Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Gazeta Shqiptare, 1 mars 2001

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Wed Feb 28 21:25:55 EST 2001


Hasan Dosti, njeriu i amerikanëve
që do zëvendësonte Enver Hoxhën
Themelues i "Ballit Kombëtar" e Ministër i Drejtësisë
në periudhën e pushtimit. Dha dorëheqjen, pasi nuk
pranoi të dënonte me vdekje komunistët Mëzezi, Xhajku
e Tupe 

Ka qenë fundi i janarit i vitit 1991, kur në një nga
klinikat më të dëgjuara të Los Anxhelosit, e quajtur
"Hopkins", do të mbyllte sytë përgjithmonë në moshën
96 vjeçare, Hasan Dosti një nga personalitetet më të
dëgjuara të emigracionit shqiptar të pas Luftës së
Dytë Botërore, që ishte vendosur në SHBA-ës. Lajmin e
vdekjes së Dostit, mërgata politike shqiptare e mësoi
nëpërmjet gazetës "Neë York Tajms", të nesërmen e asaj
dite që ai ndërroi jetë. 

Po kush ishte Hasan Dosti, cila ishte e kaluara e
këtij njëeriu që jetoi gati një shekull dhe më shumë
se gjysmën e jetës larg familjes dhe Shqipërisë?


Student në Francë 
Ai u lind në Kardhiq të Gjirokastrës në vitin 1895.
Arsimin fillor e ndoqi në Filipiadhë në një shkollë
greke dhe më pas në gjimnazin izraelit "Zosimea" të
Janinës e atë turk të Gjirokastrës, ku kishte mësues
Hysni Babameton. Trazirat që ndodhën në Shqipëri në
ato vite me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore,
bënë që të digjej fshati Kardhiq dhe si shumë
muhaxhirë të tjerë edhe familja Dosti u shpërngul që
andej për tu vendosur në fshatrat e Vlorës, nga
përndjekjet e andartëve grekë. Në qytetin e Vlorës,
Hasani filloi aktivitetin e tij politik pasi u njoh me
Avni Rustemin dhe mori pjesë në shoqërinë "Lidhja
Djelmoshe" në të cilën aderuan një pjesë e mirë e
intelektualëve vlonjatë. Në vitin 1920, pasi Dosti
punoi disa kohë si arkëtar në Prefekturën e
Gjirokastrës, në qeverinë e Sulejman Delvinës, ai u
emërua Sekretar i Përgjithshëm i asaj Prefekture. Në
atë kohë, ai u njoh dhe u lidh me Bajo Topullin e Beso
Gegën, me të cilët formoi shoqërinë "Dele", e cila
kishte si qëllim emancipimin e zhvillimin ekonomik të
fshatarsisë. Në atë shoqëri, Bajo Topulli ishte
kryetar i saj, kurse Dosti sekretar. Në vitin 1922,
Dosti e la punën në Prefekturë, pasi fitoi një bursë
shtetërore për të ndjekur studimet e larta në Francë.
Në Paris, ai dha provimet e maturës, e më pas ndoqi
rregullisht universitetin në degën e Drejtësisë, ku u
diplomua shkëlqyeshëm duke fituar edhe gradën e
Doktorit të Shkencave në Drejtësi. Njëkohësisht me atë
degë, Dosti ndoqi studimet dhe në degën e Ekonomisë
dhe të Financave publike. Gjatë viteve të sudimeve në
Francë, ai u njoh aty dhe me shumë shqiptarë që ishin
larguar nga atdheu pas vitit 1924, me riardhjen e
Zogut në pushtet.


Në Gjykatën e Diktimit 
Pas përfundimit të studimeve në Francë, Dosti u kthye
në Shqipëri dhe u emërua si gjygjtar në disa qytete të
vendit dhe më pas në Gjykatën e Diktimit (Lartë). Në
vitin 1932, ai u pushua nga puna së bashku me disa nga
kolegët e tij të asaj gjykate, si rezultat i një
konflikti që ata patën me autoritetet e larta të
shtetit. Pasi u pushua nga puna, ai hapi një zyrë
avokatie në qytetin e Beratit. Në vitin 1932, ai u
arrestua si i dyshuar për pjesmarrje në një komplot që
kishte si qëllim rrëzimin e Mbretit Zog, e cila njihet
ndryshe si "Lëvizja e Vlorës". Ky kompllot u njoh me
këtë emër, për shkak se pjesa më e madhe e
kompllotistëve që kërkonin dhe tentuan për të
përmbysur Mbretin Zog, si Qazim Kokoshi, Hysni
Lepenica, Skënder Muçua, Murat Tërbaçi etj, ishin nga
Vlora. Pas zhvillimit të gjygjit, i cili kishte
karakter politik, Dosti u dënua me 15 vjet burg dhe
bëri vetëm tre vjet sepse u fal me dekret nga Mbreti
Zog. Një nga miqtë më të afërt të Hasan Dostit, Dr.
Tare Libohova, i cili ishte njëri nga të akuzuarit e
atij komploti që u dënua me vdekje, (bëri vetëm 5 vjet
burg, pasi u fal nga Mbreti Zog) në një letër që ja
dërgonte Mbretit Zog nga Stambolli, ku ishte vendosur
pas daljes nga burgu, mundohej të analizonte atë
proçes që u quajt "Lëvizja e Vlorës". Dr.Libohova e
paraqiste atë gjë, në formën se si u parashtrua e deri
tek proçesi me gjygjin politik, si një pjellë e
produkt të Ministrit të Brendshëm Musa Juka, i cili i
tërhequr nga zelli i tepruar për të forcuar pozitën e
tij personale dhe duke i mbështetur veprimet e tija në
gjoja besnikërinë e tij ndaj Mbretit Zog. Pas daljes
nga burgu në vitin 1935, me ndërhyrjen e Ministrit të
Drejtësisë Thoma Orollogai, pranë Mbretit Zog, Dosti u
emërua përsëri si gjykatës. Në fillim ai u caktua
Kryetar u Gjykatës së Korçës dhe më pas në Gjykatën e
Diktimit, ku kishte punuar që në vitin 1931.


Ministër i Drejtësisë
Kur nuk kishin kaluar më shumë se dy javë nga pushtimi
i Shqipërisë, në fundin e prillit të 1939-ës, Hasan
Dosti së bashku me Mithat Frashërin, Thoma Orollogain,
Faik Qukun e Fuat Dibrën, krijuan një komitet të
fshehtë, të cilin e quajtën "Balli Kombëtar". Ky
komitet që kryesohej nga Mithat Frashëri, hartoi një
platformë dhe program veprimi, që kishte si qëllim
organizimin e propagandës dhe rezistencës pasive,
kundra pushtuesëve italianë. Lidhur me këtë fakt,
ekziston një dokument arkivor, i cili bën të ditur se
në atë Komitet të fshehtë aderuan dhe dy njerëz të
cilët u kthyen nga Parisi ku kishin emigruar për arsye
politike. Këtë dy persona të ndihmuar nga qarqe të
ndryshme franceze, arritën që të merrnin takim me
gjeneralin Dechamp , që ishte shef i kabinetit
ushtarak të Kryeministrit francez Eduard Daladier. Nga
ana e kryeministrit francez, ata dy morën garancitë se
Komiteti i fshehtë që drejtohej nga Mithat Frashëri,
në të cilin bënte pjesë dhe Hasan Dosti, do të kishte
përkrahje nga qeveria franceze nëpërmjet shtypit. Ky
komitet në të cilin Dosti ishte një nga eksponentët
kryesorë, qëndroi në pozita gjysëm ilegale deri në
shtatorin e vitit 1942, kur shpalli publikisht
krijimin e organizatës politike "Balli Kombëtar". Në
janarin e vitit 1942, me insistimin e Mithat
Frashërit, Hasan Dosti pranoi postin e Ministrit të
Drejtësisë, (në qeverinë shqiptare nën okupim) detyrë
të cilën e ushtroi për rreth katër muaj, deri në
fillimin e majit të atij viti. Gjatë atyre katër
muajëve që Dosti ishte në atë post, ai i kushtoi një
kujdes të veçantë përzgjedhjes së kuadrove që do të
dërgonte në Kosovë, ku përveç anës profesionale, ai
synonte dhe zgjerimin e lëvizjes nacionaliste në ato
treva. Në këtë kontekst dhe me qëllim për të
riorganizuar sistemin e Drejtësisë në Kosovë, ku akoma
vepronte "Shehriati" (kodi islamik), Dosti dërgoi atje
disa nga juristët më të mirë si Kudret Kokoshi, Seit
Kazai etj. 

Po kështu gjatë atyre katër muajve të qëndrimit në
postin e Ministrit të Drejtësisë, ai mundi që të
shpëtonte nga vdekja disa aktivistë të lëvizjes
komunistë si Hasan Reçi, Sinan Gjoni etj. Në fundin e
majit 1942, Hasan Dosti dha dorheqjen nga posti i
Ministrit të Drejtësisë, pasi nuk pranoi që të
firmoste për pushkatimin e komunistëve Nikolla Tupe,
Ferit Xhajku e Hamdi Mëzezi, të cilët u kapën nga
autoritetet italiane gjatë udhëtimit me një makinë në
të dalë të Fierit. Dorheqja e Dostit, asokohe u
afishua publikisht së bashku me atë të Jup Kazazit, i
cili u largua nga strukturat e partisë fashiste. Që në
vitin 1942, me hapjen e Institutit shqiptar të
Studimeve Shkencore, (ku Kryetar ishte Patër Anton
Harapi) Hasan Dosti u caktua nënkryetar për studimet
historike së bashku me A. Xhuvanin (për Letërsinë) dhe
O. Paskalin (për artet). Asokohe në atë Institut,
Dosti së bashku me Ahmet Gashin, bënë një punë tepër
të madhe duke përpiluar e botuar hartën e Shqipërisë
etnike.


Në Mukje
Duke qenë një nga eksponentët kryesorë të organizatës
"Balli Kombëtar", në muajin Korrik të vitit 1943,
Hasan Dosti u caktua që të merrte pjesë në mbledhjen e
përbashkët midis forcave nacionaliste dhe atyre
komuniste e cila njihet në histori si Konferenca e
Mukjes. Nga dokumente dhe dëshmi të ndryshme bëhet e
ditur se iniciatërët e asaj mbledhjeje, ishin Abaz
Kupi, Mustafa Gjinishi, Dr. Ymer Dishnica dhe Myslym
Peza të cilët ishin në Shtabin e Përgjithshëm të
Frontit Nac-Çlirim, që drejtohej nga Enver Hoxha.
Mesazhit të këtyre katër nacionalistëve që aderonin në
Front, ju përgjigjën pozitivisht, eksponentët kryesorë
të "Ballit Kombëtar", të cilët vendosën që të shkonin
në mbledhjen e Mukjes, për të nënshkruar bashkpunimin
e forcave të tyre me ato komuniste për një luftë të
përbashkët kundra pushtuesëve fashistë. Në atë
mbledhje Hasanin e shoqëruan dy djemtë e tij Viktori
me Luanin, të cilët bënin pjesë ne forcat e rinisë së
"Ballit Kombëtar". Përpara kësaj mbledhje, që me datën
1 gusht, Dosti mori pjesë në bisedimet që u bënë në
katundin Tapizë, të cilat i paraprinë Konferencës së
Mukjes. Kjo mbledhje që ka hyrë në historinë e
Shqipërisë, si një nga më të famëshmet për vetë
rëndësinë që kishte ajo, u hap nga Hasan Dosti dhe për
drejtimin e saj u caktua Thoma Orollogai. Një nga
pikat e asaj mbledhje, në të cilën Dosti insistonte më
shumë, ishte njohja e Shqipërisë Etnike dhe shpallja e
Indipedencës, për të cilat duhej rrëzuar vendimi i
Asamblesë së 12 prillit 1939, që i çoi kurorën e
Skënderbeut, Viktor Emanuelit në Romë. Një nga
vendimet kryesore që mori Konferenca e Mukjes, ishte
dhe krijimi i një Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë,
i cili do të funksiononte porsa të krijohej një qeveri
provizore. Kryetar i këtij Komiteti, me votim unanim
si të delegacionit të komunistëve ashtu dhe të
nacionalistëve, u caktua Hasan Dosti, gjë e cila
tregonte autoritetin e madh që gëzonte ai tek ato dy
forca politike. 

(vijon nesër)
 


__________________________________________________
Do You Yahoo!?
Get email at your own domain with Yahoo! Mail. 
http://personal.mail.yahoo.com/



More information about the ALBSA-Info mailing list