Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Zeri i Popullit - 11.12.2001 Durres

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Wed Dec 12 00:56:27 EST 2001


Ndryshimi mekanik i emrave në Qeveri pa konsensus politik dhe pa përfaqësim real të PS nuk zgjidh krizën 
Nga Fatos Nano

 

Ju falenderoj për mirëkuptimin dhe mbështetjen për Partinë Socialiste dhe për mua. Jam këtu sot për t’ju rikonfirmuar që unë e dua PS-në po kaq sa ju; PS-në në pushtet, të fortë, të qartë, të vendosur, efikase dhe për të ndërtuar, ashtu si deri tani, një shtet në shërbim të qytetarëve.

Këtu, në Durrës, këto pohime kanë vlerë të jashtëzakonshme politike sepse, me këtë organizatë militante dhe atdhedashëse si socialistët e Durrësit, ne kemi pasur një proces politik dhe ngjitje, që u kanë shërbyer fitoreve tona në pushtetin vendor dhe përfaqësimit të denjë, nga njerëz të denjë të Durrësit në pushtetin legjislativ qëndror, si dhe rivendosjes së normalitetit, rregullit dhe dinamikës së rritjes ekonomike dhe shoqërore në qytetin port më të rëndësishëm të vendit.

Pra, unë dua t’ju shpreh, në emër të PSSH-së, vlerësimin e merituar për suksesin elektoral në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke kombinuar drejt vlerat përfaqësuese të socialistëve të Durrësit me vlerat përfaqësuese të shoqërisë civile në Durrës. Pra, dua t’ju përgëzoj, duke ju njohur meritën e aftësisë për të përzgjedhur përfaqësues të denjë të Durrësit në pushtetin legjislativ të vendit që nga Bardhyl Agasi deri tek Agron Duka.

Ne po analizojmë jo thjesht hartën tonë elektorale dhe administrimin e saj, por dhe përfaqësimin tonë në pushtet, ecurinë tonë si forcë qeverisëse në fillim të mandatit të dytë; si dhe disa fenomene,q ë tashmë, janë bërë publike-për karakterin e tyre kritik, të cilat, nëse lihen të trashen, rrezikojnë jo vetëm Partinë Socialiste, jo vetëm institucionet demokratike, që ringritëm në këmbë pas krizës që shkaktoi regjimi aventurier i Berishës, por dhe të ardhmen e ekonomisë, demokracisë dhe Shqipërisë në Evropë.

E thashë dhe në fillim, unë jam këtu jo për të mbrojtur veten dhe aspak për të akuzuar, apo fyer, apo denigruar, ulur apo lyer me baltë shokët e mi, shokët që ju keni zgjedhur t’ju përfaqësojnë këtu, në Durrës, dhe në shkallë kombëtare, në qeverisje. Pra, unë nuk kam ardhur në Durrës, as sot, as here të tjera, për të sjellë shqetësimet e mia personale apo për të eksportuar, në gjirin tuaj, sherret e Tiranës, në qendër.

Unë kam ardhur të interpretoj, bashkë me ju, disa rezultate të analizave politike që po bën Partia në të gjtihë vendin, të cilat flasin për nevojën e administrimit më të mirë të pushtetit, qeverisjes, përqëndrimit më të mirë të energjive dhe potencialeve tona tek prioritetet, për të cilat u votuam dhe kemi marrë mandatin në fillim të mijëvjeçarit të ri; si dhe për të shëruar, në mënyrë vendimtare, shoqërinë dhe institucionet e shtetit shqiptar nga disa sëmundje të vjetra, infektive, ngjitëse, të cilat, kur lihen të trashen, sjellin kaos, rrëmujë dhe shkatërrim, siç-solli regjimi i Berishës në vitet 1996-1997.

Për këto çështje debati i socialistëve, brenda tyre ka dalë dhe n ëpublik. Dhe nuk ka 70 ditë, siç thotë Bardhi (Bardhyl Agasi, shënim i Red), që ky debat ka marrë zjarr. Ky debat është po kaq i vjetër sa politika dhe shoqëria njerëzore; ky debat është po kaq i vjetër salufta jonë në opozitë kundër regjimit të Berishës; ky debat është po kaq i vjetër sa përpjekjet e vetë socialistëve progresistë dhe forcave të tjera të spektrit evropianist në Shqipëri, në këto 10 vjet, për t’i dhënë fund tranzicionit dhe për të ndërtuar institucione të qëndrueshme të shtetit ligjor dhe tëe konomisë së tregut. Ky debat ka vlerë të jashtëzakonshme këtu, në Durrës, sepse, nëpërmjet Durrësit, merr jetë ekonomia e vendit; dhe, nëpërmjet Durrësit, sipërmarrja vendëse nxjerr fytyrën e vërtetë të aftësive konkurruese të shqiptarëve në Evropën moderne, ku duam të integrohemi.

Janë kristalizuar, siç shfaqet dhe këtu, dy qëndrime ndaj këtyre problemeve: qëndrimi zgjidhës dhe qëndrimi pajtues me fenomenet kritike, që s’duhen lënë të trashen.

Unë e kuptoj, fare mirë, shokun tonë, Bardhi. Por Bardhi i takon asaj kategorie njerëzish, që, duke dashur atdheun, e do dhe partinë në pushtet. Kurse unë i përkas asaj kategorie njerëzish, që nuk mund të pajtohen me abuzimet me pushtetin për hir të dashurisë për atdheun.

Prandaj meqë ka aty dhe pyetje, nëse kjo që po bën Fatos Nano, (duartrokitje) - ju falenderoj për vëmendjen, me të cilën vazhdoni të më ndiqni - i shërben Sali Berishës, shovinistëve greke, armiqve serbe apo, nuk e di, çfarë planeti tjetër, unë i përgjigjem: kjo i shërben ruajtjes së pastër të Partisë Socialiste; ruajtjes së besimit të saj tek zgjedhësit; ruajtjes dhe konsolidimit të përvojës dhe arritjeve tona politike dhe shtetndërtuese; ruajtjes së solidaritetit parimor dhe të ndershëm midis nesh, jo vetëm në udhëheqje, por në raportet e udhëheqësve me zgjedhësit dhe me forumet zgjedhëse të partisë.

Bardhi i takon asaj kategorie të ndershme, të pranishme në radhët tona, që kërkojnë të pajtojnë përfaqësuesit e debatit kritik. Por unë vazhdoj të ngul këmbë dhe sot, para jush, të pajtohemi, për hir të unitetit dhe solidaritetit, pa zgjidhur problemet, apo të kërkojmë që secili të rrjeshtohet qartë, me përgjigje dhe prova konkrete, në luftën kundër korrupsionit, abuzimit me detyrën, abuzimit me financat publike, abuzimit me shokët dhe miqtë në kurriz të elektoratit, që na ka zgjedhur; si dhe të pozicionohet qartë në detyrën për të qeverisur në mënyrë transparente dhe për të dhënë llogari përballë zgjedhësve në parti dhe zgjedhësve në shoqëri.

Prandaj, po u rikujtoj të gjithë shokëve, me të njëjtin angazhim politik dhe kredo politike, me të cilën siguruam transformimin e madh të së majtës shqiptare, duke krijuar këtë Parti Socialiste, që tashmë është anëtare me të drejta të plota e Internacionales. Ne jemi në angazhim politik dhe transparencë, me të cilët luftuam regjimin e Berishës dhe fenomenet abuzive, që shkatërruan partinë e parë demokratike në Shqipëri, ish-partia e Berishës; me të njëjtin angazhim politik, me të cilin i rezistuam regjimit gjysmëdiktorial të Saliut, me kurrizët dhe burgjet tona; dhe sollëm atë votim, plebishitar, të dy të tretave të shqiptarëve, në fund të krizës të ‘97-ës, të gatuar nga regjimi i Berishëve mbështetjen tonë - unë vazhdoj edhe sot të kërkoj nga socialistët, në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë, të njëjtin angazhim, përgjegjësi dhe investim politik për ta ruajtur ecurinë e shëndetshme, solidaritetin që na ka sjellë në rivotim për të qeverisur vendin, si dhe angazhimet tona për të luftuar të keqen me mjete politike, institucionale të shtetit ligjor dhe jo për të përdorur pushtetin për të likujduar njëri-tjetrin.

Vetëm kështu-vazhdoj të jem i bindur - realizimi i angazhimeve tona parimore dhe programore përballë zgjedhësve dhe opinionit shqiptar dhe ndërkombëtar do të garantohet, duke na rikonfirmuar kredibilitetin dhe forcën tonë elektorale dhe transformuese të vendit në drejtim të integrimit euro-atlantik.

Unë po i kujtoj Bardhit dhe gjithë shokëve të mij se procesi i korrigjimit, përmirësimit, veprimit dhe aftësisë sonë politike dhe qeverisëse nuk nisi 70 ditë më parë, as sot. Pra, nuk nisi me takimet e kryetarit në bazë, prandaj dhe as mbaroi dot në mbledhjen e KPD-së, para 3 ditësh, apo me mbledhjen e kryesisë, mbrëmë. Unë do t’i kujtoj Bardhit, që ka qenë në krahun tim, që nga themelimi i Partisë Socialiste, se në 1997-ën, unë mund të kisha zgjedhur edhe pozicionin komod të Presidentit të Republikës, për të cilin me akuzojnë se po bëj gjithë këtë "zallamahi" sot; por i kërkova partisë sonë të marr detyrën e kryeministrit, si detyrën më të vështirë pas krizës, sepse vetëm shpatullat dhe luspat e kurrizit të Fatos Nanos mund të mbanin peshën e çrrënjosjes së piramidave dhe të krimit nga shteti dhe nga shoqëria, të kultivuar nga Berisha.

Prandaj unë kam të drejtë sot të rikujtoj që në kohën kur unë bëja burgun e Berishës dhe ju rriheshit, në kohën kur unë shkulja piramidat dhe bandat e Berishës, Ilir Meta dhe Monika hanin dhe pinin me njerëzit e Berishës - që nga Bashkim Gazidede dhe Ylli Rakipi- dhe luanin me të njëjtën mënyrë të pandershme me letrat e kryetarit nga burgu, siç luajnë sot me investimin dhe autoritetin politik të Fatos Nanos për të vazhduar të mbajnë partinë në drejtim të proceseve evropianizuese të vendit.

Unë i kam dalë borxhit shokut tonë, Ilir Meta. Dhe Ilir Meta ka pasur suksese reale dhe të merituara, jo personale, por në ekip, në drejtim të Qeverisë socialiste dhe të koalicionit "Aleanca për Shtetin" në 24 muajt e fundit, për sa kohë ka komunikuar pastër, në mënyrë të qëndureshme, institucionale dhe statutore me kryetarin e partisë dhe forumet drejtuese të saj.

Që në momentin kur Ilir Meta, në prag të mbylljes së fushatës zgjedhore parlamentare të vitit në vazhdim, që më 22 qershor, ndërpreu marrëdhëniet dhe komunikimin me institucionin e kryetarit të partisë dhe u lëshua si viktimë e stafeve dhe e njerëzve të botës së kontrabandës dhe të krimit, që ka rrethuar kryeministrin, familjen e tij; dhe tashmë rrezikojnë të pushtojnë nivele të larta të administratës shtetërore, Ilir Meta është bërë problemi kyç i konfliktit dhe krizës që kalon aktualisht qeverisja jonë. Unë vazhdoj të shpresoj - i bëra thirrje dhe mbrëmë - që Iliri nuk është njollosur dhe prandaj është i aftë dhe ka kurajon politike dhe ligjore të largojë hijet dhe njerëzit e korruptuar dhe të përzier me krimin e organizuar ekonomik apo shoqëror nga zyrat e tij.

Në qoftë se në Tiranë ka fenomenin politik "Mirin e Xhikes", që karakterizon korrupsionin e qeveritarëve, në Durrës ka "Gëzimin e Kashtës", që karakterizon korrupsionin politik dhe ekonomik të qeveritarëve. Në qoftë se pjesa qëndrore e vendit, ku pushojnë qeveritarët, që është pronë publike, i jepet mikut të familjes Meta-Kryemadhi, Gëzim Kashtës, dhe troje të tjera, prona, licensa favorizuese u jepen Hasanëve në Plazhin e Durrësit, kjo nuk dallon dot nga veprimet që kanë bërë qeveritarët e Berishës dhe administratorët e pushtetit demokrat në Durrës në 4-5 vitet e sundimit të tyre.

Gjatë gjithë mandatit të parë qeverisës, ne, socialistët, krijuam një besim popullor. Dhe prandaj u rivotuam, se jemi në ndërtim dhe zhvillim të shtetit, q ëu shërben qytetarëve, dhe jo pushtetit abuziv personal, që spekulon me detyrën, me autoritetin shtetëror dhe me financat publike për pasurim të paligjshëm

Ky proces i përmirësimit të vetëvetes është një proces politik, i cili, të dashur shokë, i dashur Bardhi gjithashtu, unë nuk kam rreshtur ta nxisë dhe ta ndajë me forumet dhe me udhëheqjen e partisë gjatë gjithë veprimtarisë dhe jetës sime politike 10 vjeçare si kryetar i saj. Faktet tashmë, janë riaktivizuar në memorjen tonë politike të përbashkët. Kur u tërhoqa nga detyra aktive e kryetarit të Partisë Socialiste, me 20 janar 1999, unë kam folur për të njëjtin fenomen, që rrezikonte të na ndante dhe të na "sharronte" degën elektorale, mbi të cilën ishim ngritur gjatë kësaj dekade.

Pra, ka dy qëndrime, dy morale dhe dy koncepte ose mentalitete të përdorimit të pushteitt. Për mënyrën abuzive, që e sheh pushtetin si mjet pasurimi të shpejtë të individëve, që mandatohen për të qeverisur, dhe për mënyrën, mentalitetin dhe praktikën që, nën kontrollin e partisë, pushteti përdoret në mënyrë ligjore për t’u vënë në shërbim të qytetarëve, pa dallim krahine, lidhjesh farefisnore, përkatësie fetare apo kapitali ekonomik.

Si kryetar i Partisë Socialiste, unë vazhdoj të jem i motivuar për luftën e përbashkët ndaj fenomeneve korruptive dhe të abuzimit me pushtetin, sepse ky është shqetësimi juaj kryesor. Këtë shpreh dhe mbështetja juaj për lëvizjen politike të kryetarit të Partisë Socialiste. Këtë shpreh dhe mbështetja e opinionit publik për qëndrimet e përgjegjshme, që po mban pjesa qeverisëse e Partisë Socialiste dhe jo pjesa e qeveritarëve të Partisë Socialiste.

Pas mbledhjes së fundit të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues- që ishte e nevojshme, por që nuk ishte e domosdoshme (mbledhja e fundit të KPD-së u fut si "pykë" në procesin e analizave tona) dhe mirëseerdhi për t’i dhënë gjithë partisë dhe opinionit publik mesazhin e luftës parimore, që po zhvillohet brenda nesh. U ngjall shpresa se PSSH-ja do të riniste e vendosur dhe solidare, procesin e vetëpastrimit, pra të katarsisit të qeverisjes, realiteteve dhe mentaliteteve, që ushqejnë abuzimin me pushtetin. Eshtë kjo luftë parimore, ky solidaritet ndaj së keqes, që na ka mbajtur në majat e suksesit këto 10 vjet jetë politike, dhe që na mban akoma si busullë politike të shumicës dërmuese të elektoratit shqiptar për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian.

Por unë nuk mund të hesht, kur ministra aktuale e Jashtme, kolegia jonë, