Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Info: Qendrimi i Greqisë ndaj Pakicave Kombëtare* (nga Eqerem Mete**)

Eqerem Mete eqerem at gis.net
Sun Jul 29 20:56:56 EDT 2001


Qendrimi i Greqisë ndaj Pakicave Kombëtare*
nga Eqerem Mete**

* Artikulli është botuar në gazetën shqiptare “Albania” në dhjetor 2000

         Nga fillimi i vitit 2001, sipas agjencisë Rojter, Bashkimi 
Evropian do të dërgojë në Shqipëri “një komision për të diskutuar rreth një 
marreveshjeje bashkëpunimi.” Sekretari i përgjithshëm i ministrisë së 
jashtme greke i deklaroi  kryeministrit shqiptar gjatë vizitës së tij kohët 
e fundit në Shqipëri se “legjislacioni për pakicat duhet të rishikohet “në 
qoftë se Tirana dëshiron t’i afrohet Bashkimit Evropian,” kurse kyeministri 
shqiptar paska shprehur bindjen se “Shqipëria do të përpilojë një 
legjislacion të avancuar, nje nga më të përparuarit në Evropën Juglindore.”

         Nisma e BE-së për t’iu mësuar autoriteteve shqiptare se si të 
sillen me të ashtuquajturën pakicë greke, që numëron rreth 30 - 40 mijë 
frymë, ultimatumi i të dërguarit të kryeministrit grek, si dhe deklarata e 
kryeministrit shqiptar të krijojnë përshtypjen se në legjislacionin 
shqiptar për pakicat kombëtare paska të meta serioze. Për të sqaruar këtë 
çështje, për të parë se ku janë dhe për hir të argumenteve, autoritetet 
përkatëse shqiptare e kanë obligim të studiojnë ligjet dhe praktikat e 
vendeve të tjera, natyrisht edhe të Greqisë, madje edhe të vendeve, që 
mbahen si më të përparuarit në këtë drejtim.

         A ka legjislacion më të avancuar dhe praktikë kaq absurde në 
vendet e tjera sesa çka vërehet në vendin tonë për të ashtuquajturat pakica 
kombëtare? Në vend që nxënësi ta kërkojë e të vejë atje ku është shkolla, 
në Shqipëri shkolla (greke) i ndjek nga mbrapa nxënësit e diasporës greke, 
kudo ata ndodhen edhe kur ky numër bie në kundërshtim flagrant me ligjin.

         Nga ana e tyre, autoritetet greke nuk e kanë marrë mundimin deri 
më sot të lejojnë zyrtarisht hapjen edhe të një shkollë të vetme fillore 
për fëmijët e qindra mijë emigrantëve shqiptarë. Greqisë as nuk i shkon 
ndërmend të ndërmarrë një veprim të tillë zyrtar, që do të kishte sadopak 
nuancën e njohjes së të drejtave të një elementi nacional që nuk është e 
nuk e quan veten grek. Në mentalitetin grek, një hap i tillë do të ishte 
precedent i rrezikshëm që do të minonte teoritë rreth të ashtuquajturit 
homogjenitet të shtetit grek dhe do t’u shtonte oreksin pakicave nacionale 
për arsimim në gjuhët e veta kombëtare. Ky hap do të rriste edhe presionin 
nga brenda e jashtë ndaj Greqisë. Ai do të bënte gjithashtu të shkonin kot 
mundimet e autoriteteve greke gjatë shumë dekadave për të asimiluar 
shqiptarët e vjetër, qoftë autoktonë apo të vajtur gjatë shekujve, në 
Greqi. Përpjekjet për t’i çkombëtarizuar emigrantët e rinj shqiptarë 
nëpërmjet shkollimit në greqisht dhe me ndihmën e kishës ortodokse greke 
duke u ndërruar fenë, si dhe diktati i autoriteteve greke, duke shfrytëzuar 
praninë e tyre në Greqi, ndaj shtetit shqiptar, do të bëheshin gjithmonë e 
më të paefektshëm.

         Një politikë e tillë e brendshme e shtetit grek ndikon fuqishëm 
edhe politikën e tij të jashtme ndaj fqinjëve pavarësisht nga mballomat e 
garniturat evopiane që e shoqërojnë atë. Ndaj Shqipërisë, në vend të 
reciprocitet të paktën për hir të qëndrimit të qeverisë së sotme shqiptare, 
Greqia e ka rritur intensitetin dhe diapazonin e presionit.

         Greqia nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj 
Shqipërisë. Për të shmangur një akuzë të tillë, por edhe për ta mbajtur 
situatën në tension, tani për tani, qeveria greke ua ka lenë të 
ashtuquajturëve qarqe ultranacionaliste detyrën për të ngritur hapur 
kërkesa territoriale, kurse në cilësinë si qeveri po këto kërkesa ajo i 
kamuflon me parullën për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të 
normave demokratike.

         Në takime zyrtare të nivelit të lartë midis të dyja palëve, pala 
greke i bën palës shqiptare kërkesa ultimatum, që flasin për imponim të 
raporteve pronar-vasal. Në parlamentin grek bëhen debate lidhur me “rritjen 
e nacionalizmit shqiptar, zgjerimin e rolit destabilizues të grupeve të 
armatosura shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Serbinë jugore” pavarësisht se 
lufta e shqiptarëve kunder nacionalizmit agresiv serb u mbështet dhe 
mbështetet, natyrisht me përjashtim të grekëve, nga gjithë bota 
demokratike. Një gjë është më se e qartë në këtë kontekst. Sa më afër i 
afrohet zgjidhjes çështja e Kosovës, aq më shumë irritohen autoritetet 
greke dhe aq më shumë i mëshojnë paralelizmit absurd që ata bëjnë me këtë 
çështje.

         Eurodeputetët grekë, të Demokracisë së Re dhe të PASOK-ut, 
kërkojnë që Shqipërisë t’i ndërpritet ndihma makrofinanciare dhe ajo të 
përjashtohet nga tratativat për fillimin e bisedimeve për nënshkrimin e 
marrëveshjes së asosacionit e stabilitetit. Edhe ministri i Jashtëm Xhorxh 
Papandreu ka hipur në skenë për të atakuar Shqipërinë. Ai i shkruan 
Komisionerit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë Kris Patten duke e bërë 
problem “mungesën e të drejtave të ‘pakicës greke.’”

         Edhe pse midis të dy vendeve është nënshkruar Traktati i Miqësisë 
dhe i Bashkëpunimit, Ligji i Gjendjes së Luftës me Shqipërinë ende nuk 
është hequr nga Greqia në një kohë kur me Italinë ajo e ka abroguar një 
ligj të tillë pavarësisht se ishte Italia fashiste ajo që kreu agresion 
ndaj saj në vitin 1940 dhe jo Shqipëria. Pasuritë e shqiptarëve në Greqi 
janë bllokuar nën pretekstin e këtij ligji absurd, kurse për pasuritë e 
popullsisë shqiptrare që u masakrua dhe u detyrua me forcën e armëve të 
largohej nga Çamëria, jepen argumente nga më absurdet për të mos ua kthyer 
ato pronarëve të ligjshëm.

         Duke parë një politikë e veprimtari të tillë greke kundër 
Shqipërisë, kushdo mund të nxjerrë konkluzionin se Greqia akoma jeton në të 
kaluarën. Që të jetojë në të tashmen, asaj i duhet të zbatojë proverbin e 
vjetër, që thotë se “të njohësh të tjerët është dituri, të njohësh vetveten 
do të thotë të pastrosh mendjen.” Pikërisht këtë të fundit nuk kanë bërë 
fqinjët tanë.

         Megjithatë, pikërisht në këtë sfond aktiviteti politik nga ana e 
Greqisë kundër Shqipërisë, qeveria e sotme shqiptare marrëdhëniet me 
fqinjën jugore i trajton në kuadrin e “partneritetit strategjik midis dy 
partive, dy qeverive e dy vendeve” me shpresë se rruga për Evropë do të 
shkojë nga Athina ashtu si dikur rruga për Moskë shkonte nga Beogradi.

         Me përjashtim të atyre që ia kanë lidhur këmbët e duart vetes, zor 
se ka nga ata të cilët kanë mend në kokë e sy në ballë, që nuk kuptojnë e 
nuk shikojnë se ku e ka hallin pala greke.

         Po të kthehemi përsëri në temën e fillimit, atë të pakicave 
kombëtare, do të thosha se kushdo do të bëhej kurreshtar të mësonte se 
çfarë thonë vetë personalitetet greke për këtë çështje. Materiali i 
mëposhtëm, i bazuar në burime nga Greqia dhe Komuniteti Evropian, i botuar 
me shkurtime në gazetën Illyria (Nju Jork, SHBA) mund të hedhë pak dritë 
mbi përvojën e shtetit helen në këtë drejtim.

