| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Ne kerkim te nje fati te ri - KadareAgron Alibali aalibali at yahoo.comMon Jun 4 23:09:09 EDT 2001
NË KËRKIM TË NJË FATI TË RI
Nga Ismail Kadare
Një jetën e popujve qëllon shpesh që problemet e mëdha shfaqen në trajtë ciklike. Ky riciklim tregon se hallet e mëdha, të mbetura pa zgjidhje, e trazojnë në stinë të ndryshme njëlloj si tërmetet ndërgjegjen e këtyre popujve. Ato më së shumti quhen si faj i të tjerëve, shpesh në mënyrë përdëllyese poetizohen si fat tragjik dhe vetëm rrallëherë konsiderohen si faj i vetë popujve.
Historia ballkanase është e shenjuar nga një viktimologji e tillë. E jona veçanërisht. Në këtë sprovë do të ceken disa nga këto probleme. Për të tjera çështje, që kanë lidhje të tërthortë madje rastësore me to, do të flitet gjithashtu. Por as për të parat, as për të dytat nuk pretendohet të flitet në mënyrë shteruese. Janë thjesht shënime të nxitura nga dita e ngarkuar, nga pakënaqësia apo nervozizmi ynë në orën e lajmeve në TV ose fill pas mbylljes së ekraneve, në orët e vetmisë sonë.
ME PERËNDIMIN APO KUNDËR TIJ
Është pyetja që ndoshta më së shumti është përsëritur në këtë gadishull të vjetër. Ka qenë shtruar, me sa duket, qysh me ndarjen e Romës nga Bizanti, në fillim të mijëvjeçarit të dytë për t'u përtërirë në mes të tij atëherë kur një forcë e tretë, e vrullshme si një luan i ri, iu sul dy mbretërive të vjetra, Perandoria Osmane.
Midis çoroditjes së plotë që u krijua në gadishull, midis trumbetave të luftës dhe fyejve të paqes, midis kërcënimeve e joshjeve, shkurt midis kaosit proverbial ballkanik, u gjet dhe populli shqiptar. Nuk ishte as më i mirë dhe as më i keq se të tjerët, ndaj ishte e natyrshme të bënte të njëjtat gabime e të kishte të njëjtin fat si të tjerët. Njëri pas tjetrit këta popuj u rrëzuan. Ata i nënshtroi jo vetëm jatagani turk, siç pretendojnë ballkanasit dhe as vetëm shpirtësia osmane, siç pretendojnë otomanët, po të dyja bashkë. Ndërkaq, pak përpara se të binte perdja e aktit të fundit të njërës prej dramave, asaj shqiptare, prijësi i këtij populli, Gjergj Kastrioti, bashkë me rebelimin e tij të bujshëm kundër shtetit osman, shpalli një ide të re e një ideal të ri: ndarje me Lindjen, aleancë me Perëndimin.
Ky ndërrim i kahut të historisë, ky programim i ri i saj u bë për shqiptarët orientimi themelor i jetës së tyre. Ishte kaq i fortë, saqë nuk e shuan dot as shekujt e gjatë të pranisë turke, as pluhuri e përgjumja e "pax ottomana". Shqiptarët të dalluar si për dashuri, si për mohim të atdheut, bënë gabime e marrëzi të njëpasnjëshme, megjithatë nuk mund të thuhet se i kthyen krahët idealit kastriotian. Edhe kur ndërruan atdhe e fe, në një kënd të ndërgjegjes së tyre mbeti si qiri i zbehtë kujtimi i princit katolik që u kishte mësuar se liria e tyre ishte pjesë e lirisë së Evropës.
Një hero nuk përbën gjithmonë një kujtim ngazëllyes. Ai mund të jetë edhe bezdisës. Gjergj Kastrioti ka qenë për një kohë të gjatë për një pjesë të popullit shqiptar një qortim i heshtur. Për të jetuar me një kujtim të tillë nuk është lehtë. Dhe në raste të tilla ka dy zgjidhje: ta shkulësh nga ndërgjegjja ose ta modifikosh.
Një pjesë e shqiptarëve e ruajti të paprekur figurën e Kastriotit.
Pjesa më e prapambetur e tyre e modifikoi atë sipas mendësisë së saj të varfër e oportuniste. Nga një ideator e programues të madh, e shndërroi në një kondotier ballkanas, te i cili shpata dhe kali zinin vendin kryesor.
Ndërkaq kultura dhe letërsia shqipe e mbajti të gjallë figurën e prijësit. Kjo u dëshmua në veprat e shkrimtarëve katolikë të shekujve XVII-XVIII. Por një gjë e tillë u ridëshmua sidomos gjatë Rilindjes Shqiptare, kur personazhi i ngritur befas nga terri e mori gjithë shkëlqimin e tij si bartës i evropianizmit. Vargjet e famshme: "O dritëz e bekuar që lind nga perëndon", në të cilat shpallet programi i rilindasve për rikthim te Evropa Perëndimore, janë shkruar nga një poet bektashi, pra i universit mysliman, Naim Frashërit.
Dilemat tragjike të një populli shfaqen sidomos në prag ose në fund epokash. Ishte e kuptueshme që pyetja: nga do të shkonte Shqipëria, të ngrihej në kohën që Perandoria Osmane po jepte shpirt. Duke dalë prej saj gati e përgjysmuar, Shqipëria e pagoi dyzimin e saj. Më shumë se shpërblim për qëndresën, ajo mori nga Evropa dënimin për oportunizmin e saj. E sikur të mos mjaftonte ky fshikull, fill pas daljes në liri, një lëvizje prapanike dhe monstruoze shpërtheu në Shqipërinë e Mesme: kryengritja e Haxhi Qamilit. Mesazhi i saj ishte i qartë: kthim te Turqia, kundër lirisë së Shqipërisë.
Në historinë e vendit është vështirë të gjendet një njollë më e errët. Për herë të parë vulgu shqiptar guxoi të hidhte baltë kundër çdo shenje të vet. U shkel me këmbë flamuri shqiptar, fytyra e Gjergj Kastriotit, gjuha shqipe dhe mësuesit e saj.
Në luftë me bandat me shallvare të Haxhi Qamilit e me bandat esadiste, të nxitura nga Serbia, u vra koloneli holandez Thomson, i dërguar në Shqipëri prej Fuqive të Mëdha, për organizimin e xhandarmërisë së shtetit të parë shqiptar. Fan Noli, peshkopi dhe poeti i madh, i kushtoi një vjershë mallëngjyese, duke e quajtur martir të Shqipërisë. Nacionalistët primitivë shqiptarë heshtën për vrasjen, sepse, sipas mendjes së tyre të mykur, vrasësit nuk mund të dënoheshin, ngaqë i përkisnin kombësisë shqiptare. Paçka se ata ishin llumi i zi i këtij vendi.
Pyetja: me Perëndimin apo kundër tij u shtrua në atë kohë më tragjikisht se kurrë. Tridhjetepesë vite më pas, shefi i komunistëve shqiptarë, Enver Hoxha, do të deklaronte se koloneli Thomson ishte agjent i imperializmit dhe se "Haxhi Qamili është i partisë". Është një nga deklaratat makabre kur shpallej kumti ogurzi: Shqipëria i kthente krahët Perëndimit, për të shkuar përfundimisht me Lindjen.
Gjithë kronika e komunizmit në Shqipëri mund të përmblidhet në disa radhë: shkelje me këmbë e orientimit të Gjergj Kastriotit dhe Rilindjes Kombëtare. Armiqësi e egër ndaj qytetërimit perëndimor. Miqësi e mbrapshtë me ata që nuk i kishim miq: serbë, sovjetikë, kinezë. Në fund, veçim vetëvrasës.
Ndarja nga bota e Shqipërisë ishte në radhë të parë ndarje nga Evropa dhe SHBA. Katastrofë më e pashpresë nuk mund të projektohej për shqiptarët. Gabimeve të tyre të vjetra po u shtohej një tjetër faj, këtë herë i pafalshëm dhe fatal. Ky veçim po i merrte frymën jo vetëm Shqipërisë shtetërore, por gjithë shqiptarëve kudo që jetonin e sidomos Kosovës. Shpresa për lirinë e saj ishte varrosur më thellë se kurrë.
E PABESUESHMJA
Mbarimi i mijëvjeçarit të dytë kishte ruajtur për popullin shqiptar surprizën më të pabesueshme: Evropa Atlantike, e mallkuar për dyzet vjet nga propaganda komuniste, e shpallur armike e betuar e shqiptarëve, ngrihet befas në një aksion politik e ushtarak të pashembullt për të mbrojtur popullin, të braktisur gjer atëherë në mëshirë të fatit.
Tronditja ishte planetare. U trandën aleancat, strategjitë, parimet morale. Më shumë se nga bombat e NATO-s opinioni serb u traumatizua nga ajo që dukej si fundi i botës: po ndëshkohej Serbia për shkak të shqiptarëve të Kosovës.
Një lëvizje në aksin e boshtit të tokës nuk do të bënte ndoshta më pak përshtypje. Për një kohë të shkurtër populli shqiptar fitoi atë njohje e atë miqësi të botës perëndimore, që as në ëndërrimet më të guximshme nuk e kishte përfytyruar.
Testamenti i madh i Gjergj Kastriotit dhe i Rilindjes u duk se ngadhnjeu më në fund: aleancë me Perëndimin. Ishte kaq e magjishme saqë zgjonte atë frikë bestyte që provonin të vjetrit kur dyshonin se mund të zgjonin smirën e qiellit.
Dhe ajo nuk vonoi. Pas hutimit të parë pasuan zërat kundërshtues: a e meritonin shqiptarët këtë miqësi? Mos ishte gabim kjo ndërhyrje? Mos duhej ndrequr sa më shpejt ky keqkuptim?
Dhe makina që kërkonte revizionimin e gjithçkaje u vu në lëvizje. Por makina nuk ishte e besueshme kur punonte me lëndë serbe. As britmat proserbe të miqve nuk mjaftonin. Për të revizionuar gjithçka në dëm të shqiptarëve duhej ndihma e vetë shqiptarëve.
Kam udhëtuar në Kosovë në vjeshtë të vitit 1999, pak kohë pas çlirimit të saj. Krahas ngazëllimit dehës të lirisë që ndeshej kudo, nuk mungonin fytyra të ngrira, për të mos thënë të zymta. Përpiqeshin njëfarësoj ta përligjnin mungesën e entuziazmit. Kishte shumë probleme në Kosovë. UNMIK-u nuk orientohej mirë. KFOR-i gjithashtu. Gati-gati nuk po shqiptoheshin fjalët "OKB-ja po dështon në Kosovë", fjalë me të cilat Beogradi përpiqej të shurdhonte botën.
Në një intervistë mendova të bëj një propozim mjaft delikat: kosovarët e rekrutuar nga shërbimi sekret serb ishte mirë të faleshin publikisht prej Kosovës. Ishte e vetmja mënyrë për t'i shpëtuar nga ankthi dhe sidomos për ta neutralizuar makinën e përbindshme serbe.
Intervista u prit nga një heshtje e plotë në shtyp. Ishte e kuptueshme: njeriu i parë që do ta përkrahte do të dyshohej se e kishte mizën nën kësulë.
SHËRBIMET E FSHEHTA TË HUAJA NË SHQIPËRI
Më shumë se në çdo vend të botës, në Shqipërinë komuniste flitej për spiunë të huaj. Më pak se kudo ata kapeshin këtu. Për dyzetepesë vjet me radhë mburrjet e sigurimit shqiptar përplaseshin me këtë dush të ftohtë. Për të fshehur paaftësinë e tij dhe për të reklamuar ca suksese minimale, sigurimi shqiptar në mënyrën më burracake iu sul grave të gjora ruse. Në mungesë të spiunëve të vërtetë, ishin ato që u shpallën spiune. Si të tilla u ndoqën, u burgosën e u internuan pa mëshirë. Shkakun e kësaj paaftësie e shpjegojnë saktë dy vargje të një poeti gjerman: "Ai tregon me dorë armikun tej kufirit, po mendjen e ka tek ty".
Sigurimi shqiptar kishte për detyrë të përgjonte e të shtypte kryesisht shtetasit e vet. Ndërkaq agjenturat e huaja, kryesisht ato lindore, me në krye agjenturën sovjetike, kanë mbetur të paprekura ende sot në Shqipëri.
Vite me radhë ato ngjanin si të fjetura. Ishin të tilla jo nga ndonjë drojë përpara "syrit prej shqiponje të armës së dashur të partisë", por ngaqë, me sa duket, nuk e quanin të nevojshme të ndiheshin. Qëllimi kryesor i rrjetit agjenturor lindor në Shqipëri ishte të pengonte me çdo kusht rrëshqitjen e këtij vendi drejt Perëndimit. "Ju do t'i shiteni Perëndimit për tridhjetë aspra", i kishte thënë Hrushovi Enver Hoxhës më 1960. Afrimi shqiptaro-perëndimor ishte macja e zezë për rusët. Ndërkaq, përderisa këtë mision, misionin e izolimit, më shkëlqyeshëm se kushdo e kryente vetë regjimi komunist, veprimtaria agjenturore e jashtme s'ishte fort e nevojshme.
Rrjeti lindor i zbulimit u ringjall, me sa dukej, në Shqipëri pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ishte koha kur rreziku i shkarjes së vendit drejt kahut të urryer doli prapë në skenë. Agjentura lindore duhej ta pengonte këtë me çdo kusht. Sa më staliniste vazhdonte të mbetej Shqipëria, aq më të qetë do ta bënin gjumin rrethet tradicionale shqiptare. Dhe aq më thellë do të vazhdonte të dergjej Kosova në gjumin e robërisë.
Ndërkaq, pas izolimit të gjatë kriminal, populli shqiptar nisi të bënte trysni mbi regjimin për hapjen ndaj botës. Trysnia rritej nga viti në vit duke u shndërruar në psikozë në vitin 1988. Ishte ajo që u quajt "koha e shansit gjerman". Tek afrimi gjermano-shqiptar populli shihte të vetmen mënyrë për t'iu afruar Evropës Atlantike. Regjimi nuk guxonte të prishte brutalisht këtë iluzion. Ai vendosi të luante një nga lojërat më hipokrite që ishin zhvilluar ndonjëherë në këtë vend. Nga një anë bënte sikur nuk e pengonte afrimin, nga ana tjetër kishte vendosur të kundërtën.
Gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm gjerman, Gensherit, në Tiranë në konferencën ngazëllyese të shtypit të dhënë në hotel "Dajti", fill pas bisedimeve, fytyra e homologut të tij shqiptar ishte e prerë. Vetëm sytë e vëmendshëm mund të hetonin se diçka e papastër po ndodhte pas shpine.
Ndonëse njerëzit ngryseshin e gdhiheshin me këtë shpresë, afrimi me Gjermaninë nuk ndodhi kurrë. Dëshira e regjimit u përputh si shpeshherë me misionin e agjenturës sovjetike, që ashtu si tutori i fshehtë "e mbronte Shqipërinë nga murtaja perëndimore".
Bisedimet gjermano-shqiptare zgjateshin e stërzgjateshin pa fund. Me gjakftohtësi gjermanët përballonin trillet e emisarëve shqiptarë që venin e vinin në Bon e që kërkonin veç pretekste për ndërprerje. "Po na vënë kushte të papranueshme", qaheshin këta emisarë, raportet e të cilëve kishte gjasë që shkonin më parë në Moskë se në Tiranë. Cilat ishin këto kushte të rënda? Kryesore citohej çështja e fesë. Për të përligjur ndihmën përpara opinionit gjerman, duke kujtuar se kishin të bënin me krijesa që kishin një minimum logjike dhe një minimum përkushtimi ndaj popullit të vuajtur shqiptar, gjermanët kishin kërkuar njëfarë tolerance ndaj lirisë së besimit. Ishte një gremç i artë për regjimin shqiptar dhe për agjenturën sovjetike, ndaj të cilit do të kapeshin me pasion.
Ndërkaq në Bashkimin Sovjetik, puçistët e ardhshëm stalinistë organizoheshin. Ditë për ditë ato po shtinin në dorë sektorët kryesorë të shtetit: politikën e jashtme dhe policinë e fshehtë. Ka dokumente që vërtetojnë se ngritja e Milosheviçit përkoi me fuqizimin e puçistëve dhe u nxit prej tyre. Janë të gjitha gjasat të vërtetohet se stalinistët rusë në të njëjtën kohë kanë rënë në kontakt me udhëheqjen shqiptare. Mesazhi ka qenë i qartë: mbahuni edhe pak. Së shpejti gjithçka do të zgjidhet globalisht.
Me sa dukej lajmi i madh surprizë që puçistët do t'i jepnin botës fill pas fitores do të ishte rikthimi në gjirin e perandorisë sovjetike e dy deleve të ikura: Jugosllavisë dhe Shqipërisë.
Puçi u krye në gusht të vitit 1991. Në krye u duk se fitoi. Tregojnë se atë natë në Tiranë u bënë shumë darka të gëzueshme. Disa orë më pas, për fatin e Shqipërisë dhe të një pjese të botës, ai dështoi. Dhe bashkë me të ëndrra e mbrapshtë, ëndërr e përbashkët e parë në Moskë dhe në Tiranë, për rikthimin e Shqipërisë drejt Lindjes komuniste.
LIRIA E KOSOVËS NË FILL TË PERIT
Të kthehemi te pranvera e vitit 1999. Siç u tha më lart, as në skenarët më fantastikë si ato të tipit të filmit "Trafik ndikimi", nuk do të guxohej të shkohej kaq larg. Presidenti amerikan lodhet përpara ekraneve të TV për t'i shpjeguar popullit amerikan ç'janë shqiptarët, ç'është Kosova dhe pse duhet që ushtria amerikane të ndërhyjë për t'i mbrojtur. Të njëjtën gjë bëjnë presidentët e tjerë të Evropës. NATO sulet më në fund të ndëshkojë Serbinë. Jugosllavia pret marrëdhëniet me Shqipërinë, duke e akuzuar si shërbëtore dhe avanpost të NATO-s. Të rrëzuar në gjunjë nga masakrat shqiptarët e Kosovës e kanë vënë shpresën e vetme për shpëtim te Evropa atlantike. Dhe më në fund, ashtu ndodh vërtet: Perëndimi i keq, Perëndimi i urryer, Perëndimi kriminal e çliron popullin e Kosovës nga një vend komunist, që quhet Jugosllavi!
Liderët e dikurshëm komunistë, që nga Stalini te Mao Ce Duni, do të ktheheshin përmbys në varr nga ky lajm. Do të rrotullohej në varr Titoja, por do të kthehej sidomos Enver Hoxha. Kjo ishte një gjëmë e zezë për ta, fshikulli më i fortë që u jepte koha, e vërteta, historia.
Ndërkaq jo më pak do të tronditeshin militantët e thinjur stalinistë në Beograd dhe në Tiranë. Ishin gjetur edhe më parë në ca aleanca të verbëra e të shurdhëta, të ndërgjegjshme apo të pandërgjegjshme, qysh kur kishin pranuar si atdhe të përbashkët Rusinë sovjetike.
U gjendën pra përsëri në të njëjtin krah, ndonëse këtë herë më shumë pa ndërgjegje se me ndërgjegje, me fjalë të tjera më shumë nga budallallëku se nga ndonjë projekt. E kishin humbur prej kohësh atdheun e përbashkët, B.R.S.S.-në, ngaqë ai s'ekzistonte më dhe nuk u kishte mbetur veçse një afsh i tij: urrejtja kundër Perëndimit dhe NATO-s. E kishin bërë, pra, këtë urrejtje një farë surogati të doktrinës, ndaj, sa herë që vinte puna, ishin gati të punonin për të.
Në pranverë të vitit 1999, e gjendur në pikë të hallit, Serbia u përpoq ta shfrytëzonte verbërinë e marksistë-leninistëve shqiptarë dhe mllefin e tyre antiperëndimor. Për shkak të këtij mllefi, në bisedimet e Parisit, ndëshkimi i Serbisë, rrjedhimisht, liria e Kosovës kaluan në fill të perit. Me dhjetëra ishin stalinistët shqiptarë dhe kosovarë që bënin trysni mbi delegacionin shqiptar për të mos nënshkruar dënimin e Serbisë, pra, lirinë e Kosovës. Si rrjedhim i lëkundjeve të delegacionit, pra si pasojë e kohës së humbur u vranë dhe u masakruan mijëra shqiptarë të tjerë në Kosovë. Nuk kemi parë e as kemi dëgjuar ndonjë herë një shfaqje pendimi për këtë faj të rëndë. Ashtu siç nuk kemi parë kurrfarë autokritike për deklaratat e papërgjegjshme të disa liderëve të tjerë, deklarata që shkaktuan viktima, shpërngulje të pafundme e fëmijë të shkrumbuar.
Ky refuzim kokëfortë për të shqyrtuar gabimet u pagua shumë shtrenjtë nga populli shqiptar dhe ka rrezik të paguhet ende në të ardhmen. Për të mbyllur këtë kapitull të hidhur mund të thuhet se armiqësia tradicionale kundër NATO-s, desh përfundoi në mbrojtje të Serbisë komuniste, kundër lirisë së Kosovës. Asnjë shqiptar nuk ka të drejtë të harrojë këtë tragjedi të mundshme, prej të cilës popullin shqiptar e shpëtoi fati. Për fat të keq, ka shumë që qysh tani e kanë harruar.
