| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Per GjirokastrenAgron Alibali aalibali at yahoo.comTue Mar 6 21:42:18 EST 2001
SPECIALE Rrënimi i Gjirokastrës qytetarët lëshojnë: "Sos!" Disa ditë më parë një grup intelektualësh formuan në Tiranë "Forumin për Mbrojtjen e Vlerave Kulturore të Gjirokastrës". Në këtë forum aderuan me kënaqësi shumë intelektualë të njohur gjirokastritë e jo gjirokastritë, të fushave të ndryshme të jetës, shkrimtarë e poetë, akademikë e profesorë, arkitektë, artistë e biznesmenë, ndërmjet tyre shkrimtarët tanë të njohur, Ismail Kadare e Dritëro Agolli. Forumi zgjodhi Kryetar Nderi të tij, I.Kadarenë. Qëllimi i këtij Forumi është që të japë ndihmesën e tij në mbrojtjen e vlerave kulturore të Gjirokastrës e sidomos të vlerave arkitektonike të saj, që janë të kërcënuara nga rreziku i prishjes e degradimit të tyre të përditshëm. Dy fjalë për vlerat kulturore të Gjirokastrës Për vlerat e saj, veçanërisht ato arkitektonike, që janë unikale, Gjirokastra i kalon caqet e një qyteti të zakonshëm dhe hyn në atë kategori vlerash që janë e mbeten monumente e simbole kombëtare të pazëvendësueshme e të pavdekshme. Të tilla vlera kalojnë edhe kufijtë kombëtarë e kthehen në të atilla që i takojnë gjithë kulturës njerëzore. E veçanta dhe bukuria mahnitëse e Gjirokastrës qëndron tamam në atë që ajo është e pakrahasueshme dhe e papërsëritshme. Në shtëpitë gjirokastrite dhe gjithë mjedisin që i rrethon sikur sintentizohen e harmonizohen të gjitha parimet e vlerat e arkitekturës e teknikës ndërtimore, në përshtatje të plotë e të përsosur me terrenin, me materialin ndërtimor, me funksionin, me klimën, sa që rrallë mund të hasësh një qytet tjetër, ku karakteri i ashpër ndërtimor të shkrihet aq ëmbël me monumentalitetin e pashoq. E veçanta e ndërtimit dhe bashkë me të dhe jeta gjirokastrite përbëjnë e përmbajnë në vetvete një enigmë, që të josh ta njohësh e ta zbulosh. S'është e rastit që vetëm duke lexuar veprat e I.Kadaresë për Gjirokastrën, intelektualë të shquar të shumë vendeve, deri ata në Japoninë e largët, kanë dashur të njohin nga afër e ta zbulojnë këtë "enigmë". Shumë dhimbje për të Por aq sa ndjen dashuri e krenari për një qytet me vlera të tilla, aq ndjen edhe dhimbje kur sheh se si ai qytet rëkon e kalon, ndofta, kohët më të vështira të historisë së tij qindravjeçare e rrënohet çdo ditë. Dekada e fundit, bashkë me shpresat e mëdha për zhvillim e përparim të shpejtë mbarti edhe marrëzira të atilla që çuan deri në humbjen, prishjen e rrënimin e vlerave të çmuara kombëtare e la në harresë kujdesin e mirëmbajtjen e një perle si Gjirokastra. Asnjë qeveri e majtë apo e djathtë, deri tani, se ka çmuar si detyrë të sajën mbrojtjen e vlerave arkitektonike të Gjirokastrës, por kanë lëshuar diçka si ndonjë lëmoshë, që çdo qeveri e një vendi mund ta japë edhe për një qytet tjetër, të tillë si Gjirokastra, po të ekzistonte edhe në Afrikë. Pa folur për ndonjë nga qeveritë e kaluara, që me komplekse absurde dha shenja të atilla sikur desh të hakmerrej me Gjirokastrën. Pyetja tani bëhet:-Si të shpëtohet e si të mbrohen vlerat kulturore të Gjirokastrës? Shpëtimi fillon nga shteti Pse s'është marrë shteti, deri tani, them sa duhet, për të mos thënë fare, me mbrojtjen e vlerave të tilla si ato të Gjirokastrës, mund të renditësh, e që jo rrallë renditen shumë