                                         x
                                 x               x

         Apeli drejtuar kryetarit të parlamentit grek dhe drejtuesve të 
partive në vigjilje të 25 vjetorit të rivendosjes së demokracisë në Greqi 
më solli ndërmend një raport mbi shqiptarët e Greqisë, përpiluar nga një 
grup hulumtues të Komunitetit Evropian në vitin 1987.

         I nënshkruar nga tre deputetë turq të pakicës turke, shtatë 
organizata turke dhe tri organizata maqedone per minoritetet përfshirë edhe 
Grupin grek të Helsinkit për Monitorizimin dhe të Drejtat e Pakicave në 
Greqi, Apeli thekson se republika e Greqisë ka një dobesi të theksuar: Ajo 
nuk njeh praninë e pakicave kombëtare në territorin e vet.

         Nënshkruesit i bëjnë thirrje shtetit grek që të njohë ekzistencën 
e pakicave maqedone dhe turke, të ratifikojë Konventën Kuadër për Mbrojtjen 
e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës pa kushte për zbatimin e saj 
dhe të zbatojë parimet e Konventës si dhe të dokumenteve përkatëse të 
OSBE-së me qëllim ndërprerjen e gjithë formave të diskriminimit apo 
persekutimit të pjesemarrësëve të këtyre pakicave dhe respektimin e të 
drejtave të tyre.

         Eshtë e vërtetë se autoritetet greke, që gjithmonë kanë luajtur 
rolin e strucit, si dhe publiku grek, i cili është indoktrinuar si duhet 
dekada me radhë, refuzojnë në mënyrë kategorike të njohin praninë e 
pakicave kombëtare në territorin grek. Parimi te cilit grekët gjithmonë i 
janë përmbajtur është se kushdo që jeton në Greqi është grek. Gjithë ata që 
nuk janë grekë duhet të largohen. Ky është mentaliteti mbizotërues në 
Greqi, anëtare e Kombeve të Bashkuara, e Bashkimit Evropian, e NATO-s, e 
OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Nuk u shkon ndër mend 
grekëve se në qoftë se vendet fqinjë do të kishin zbatuar të njëjtin parim, 
tashmë nuk do të kishte më grekë jashtë kufijve të shtetit grek.

         Të citojmë shkurtimisht përgjigjet e disa autoriteteve greke ndaj 
Apelit sipas burimeve greke.

         Kryetari i parlamentit Apostolos Kaklamanis: “Në Greqi nuk ka as 
pakicë turke, as maqedone. Ekziston vetëm një pakicë fetare myslimane. Çdo 
sajesë, sidomos në këtë moment, u shërben qëllimeve të tjera dhe me të do 
të merremi në mënyrën e duhur.”

         Ministri për Shtypin Dimitris Reppas: “Sajesat antihistorike dhe 
jorealiste do të dështojnë.”

         Ministri i Jashtëm grek Xhorxh Papandreu: “Greqia, që ndodhet në 
një rajon të vështirë, ndjek një politikë shëmbullore në drejtim të pakicave.”

         Kurse ish ministri i Maqedonisë dhe Thrakës Stelios Papathemelis 
deklaroi: “Me duhet t’ua them në gjuhën e tyre ‘Ai sihtir’ [P...!].” 
Udhëheqësi i KKE i shtoi një version tjetër motivit të Apelit. Ai theksoi: 
“Besojmë se publikimii një deklarate të tillë ka më pak lidhje me 
përvjetorin e rivendosjes së demokracisë sesa me dialogun që po zhvillohet 
midis Greqisë dhe Turqisë. Ajo i krijon mundësinë Amerikës të imponojë 
kushtet e veta për dialog. Ata që guxuan të ndërmarrin një veprim të tillë 
mund të gjenden jo vetëm në Greqi.”

         Gazeta Eleftherotypia botoi një artikull shkruar nga profesor 
Nikolas Stavru, grekoamerikan në lidhje me Shtetet e Bashkuara që qëndrojnë 
mbrapa peripecive ballkanike. Stavru shkruan se mbrapa Apelit fshihen 
Ankaraja dhe padronët e vet në Uashington me mbështetjen e “industrisë” së 
të drejtave të njeriut në Shtetet e Bashkuara dhe filialet e saj në Greqi. 
Kjo deklaratë, e cila ua hedh fajin Shteteve të Bashkuara i ngjan 
deklarimit të kryetarit të parlamentit Kaklamanis rreth sulmeve ajrore të 
NATO-s kundër Sërbisë. “Sulmet e drejtuara nga Shtetet e Bashkuara e 
kthejnë Evropën në kohën e Luftës së Ftohtë,” deklamoi ai. “Duhet t’i japim 
fund qënies sonë pre e një fuqie [SHBA] e cila nuk do që Evropa të qëndrojë 
me këmbët e veta.”

         Çka tërheq në veçanti vëmendjen është ngjashmëria e madhe e 
reagimeve të autoriteteve dhe përfqësuesve të partive politike ndaj Apelit 
dhe deklaratrave që përmban raporti për shqiptarët e Greqisë. Përfundimi që 
mund të nxirret nga përmbajtja e Apelit është se politika e pushtetarëve 
grekë sot për të njëjtën çështje është e njëjtë me atë të vitit 1987, kur u 
përpilua raporti i sipërpërmendur, përmbledhja  e të cilit vijon.

Raport rreth Shqiptarëve të  Greqisë
nga Komisioni i Komunitetit Evropian

         Nje grup hulumtues i Komunitetit Evropian vizitoi Greqinë nga 4 
deri 10 tetor 1987 për të kryer një studim rreth pranisë së elementit 
shqiptar dhe ruajtjes së prejardhjes etnike e gjuhës.

         Udhëtimi u organizua nga Buroja Evropiane për Studimin e Gjuhëve 
pak të përdorura, nën mbikqyrjen e Komisionit të Komunitetit Evropian.

Përbërja e Grupit:

Antonio Belushi         Itali
Ricardo Alvares                 Spanjë
E. Angel                        Francë
Kolom Anget                     Spanjë
Havier Boski                    Spanjë
Onom Falkona            Hollandë
Volfgang Jeniges                Belgjikë
Robert Marti                    Francë
Stefan Moal                     Francë
Kol O’Cinseala          Irlandë
Joseph San Sokasao              Spanjë

Objekti i udhëtimit: Hulumtime në 300 komunitete shqiptare në Greqi.

Synimi: Tu mundësohet përfaqësuesve evropianë gjatë vizitës së tyre të bien 
në kontakt me popullin shqiptar në Greqi, ku aktualisht flet gjuhën shqipe, 
e cila nuk mësohet në shkollat greke.

         Për të vlerësuar reagimin e partive dhe institucioneve të ndryshme 
ndaj çështjes së mbrojtjes s’ pakicave linguistike që ekzistojnë në Greqi, 
të cilat aktualisht nuk njihen madje edhe nën kriterin minimal siç është 
rasti i shqiptarëeve e i të tjerëve.

         Pikëpamjet e partive kryesore:

         Partia “Demokracia e Re”:
         Biseduam me Mihal Papakonstantinu, Efstakios Paguhos, Nikola 
Martis, Joanis Vulfefis dhe Kaeti Papannastision. Vijojnë disa nga 
përgjgjet e tyre:
         “Problemi i gjuhës shqipe ne Greqi nuk ekziston. Po të hedhim 
probleme gjuhësh në tavolinë, do të krijonim probleme shumë të mëdha për 
shtetin grek.
         Në qoftë se gjuha shqipe flitet, ajo flitet vetëm në familje. Nuk 
mund të jepet opinion i plotë për këtë çështje.
         Kurrë nuk ka pasur vend për shqiptarët në problemet tona. Misioni 
juaj është shumë delikat. Mos i komplikoni punët.
         Kujdes! Çështjet e pakicave do të çojnë në luftë në Evropë. Nuk 
mund tëju ndohmojmë në asnjë mënyrë në këto momente. Gjithashtu, nuk duam 
të krijojmë përshtypjen se ka prani shqiptare në Greqi. Ky problem për ne 
nuk ekziston.”

