Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Fondacioni Kadare

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Wed Jan 31 21:51:53 EST 2001


GAZETA E GJIROKASTRES

Krijohet fondacioni
"Kadare"
Do mbrojë ansamblin muzeal të qytetit

GJIROKASTER

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare, për pak ditë dhe do
jetë më pranë qytetit të tij të lindjes. Kësaj radhe,
jo me veprat e tij apo në ndonjë vizitë, por me një
fondacion, i cili do të mbajë emrin e tij, ide kjo e
hedhur nga Bashkia e Gjirokastrës. Lajmin e ka
publikuar kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Murat
Kaçi, në një takim të zhvilluar me një grup
intelektualësh gjirokastritë.

"Gjej rastin të them këtu, që një fondacion i tillë
mund të quhet fondacioni "Kadare", kjo, sigurisht,
pasi të marrim edhe lejen e duhur nga vetë
shkrimtari", ka theksuar Kaçi. Sipas tij, qëllimi i
ngritjes së këtij fondacioni, do të jetë mbajtja
gjallë e ansamblit muzeal të qytetit, i cili çdo ditë
që kalon, po rrënohet çdo ditë e më tepër, madje ai po
rënkon. "Ne, kirurgët, e dimë mirë ç'do të thotë
rënkim. Rënkon ai që është duke vdekur, ulërin ai që
ka forcë", ka vijuar më tej qytetari i parë i
Gjirokastrës. Në fakt, ideja për krijimin e një
fondacioni, i cili do të mbronte vlerat arkitektonike
e kulturore të Gjirokastrës, ka kohë që ka lindur.
Ndërsa rreth 10 ditë më parë, në vizitën që Presidenti
Meidani ka bërë në Gjirokastër, gjatë një takimi me
pushtetarët vendorë, ka propozuar krijimin e një
fondacioni, në mënyrë që ai të bashkëpunonte me
UNESCO-n për të marrë në mbrojtje vlerat kulturore të
këtij qyteti. Aktualisht, mjaft prej shtëpive
karakteristike dhe muzeumeve të qytetit, po shkojnë
drejt rrënimit të plotë. Në rrezik janë me dhjetëra
banesa të kategorisë së parë, si dhe mjaft monumente
kulture.

Dega e Monumenteve të Kulturës në këtë rreth, ka kohë
që ka dhënë alarmin, për humbjen e vlerave të
papërsëritshme që ato kanë. Megjithatë, situata nuk
është kaq e zymtë dhe qyteti duhet shpëtuar. Vetë
Kadare, gjatë vizitës së tij të fundit në qytetin e
lindjes, një vit më parë, tha: "Unë e gjeta qytetin më
mirë se ç'mendoja. Baza njerëzore e tij nuk është
shfrytëzuar. Gjeta Gjirokastrën, emancipimin e
mendjes, qëndrimin gjakftohtë, njerëzit që e duan
vendin në mënyrë të mençur. Duket pak e lodhur, kërkon
një punë, e do një shtysë, por do të vijnë njerëz më
të përkushtuar. Qyteti është i gjallë. Ka fituar, ka
humbur. Kishte një gjimnaz, tani ka dy.... Qyteti im
m'u duk i rinuar, pluhur do të zinte, por si mish e
trup njerëzor, m'u duke mjaft i rinovuar".
 


__________________________________________________
Get personalized email addresses from Yahoo! Mail - only $35 
a year!  http://personal.mail.yahoo.com/



More information about the ALBSA-Info mailing list