arsye, që për të qenë i saktë, duhet thënë që s'mund t'i neglizhosh të gjitha, por që gjithsesi ato janë të pajustifikueshme në atë shkallë që jepen e vlerësohen. Midis këtyre arsyeve, e para që thuhet është që shteti s'ka fonde për këto punë ose më e pakta kaq fonde ka. Që është i varfër shteti ynë askush s'ka dyshim. Por, kur ka qenë më i pasur shteti ynë, që në mos plotësisht, por të paktën nuk i ka lënë deri në rrënim vlera të tilla, siç ndodh tani, me Gjirokastrën apo me kështjellat e monumente të tjera të spikatura për vlerat e tyre? Theksova këtë arsye, që jepet e para, se kjo paraqitet si tabu, të tjerat që thuhen pastaj janë aq vulgare e anësore, sa s'ja vlen t'i përmendësh. Mbi të gjitha arsyet një është e mbetet kryesorja: Mos kuptimi e mos vlerësimi i trashëgimisë kulturore dhe i rolit të kulturës në ngritjen e një shteti me të vërtetë modern. Kultura është një nga shtyllat kryesore të një shteti të tillë. Po të kuptohet kështu me ato mundësi që ka shteti jep zgjidhjen për çdo gjë në mënyrë të pranueshme. Atëhere caktohet metri, se kur duhet bërë diçka e kur diçka tjetër. Me vlerësime të tilla afatgjata qeveritarëve nuk u pëlqen të merren edhe për arsye pragmatiste. Shumë prej tyre e quajnë veten të përkohshë dhe u leverdis më mirë të merren me një veprimtari që siguron "nam" të mirë aktualisht, se sa me një veprimtari tjetër që nami mund tu takojë të tjerëve pas tyre. Por historia edhe jo e largët nuk do ti vlerësojë qeveritarët apo politikanët tanë nga fjalimet pompoze apo nga mitingjet që bëjnë, por nga veprat e përpjekjet e tyre për kontributin që japin në rradhë të parë edhe në mbrojtjen e zhvillimin e vlerave tona kulturore. Pushteti vendor jo vetëm të qahet Kur folëm për përgje-gjësinë e shtetit, është e kuptueshme se kjo përgjegjësi fillon nga pushteti vendor. Përgjegjësia e tij për Gjirokastrën ka qenë e mbetet e madhe. Shumë veprime të papërgjegjshme janë kryer nën hundën e sytë e pushtetit vendor. Nga kush janë dhënë lejet për ndërtimet pa kriter? Po ndërtimet pa leje kush i ka lejuar? Kush e ka zbrazur qendrën e qytetit nga shumë institucione administrative, duke i zbritur ato në këmbët e qytetit? Po pazarin tradicional në qendër të qytetit kush e spostoi? Kush lejoi të prishet terreni sportiv në qendër të qytetit, kur "iluministët" gjirokastritë ëndërronin që edhe stadiumi i qytetit duhet të ishte në qendër të tij? Sikur të mos kish vend tjetër, kush lejoi që në një pjesë të terrenit sportiv të ndërtohej një shkollë fetare e pjesën tjetër e ka lënë të kthehet në kënetë? Kush lejoi që një privat, për interesat e tij meskine, të vejë dorë në kompleksin arkitektonik fantastik të Angonatëve, duke zëvendësuar dritaret me qemer me arkitrarë betoni e pjesë të murit prej guri t'i bëjë me tulla të kuqe? (Në vitin 1991 një arkitekt i njohur austriak, pasi vizitoi Gjirokastrën, më tha, se :"Sikur të kisha mundësi ta transferoja atë kompleks në Austri, do të bëhesha atje njeriu më i pasur"). Shembuj të tillë ka dhe të tjerë, që dëshmojnë për inefiçencën e pushtetit vendor e të organeve e institucioneve të tij. Ajo që kërkohet është që pushteti vendor jo vetëm të qahet e ta lejë e kërkojë përgjegjësinë tek të tjerët, por të marrë në dorë me tërë forcën morale dhe forcën e ligjit gjithshka që lidhet me mbrojtjen e vlerave të Gjirokastrës. Gjallërimi i institucioneve vendore dhe shkundja e tyre nga plogështia do të rriste shumë rolin e t yre, si në kultivimin e dashurisë për qytetin e tyre, veçanërisht të brezit të ri, ashtu dhe në sensibilizimin e opinionit jo vetëm lokal, por mbarë kombëtar, si për të vënë në dukje vlerat kulturore të Gjirokastrës në fusha të ndryshme, ashtu dhe në nismat, idetë e alternativat për gjallërimin e mbrojtjen e këtyre vlerave. Në këtë fushë, një rol të madh duhet të luajë Universiteti i Gjirokastrës, që mban një emër të madh, atë të Eqerem Çabejt, por që në fushën për të cilën po flasim zëri i tij duhet të ndihet më shumë e më fuqishëm. Po vetë qytetarët gjirokastritë? E para që duhet të bëjnë, të mos e prishin me duart e tyre qytetin. Shumë veprime të papërgjegjshme që kanë ndodhur, nuk i nderojnë qytetarët gjirokastritë, të shquar në historinë e tyre për urtësinë dhe dashurinë për të bukurën. S'u falen atyre veprime të tilla si ai i shpyllëzimit të kodrave rreth kalasë, që çon deri në rrezikimin e shembjes së pjesëve të veçanta të saj; deri tek marrja e gurëve e pllakave të mureve në sheshin e "Çerçizit"; pa folur për prishjet e djegjet skandaloze në qytet në vitin 1997. Arkitektët, inxhinierët e mjeshtrit gjirokastritë, duhet të mendohen mirë e ti vrasë ndërgjegja kur hedhin në letër vizat e projekteve dhe kur i venë ato në jetë. Sigurisht, nuk mendohet që çatitë e shtëpive të reja të mbulohjen me rasa guri, as mjediset e brendshme të ndërtohen si të vjetrat, as që në vend të grilave plastike të vendosen tarabatë prej dërrase në dritaret. Por sot ka materiale të ndërtimit të shumëllojshme, që mund të zëvendësojnë funksionet e materialeve të tjera me imitacione, pa prishur aspak anën funksionale dhe atë estetike në harmoni me materialet tradicionalë. Më i fuqishëm të ndihet roli i vetë komunitetit në ngritjen e përgjegjësisë qytetare, duke ndërmarrë aksione konkrete, si ato të pyllëzimit, të pastrimit të qytetit, etj. Edhe para "aksioneve vullnetare" të kohës së diktaturës gjirokastritët bashkërisht pastronin rrugët e kujdeseshin për mjediset publike. Pse të mos e bëjnë këtë tani? Pse të mos e ngrenë zërin të gjithë, që nga qytetari i thjeshtë deri tek deputeti, kur shohin si rrënohet çdo ditë qyteti i tyre. S'bën keq një deputet që ngre zërin në Kuvend kur prishet një pasarelë në përroin që lidh dy fshatra të zonës së tij, por s'u dëgjuan një herë deputetët e Gjirokastrës të flasin kur është në rrezik të prishet një qytet i tërë, si Gjirokastra. Së fundi, do të thoja që, jo vetëm intelektualët gjirokastritë, por edhe ata jo gjirokastritë, do të kontribuonin mjaft po të ngrinin zërin në shoqata e forume të ndryshme, në shtyp e në median elektronike, për mbrojtjen e vlerave të Gjirokastrës, se ato janë vlera kombëtare. Eshtë i përkrahur, fatkeqësisht, mendimi se intelektualët tek ne si dëgjon kush. Mund të jetë edhe kështu ose jo plotësisht kështu. Por, pushtetarët tanë duhet ta njohin historinë, që thotë se edhe shumë mbretër despotë shqetësoheshin nga zërat revoltues të intelektualëve dhe vetë Cari i Rusisë, bashkëkohës i Leon Tolstoit, vetëm nga Tolstoi kishte frikë po të fliste ai. __________________________________________________ Do You Yahoo!? Get email at your own domain with Yahoo! Mail. http://personal.mail.yahoo.com/
More information about the ALBSA-Info mailing list |