         Partia “PASOK”:
         Pyetjet iu bënë Dr. Jorgos Sklavunas dhe Manolis Azimakis.
         Përgjigjet e tyre:
         “Nuk e konsiderojmë të domosdoshme që shqiptarët dhe pakicat e 
tjera të mësojnë gjuhët e tyre amtare sepse gjuha që ata flasin nuk është 
gjuhë.
         Nuk ka tokë shqiptare ne Greqi. Ka vetëm territore greke ku mund 
të flitet edhe shqip.
         Kushdo që nuk e flet gjuhën tonë, nuk i përket racës dhe vendit tonë.

         Ministria e Kultures
          Mbasi dëgjoi pyetjet, Doc. Athina Sipirianti u përgjigh:
         Për të zgjidhur një problem duhet gjithmonë të ngrihet një 
komision. Ne nuk kemi mundësi të merremi me problemin që ngreni ju. Përvoja 
tuaj do të nda duhet për çka do të bëjmë në të ardhmen. Vizita juaj është 
një stimul i madh për ne.

         Departamenti Pedagogjik
         Përgjigja e Dr. Trinnidafilotis ishte shumë e ftohtë:
         Nuk ka mësim të shqipes. Kjo që thoni ju është më shumë problem 
politik sesa kulturor. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar.

         Komisioni i revistës së pavarur Anti u përgjigj:
         “Kufijtë midis shteteve nuk janë të drejta. Ky interesim për 
minoritetet në Greqi mund të fshehë interesa dominimi nga shtete të tjerë. 
Pakicat linguistike, pra, pakica shqiptare, nuk ka fare të drejta. Në Greqi 
ka vetem grekë.”

         Deklaratat e mësipërme dhe Apeli drejtuar kryetarit të parlamentit 
dhe drejtuesve të partive greke janë provë e qartë e pranisë së 
shqiptarëve, turqëve dhe sllavëve maqedonë në Greqi, të cilët vazhdojnë të 
flasin gjuhët e tyre amtare. Sipas studimeve të kryera nga dijetarë, ne 
Greqi ndodhen rreth 700 fshatra shqiptare, kombësinë shqiptare të të cilëve 
grekët e mohojnë. Eshtë fakt i njohur se gjithë pjesëmarrësit e pakicave 
kombëtare në Greqi i janë nënshtruar një asimilimi intensiv dhe të 
organizuar, të cilin grekët, ndërsa mohojnë kombësinë e tyre të ndryshme, e 
justifikojnë duke iu referruar fesë së tyre ortodokse, sikur feja të ishte 
kriteri për të përcaktuar kombësinë. Megjithatë, pretendimeve absurde të 
autoriteteve greke iu janë kundërvënë edhe vetë grekët. Në një studim për 
të njëjtën çështje, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare dhe zëvendës 
president i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut Kristos Rozakis e 
pranon karakterin etnik të pakicave në Greqi.

         Për sa i përket politikës së brendshme greke ndaj pakicave 
kombëtare, është për të ardhur keq të konstatosh që një anëtare e Bashkimit 
Evropian siç është Greqia nuk ka mundur të bëhet model për vendet e tjera 
ballkanike në kuadrin e çështjes së pakicave kombëtare, që shembulli i saj 
në këtë fushë i shtohet imazhit tashmë të njollosur të Ballkanit për shkak 
të politikës së Sërbisë, që megjithëse anëtare e NATO-s, pavarësisht nga 
“përpjekjet” e qeverisë për të mbajtur një të ashtuquajtur ekuilibër, 
Greqia iu kundërvu sulmeve ajrore të NATOs kundër Sërbisë nën pretekstin 
fallco të lidhjeve tradicionale historike dhe fetare me Serbët dhe heshtazi 
mbështeti politikën e Milosheviçit për spastrimin etnik të Kosovës prej 
shqiptarëve.

Në këtë fushatë solidariteti me Milosheviçin kur filluan bombardimet ajrore 
të NATO-s, kryepeshkopi i Athinës Kristodulos nxitoi të mbështesë 
patriarkun e Moskës Aleksi, kreu i Kishës Ortodokse Ruse duke bërë thirrje 
për të përkrahur Serbinë.

         Eshtë gjithashtu për të ardhur keq se asgjë nuk ka ndryshuar deri 
sot në politikën nacionaliste dhe teokratike të Greqisë që nga periudha 
1944-1945 kur grekët ishin të parët në Evropën Juglindore mbas Luftës së 
Dytë Botërore që kryen vrasje masive në Çamëri, rajon i banuar nga 
shqiptarë, në veri-perëndim të shtetit të sotëm grek, dhe që e spastruan 
atë etnikisht nga shqiptarët, që nuk kishin fenë e grekëve.

         Eshtë e logjikshme që vëllezërit e tyre të fesë, Serbët, të 
përfitonin natyrshëm nga përvoja greke e viteve 1944-1945 në spastrimin 
etnik të shqiptarëve dhe ta përdornin atë në shkallë të gjerë kundër 
shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.

         Mënyra si reagojnë grekët ndaj çështjes së pakicave kombëtare flet 
për një tendencë të fortë nacionaliste, të sëmurë, e ngritur në nivelin e 
politikës shtetërore dhe që bie ndesh me tendencën e përgjithshme në vendet 
e Bashkimit Evropian. Sipas regjistrimit zyrtar të vitit 1951 në Greqi 
pakicat etnike në vend përbënin 2.6 deri 3.8 të numrit të përgjithshëm të 
popullsisë. Si edhe në rastin e jogrekëve të tjerë, edhe numri i 
shqiptarëve ishte mjaft i zvogëluar në regjistrim. Sipas burimeve të tjera, 
në atë kohë të paktën kanë qenë 350, 000 shqiptarë. Folës sllavë në Greqi 
sot numërohen deri në 300 mijë megjithëse shumica e tyre u detyrua të 
largohej gjatë dhe mbas luftës së dytë botërore e luftës civile. Megjithëse 
fakti mbetet, edhe këto të dhëna të zvogëluara tej mase janë mohuar nga 
autoritetet greke sa herë që dikush iu është referuar. Vetë dy fakte, që 
janë prova të padiskutueshme të mungesës së tolerancës greke ndaj pakicave 
kombëtare: Pak vite më parë, Anastasia Karakasidou, e diplomuar në 
Universitetin e Harvardit, iu bënë kërcënime për ta vrarë së pari nga 
komuniteti grek në Shtetet e Bashkuara dhe më vonë në Greqi për shkak se 
ajo kishte folur për praninë e një komuniteti maqedon slllavofolës në Greqi 
në librin e vet “Fusha me Grurë, Kodra me Shkurre...” Pothuajse në të 
njëjtën kohë, Kristo Sideropulos, drejtues i “Lëvizjes së të Drejtave të 
Njeriut në Maqedoni” u hodh në gjyq me akuzën se “kishte përhapur të dhëna 
jo të vërteta që mund të sillnim shqetësime në marrëdhëniet e Greqisë me 
jashtë.” Faji i tij ishte një deklaratë që ai kishte bërë për maqedonasit 
që shteti, i cili u mohonte ekzistencën, u krijonte pengesa në ushtrimin e 
gjuhës dhe kulturës së tyre.

         Megjithëse nuk mund të mohohet fakti se Greqia është anëtare me të 
drejta të plota e Bashkimit Evropian, sjellja e saj, në të kaluarën dhe 
sot, që shumë pak ka të bëjë me vlerat perëndimore, po ndihmon gjithmonë e 
më shumë njerëz të kuptojnë se ky vend është shumë larg nga anëtarët e 
tjerë të Bashkimit Evropian për sa u përket mentalitetit, kulturës, si dhe 
tolerancës fetare dhe nacionale. Greqia dallohet nga vendet e tjera anëtare 
të BE-së edhe për sa i përket legjislacionit të brendshëm. Për shembull, 
shtetësia, kombësia dhe feja ngatërrohen me qëllim në Greqi. Kushtetuta 
greke e ndalon proselitizmin. Ka dispozita, sidomos Neni 20 i Ligjit për 
Shtetësinë në Greqi, sipas të cilit imponohen sanksione, denime me burg dhe 
mohim të shtetësisë greke ndaj pjesemarrësve të pakicave fetare, që 
akuzohen për pjesëmarrje në të ashtuquajtura veprimtari kundër helenizmit. 
Pavarësisht nga fakti se Neni 19 të i Ligjit për Shtetësinë Greke është 
abroguar si rezultat i presionit ndërkombëtar, në bazë të të cilit qeveria 
kishte të drejtë tu hiqte shtetësinë greke personave të quajtur alogjenë 
[banorë vendas me origjinë jogreke], Greqia nuk e ka bërë heqjen e Nenit 
prapaveprues për t’ua kthyer shtetësinë personave që me pa të drejtë e kanë 
humbur atë.