REVANSHI SERB
Pas çlirimit të Kosovës nga ushtritë perëndimore, Serbia e Milosheviçit nuk e hoqi shpresën për të shkaktuar ftohje, pastaj acarim e mundësisht konflikt midis shqiptarëve dhe Evropës Atlantike.
Në një vështrim të parë mund të dukej një shpresë e kotë, si përpjekjet e të mbyturit për t'u kapur nga flokët e vet. Por nuk ishte ashtu. Serbia i njihte cenet e shqiptarëve, vanitetin, kapardisjen dhe etjen e tyre për pushtet dhe lavdi. Ajo do të bënte të pamundurën të nxirrte prej tyre përfitimet e saj. Këto cene, pra, bashkë me rrjetin e saj agjenturor, bashkë me nostalgjitë staliniste antiperëndimore, ishin shansi i fundit i saj për t'i rikthyer shqiptarët në gjendjen e tyre të mëparshme: të mallkuarit e Evropës.
Qysh në ditët e para të lirisë u vu re mjergulla e parë. Krahas mirënjohjes për çliruesit evropianë, nisi një eufori e tepruar për çliruesit vendës. Shkallë-shkallë kjo e fundit po fryhej nga disa rrethe në atë masë, saqë vetvetiu mirënjohja për Evropën po tkurrej për të shkuar drejt zhdukjes. Mendime të tilla, si "ushtritë perëndimore e çliruan Kosovën" me të cilën hapet ky nënkapitull, do të tingëllonin përherë e më të panatyrshme, ngaqë ishin zëvendësuar nga mendimi tjetër: Kosovën e çliroi UÇK-ja.
Çështje etike? Problem historianësh të ardhshëm? Çështje e dorës së dytë, që lidhet siç thamë më lart me etjen tonë të njohur për lavdi etj., etj.?
Në rastin e Kosovës nuk ka qenë aspak ashtu. Çështja se kush e çliroi Kosovën kishte lidhje me një gjë tjetër: mirënjohje ndaj Evropës. Mirënjohja gjithashtu mund të duket e parëndësishme nga ana politike dhe në shumë raste ashtu është. Por prapë në rastin e Kosovës, ajo do të merrte ngjyrim dramatik.
Dhe ja sepse: për të nisur procesi i ftohjes dhe pastaj i armiqësimit të shqiptarëve me Evropën Atlantike, e para gjë që duhej të binte ishte pikërisht mirënjohja. Zëvendësimi i mirënjohjes me mosmirënjohjen do të ishte edhe akti i parë i ftohjes.
Kam qenë përherë përkrahës i UÇK-së së Kosovës. I kam mbrojtur djemtë dhe vajzat e Kosovës që ishin gati të flijoheshin për të, në ditët e tyre më të këqija, atëherë kur u sulmuan dhe u mbuluan me shpifje nga që stuhi propagandistike botërore. E megjithatë, le të kemi kurajon të themi të vërtetën: Kosovën nuk e çliroi UÇK-ja, por Evropa Perëndimore.
Kjo e vërtetë as nuk mohon, as nuk ndryshon asgjë në meritat e kësaj ushtrie çlirimtare. Ishte UÇK-ja ajo që i ra kambanës së alarmit për të zgjuar gjithë planetin. Ishte ajo që u vra e u copëtua për t'i bërë të qartë botës se ç'po ndodhte në Kosovë. Së fundi, ishte ajo që, duke shërbyer si pararojë e NATO-s, arriti të tërhiqte makinën e rëndë ushtarake të saj në vendin e harruar që quhej Kosovë. UÇK-ja ka dhe do të ketë gjithmonë gjithë mirënjohjen tonë. Por as mirënjohja, as dashuria për të nuk mund të na detyrojë të ndryshojmë të vërtetën. Dhe e vërteta është se UÇK-ja nuk e çliroi dhe as kishte mundësi ta çlironte Kosovën.
Ndërgjegjësimi për këtë do të shërbente si barrierë kundër një psikoze të mundshme antievropiane, psikozë që agjentura serbe u përpoq me të gjitha mënyrat ta nxiste në Kosovë. Pas çlirimit, në Kosovë filluan të ndodhnin gjëra të trishtueshme. Dhuna kundër serbëve të pafajshëm, dëbimi dhe frikësimi i tyre dhe i romëve do të mjaftonin për të dhënë alarmin për një "spastrim etnik" në kah të kundërt, të kryer tashmë prej shqiptarëve. Kjo u shoqërua me një terror të brendshëm midis shqiptarëve të tipit bolshevik: vrasje të kundërshtarëve politikë, larje llogarish, hakmarrje meskine. Kapitali që shqiptarët kishin grumbulluar si viktima të dhunës së egër serbe po shpenzohej me shpejtësi. Bota perëndimore nisi të dëgjonte përherë e më shpesh zërat që i bënin thirrje për të rishqyrtuar ndërgjegjen lidhur me ndëshkimin e Serbisë. Sa më shumë që shqiptarët bënin marrëzira, aq më pak Perëndimi ndihej i detyruar moralisht ndaj tyre.
Ishte e vërtetë se s'kishte kurrfarë krahasimi midis dhunës serbe dhe asaj shqiptare. Ishte e vërtetë se shenja e barazisë, që shpeshherë me ligësi dhe djallëzi, u vu midis tyre tingëllonte si fyerje e rëndë për popullin e martirizuar shqiptar. E megjithatë, kjo nuk e përligjte krimin tonë. Duke imituar xhelatët serbë ne fyenim vetveten. Çdo vrasje serbi ose romi të pafajshëm, çdo djegie kishe a shtëpie serbe hiqte një gur nga muri i solidaritetit, i ngritur me aq mund dy vitet e fundit.
Në këtë gjendje tejet delikate liderët e Kosovës nuk u treguan të kujdesshëm. Jo me deklarata të thata, jo me mefshtësi, por me sinqeritet dhe pasion duhej të dënonin dhunën shqiptare. Ta dënonin në mënyrë të besueshme, jo thjesht për t'i bërë qejfin botës, por sepse ashtu ia deshën interesat e lirisë së Kosovës. Dënimi i dhunës shqiptare nuk vinte në kundërshtim as me Kosovën, as me moralin universal, ndaj s'kishte vend për kurrfarë mëdyshjeje. Për fat të keq, mëdyshjet binin në sy që larg.
Një rreth me cen i rrezikshëm u krijua në Kosovë dhe në një pjesë të diasporës shqiptare. Sa më shumë Evropa atlantike e ngrinte tonin kundër dhunës shqiptare, aq më fort shtohej rreziku i krijimit të nervozizmit të ndërsjelltë. Instikti i vjetër stalinist kundër NATO-s rrezikonte të dilte tashmë hapur. Beogradi përgjonte çdo shenjë, përpiqej të kapte çdo rast dhe natyrisht i hidhte benzinë zjarrit. Dy ngjarje që u dukën të papritura i sollën më afër se kurrë armët shqiptare me armët e NATO-s, rrjedhimisht triumfin e ëndrrës serbe për konflikt: rebelimi ushtarak në Luginën e Preshevës dhe ai në Maqedoni. I pari filloi në kohën e Milosheviçit, i dyti në atë të Kostunicës.
NJË MEDALJE E KUNDËRSHTARIT
Le të jemi të qartë qysh në krye: shqiptarët e zonës së Preshevës, Bujanovskit, Medvjedës, kanë plotësisht të drejtë të kërkojnë gjer më një të drejtat e tyre si qytetarë të lirë të shtetit ku bëjnë pjesë. Veç kësaj ata kanë plotësisht të drejtë të kërkojnë mospranim në truallin e tyre të njësive ushtarake serbe që morën pjesë në masakrat e Kosovës. Këto dy të drejta nuk mund të vihen në dyshim. Nga ana tjetër, le ta themi me trishtim, por me qartësi, se shqiptarët e Luginës së Preshevës, pavarësisht se si u gatua kjo punë që nga Kongresi i Berlinit e këtej, sot përbëjnë një minoritet shqiptar brenda shtetit serb. Të tillë, si minoriteti serb në Kosovë, si minoriteti grek në Shqipëri, e kështu me radhë, si gjithë minoritetet në Evropë. Dihet se fati i tyre s'është kurrë i gëzueshëm. Dhe dihet se të gjithë ata në një mënyrë ose në një tjetër e ndiejnë veten gjithsesi të flijuar në raportin me popujt nga janë shkëputur.
Ndërkaq, po aq mirë dihet se problemi i pakicave në Evropë (e aq më tepër në botë), nuk shtrohet ende për zgjidhje nga që kultura politike e sotme është ende larg mirëkuptimit për këtë gjë. Një zgjidhje të tërthortë do të sjellë padyshim evropianizimi cep më cep i kontinentit. Ky evropianizim do të bëjë që shumë gjendje të sotme pakicash të duken pas disa vitesh barbare. Kjo do të jetë praktikisht dhe fillimi i zgjidhjes përfundimtare.
Në Luginën e Preshevës ka ndodhur një gjë e veçantë. Rebelimi i armatosur shqiptar nisi brenda një shteti të cilësuar praktikisht jashtë ligjit. Me këtë shpjegohet mbyllja e njërit sy e NATO-s dhe me këtë shpjegohet natyrisht krijimi i një keqkuptimi dramatik te shqiptarët. Ata kujtuan ose ia mbushën mendjen vetes se ajo që u falej në kohë të Milosheviçit, mund t'u falej edhe më pas, në kohën kur tirani serb u përmbys. Kurrsesi nuk donin të kuptonin se ditën që Serbia me të drejtë ose pa të drejtë nisi të konsiderohej një vend pak a shumë normal, shqiptarët e Luginës së Preshevës u rikthyen përsëri në një minoritet. Si të tillë ata s'mund të këmbëngulin më që të drejtat e tyre legjitime t'i kërkonin me armë. Asnjë pakicë në Evropë s'mund t'i lejohet dhe nuk do t'i lejohet kurrë një gjë e tillë. Lejimi i saj do të thoshte që Evropa të niste vetëvrasjen e saj. Ata që kujtojnë se Evropa, ajo Evropë që s'do ta flijonte veten as për irlandezët, as për pakicat gjermane, hungareze a flamande, do ta bënte këtë përjashtim për pakicat shqiptare, gabohen rëndë.
Në Luginën e Preshevës ndërkaq për një kohë të gjatë kanë vazhduar dhe vazhdojnë bisedimet. Kam drojë se ky durim evropian është keqkuptuar. Arsyeja e vërtetë e tij ka qenë nderimi për Kosovën e martirizuar dhe për askënd tjetër. Mirëpo ka asish që e kthejnë atë kujdes në favor të tyre.
Në Luginën e Preshevës zgjatja e bisedimeve nuk ka qenë veçse vitrinë për reklamimin e "durimit dhe urtësisë serbe" përballë mosdurimit shqiptar. Duke kujtuar se po bëheshin të rëndësishëm prej zgjatjes së bisedimeve, shqiptarët nuk e kuptonin se prej tyre po rrënoheshin çdo ditë. Për fat të mirë, ditët e fundit ka ndodhur një ndryshim themelor. Shqiptarët po merren vesh me trupat e Aleancës për vendosjen e paqes, një akt me të vërtetë heroik që duhet përshëndetur.
E ngjashme është pak a shumë dhe ajo që po ndodh në Maqedoni. S'ka asnjë dyshim se tradita e shtypjes së shqiptarëve në Maqedoni ka qenë monstruoze. S'ka kurrfarë dyshimi se të dërgosh policinë dhe tanket kundër hapjes së një universiteti, siç bëri shteti maqedon në Tetovë, se të tmerrohesh nga përdorimi i gjuhës shqipe, se të sillesh me të shpërngulurit shqiptarë si me tufa bagëtish e të ulërish nëpër stadiume se "shqiptarët duhen mbytur me gaz!" etj., etj., të gjitha këto janë makabre për një vend që hiqet si evropian. E megjithatë, kundërshtimi i këtij turpi, kërkesa e barazisë dhe e ndryshimit të kushtetutës jo me deklarata e manifestime politike, po drejt e me armë, u gjykua ashpër prej bashkësisë ndërkombëtare si një akt destabilizues. Kjo histori tashmë dihet. Dihet ajo që ndodhi dhe ajo që po ndodh, gabimet e dyanshme, spekulimet, egërsia, tërbimi i ekstremizmit maqedonas që kujtoi se i erdhi dita, tërbimi i ca intelektualëve e gazetarëve shqiptarë, të cilët nga kozmopolitë të thekur gjer dje, u kthyen brenda natës në nacionalistë të përvëluar etj., etj. Në këtë çorbë tipike ballkanase nuk munguan as deklaratat barbare ruse, që propozuan Çeçeninë në Ballkan as intrigat serbe, as sfinat e diasporës shqiptare, që u turr të nxirrte përfitime nga ky mish-mash.
Pyetja që shtruan analistët dhe një pjesë e madhe e opinionit shqiptar dhe botëror ishte: përse bëhet e gjithë kjo?
Vërtet shqiptarët e Luginës së Preshevës besonin se do ta thyenin vetëm për vetëm ushtrinë jugosllave? Në mungesë të kësaj vërtet ata besonin se NATO, pasi është deklaruar me një ashpërsi të pashembullt kundër tyre, do t'i ndihmonte megjithatë ashtu siç ndihmoi Kosovën dy vite më parë?
Për rastin e Maqedonisë pyetja është e të njëjtës natyrë: vërtet shqiptarët besojnë se Evropa dhe NATO, pasi i kanë quajtur terroristë e jashtë ligjit do t'i ndihmojnë befas të shembin Maqedoninë për të ndërruar atë nenin e mbrapshtë të kushtetutës?
Duhet të kesh një mendje më shumë se naive për të besuar një gjë të tillë.
Analistët dhe opinioni kanë të drejtë të bëjnë hamendësime nga më të ndryshmet. Dikush thotë që ka shtete (madje supershtete), që për interesa të errëta e duan Ballkanin të trazuar. Për shkaqe të naftës, të gazit, të Korridorit 8, të drogës e të dreqi e di çfarë. Një tjetër ngul këmbë se kështu i intereson mafies ndërballkanike. Ka një mendim se kjo është çështje parash, pretekst për të mbledhur ndihma, pra biznes me gjakun e popullit shqiptar, së fundi një opinion tjetër nget mendimin se kjo është e vetmja mënyrë për të mos e lënë Shqipërinë të zhvillohet normalisht (Shqipërinë e Madhe, Shqipërinë në ekspansion, Shqipërinë e rrezikshme, e cila, për të mirën e Ballkanit e ndoshta të Evropës, duhet të mbetet ashtu siç ka qenë gjer dje: xhuxhe). Për ta arritur këtë duhet që Shqipëria, e cila sapo ka dalë në liri nga kafazi i izolimit komunist të kthehet prapë atje. Për ta arritur këtë është e domosdoshme që Shqipëria të armiqësohet prapë me botën perëndimore. E veçuar si dikur, e mallkuar, është më lehtë të mbyllet prapë në kafaz, si bishë e egër që e tregojnë me gisht. Një motërzim i këtij opinioni është bindja se ky nuk është veçse një projekt serb për rikthimin e ushtrisë jugosllave në Kosovë. Sipas analistit amerikan, Janusz Bugajskit, në këtë kurth kanë rënë për fat të keq shqiptarët. Tragjizmin e kësaj nyjeje të errët Bugajski e ka shprehur me mendimin se ata shqiptarë që ndihmojnë me ndërgjegje këtë projekt mund të marrin një ditë medaljen serbe të car Dushanit.
Armiqësimi i shqiptarëve me Evropën atlantike është pika ku shumica e analistëve bashkohen. Po të hetohet me kujdes kronika e ngjarjeve, do të vërehet se as murmurimat e mbytura kundër NATO-s, as shurdhimi me të cilat janë pritur paralajmërimet e saj, as akuzat kundër qëndrimit proevropian të Qeverisë Shqiptare, së fundi, as kërcënimet gjysmë të fshehta se, po të jetë nevoja, do të goditen trupat perëndimore, nuk janë thjesht rastësi. Një dëshirë e fshehtë e ardhur nga zgafellat e stalinizmit për t'u ndeshur me NATO-n, spikat aty-këtu.
Në një miting të ekstremistëve në New-York, pasi bëhet thirrje euforike për luftë në Kosovën lindore e Maqedoni nga një spekulant apartamentesh shpallet midis brohoritjeve si një sihariq lajmi i krijimit të UÇÇ-së, d.m.th. i ushtrisë për çlirimin e Çamërisë. Siç shihet ka një rënie maske në këtë miting. Më shumë se për të drejta shqiptarësh këtu është fjala për konflikt të hapur me NATO-n. Me fjalë të tjera, pas gërricjeve në Preshevë dhe në Maqedoni, do të goditet haptazi një shtet që është anëtar i NATO-s, Greqia. Shpallja e këtij konflikt tregoi se testamenti i Enver Hoxhës për luftë në të njëjtën kohë kundër imperializmit dhe revizionizmit, kundër NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, mbetej ende testamenti bazë për nostalgjikët e stalinizmit.
Keqkuptimi dramatik i Evropës në këtë rast është se ajo vazhdon t'i fusë në të njëjtin thes djemtë idealistë, që janë gati të flijohen, me manipuluesit e tyre. Ky keqkuptim e mbyll shtegun e daljes nga një qorrsokak, shteg i cili funksionoi me sukses në Luginën e Preshevës.
Me sa duket, bashkësia Evropiane çdo ditë e më tepër po e humbet durimin dhe kjo është për të ardhur keq. Skëterra që përjetoi populli shqiptar në pranverën e zezë të vitit 1999 është e përmasave të tilla, që gjithsesi s'mund të harrohet kaq shpejt.
NJË MASHTRIM QË U VOLIT DY PALËVE
Midis valës së tërbimit dhe budallallëkut antishqiptar, Qeveria maqedonase deklaroi se guerrilet shqiptare në Tetovë përkraheshin fshehtazi nga SHBA dhe Gjermania. Ishte një tezë e njohur serbe, që për habi përhapej gjithashtu nga shqiptarët. Madje pak kohë më parë ky mashtrim ishte bërë biseda zotëruese pikërisht ndër shqiptarët. Nëpër kafene, mjedise familjare, zyra, oda, redaksi gazetash etj., sa herë që binte fjala për atë që ndodhte në Luginën e Preshevës ose në Maqedoni, gjendej dikush që duke mbyllur sytë përgjysmë, i siguronte dëgjuesit se, lidhur me kryengritjen që gjithë bota e dënonte, në të vërtetë ne, shqiptarët, kishim nxitjen e fshehtë të amerikanëve. E po shyqyr atëherë, thoshin njerëzit naivë. S'qenkan edhe aq keq punët. Dhe kështu vazhdonte të përhapej ky mashtrim anembanë ku jetonin shqiptarët, nga Prishtina në Tiranë, që andej në Tetovë e Shkup, për të përfshirë pastaj kontinentin e vjetër e të ri.
Qeveria amerikane, ashtu si qeveritë evropiane, bënte deklarime të njëpasnjëshme për herë e më të ashpra, për të dënuar metodën shqiptare të kërkimit të të drejtave, mirëpo për çudi asgjë nuk e pengonte përhapjen e mashtrimit. Sepse gjithmonë e gjithkund gjendej "baca", që mbyllte sytë misteriozisht për të siguruar dëgjuesit për të kundërtën.
Dhe kështu vazhdonte kjo histori groteske, thelbi i së cilës mund të përmblidhej në arsyetimin po aq grotesk: për të hyrë në konflikt me Evropën atlantike, shqiptarët i nxitka Aleanca Atlantike, me fjalë të tjera vetë Evropa.
Ç'emër t'i vihet këtij mashtrimi, që u shërbente të dy palëve kundërshtare? Një çudi e re ballkanase? Katundarizim i skajshëm i politikës? Kretinizëm alpin, siç formulohej në një shprehje përçmuese gjermane shpërfillja për banorët e lartësive?
Prapa formës groteske fshihet megjithatë një e vërtetë: krijuesit e këtij mashtrimi e kanë ditur fare mirë se populli shqiptar nuk mund t'i ndiqte aq lehtë në një aventurë, që herët a vonë do t'i çonte kundër Evropës. Ndaj për t'ia mbushur mendjen e për të siguruar mbështetjen e tij ata sajuan këtë marifet që dukej i çmendur, por që në turbullirën ballkanike, ku njerëzit janë aq të prirur nga fantazitë, mund të pinte ujë.
Dhe ashtu ndodhi vërtet: mashtrimi i përhapur si një duhmë nga gazetarë, hotelierë, bjerrakohsa kafenesh, amvisa, akademikë e nga një kor i pafund llapazanësh, e çoroditi për një farë kohe botën shqiptare.
Përveç dredhisë bizantine, thashethemja kishte brenda saj një dozë të padurueshme imoraliteti. Ajo i vinte shqiptarët në një gjendje të vajtueshme sejmenësh e mercenarësh, që janë gati të vihen në shërbim të dikujt mjafton që ai dikushi t'u pëshpërisë fshehtazi në vesh se ashtu duhet bërë. Veç kësaj, duke u fshehur pas sqetullës së NATO-s për të kryer veprime që NATO i dënonte, disa shqiptarë bënë figurën e palakmueshme të mikut të bezdisshëm. Ky farë miku e kërkon me pahir miqësinë, e vetmja që nuk mund të kërkohet ashtu. Ai e kërkon atë edhe kur tjetri i tregon haptaz se nuk e pranon për mik. Në shumë deklarata të ashpra të bëra kohët e fundit nga ata që duhet të ishin miqtë tanë, por ne me proçkat tona filluam t'ua plasnim buzën, veprimet shqiptare janë cilësuar "burracake".
Është një fyerje plagosëse për të cilën ne, përpara se të ngutemi të fajësojmë të tjerët, është mirë të kërkojmë pjesën tonë të fajit.
KY PERËNDIM KAQ SHUMË I LAKMUAR
Pyetja a e duam ne Perëndimin është e natyrshme të shoqërohet në ndërgjegjen tonë me vazhdimin e saj: po Perëndimi a na do?
Ka një konstatim të njohur tashmë se Shqipëria dhe shqiptarët të ngjitin njëfarë tifozllëku dhe miqtë ose dashakeqët e tyre, ashtu si në një ndeshje futbolli ndahen në një mënyrë pasionante, për të mirë apo për të keq. Midis glorifikimit të tepruar të tipit të romancierit gjerman Karl Maje dhe poshtërimit të një letërsie të tërë, shqiptarët janë ndier herë bijë krenarë të shqipes e herë reckamanë të kontinentit, që shkaktojnë nervozizëm e frikë gjithkund. Kjo e fundit, ka disa vjet që, për fatin tonë të keq, është bërë zotëruese.
Po të kërkojmë njëfarë logjike të brendshme përtej kësaj, s'është vështirë të hetohet një ftohtësi e vazhdueshme e së djathtës së skajshme evropiane qoftë ajo angleze, franceze apo italiane, asaj që, ndonëse nuk e shpreh haptaz, e konsideron Evropën si "një klub i krishterë". Pas vizionit të saj konservator në një klub të tillë nuk ka vend një popull gjysmë mysliman siç janë shqiptarët. Në këtë pikë, kjo e djathtë ekstreme bashkohet me të majtën ekstreme, e cila afishon një armiqësi edhe më të shfrenuar ndaj popullit të vogël që dikur e quante mik. Po t'i shtosh kësaj edhe valën e antiamerikanizmit që rrek të bëhet modë në disa vende evropiane, dhe goditjen e së cilës e vuajnë shqiptarët nga që u ka dalë nami si proamerikanë (gjë që s'është fort larg së vërtetës), atëherë merret me mend se në këtë fushë bijtë e shqipes s'janë aspak për t'u lakmuar.
Një pyetje e tretë s'ka si të mos bëhet në këtë rast: ky Perëndim kaq i pritur, ky Perëndim kaq i ëndërruar, ky Perëndim që herë na do e më shumë s'na do, vërtet na qenka kaq i nevojshëm e kaq i lakmuar për ne?
Nuk është vështirë të merret me mend buzëqeshja ngadhnjyese e antievropianëve shqiptarë.
E pra, megjithatë, ky Perëndim ashtu siç është, i vështirë, problematik, arrogant, më shumë mospranues se pranues, ky Perëndim që ashtu si demokracia, ashtu si vetë liria nuk qenkish as aq i bukur e as aq i përsosur siç e kishim përfytyruar në kohën e fatkeqësisë sonë, ky Perëndim mbetet zgjedhja jonë e vetme.
Kjo zgjedhje nuk kushtëzohet vetëm prej skajimit gjeografik, (fati na ka rënë në këtë kontinent trillan dhe, duam s'duam, aty do të mbetemi) as vetëm për arsye ekonomike, ushtarake, kulture, race etj.
Duke qenë bashkërisht të rëndësishme, ato shoqërohen nga një tjetër arsye. Kjo arsye e veçantë e madhore lidhet me problemin numër një të popullit shqiptar: problemin e lirisë.
Disa popuj në Evropë kanë probleme me lirinë, por te këta është fjala kryesisht për lirinë shoqërore, për zgjerimin, pasurimin, përsosjen e saj. Populli shqiptar është i vetmi, që ende në fund të mijëvjeçarit problemin e lirisë e kishte në trajtën e tij më tragjike. Ishte fjala për lirinë në kuptimin e mirëfilltë, parak të fjalës, në atë kuptim siç flitej në antikitet, në mesjetë, në kohërat më të zeza të masakrimit të popujve. Në fund të mijëvjeçarit askund në Evropë nuk mund të përfytyrohej një vend si Kosova ku fëmijët për dhjetë vite rrjesht të mos shkonin në shkolla, por në bodrume, si në kohën e Neronit. Askund nuk mund të përfytyrohej një vend ku policia t'i detyronte banorët të mos i mbyllnin natën dyert e shtëpive në mënyrë që ajo të hynte kur të donte, për të bastisur, rrahur, përdhunuar e vrarë mizorisht shtetasit e saj, vetëm se ata nuk ishin sllavë, por shqiptarë, pra, të huaj në shtetin që quhej Jugosllavi. Askund në Evropë nuk mund të përfytyrohej të griheshin me thikë prej ushtarëve e paraushtarëve mbi njëmijë foshnja, si në kohën e Herodit.
Ky primitivitet i robërisë shqiptare nuk mund të përligjë megjithatë një përgjigje të ngjashme, pra primitive për fitimin e lirisë. Parulla të vjetra, si: "me sllavin na ndan veç gryka e pushkës" e të tjera si këto mund të prodhojnë rrëmujë të verbër, por jo liri.
Duke folur për Kosovën, shkrimtari më i madh i gjallë i Francës, Julien Gracq, ka shkruar se veç në vise të Ballkanit mund të përdoren ende formulat e vjetra, si: "gjaku do të vejë gjer në gju të kalit". Duke ndëshkuar Serbinë për krimet e saj primitive, Aleanca Atlantike zhvilloi me sa duket luftën e saj të parë dhe të fundit, të tillë siç e kemi ende luftën në përfytyrimin tonë. E megjithatë, edhe në këtë rast, që duket qysh tani atavik, prej aktit të luftës u përjashtua ideja e gjakut të derdhur. Ose më saktë, për çlirimin e Kosovës, midis popullit shqiptar dhe Aleancës Atlantike u sajua ai bashkëveprim i çuditshëm, ku shpenzimin më të vjetër të luftës, gjakun, e vuri populli i paktë shqiptar, kurse armët, NATO-ja e fuqishme.
Në rrethana të tilla, në kushtet e kundërthënies tragjike që u krijua midis primitivitetit të robërisë dhe domosdoshmërisë në kushtet moderne të lirisë, historia i ruajti popullit shqiptar takimin e tij të shumëpritur me Evropën. Është hera e parë që në historinë tonë dhe në atë të kontinentit që aspirata jonë e lirisë jo vetëm nuk bie ndesh, por përkon me programin e Evropës së nesërme.
Kjo Evropë me kufij të zbehtë dhe me kontakte të lira, duke mundësuar lirinë shqiptare në hapësirën e saj të plotë, unike e të pandërprerë, e ndryshon programimin e problemit numër një të pazgjidhur të kombit shqiptar. Nga një mundësi konfliktesh plot marrëzi dhe egërsi ballkanike e ushqyer nga shtampat e gjakut "gjer në gju të kalit" e të "pushkës që të ndan me tjetrin", ajo e kthen atë në një problem evropian, i cili nuk mund të kërkojë veç një zgjidhje evropiane.
Shikuar nga ky kënd, shqiptarët i kanë të gjitha arsyet të militojnë për evropianizimin e Ballkanit dhe të jenë ashtu siç kanë ëndërruar poetët e tyre, populli i parë kontinental i gadishullit.
