| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Ne mbrojtje te nacionalizmitKreshnik Bejko kbejko at hotmail.comSat Mar 3 12:14:16 EST 2001
Falsifikuesit e "kombëtares" dhe kozmetika e "kozmopolitizmit". Çlirimtarët - "kombëtarët" dhe "kozmopolitët" Nga Ernest Luma (Kosovapress) ---------------------------------------------------- Nuk mund të jenë shqiptarët (të parët) ata që do të përfitojnë nga "koncepti i qytetarisë së përbotshme" në mishmashin nacionalist dhe ekstremist të Ballkanit. Kështu do të mund të flitej vetëm për gadishullin që ndodhet në polin e kundërt me të - Skaninavinë; sepse atje nuk ka Athinë, Beograd apo Shkup , burime të pandërprera të nacionalizmit dhe urrejtjes mbi fqinjët. ----------------------------------------------------- Prishtinë, 3 mars (Kosovapress) - Në mese dhe mediume të Kosovës ka individë e vizionarë që, përballë fenomeneve të reja në dhe rreth problemit të Kosovës apo shqiptarëve në përgjithësi, asnjëherë nuk kanë qenë ndonjë hap përpara mediave sikur që mund të jetë "Dnevni Telegraf" apo ndonjë simotër tjetër në Serbi. Ata edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe luftën heroike të saj, morën "izë" të flasin vetëm atëherë kur për të botoheshin reportazhe edhe në "Dnevni Telegraf" dhe telegrafë të tjerë të tillë. Qarqe dhe mediume të tilla, vizionarë dhe "patriotë" të flaktë të fondacioneve dhe donacioneve të ndryshme, "kombëtare" e ndërkombëtare, kanë qenë ata që gjithmonë kanë menduar të promovojnë në Kosovë novacionet dhe ventilimet "demokratike" në Serbi, gjatë tërë dhjetëvjeçarit të fundit e, sidomos, tani pas "ndërrimit" të pushtetit në Beograd. Përfaqësues të qarqeve të tilla, njerëz nga të cilat në fillimin e të nëntëdhjetave - viteve që shënonin fundin e ish-RSFJ-së - bënë përpjekje e përpjekje për t'i zgjatur jetë dinosaurit të "vëllazërim-bashkimit", kohë më parë bënë edhe një hap gjigand përpara: Ekskluzivisht, vrapuan ta promovojnë Koshtunicën në opinionin kosovar dhe arritën ta bëjnë këtë me një sukses të madh. Qartë, pas kritikave, tentuan t'ia mveshin me vonesë edhe epitetet si "ujk" e diçka të ngjajshme Së fundi, i vunë nën thumbin e parodisë projektet çlirimtare të shqiptarëve. Nëse në fillim daljen në skenë të UÇPMB-së e kishin quajtur "imitim të dobët të UÇK-së", tani kanë filluar t'i parodizojnë vitet e sakrificës të shqiptarëve të përndjekur në ish-RFJ dhe idetë e tyre për një shtet unik shqiptar, me epitetet si "harta të vizatuara nëpër facueleta" dhe deri në "kartona të trashë të zbukuruar me ngjyra". "Kozmopolitët" e tillë kanë harruar se për harta të tilla, që ata i quajnë "faculeta", jo pak njerëz kishin ngrënë vite e dekada të tëra burg nga paraardhësit e Koshtunicës dhe konkretizuesit e projekteve për shfarosjen e shqiptarëve nga ASHA të Serbisë. Jo vetëm kaq. Koncepti i "qytetarisë" që u dashka ta zëvendësojë atë të kombit, në mishmashet ballkanike, duket qartë se nga të tillë "qytetarë të të gjithë botës" ka tendencën e imponimit të pabazuar. (Të gjithë e dinë se nuk është punë faculetash ideja serbomadhe dhe ajo për shfarosjen e shqiptarëve. Projektet e akademikëve serbë dhe veprat e nacionalshovenistëve si Ivo Andriqi, të cilit bota e qytetëruar ia ndau çmimin Nobel, nuk kishin së brendshmi kozmopolitizëm, por fund e krye ishin urrejtje ndaj shqiptarëve dhe sillnin porosi për shfarosjen e tyre. Bota e qytetëruar nderoi Andriqin, por jo edhe Kadarenë). Dhe kjo nuk është rastësi. Nuk mund të jenë shqiptarët (të parët) ata që do të përfitojnë nga "koncepti i qytetarisë së përbotshme" në mishmashin nacionalist dhe ekstremist të Ballkanit. Kështu do të mund të flitej vetëm për gadishullin që ndodhet në polin e kundërt me të - Skaninavinë; sepse atje nuk ka Athinë, Beograd apo Shkup , burime të pandërprera të nacionalizmit dhe urrejtjes mbi fqinjët. Për "kozmopolitët" e bashkëkohësisë sonë janë të jashtëkohshme dhe të paqëlluara kërkesat për të qenë të lira të gjitha hapësirat e banuara me shqiptarë në rajon. Lufta çlirimtare e përtejlindjes së Kosovës (UÇPMB) dhe konflikti në përtejjugun e Kosovës (Maqedoni), më shumë se shqetësim, qarqeve prishtinase të "qytetarisë së përbotshme", u sjellin çaste komike. Komike për ta janë edhe vitet e tëra burg të shqiptarëve në ish-RFJ për "hartat e faculetave", sikurse që ishin dje edhe këmbënguljet për të mos e tjetërsuar flamurin tonë kombëtar dhe Hymnin. Apostujt shqiptarë të "kozmopolitizmit" ballkanik, të mbështetur në vjeljen e fondeve dhe donacioneve të majme, nuk ngurruan të pohojnë se më mirë është që shqiptarët në Kosovë të kenë flamur e Hymn tjetër se sa të këmbëngulin për atë kombëtar; për ta ishte qesharake ideja se duhet luftuar për liri edhe shqiptarët përtej Lindjes së Kosovës; për ta është kontraverse që shqiptarët të luftojnë sot për liri edhe në Maqedoni - shtetin më të brishtë në Ballkan. Kozmopolitët e Kosovës që nuk janë të tillë (tolerantë-liberalë) edhe ndërmjet vete dhe mund të ndodhë që edhe të grushtohen me njëri-tjetrin, kur është fjala për ndarjen (vjeljen) e sa më shumë fondeve (ndërkombëtare), marrin guximin të flasin dhe bëjnë pazarllëqe faqeve të gazetave me opcionet dhe përpjekjet e atyre që, tekefundit, sakrifikuan më së shumti për Kosovën dhe shqiptarët. Ata që dikur bënë burgun për Kosovën (në vitet më të mira të jetës), sot natyrisht se edhe do të luftojnë, sikur dje për Kosovën, ashtu edhe sot për Preshevën, Tanushecin, Tetovën, Dibrën Ndërkaq, "kozmopolitët" e fondeve dhe donacioneve ndërkombëtare, mund të kuptohet drejt se (edhe nëse nuk mendojnë ashtu sikur edhe flasin) të dalin kundër kryengritësve të Preshevës dhe Tanushecit dhe t'i quajnë shkarravina "faculetash" idealet e tyre, këtë janë të shtërnguar ta bëjnë, jo për hir të "kozmopolitizmit" më shumë se sa për hirë të kozmofondeve Membrana e përpjekjeve për realizimin e aspiratave kombëtare të shqiptarëve është duke u goditur në dy teha, dhe jo vetëm në botën e mediumeve: Në njërën anë, goditet nga tehu i "kombëtarëve" që i abuzojnë deri në përbaltosje, me tendencën e përvetësimit të këtyre atributeve dhe tjetërsimit special të përpjekjeve dhe, në anën tjetër, goditet nga "kozmopolitizmi" që për fonde të majme është në gjendje të mohojë dhe periferizojë rëndësinë e çdo projekti që shkon në favor të shqiptarëve dhe që shprishë "gjeopolitikën" ndërkombëtare të donacioneve. E vërteta e shqiptarëve në fundshekull po përpëlitet ndërmjet "kombëtarizmit" të falsifikuar dhe "kozmopolitizmit" të mveshur në kozmetikë. (I njëjti artikull është botuar edhe në të përditshmen Epoka e Re) _________________________________________________________________ Get your FREE download of MSN Explorer at http://explorer.msn.com
More information about the ALBSA-Info mailing list |