         Gazeta britanike Financial Times citon Takis Michas, specialist 
për çështjet sociale në gazeten e Athinës Eleftherotypia, të ketë thënë se 
“Greqia përfaqëson një shoqëri të mbyllur në vetvete. Vlerat e ortodoksisë 
e përforcojnë këtë mentalitet. Ortodoksia e shikon Perëndimin si rrezik, si 
vend ku kurdisen komplote kundër saj,” mentalitet i grekëve dhe serbëve ky, 
i cili e ka origjinën në sizmën e hershme midis kristianizmit perëndimor 
dhe lindor. Kurse historiani britanik Norman Davies shkruan në librin e tij 
“Evropa, nje Histori”: Që nga koha e kryqëzatave, ortodoksia e ka 
konsideruar Perëndimin si burim i një shtypjeje më të keqe se ajo e të 
pafeve.” Ky mentalitet shfaqet edhe ne radhet e klerikëve greke në Shtetet 
e Bashkuara të Amerikës. Sipas shtypit amerikan, kryepeshkopi Spiridon, 
kreu i Kishës Ortodokse greke në Shtetet e Bashkuara është akuzuar se është 
përpjekur që frekuentimin e kishës tua ndalojë ortodoksëve që  ndjehen më 
shumë amerikanë se grekë. Spiridon, i pari udhëheqës i lindur në SHBA i 
kishës ortodokse greke, deklaron se veprimtaria e tij synon të mbrojë 
traditat bizantine të kishës, duke provuar kështu se është një nga grekët 
qe kujtojnë se akoma jetojnë në perandorinë bizantine. Jeane Karthner i 
gazetës Liberacion shkruan: “Para pak vitesh, grekët ishin në armiqësi me 
shqiptarët, maqedonët dhe bullgarët. Ata janë armiq të përhershëm të 
turqëve, kurse tani janë bërë armiq të amerikanëve, britanikëve, 
francezëve, gjermanëve dhe pjesës tjetër të botës.” “Perëndimi është plot 
me armiq”, është cituar të ketë thënë presidenti i Greqisë, Kostis 
Stefanopolus. Analistët theksojnë se këto deklarata të kujtojnë “një 
gjendje të brendshme emotive, që ende ka rrenjë të thella në Ballkanin 
Lindor, dhe se nyja e përbashkët është tradita fetare. Kjo nyje e çimenton 
aleancën me Serbinë...”  Ky mentalitet që ka çuar në fanatizëm nacionalist 
dhe fetar i ka shtyrë gjithashtu analistët të nxjerrin konkluzionin e 
logjikshëm se prania greke në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe organizata të 
tjera është anomali dhe paradoks. Greqia vazhdon të jetë jetë partner i 
vështirë, bile edhe sot e kësaj dite është delja e zezë në Bashkimin 
Evropian, që herë pas here i nxjerr probleme të sajuara Evropës për shkak 
të qëndrimit të saj kapriçioz ndaj fqinjëve. Ky konkluzion nuk është diçka 
që i takon së kaluarës, apo fillimit të viteve 1990, siç thotë një tjetër 
grek, Lukas Cukalis, i Institutit Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës.

         Pra, është e gabuar, të paktën për të ardhmen e afërt, ta 
konsiderosh Greqinë si urë që do të lidhë vendet fqinj me Evropën. Kjo 
anëtare e Bashkimit Evropian që e konsideron çdo kritikë ndaj mënyrës se si 
ajo i trajton çështjet e saj të brendshme, sidomos çështjen e pakicave 
kombëtare, si veprim armiqësor të frymëzuar nga Perëndimi për të 
destabilizuar vendin, nuk mund ta luajë një rol të tillë pa përmirësuar 
imazhin e vet ende në nivel të ulët në krahasim me standartet evropiane, 
dhe pa hequr dorë nga mbjellja e farrës së intolerancës fetare dhe kombëtare.

         Greqia duhet të mësojë si të sillet brenda kufijve të saj dhe jo 
ta kërkojë fajtorin jashtë.

-------------------

* Artikulli është botuar në gazetën shqiptare “Albania” në dhjetor 2000

** Shkruesi i këtij artikulli ka qenë drejtor politik për Ballkanin dhe 
Lindjen e Mesme në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë në vitet 
1992-1996



More information about the ALBSA-Info mailing list