Të jenë... Po a janë vërtet?
NE PRAG TE NJE FATI TE RI
Shqiptarët ashtu si shumica e ballkanasve janë ende të papërgatitur për lirinë evropiane. Vetë Evropa për t'u emancipuar ka kaluar nëpër prova të rënda, disa prej të cilave e kanë çuar në zgrip të katastrofës. Një ndër aktet spastruese të Evropës ka qenë dënimi prej asaj vetë i krimeve të saj. Krimi kolonialist, fashist, komunist, racist. Pa këtë dënim nuk mund të kishte dhe ende s'mund të ketë Evropë. Popujt e Ballkanit, duke përfshirë këtu dhe popullin shqiptar duhet të dënojnë krimet e veta. Këtë ndarje e pengojnë hipotekat e vjetra: urrejtja etnike, një kulturë e tërë e dhunës dhe e egërsisë, një dehje dhe ekzaltim pas saj, një përpjekje për ta paraqitur si kulturë heroike. As pushka që të ndan nga tjetri, as prita, as goditja pas ferrës, as gusla, lahuta apo deklarata që i hymnizon ato nuk mund t'i ndihmojnë shkretanët e Ballkanit. E po ashtu s'mund t'i ndihmojë dyfytyrësia në politikë, stalinizmi soft (me fjalë të tjera stalinizmi nën rrogoz), apo djathtizmi fashistoid alla Hajder, të maskuara të dyja pas parullave properëndimore.
Zgjedhja proevropiane që ka bërë populli shqiptar është zgjedhja e lirisë së tij në kushtet moderne. Liria shqiptare nuk e ka emrin as Shqipëri e Madhe, as ekspansion shqiptar, siç mendojnë disa. Siç u tha më lart liria shqiptare është zhvillimi normal, natyral i popullit shqiptar, brenda harmonisë dhe frymës së Evropës së bashkuar. Gjetja e rrugëve për ta lejuar këtë zhvillim, për fat të keq të ndërprerë, është në fakt edhe zgjidhja e problemit madhor të shqiptarëve në gadishull.
Me këtë pikëshikim, në qoftë se ka një popull që përfiton më së shumti nga paqja, stabiliteti dhe emancipimi i gadishullit ballkanik, është në radhë të parë populli shqiptar. Dhe nëse ka një të tillë që dëmtohet më së shumti, nga kaosi dhe lufta, është prapë populli shqiptar.
Të gjithë e dinë se qershori i këtij viti, muaji i zgjedhjeve, është muaji i shansit të mirë ose shansit të keq për Shqipërinë. I madh e i vogël në Shqipëri, e kuptojnë këtë gjë, sepse i madh e i vogël e kanë dëgjuar mendimin, paralajmërimin, e po të doni ultimatumin e bashkësisë evropiane se një zhvillim normal ose jo i këtyre zgjedhjeve, varet hapja ose mbyllja e portave të Shqipërisë me Evropën.
Për çudi, këtë të vërtetë të madhe që lidhet me fatin tonë, e fundit që nuk e kupton ose që bën sikur nuk e kupton është pjesa radikale e klasës politike shqiptare. Për fat të keq, kjo pjesë radikale arrin të bëjë ligjin në majat e politikës.
Fushata e zgjedhjeve, në të cilën populli i lodhur shqiptar, ka vënë aq shumë shpresë, filloi me muzikë, për të bërë një kthesë drejt degjenerimit ditën e tretë të saj. Shqypi shqiptar, me pjekuri e një përgjegjësi qytetare denoncoi radikalizmin e njërit prej liderëve, Nanos i cili sipas këtij shtypi i hodhi benzinë zjarrit.
S'është herë e parë që ndodh një gjë e tillë në Shqipëri: sapo diçka merr për mbarë, do të gjendet dikush që ta pengojë me çdo mjet këtë proces. Do të gjendet një lider radikal që të bëjë thirrje për acarim me kundërshtarin, thirrje që i ngjan aq fort me parullën çnjerëzore: "forcim i luftës së klasave". Sapo në horizont shfaqet diçka shpresëdhënëse do të dëgjohet, herë nga e djathta, herë nga e majta kushtrimi barbar: "nuk do t'i njohim zgjedhjet!", kjo klithmë e neveritshme që është kthyer në një nga turpet e Shqipërisë së sotme.
Shtypi, analistët dhe gjithë opinioni publik me të drejtë bën pyetjen: A janë vërtet kaq të verbuar nga pasionet primitive politikanët tanë radikalë saqë të mos e kuptojnë se ç'katastrofë është për Shqipërinë ky destabilitet, kjo ethe e vazhdueshme që po na tret të gjithëve? Apo e gjithë kjo nuk është thjesht verbëri por pjellë e një kalkulimi të ftohtë për të mos e lënë Shqipërinë të marrë frymë?
Pyetja është e rëndë dhe dyshimi gjithashtu. Le të shpresojmë të mbetet vetëm një dyshim.
Ndërkaq mu në sytë tonë po ndodh gjithçka: Radikalizmi shqiptar përtej kufijve nuk ka dhënë veçse rezultate negative: një ftohje të përgjithshme të opinionit botëror ndaj shqiptarëve, dobësim i pavarësisë së Kosovës, dobësim i TMK-së (e para ushtri mbrojtëse e Kosovës) dhe hedhja e idesë të shuarjes së saj, afrimi i ushtrisë serbe kilometër pas kilometri rrotull Kosovës, përgatitja e idesë së kthimit të saj në vendin e krimit, së fundi afrimi i Jugosllavisë me NATO-n dhe largimi i Shqipërisë prej saj.
Në këtë proces të mbrapshtë, qëndrimi realist i qeverisë shqiptare, në vend që të mbështetet, po komprometohet nga një kundërrymë, nga radikalizmi partiak që u përmend më lart. Në këto kushte, destabilizimi i shtetit shqiptar, atij që duhej të ishte shtylla ku do të ankoroheshin shpresa shqiptare dhe besimi evropian ndaj nesh, do të ishte veprimi më i pafalshëm e kriminal i vetë shqiptarëve.
Radikalizmi dhe destabiliteti po kthehen në pengesën kryesore për të prerë rrugën e zhvillimit normal të kombit shqiptar. Normalitetin e tij ky komb nuk mund ta arrijë nëpërmjet qorrsokakëve të vdekjes, me parrula të vjetra kinse heroike, ato që komunistët shqiptarë i adaptuan vite më parë kor hodhën idenë që Shqipëria ose të ishte e kuqe ose të mos ekzistonte fare e që ende valviten sot mbi gërmadhat e stalinizmit kuban "socializëm ose vdekje".
Rrugë të reja drejt demokracisë dhe jetës janë të hapura sot në Evropë. Shansi ynë i madh është se për herë të parë në histori këto rrugë janë të hapura ehde për ne, të mallkuarit gjer dje të kontinentit.
Ecja nëpër këto rrugë, përbri popujsh të tjerë, disa prej të cilëve kanë patur probleme tona dhe zymtësinë tonë është rruga e vetme që na mbetet. Siç është thënë dhe më parë, vetëm kështu ne do të fillojmë të jetojmë e jo të vazhdojmë të vdesim.

Nga Shekulli
---------------------------------
Do You Yahoo!?
Yahoo! Mail Personal Address - Get email at your own domain with Yahoo! Mail.
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |