| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Dita Juge - artikullAgron Alibali aalibali at yahoo.comThu Jul 5 08:22:34 EDT 2001
Dy linjat e politikës greke Imponimi i këtij vizioni në politikën greke nuk është bërë pa ndonjë kokëçarje dhe pa kosto. Si në të gjithë vendet e konsoliduara, aq më tepër si një shtet që ka qenë shumë afër shtetit fetar ortodoks sesa shtetit laik, -mjafton të shohësh kushtetutën greke-, në Greqi ekzistojnë qarqe tradicionale, që shprehin natyrisht edhe politikë tradicionale. Vërtet kjo politikë nuk është në krye të vendit, por ajo ka fuqinë e vet imponuese nëpërmjet kishës së fuqishme ortodokse e cila është deri dhe antisemite, antikatolike, etj. Për të vijuar më tej nëpërmjet pranisë në gjirin e diplomacisë greke të bijve të familjeve të mëdha që rregullisht janë tradicionalistë, influencës së diasporës, qarqeve të caktuara të opozitës, instituteve të studimeve, segmenteve të shoqërisë civile si historianëve, gazetarëve, segmentëve të aparatit represiv të shtetit grek siç janë shërbimet sekrete, të policisë dhe ushtrisë. Gjithë këto elementë kushtëzojnë ritmet e ndryshimit të politikës greke në pushtet e cila e ndjerë e fortë nga sukseset në politikën e brendshme, megjithatë po arrin të imponojë qëndrimet e veta. Qëndrimi ndaj faktorit shqiptar në rajon. Edhe më parë në gjirin e shoqërisë greke nuk kanë munguar zërat realistë që kanë sugjeruar një politikë afrimi me Shqipërinë dhe faktorin shqiptar në rajon, qëndrim që përputhej me objektivat për dominim të Greqisë në Ballkan. Më i spikaturi, edhe pse në një minorancë të diskriminuar sistematikisht, ka qenë studiuesi i njohur arvanitas Aristidh Kolia, i cili ka shkruar shumë duke ju referuar historisë, se sllavët kanë qenë shpesh kundër grekëve dhe shqiptarët përfaqësojnë aleatin natyror të grekëve, qoftë edhe në optikë antiturke. Mjafton të shfletosh një përmbledhje në shqip të artikujve të tij të shikosh aktivizmin e tij në këtë drtejtim. Pas kësaj paranteze, nisur edhe nga artikulli i Limes, botuar në Dita, ndoshta do të ishte e nevojshme të rikapitulohen bazat e kësaj politike të re greke ndaj faktorit shqiptar. Në ndihmë përveç artikullit në fjalë na vjen edhe një artikull tjetër, i botuar në gazetën Eksusia , një gazetë proqeveritare greke, në datën 12 shkurt 2001. Në pjesën e vlerësimeve për faktorin shqiptar në këtë artikull i cili reflekton qëndrimet që duhet të mbajë diplomacia greke ndaj shqiptarëve, veçojmë: superioriteti numerik i shqiptarëve përbën një forcë lëvizëse për përmbushjen e synimeve të tyre. Ata janë në Serbinë jugore 95%; në Kosovë 97%; në Maqedoni 35-40%, madje ndoshta ky raport është përmbysur; në Mal të Zi 7%. a) shqiptarët nuk janë të integruar në shoqërinë e vendeve ku jetojnë. Jetojnë në rajone të caktuara, dhe në kushte të pazhvilluara ekonomike. b) Ata janë solidarë me njeri tjetrin dhe grumbullojnë fonde veçanërisht në komunitetet e tyre në Perëndim për të mbështetur lëvizjet clirimtare. c) C) bashkësitë shqiptare në rajon funksionojnë si enë komunikimi , gjë që do të provokojë reaksione zinxhir siç u vu re. d) Mungesa e statusit të Kosovës krijon paqartësi dhe instabilitet. Pas vlerësimeve të tjera, në rekomandimet e studiuesve grekë,-ska çudi që edhe autori i artikullit të Limes-t të jetë brenda grupit të autorëve të këtyre vlerësimeve-, përfshihen: cdo rrregullim në rajon duhet të marrë parasysh detyrimisht faktorin shqiptar. Faktori shqiptar në tërësi do të përcaktojë në një shkallë të madhe kufijtë, balancat, paqen dhe zhvillimin e rajonit.Vijojnë edhe konsiderata të tjera irrealiste se shqiptarët stërviten për Shqipërinë e Madhe, dhe të tjera asociime të shqiptarëve me dhunën, kriminalitetin, etj. Ajo që është më interesante është sugjerimi që politika e jashtme greke duhet të riorientojë politikën e saj të jashtme dhe të marrë seriozisht parasysh gjendjen që po krijohet në bazë të një vlerësimi realist dhe jo në bazë të dëshirave dhe simpative -citimi është integral. Më tej shtrohet nevoja e gjallërimit të dhe përforcimit të bashkëpunimit Athinë- Beograd- Shkup- Tiranë- Bruksel. Në këtë kuadër, sipas materialit të botuar në Eksusia, bashkëpunimi me Tiranën është problematik, përderisa në Shqipëri ka forca me në krye Presidentin Rexhep Meidani të cilat gjenden në të njëjtën linjë me bashkëkombasit e tyre në vende të tjera të rajonit. Pa u zgjatur më tej në vlerësimet e kuptueshme kriminalizuese për shqiptarët, sa kohë që autorët janë të ushqyer në mjedisin për të cilin folëm më lart, ajo që bie në sy është lloji i angazhimit që përfytyrohet me Maqedoninë: zgjidhja e emrit, mbështetje ushtarake, përshpejtim i integrimit të saj , etj. Duhet shtuar këtu disa prononcime publike të Papandreut për pavarësinë e Kosovës. Njeri në një gazetë greke kohët e fundit, ku ai thotë se mjafton që kjo pavarësi të bëhet në paqe apo të jetë e kadifenjtë, dhe prononcimi i dytë është ai në seksionin shqip të Zërit të Amerikës, gjatë vizitës së tij të fundit në SHBA. Kjo përfaqëson një ndryshim të madh konceptual në politikën e jashtme greke. Por a ka ndonjë bisht dardha greke në politikën e jashtme? Ja bishti i dardhës greke-rajonalizimi Duke analizuar dhe të dhëna të tjera, rezulton se grekët janë në favor të kantonizimit të Maqedonisë, le ta quajmë edhe rajonalizim, dhe pse jo edhe të vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët, përfshi Shqipërinë, duke e parë si zgjidhje për çështjen shqiptare. Pra është ky elementi karakterizues i politikës së jashtme të Greqisë për rajonin. Këtu fillon edhe shfaqet negativizmi i politikës realiste greke ndaj faktorit shqiptar. Themi realiste sa kohë që kjo politikë duke njohur mirë faktorët veprues në rajon, në fund të fundit i shërben interesave të vendit që po analizojmë. Rajonalizimi i Kosovës i cili në disa gjeopolitikanë grekë merr formën e kantonizimit apo edhe ndarjes së Kosovës, nuk është në favor të shqiptarëve në Kosovë dhe shkon edhe kundër rezolutës 1244 që e sheh Kosovën si një entitet të pandashëm. Po ashtu edhe rajonalizimi i Maqedonisë. Në dukje mund të ishte i favorshëm, por nuk është ashtu. Do të krijonte shumë diskutime krijimi rajoneve ku popullsia është në përqindje të barabarta apo të përafërta. Maqedonia është shumë e vogël për tu rajonalizuar, kantonizuar apo edhe federalizuar. Rajonalizimi etnik i Shqipërisë është pjesa më absurde e propozimit grek për rajonalizimin e Ballkanit. Në favor të këtij qëllimi studiuesit grekë të cilët dëgjohen më shumë në qarqet europiane, dhe bash për këtë arësye i bien borisë me forcë, flasin për ndarje kulturale, gati etnike të Shqipërisë në Jug dhe Veri duke ekzagjeruar diferencat ekzistuese midis toskëve dhe gegëve. Në këtë përpjekje ata u ngjajnë shumë studiuesve serbë dhe madje edhe disa studiuesve italianë të rreshtuar pro Serbisë dhe që janë shfaqur në Limes. Në këtë linjë ata e mbështesin idenë e tyre për rajonalizimin e Shqipërisë në ekzagjerimin e numrit të grekëve në Shqipëri, peshës së tyre, etj. Në këtë linjë duhen parë edhe zhurmat për regjistrimin e popullsisë nga ana e drejtuesve të OMONIA-s të cilët paradoksalisht duken më afër linjës tradicionale greke të priftit Sebastianos sesa linjës së re, madje dhe kërkesat e tyre gjatë takimeve me delegacionin e këshillit të europës të drejtuat nga polaku Smoravinski kohët e fundit, për rajonalizim, autonomi kulturore, etj. Natyrisht duket edhe se politika e jashtme greke favorizon më shumë depërtimin e politikanëvë të minoritetit në gjirin e partive shqiptare siç është rasti i Angjelit që i ka bërë shërbime më të mëdha vendit amë se sa OMONIA. Partitë mbi baza etnike apo organizatat si ajo janë shumë të përçara për shkak të nivelit të ulët kulturor të drejtuesve të tyre dhe përveç asaj janë të lidhura me politikën tradicionale greke. Natyrisht edhe konkurenca midis linjave jep fryte, por më i favorizuar duket opcioni i depërtimit në partitë shqiptare siç është rasti i Tavos, Angjelit, etj. Një lloj konkluzioni Siç mund të kuptohet rajonalizimi, kjo ide tërheqëse për veshët europianë, rrugë që do të aplikohet në vendet e Bashkimit me synimin për të rritur eficiencën e sistemit ekonomik europian, propagandohet nga politika e jashtme zyrtare greke si zgjidhje për Ballkanin. Nëse në rastin e rajonalizimit të BE-së, kuptohen arësyet ngushtësisht ekonomike dhe financiare, motivet e rritjes së eficiencës në administrim nëpërmjet decentralizimit që qëndrojnë pas, në rastin e Ballkanit panorama duket ndryshe. Duket e vështirë të rajonalizosh Ballkanin mbi kritere etnike, sepse do të lindnin konflikte të vegjël që do të krijonin kushtet edhe për më të mëdhenj, edhe pse jo ushtarake. Në këndvështrimin shqiptar, nëse duhen falënderuar grekët që tashmë e pranojnë publikisht rëndësinë e faktorit shqiptar nuk mund të mos konstatohet se pikërisht rajonalizimi siç përfytyrohet prej tyre është një rrugë për t i dobësuar shqiptarët në rajon. Dhe qoftë edhe në një plan shikimi ekonomik, kjo është pikërisht ajo që duan grekët. Dritan Sula --------------------------------- Do You Yahoo!? Get personalized email addresses from Yahoo! Mail - only $35 a year! http://personal.mail.yahoo.com/ -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |