| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Gjin Zenebishi ne vend te EnveritAgron Alibali aalibali at yahoo.comThu Feb 15 22:23:41 EST 2001
GAZETA E GJIROKASTRES Busti, në vend të Enverit do të vendoset Zenebishi GJIROKASTER Në vend të Enver Hoxhës do të vihet ish-sundimtari i Gjirokastrës, Gjin Zenebishi. Ai do të vendoset te vendi ku ka qenë busti i Enver Hoxhës, në krah të majtë të rrugës kryesore, që të çon në sheshin e Çerçizit, 300 metër larg tij. Lajmi është bërë i ditur nga nënkryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Albert Kasi. Për këtë gjë, ka nisur edhe puna, me gjetjen e një skeme të përafërt me figurën e Zenebishit, veshjen që mund të jetë përdorur në ato kohëra dhe elementë të tjerë. Sipas historianëve, familja e shquar e Zenebishëve, ka jetuar në vitet 1305-1444, ndërkohë që periudha e sundimit të Gjinit ka qenë në fillimet e viteve 1400. "Do të jetë ky bust prezantimi i parë, që qyteti do t'u bëjë vizitorëve përpara se ata të hyjnë në zemër të tij", thotë Kasi. Dy muaj e gjysmë më parë ka qenë skulptori i popullit Muntaz Dhrami, i cili ka thënë se "Gjirokastra shumë shpejt do të ketë një tjetër vepër monumentale, e cila do të jetë një ndërthurje e figurave historike të këtij qyteti, të atyre që e themeluan atë, të ndërthurur me arkitekturën moderne". "Unë mendoj, tha atëherë Dhrami, se ngritja e një vepre të tillë do të varet edhe nga predispozicioni i qeveritarëve dhe hallkave më të larta të qeverisjes vendore". Ngritja e bustit të Zenebishit do të jetë pjesë e një projekti të Bashkisë së Gjirokastrës, i cili do të zgjasë tri vjet, pra aq sa është dhe mandati qeverisës i drejtuesve aktualë bashkiakë. Ky projekt, përpos të tjerave, do të bëjë të mundur restaurimin e monumenteve, busteve, basorelieveve, pllakave përkujtimore të mjaft prej figurave të shquara që ka pasur Gjirokastra në shekuj. "Qëllimi, sipas Kasit, është që të bëhet restaurimi dhe ripërtëritja e këtyre simboleve për t'i zbukuruar vetë ato dhe mjedisin rreth tyre, edhe në kushtet e vështirësive për gjetjen e fondeve". Brenda këtij projekti do të jetë edhe emërtimi i një sërë lagjesh dhe rrugësh të qytetit, por me emrat e njerëzve që i kanë dhënë aq shumë këtij qyteti. Gazeta Shqiptare __________________________________________________ Do You Yahoo!? Get personalized email addresses from Yahoo! Mail - only $35 a year! http://personal.mail.yahoo.com/
More information about the ALBSA-Info mailing list |