te Mentor Aganit, i biri i Fehmi Aganit, ndjes pas, mejdimtar dhe zyrtar i Kosoves qe ra deshmor i pafajshem. ] Mentor AGANI ARRATISJA NGA INTEGRIMI Njëri ndër mendimtarët e mëdhenj për shoqërinë, dhe në fakt, njëri ndër themeluesit e psikologjisë sociale, Erich From, që në fillim të librit të tij të mirënjohur Arratisja nga liria (Escape from Liberty), na ballafaqon me njërin ndër paradokset e mëdha që ka të bëjë me lirinë, e që e kishin vërejtur dhe shqyrtuar shumë filozofë politikë. Fjala është për dukurinë që pjesa më e madhe e atyre të cilët në skenë shfaqen si luftëtarët më të mëdhenj për liri, përfundojnë në pozitat e armiqve të saj. Pra, pasi ta arrijnë lirinë që e kanë dëshiruar, nuk pranojnë që atë ta kenë edhe të tjerët. Në këtë mënyrë ata, në fakt, luftojnë për lirinë për vete dhe jo për lirinë në vete. Dhe ky është thelbi i paradoksit: duke përfunduar në mungesën e gatishmërisë të luftojnë për lirinë në vete, ata shndërrohen në armiq të lirisë, pra të asaj për të cilën kishin luftuar në fillim. Duket që kohët e fundit një paradoks në tërësi analog me këtë për lirinë është duke u shfaqur edhe lidhur me integrimet: ata që në skenë shfaqen si luftëtarët më të mëdhenj për integrime, një herë pasi ato ti arrijnë për vete, duket sikur bëjnë çmos të mos u lejojnë të tjerëve që ato ti arrijnë fare. Dhe ngjashëm me luftëtarët kundër lirisë, në emër të lirisë edhe këta integralistë luftën kundër integrimeve e bëjnë në emër të tyre. Mt: Lulja dhe rrënjët Treguesi i këtij paradoksi, pra i arratisjes nga integrimet, doli në skenë para një kohe, në disa përpjekje për argumentimin e ndonjë mbetjeje të Kosovës në trajtë të një republike të tretë në Jugosllavinë e katërt. Këto përpjekje shumë shpejt u zhdukën, thuaja ata që i bënë nga to edhe u frikësuan: por, e kam një përshtypje se përpjekjet e tilla këtë zhdukje e kanë vetëm të përkohshme, dhe se edhe shumë herë, do të paraqiten për tu zhdukur shumë shpejt, dhe do të zhduken për tu riparaqitur. Çështja e statusit përfundimtar të Kosovës është një çështje tejet e rëndësishme për shumëkë, kështu që është vështirë të supozohet se ndonjë tërheqje e atyre që do të kishin dëshirë Kosova të mbetej në Jugosllavi mund të jetë e përhershme. Prandaj kam përshtypjen se një lojë e tillë e tipit ftohtë-nxehtë, lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës, do të luhet edhe një kohë të gjatë. Për këtë arsye përfaqësuesit shqiptarë do të duhej të jenë sa më të përgatitur që në të ardhmen, të jenë të gatshëm dhe të aftë që, secilën herë që fillon ndonjë muhabet për pavarësi të jenë në gjendje në mënyrë thelbësore të dëshmojnë se ashtu duhet, dhe secilën herë që të niset ndonjë muhabet për Jugosllavinë të jenë në gjendje që në mënyrë të argumentuar ta dëshmojnë se ashtu nuk mundet. Prandaj edhe do ti shqyrtoja në vazhdim disa prova të tilla që më duken më relevantet, ku, që në fillim, po e theksoj se pikërisht ato dëshmi që përmenden më së tepërmi si argumente kryesore për mospavarësimin e Kosovës, pas një analize më të thukët dalin të jenë argumentet më të fuqishme për pavarësimin e saj. Po ashtu ky edhe është qëllimi kryesor i këtij eseu do të përpiqem të dëshmoj se cilado zgjidhje që nuk e përfshin pavarësimin e Kosovës, jo vetëm që është e papërshtatshme për palën shqiptare fundja këtë e dimë të gjithë por si zgjidhje është më e papërshtatshmja pikërisht për bashkësinë ndërkombëtare. Sado që bashkësisë ndërkombëtare mund ti duket si një zgjidhje që është më e lehta për të. Pse përpjekjen për ta ruajtur Jugosllavinë e quaj pikërisht arratisje nga integrimet? Që ti përgjegjemi kësaj pyetjeje do të duhej ta shikonim kontekstin në të cilin të gjitha janë duke ndodhur. Integrimet në pjesën perëndimore të Evropës kanë arritur tepër larg: është fakt se aty ka mbetur shumë për tu bërë, por është edhe fakti se tepër shumë edhe është përfunduar. Dhe tash Evropa po përpiqet të gjejë ndonjë zgjidhje për Ballkanin, që do të bënte të mundshme që edhe Ballkani në një të ardhme të fillojë të bashkërenditet. Ndërkaq, ndonjë Jugosllavi, qoftë edhe si konfederatë, me Kosovën në të, si zgjidhje deri në atë masë është kundër logjikës, saqë me vet ekzistimin e saj do ti frenonte proceset e integrimeve të ardhshme ballkanike. Nuk është këtu fjala për atë argumentin të cilin aq shumë e përmendin ata që dëshirojnë ti arsyetojnë qëndrimet e kosovarëve, pra për atë se një zgjidhje e tillë është e padrejtë ndaj shqiptarëve pas të gjitha krimeve të bëra ndaj tyre. Zgjidhja në trajtë të Jugosllavisë me Kosovën në të do të ishte e padrejtë ndaj shqiptarëve edhe sikur kurrë asnjë krim të mos ishte bërë ndaj tyre nga Jugosllavia. Zgjidhja në trajtë të Jugosllavisë për Kosovën është e padrejtë ndaj shqiptarëve jo pse nuk i merr parasysh faktet, por pse nuk i respekton parimet. Apo, thënë ndryshe, kjo zgjidhje është e padrejtë, jo pse nuk i merr parasysh krimet e bëra ndaj shqiptarëve, por pse nuk e respekton atë që kosovarët janë ata që duhet të vendosin për ardhmëninë e Kosovës. E pos që kjo zgjidhje nuk i respekton parimet paj po, ajo nuk i merr parasysh faktet gjithashtu. Për ta sqaruar më mirë këtë të tërën, do të propozoja për shqyrtim këtu edhe një mundësi tjetër për statusin final të Kosovës: zgjidhjen në trajtë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. E kam të qartë se një zgjidhje e tillë, qoftë edhe vetëm si ide, do tua ngritë flokët përpjetë dashamirëve të Jugosllavisë: kjo zgjidhje, për ta, është e papranueshme madje edhe për tu diskutuar. Mirëpo, problemi i tyre nuk është ai që zgjidhja në trajtë të bashkimit të Kosovës me Shqipëri është një zgjidhje që duhet shqyrtuar; dhe as ai se kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme; dhe as se është zgjidhja e vetme e mundshme. Problemi i dashamirëve të Jugosllavisë lidhur me këtë zgjidhje në trajtë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është se kjo është e vetmja zgjidhje logjike e mundshme. Dikush, mbase, do të mund të habitej këtu: si është e mundshme që të kërkohet edhe politikë edhe logjikë!? Por, çështja mbështetet këtu nuk e shqyrtoj zgjidhjen e problemit të Kosovës nga prizmi i politikës kombëtare. Këtu problemin e Kosovës e vështroj nga prizmi i integrimeve të dëshirueshme ballkanike: integrimet e tilla mund të bëhen jo si pasoja të një politike të arsyeshme, por vetëm si pasoja të një politike të arsyeshme të përcjellë me një gjendje të logjikshme. Pra, nuk është këtu pyetja e cila, nga prizmi i integrimeve ballkanike do të mund të shtrohej, se në mbështetje të cilës të drejtë mund të kërkohet nga shqiptarët të pranojnë të mbeten në Jugosllavi; pyetja e cila nga ky prizëm mund të shtrohet është se në mbështetje të cilës logjikë mund të pritet që shqiptarët të mos dëshirojnë të jetojnë në Shqipëri. Vërtet një pyetje e logjikshme për të gjithë ata që do të donin që sërish të bëjnë Jugosllavi: në mbështetje të cilës logjikë ata presin që shqiptarët do të mund të mos dëshironin të jetojnë në Shqipëri, por në Jugosllavi? Kuptohet, shumëkujt në Evropë një ide e këtillë integrimi kombëtar shqiptar do të mund ti dukej e neveritshme. Në kohën kur Evropa bën integrime kontinentale, dikush të bëjë integrime kombëtare? Mirëpo kjo është çështje e përparimit apo e ngecjes të integrimeve në rajonin përkatës: Evropa ka arritur në lulen e integrimeve, ndërkaq shqiptarët janë ende në rrënjët e tyre. Ndërkaq, për dallim nga lulja e cila është e bukur dhe me aromë, rrënjët janë gjithnjë të ndyra, thjesht për shkak se janë përbrenda në dhé. Mirëpo, po të priten rrënjët, shihet çfarë do të ndodhë me lulen. Kjo është ajo të cilën e mendoj kur them armiqësia ndaj integrimeve, e atyre që në emër të integrimeve, kinse veprojnë. Integrimet ende të pambira i kërkojnë duke ua shkatërruar rrënjët. Mt: Çka e shpie Kosovën kah radikalizimi? Kuptohet se në këtë pikë, strategët në Serbi, së bashku me Koshtunicën i cili strategjinë e tyre e zbaton, do të thonë: ja pra ku është. A kemi thënë ne se pavarësimi i Kosovës është rrezik për Ballkanin? A e shihni në çmënyrë arsyetohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë? Si një zgjidhje e logjikshme. E po, në të njëjtën mënyrë do të arsyetohet edhe marrja e hises përkatëse nga Maqedonia, gjë që do të shkaktojë luftëra të reja ballkanike. E të cilat po ashtu do të jenë të logjikshme. Mirëpo, është një çështje që nuk u përmend këtu çështja pse bashkimi me Shqipërinë, meqenëse na qenka i logjikshëm, nuk kërkohet nga shqiptarët e Kosovës? Faktikisht, në këtë kohë kur të gjitha partitë politike të Kosovës pavarësinë e saj e përmendin si një ultimatum të veprimtarisë së tyre, asnjëra sosh bashkimin me Shqipëri nuk e përmend si një pikësynim të vetin. Si është kjo, që të gjithë në Kosovë, nuk e shohin të logjikshme ta kërkojnë atë të vetmen që është e logjikshme? Shpjegimi për këtë është i thjeshtë: procesi në rrjedhje është, fundja, pas shumë e shumë kohësh, i përshtatshëm për shqiptarët e Kosovës. Nuk është ndonjë gjendje në tërësi e logjikshme kjo, por për herë të parë pas pothuaja dy dekadash, është një gjendje që nuk është e palogjikshme. Prandaj, pikërisht, procesi në rrjedhje është ai që neutralizon ndonjë kërkesë më radikale nga shqiptarët për bashkim. Në këtë situatë shtrohet pyetja cila do të ishte ajo që do të mund ti radikalizonte shqiptarët e Kosovës në këtë drejtim, pra sa i përket bashkimit me Shqipërinë?! Dhe këtu i trokatet çështjes kryesore: këtë do të mund ta bënte pikërisht ndonjë përpjekje për lënien e Kosovës në ndonjë Jugosllavi. Nëse përkujtojmë dy dekadat e fundit, këto do të mund ta dëshmonin më së miri. Po e shtrojmë, pra, pyetjen: në cilën periudhë gjatë dy dekadave të fundit, dëshira e shqiptarëve të Kosovës për bashkim ishte më së tepërmi e shprehur? E dimë të gjithë: menjëherë pas demonstratave të 1981-it. Pra, në periudhën kur Shqipërinë e mbretëronte regjimi i Enver Hoxhës. Po si do të mund të shpjegohej kjo? Mbase dikush do të kishte mundur, ashtu në hamendje, të thotë se arsyeja për këtë mbështetet në faktin se grushti që atëherë iu dha shqiptarëve të Kosovës ishte i fuqishëm. Mirëpo, a ishte ajo goditje e atëhershme aq e fuqishme sa këto të fundvitevet të 90-ta? Nëse forca goditëse ishte ajo që përcaktonte fuqinë e dëshirës së shqiptarëve kosovarë për bashkim me Shqipëri, si është e mundshme që në periudhën 97-99 kjo dëshirë për bashkim nuk shprehej me ndonjë intensitet të fuqishëm, por i linte vend vetëm dëshirës për pavarësi? Është një ndjenjë që nuk u mor parasysh këtu shpresa. Shpresa është ajo që i shpjegon të gjithat që ndodhnin në shpirtin shqiptar. Ndonjë dëshirë e shprehur për bashkim në periudhën 97-99 nuk u shfaq, për shkak se shpresa për daljen nga Jugosllavia ishte e madhe. Goditjet që na jipeshin ishin të rënda, por shpresa për daljen nga Serbia dhe Jugosllavia ishin edhe më të mëdha. Prandaj, edhe kërkesa për bashkim me Shqipërinë thuaja nuk kishte fare. Ndërkaq, më 1981, goditja ishte e fuqishme, por ajo që e dërrmonte shpirtin shqiptar nuk ishte aq forca e goditjes, sa ajo që shpresa për daljen nga Serbia dhe Jugosllavia thuaja nuk kishte fare. Dhe kjo ishte ajo që ndikoi të shfaqet kërkesa për bashkim, dhe që kjo kërkesë të ishte aq e fuqishme. Është kjo ndjenjë që ska nevojë të shpjegohet: kur ndonjë fëmijë është në ndonjë telash nga i cili mund të del, ai shikon si të del nga ai telash. Ndërkaq, kur ndonjë fëmijë është në ndonjë telash nga i cili nuk ka shpresë se del, ai fëmijë instiktivisht shikon se ku e ka nënën. Në periudhën 97-99 Kosova shikonte si të nxirrej. Më 1981 Kosova shikonte ku është nëna. Kur të merret parasysh kjo e tëra, atëherë fare lehtë përfundohet se pikërisht prirja që Kosova të lihet në Jugosllavi, e shprehur nga ana e kujtdoqoftë, është ajo e cila e rrezikon, si ndërmarrjen e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, ashtu edhe dëshirat që integrimet evropiane ta përfshijnë edhe hapësirën ballkanike. Sepse, sa më tepër gjasë të kenë për sukses këto përpjekje për ta lënë Kosovën në Jugosllavi, aq më e vogël do të jetë shpresa e shqiptarëve të Kosovës se do të dalin nga Jugosllavia. Dhe, po qe se shpresa për dalje nga Jugosllavia do të zhduket plotësisht, atëherë mbetet vetëm një zgjidhje: e dua nënën. Dhe këtu nuk kryen punë argumentimi se shqiptarët e Kosovës nuk do ta dëshirojnë Shqipërinë në një gjendje në të cilën ajo është: Shqipëria në gjendjen në të cilën është, për Kosovën është një zgjidhje pakufi më e mirë se zgjidhja me cilëndo Jugosllavi. Fundja, është domethënës fakti i cili dihet fare mirë, se të ballafaquar me Jugosllavinë me tërë ndyrësinë e saj, shqiptarët e Kosovës më 1981 e preferonin më shumë Shqipërinë e Enver Hoxhës. A ka kjo ndonjë domethënie për ata ndërkombëtarë të cilët do ta dëshironin ripërtëritjen e Jugosllavisë? Prandaj, argumentimi që përdorë Koshtunica, mbi atë se pavarësimi i Kosovës është i rrezikshëm për stabilitetin e rajonit, është i pathemel. Mospavarësimi i Kosovës është ai i cili e rrezikon stabilitetin në rajon. Këtë argumentim të Koshtunicës dhe të propaganduesve serbë, fundja, mund ta vështrojmë në vazhdën e argumenteve të cilat propaganda serbe i përdor qëmoti. Të përkujtojmë vetëm disa nga argumentet e tilla, nga këto dhjetë vitet e fundit. Pavarësimi i Sllovenisë rrezikonte dhe kërcënonte stabilitetin e rajonit: ishte argument të cilin propaganda serbe e ulërinte kur Serbia e luftonte pavarësimin e Sllovenisë. Pavarësimi i Kroacisë rrezikonte dhe kërcënonte stabilitetin e rajonit: ishte argument tjetër që propaganda serbe e ulërinte kur Serbia e luftonte me ngulm pavarësimin e Kroacisë. Pavarësimi i Bosnjës rrezikonte dhe kërcënonte stabilitetin e rajonit: ishte tjetër argument që propaganda serbe e ulërinte në kohën kur Serbia e luftonte pavarësimin e Bosnjës. Dhe çndodhi? Asnjëri nga këto shtete të pavarura, pavarësinë e të cilave Serbia e shihte rrezik dhe kërcënim për stabilitetin në rajon, nuk e dëshmoi vetveten që vërtet të jetë i rrezikshëm, në kohën kur këto shtete u bënë realitet. E vetmja gjë e cila gjatë dhjetë vjetëve të fundit u dëshmua si vërtet e rrezikshme (dhe atë së tepërmi e rrezikshme), ishte prirja e Serbisë që kundër këtyre pavarësimeve të luftonte: në emër të luftës kundër këtyre pavarësimeve, Serbia në dhjetë vjetët e fundit vrau rreth gjysëm milion njerëz. Pra, kush është këtu në Ballkan vërtet i rrezikshëm, zoti Koshtunica? Nga ana tjetër, është edhe një argument tjetër të cilin propaganda serbe e përdor në përpjekjet kundër pavarësimit të Kosovës, dhe i cili, kur të krahasohet me argumentin e sipërpërmendur këtë mbi rrezikun që për rajonin e paraqet pavarësimi i Kosovës e tregon tërë seriozitetin e diskursit të tashëm serb për Kosovën. Fjala është për argumentin se Kosova, kinse, nuk na qenka e aftë të jetë e pavarur. Ta lëmë anash diskutimin sa mund të jetë i saktë një argument i këtillë; po supozojmë se ky argument është i saktë, pra, po supozojmë se Kosova vërtet nuk na qenka e aftë të jetë e pavarur. Dhe, po i krahasojmë këto dy argumente kryesore të propagandës serbe njërin me tjetrin. Pra, nga njëra anë, pavarësimi i Kosovës rrezikon stabilitetin në rajon, dhe nga tjetra, Kosova është e paaftë të jetë e pavarur. Ata që dërdëllisin kundër pavarësisë së Kosovës në këtë mënyrë na e kanë borxh një sqarim: si mund të jetë Kosova e pavarur e rrezikshme për rajonin, nëse Kosova e pavarur është e paaftë të qëndrojë në këmbët e saj? Dhe me të vërtetë, si mund të jetë i rrezikshëm për rrethin e vet dikush që është i shtrirë për toke për shkak se është i paaftë të mbahet në këmbët e veta? Prandaj, përfundim i krejt kësaj, propaganduesve serbë mund tu propozojmë që, nëse vërtet janë të përkushtuar për stabilitetin e rajonit, atëherë le ti ndërpresin përpjekjet kundër pavarësimit të Kosovës: pikërisht këto përpjekje e rrezikojnë stabilitetin në rajon? Nëse mos tjetër, ato mund ti cysin shqiptarët e Kosovës ti hyjnë projektit të bashkimit kombëtar. Si zgjidhja e vetme e logjikshme e cila do tu mbetet. Mt: Cila është gjendja e logjikshme Këtu do ti jepja disa shpjegime lidhur me një nocion të cilin e përmenda më parë, por të cilin nuk e sqarova në hollësi, ngase nuk dëshiroja të dilja nga konteksti i atëhershëm. Fjala është për nocionin gjendje e logjikshme. Ky nocion duhet sqaruar doemos, për shkak se gjatë përpjekjeve për të gjetur ndonjë zgjidhje për Kosovën shpeshherë tërhiqen analogji të cilat sado që duken të tilla megjithatë nuk janë me vend. Së pari, shpesh përmendet por edhe nëse nuk përmendet, nënkuptohet mënyra në të cilën kanë ndodhur integrimet në Evropë. Gjatë vlerësimit të kësaj, madje në kuadrin e krijimit të analogjive ndërmjet Evropës dhe Ballkanit, bëhen lëshime të cilat shkaktojnë atë që humb thelbësorja. Lëshimi i parë që bëhet është ai se nuk kuptohet dallimi në përpjesë ndërmjet ekonomive të shteteve të Evropës Perëndimore dhe ekonomive të shteteve ballkanike. Kjo pastaj shkakton moskuptimin e asaj që shtetet evropiane në dekadën e fundit, thjesht, e kishin vështirë, nëse jo edhe të pamundshme, të mos bashkohen, për dallim nga shtetet ballkanike të cilat e kanë edhe më të vështirë, nëse jo edhe më të pamundshme, të bashkohen. Ekonomitë e shteteve evro-perëndimore këtu mendoj në pjesët prodhuese të atyre ekonomive në fillimin e integrimeve formale, ishin bërë shumë më të fuqishme se tregjet e tyre; kjo ndikoi që të kërkuarit e tregjeve të reja të ishte një domosdo e atyre ekonomive. Dhe, kjo ishte ajo që nisi integrimet evropiane. Fundja, dihet mirë se mjaft kohë para marrëveshjes së Shengenit, e cila bëri të mundshëm qarkullimin e lirë të njerëzve, u bënë marrëveshjet për heqjen e doganave me të cilat lejohej qarkullimi i lirë i mallrave. Pra, në qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave, të parat qarkullimin e nisën mallrat, gjë e cila është në tërësi e natyrshme: me njerëzit me të cilët nuk kemi ndonjë lidhje familjare apo shoqërore, lidhje të forta mund të na krijojë vetëm pazari. Ndërkaq, për dallim prej kësaj, ekonomitë prodhuese të shteteve ballkanike për mjaft kohë, në të ardhmen, nuk do të jenë në gjendje ti plotësojnë madje edhe nevojat e veta, kështu që ato, jo vetëm që nuk do të kenë nevojë, por aq më tepër nuk do të kenë as mundësi për depërtim në tregjet fqinje, qoftë ai depërtim edhe i lirë. Nuk jam duke marrë këtu ndonjë qëndrim radikal nacionalist të trajtës, me Serbi ska tregti; por jam vetëm duke e theksuar atë e cila nuk arrihet të kuptohet, se tregtia me Serbi edhe për mjaft kohë nuk do ta arrijë një nivel të atillë sa të jetë shkak, e lere më domosdo, për tu bashkuar me të. E, nëse në ndonjë të ardhme me Serbinë, nuk na lidh pazari, nuk ka asgjë e cila do të mund të na lidhte me të. Krejt kjo na sjell në lëshimin e dytë i cili bëhet gjatë tërheqjes së analogjive ndërmjet integrimeve evropiane dhe atyre të dëshirueshme ballkanike. Ky bëhet në lidhje me garën ekonomike e cila e shkaktoi rritën prodhuese evropiane (dhe e cila, mëpastaj, i shkaktoi integrimet e saj): kjo garë ka qenë e lirë. E tillë duhet të jetë edhe gara ekonomike ndërmjet shteteve ballkanike, e cila mund të shpjerë drejt integrimeve ballkanike. Kosova nuk do ta pranojë dhe nuk do të pajtohet kurrë me një nënshtrim ekonomik ndaj Serbisë i cili do të jetë pasojë e një nënshtrimi politik ndaj saj. Mirëpo, Kosova do të gjejë forcë të pajtohet me një pozitë ekonomikisht të nënshtruar ndaj Serbisë, po qe se kjo është pasojë e një gare të lirë ekonomike, në të cilën Serbia do ta dëshmojë vetveten si më e zonja se Kosova. Ndërkaq, pavarësia e Kosovës është një domosdo për mundësimin e lirisë të një gare të këtillë. Kuptohet, shumëkush do të thotë se në një model të konfederatës së propozuar jugosllave do të ekzistojnë rregulla të cilat do ta mundësojnë këtë liri; por, atyre që do të thonë kështu do tu propozoja të përkujtojnë mënyrën në të cilën Serbia e ka përdorur fabrikën e të hollave në Topçiderin e saj të famshëm, dhe do ti kuptojnë të gjithat që jam duke u përpjekur ti them. (Dhe, mbase, do ta kuptojnë edhe të tërën që është për tu kuptuar për tragjedinë ballkanike.) Rregullat e lirisë Serbia nuk di ti respektojë; dhe as nuk dëshiron, sa herë të ketë edhe dikë në shtetin e vet. Me fjalë të tjera, ajo të cilën kuazi-integralistët ballkanikë nuk e kuptojnë (apo nuk dëshirojnë ta kuptojnë) gjatë tërheqjes së analogjive me Evropën, është se shprehja qarkullim i lirë i mallrave, më shumë se qarkullimin e mallrave nënkupton lirinë në atë qarkullim. Fundja, nga aspekti i sintaksës, liria në fjali mund të mos jetë kryefjalë; por nga aspekti politiko-ekonomik, nuk ka fjali në të cilën liria është e pranishme e të mos jetë kryefjalë. Ndërkaq, kur Serbia flet nga aspekti politiko-ekonomik, përpiqet me ngulm që këtë aspekt ta trajtojë si sintaksë. Kjo e tëra na sjell në lëshimin e tretë që bëhet gjatë pasionit për ta ruajtur Jugosllavinë, dhe që më së shumti ka të bëjë me atë gjendjen e logjikshme të përmendur, e cila paraqet parakushtin e integrimeve. Nga krejt që u tha shihet se integrimet evropiane i nxit interesi i ekonomive të shteteve evropiane për to; kjo është e vërtetë, por kjo nuk është e tërë e vërteta. Interesi i ekonomive të shteteve evropiane ishte kusht për tu arritur integrimet evropiane, por ishte vetëm njëri ndër kushtet, dhe atë kushti i nevojshëm për ato integrime. Kusht tjetër, ai i mjaftueshmi, në Evropë ishte i plotësuar dhe atë deri në atë masë saqë thjesht nënkuptohej dhe sishte nevoja të përmendet. Ndërkaq, në Ballkan ky nuk është i plotësuar, prandaj për rastin e Ballkanit, jo vetëm që është e nevojshme, por është madje edhe e domosdoshme të përmendet. Ky kusht i dytë, kushti i mjaftueshëm pra, ishte që shtetet evropiane nuk kishin arsye të frikësoheshin nga këto integrime. Pra, shtetet evropiane arritën të integrohen, jo vetëm për shkak të asaj se në Evropë ekzistonte interesi për integrime, por për shkak se në Evropë ishte krijuar ajo gjendje e logjikshme ku pos interesit për integrim, njëkohësisht, nuk ekzistonte frika nga ai integrim. Dhe kjo padyshim është e qartë, por nuk përmendet se në Ballkan nuk ekziston ende. Fundja, më konkretisht edhe po qe se dy biznesmenë kanë një mijë e një arsye të lidhin ortaki, ata ortaki nuk do të lidhin po qe se nuk janë të sigurt në njëri-tjetrin, pra po qe se frikësohen se tjetri do ti mashtrojë. Ndërkaq, përvoja thuaja njëshekullore me Serbinë, Kosovës ia qartësoi vetëm një fakt: i vetmi send që në lidhje me Serbinë është për ti besuar, është se Serbia nuk është për ti besuar. Dikujt mbase do ti duket radikalizëm, por lexojeni atë paragrafin e famshëm të Qosiqit: i përmbledhur ai lë të kuptohet se e vetmja e vërtetë e Serbisë është rrena. Ndërkaq, në sferën ekonomike, rrenat e Serbisë janë, thënë me zhargonin e popullit, më të rrastat. I përmenda këtu tri parakushte të cilat, ndonëse jo edhe të vetmet, janë kryesoret për ti nxitur integrimet ballkanike. Këto parakushte janë, pra, ato të cilat e përkufizojnë atë gjendjen e logjikshme për integrime, të përmendur më parë. Asnjëri nga këto tri parakushte, as forca e madhe e ekonomive të njësive përbërëse, të cilat ekonomi janë të tilla që kërkojnë zgjerim, as gara e lirë ekonomike dhe liria e qarkullimit të mallrave pa diktat apo dredhi nga politika, dhe as mungesa e frikës së kombeve ballkanike nga njëri-tjetri, këtu nuk janë të plotësuara. Dhe as që do të plotësohen ndonjëherë, po qe se vazhdojnë përpjekjet për ta ruajtur ndonjë Jugosllavi. Thjesht, ngase përpjekjet për ta ruajtur Jugosllavinë, në integrimet e dëshirueshme ballkanike do ta kenë të njëjtin ndikim të cilin në integrimet e tashme evropiane do ta kishin pasur përpjekjet eventuale për ta ruajtur sovranitetin territorial të Rajhut të Tretë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Integrimet e tashme evropiane nuk kanë mund të ndodhin, jo pa mposhtjen ushtarake të Rajhut të Tretë, por pa çrrënjosjen e vetë idealit të tij. Njashtu, edhe integrimeve ballkanike, mund tu hapet rruga jo tash, pas mposhtjes ushtarake të Millosheviqit, por vetëm pas çrrënjosjes së idealit në emër të të cilit ai shpallte luftëra. Dhe, në vijim, disa fjalë për idealin në emër të të cilit Millosheviqi shpallte luftëra. Mt: Çështë në fakt Jugosllavia? Në dhjetë vitet e fundit në Serbi dolën shumë paradokse, të cilat kapërcyen të vërejtura apo edhe të pavërejtura; në mesin e të pavërejturave është një i cili më duket se shpalos shumë, dhe në të njëjtën kohë edhe e tregon njërin ndër dimensionet e paradoksalitetit të përpjekjeve për ta ruajtur Jugosllavinë. Që të kuptohet më mirë, rikujtojmë mënyrën e rezonimit serb gjatë shkatërrimit të ish-Jugosllavisë. Kudo që serbët shikonin, ata shihnin shtete të mëdha: Shqipëria e Madhe, Kroacia e Madhe, Bosnja e Madhe, Bullgaria e Madhe Vetëm Jugosllavia, sado e madhe të ishte, u dukej e vogël. Dhe këtu, ndonëse jo fort qartë, është vendi të shtrohet një pyetje: pse athua emrit Jugosllavi kurrë nuk i përngjitej atributi e Madhe? Jugosllavia e Madhe? Tingëllon e çuditshme, apo jo? Athua cili është shkaku për këtë? Ti shikojmë së pari kombet përreth Serbisë dhe shtetet e tyre. Shqiptarët kanë Shqipëri, kroatët Kroaci, boshnjakët Bosnjë dhe bullgarët Bullgari. Dhe kjo fillon ta shpalosë paradoksin: pse serbët, të cilët me aq tërbim i janë të përkushtuar kombit të tyre, nuk përpiqen për shtetin e tyre, Serbinë, por përpiqen për Jugosllavi? Ja, pra, ku jemi. Për shkak se vetë emërtimi Jugosllavi e nënkupton Serbinë e Madhe. Për ta fshehur faktin se burimi i tragjedive ballkanike nuk është as përpjekja e shqiptarëve për Shqipëri të Madhe, as ajo e kroatëve për Kroaci të Madhe, as ajo e boshnjakëve për Bosnjë të Madhe dhe as ajo e bullgarëve për Bullgari të Madhe, por është pikërisht përpjekja e serbëve për të bërë Serbi të Madhe, serbët emrin Serbi e Madhe nuk e përdorin dhe e fshehin si gjarpri këmbët dhe e ripagëzojnë atë në Jugosllavi. Dhe ky është shkaku se pse logjikisht nuk shkon kurrsesi të përdoret emërtimi Jugosllavi e Madhe. Sepse vetë emërtimi Jugosllavi në vete heshturazi dhe fshehurazi e përmban atributin e Madhe për Serbinë, kështu që ska nevojë të përdoret dy herë. Pra, nëse emërtimi Jugosllavi don të thotë Serbi e Madhe, atëherë emërtimi Jugosllavi e Madhe do ta kishte domethënien Serbi e Madhe e Madhe. Gjë që do të ishte e palogjikshme, sado që, duhet pranuar, serbëve do tu pëlqente. I pëlqejnë hegjemonisë serbe palogjikshmëritë, apo jo? E dhashë këtë shpjegim të shkurtër vetëm për ta bërë me dije një fakt: rezonimi i disa politikanëve ndërkombëtarë i trajtës: shqiptarët e Kosovës nuk kanë arsye të frikësohen sepse Kosova nuk do ti kthehet Serbisë, por do të mbetet në Jugosllavi e ka domethënien: shqiptarët e Kosovës nuk kanë arsye të frikësohen sepse ata nuk do të mbeten në Serbi por do të mbeten në Serbinë e Madhe. E di që dikujt një përshkrim i këtillë, në shikim të parë tallës, i realitetit ballkanik mund ti bjerë mjaft rëndë. Por është mirë që këtu të mirren parasysh disa fakte që nuk janë të ngatërruara fare, aq më tepër janë fakte elementare, ti quajmë ashtu, ABC-ja e fakteve mbi Ballkanin. A e dinë ata të cilët kanë dëshirë që shqiptarët ti qetësojnë në këtë mënyrë, se sa banorë do ti ketë një Jugosllavi e tillë? Nëse nuk e dinë, ja cila është përgjigjja: rreth 9.5 10 milionë. Dhe a e dinë ata cila do të jetë përkatësia kombëtare e këtyre banorëve? Përgjigjja: 0.6 milionë malazias, 2 milionë shqiptarë dhe mbi 7 milionë serbë. Pra, mbi 70 për qind, mbase edhe 75 për qind e popullatës së një Jugosllavie të tillë do të jenë serbë. Dhe çfarë është shteti i cili, me një kësi marifeti u propozohet shqiptarëve, pra me ambalazhim të Jugosllavisë, e në të cilin rreth 75 për qind e popullatës do të jenë serbë? Quaje si të duash, Jugosllavi, Çjugosllavi, Zhugosllavi, apo si ta dojë qejfi, ky shtet, realisht, do të jetë Serbi. Dhe atë Serbi e Madhe bile. Fundja, po të mos ishte Serbi e Madhe, serbët kurrën e kurrës nuk do të luftonin me aq ngulm për të. Prandaj, nëse dikush nga bashkësia ndërkombëtare, vërtet e ka ndërmend që shqiptarët e Kosovës të mos i lërë nën Serbi, atëherë le ti nxjerr nga Jugosllavia. E, sa i përket qetësimit të ndruajtjeve dhe të brengave shqiptare, le të mirret parasysh ajo se shqiptarët kurrë nga mbetja në Serbi apo në Jugosllavi nuk janë frikësuar. Mundësia e mbetjes në Serbi apo në Jugosllavi shqiptarët nuk i frikëson, por i çmend. Mt: Kompromisi dhe demokracia I fundit në varganin e politikanëve ndërkombëtarë që shprehën mendimin se Jugosllavia do të duhej të ruhet në ndonjë trajtë (deri në çastin kur po e shkruaj këtë) ishte Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Kofi Anan. Kjo ishte për çudi. Jo kjo se Kofi Anan na doli për ruajtjen e Jugosllavisë, por kjo se ishte i fundit. Ndërkaq, ajo se Kofi Anan është për ruajtjen e Jugosllavisë, është në tërësi normale. Pse është normale kuptohet nëse mirret parasysh çfarë është organizata në krye të së cilës Kofi Anan është. Si një organizatë në të cilën lidhur me cilindo problem të gjithë janë njëzëri për zgjidhje, ndërkaq askush nuk përpiqet për të, OKB me kalim të kohës filloi ti marrë tiparet e një organizate në të cilën kompromisi ishte ajo që është për tu çmuar. Por një prirje e tillë ndaj kompromisit pas një kohe më të gjatë ka shkuar deri në një skajshmëri të tillë, saqë sot, OKB edhe disfatën më katastrofike janë në gjendje ta trajtojnë fitore të shkëlqyeshme, vetëm me kusht që ajo disfatë katastrofike të arrihet nëpërmes të kompromisit. Thjesht, Organizata e Kombeve të Bashkuara sot është shndërruar në një Organizatë të Kompromisaxhinjve të Pakompromis. Dhe, si organizatë e tillë, në të cilën për tu çmuar është kompromisi si mjet për arritjen e rezultatit, dhe jo ajo se a është ai rezultat fitore apo disfatë, OKB rregullisht në ofertat e saj për kompromis, si të parën japin ofertën që do të mund të cilësohej disfatë e OKB. Vetëm me kusht të theksohet se kjo nuk është disfatë e OKB, por kompromis. Mirëpo, çështja e Kosovës nuk është aq e ngatërruar sa Kofi Anan dhe OKB e trajtojnë. Çështja e Kosovës është edhe më e ndërlikuar. Është e ndërlikuar aq, saqë edhe vetë Rezolutën 1244 e bën njëfarë lloji të kopilit te dera. Është kopil te dera kjo Rezolutë, sepse në të janë të futura dy kërkesa kombinimi i të cilave të lë gojëhapur: edhe kërkesa për demokratizimin e Kosovës, dhe edhe ajo për ruajtjen e sovranitetit territorial të Jugosllavisë. Të lë gojëhapur ky kombinim kërkesash, sepse, nuk është problemi i Kosovës ai që kosovarët nuk dëshirojnë të jetojnë në Jugosllavi; problemi i Kosovës është ai që kosovarët ngulmojnë të mos jetojnë më kurrë në Jugosllavi. Apo, thënë ndryshe, nuk është problemi i Kosovës ai që kosovarët nuk e duan Jugosllavinë; problemi i Kosovës është ai që kosovarët kanë neveri ndaj Jugosllavisë. Apo, thënë edhe më ndryshe, dhe atë në trajtën përfundimtare, nuk është problemi në atë që lënia e Kosovës në Jugosllavi si zgjidhje nuk e demokratizon Kosovën; problemi është në atë që lënia e Kosovës në Jugosllavi në thelb, dhe me imponim nga lartë, e antidemokratizon Kosovën. Pra, nëse në prirjen për të arritur kompromis njeriu mund të jetë i pakompromis, në prirjen për të arritur një zgjidhje demokratike njeriu nuk mund të jetë antidemokratik. Po qe se nuk arrin ta kuptojë (apo që të mos e heshtë) këtë, Kofi Anan në fund mund të na dalë si njëfarë lloj Sekretari i Përgjithshëm i Kompromisaxhinjve të Pakompromis për Demokraci Antidemokratike. E kam plotësisht të qartë atë pse do të mund të mendonin ashtu siç mendojnë, si Kofi Anan, ashtu edhe shumë nga të tjerët që përpiqen ta ruajnë ndonjë Jugosllavi: është ndruajtja se mos Bashkësia Ndërkombëtare ka qenë pak si tepër e vrazhdë ndaj Jugosllavisë. Kështu që, në këto sulme të brejtjes së ndërgjegjes ata frikësohen mos po e bëjnë edhe një padrejtësi ndaj Jugosllavisë. (Kuptohet, politikanë të ndryshëm kanë shkaqe të ndryshme, por, më duket se ky i sipërpërmenduri është nga më të shpeshtit.) Atyre që këtë mënyrë mendimi e kanë motiv, do tu përkujtoja vetëm një fakt të cilin me një mendjemprehtësi të mrekullueshme e kishte vërejtur dhe theksuar Hannah Arendt: revolucionet dhe luftërat e brendshme që përcjellin shkatërrimin e një shteti, nuk janë shkaktarë të atij shkatërrimi janë pasoja të tij. Apo, e zbatuar në rastin konkret të Jugosllavisë, luftërat e dekadës që shkoi apo edhe bombardimet e NATO-s, nuk ishin shkaktare të shkatërrimit të Jugosllavisë; ato ishin pasoja të atij shkatërrimi. Ndërkaq, shkaktari i mirëfilltë i shkatërrimit të Jugosllavisë ishte ai mentalitet i cili në Millosheviqin dhe në armiqësimin me të të gjithë fqinjët dhe të tërë botën shihte të vetmin shpëtim për kombin serb. Sepse, mund të shtrohet pyetja fundamentale: çdo të kishte ndodhur sikur në skenën politike serbe të mos ishte shfaqur Millosheviqi? Është e qartë: ai mentalitet i cili e zgjodhi Millosheviqin, në mungesë të tij do ta kishte zgjedhur dikë i cili nuk do të dallohej shumë nga ai. Shkatërrimi i ish-Jugosllavisë në dekadën që perëndoi ka mundur ti ketë një milion verzione të ndryshme; por nuk ka qenë asnjë verzion i mundshëm që do të mund të kalonte pa shkatërrimin e Jugosllavisë. Apo, thënë ndryshe, ish-Jugosllavia nuk është shkatërruar nga jashtë; ajo është kalbur përbrenda. Kjo kalbje nuk do të ndërpritet pa një disfatë përfundimtare, të plotë dhe të pakontestueshme, të mentalitetit të lartpëmendur serb, i cili është pikërisht krimbi që këtë kalbje e filloi. Dhe një disfatë e këtillë e këtij mentaliteti nuk do të pësohet pa pavarësimin e Kosovës. Ndërkaq, sa i përket shqiptarëve të Kosovës, kisha për ta parafrazuar një fjali të njërit ndër ish-politikanët kosovarë: Zgjidhja e cila e parasheh mbetjen e Kosovës në Jugosllavi i shpronëson dhe i tjetërson kosovarët nga Kosova. Apo, thënë ndryshe, nuk ka zgjidhje në të cilën Kosova do tu takojë kosovarëve, e në të cilën Kosova do ti takojë edhe Jugosllavisë po ashtu. Dhe, nga ana tjetër, po qe se Bashkësia Ndërkombëtare imponon ndonjë zgjidhje me mbetjen e Kosovës në Jugosllavi, nuk do të ketë asnjë argument që Bashkësisë Ndërkombëtare do ti mbetej, për ti bindur kosovarët se Kosova është e tyre. Sepse, demokratizimi i Kosovës dhe ruajtja e sovranitetit territorial të Jugosllavisë e përjashtojnë njëra-tjetrën, në tërësi e përjashtojnë njëra-tjetrën, dhe nuk bëjnë asgjë tjetër pos që e përjashtojnë njëra-tjetrën. Pra, kompromis apo demokraci çështje është tash? Çështje hamletiane, apo jo? Dhe po qe se vendoset që demokracia të bëhet çështje kompromisi, atëherë të mos shtrohet më vonë pyetja ku na u tretën integrimet. I ka gëlltitur kompromisi. (Janar 2001) ________________________________________________________________ GET INTERNET ACCESS FROM JUNO! Juno offers FREE or PREMIUM Internet access for less! Join Juno today! For your FREE software, visit: http://dl.www.juno.com/get/tagj.
More information about the ALBSA-Info mailing list |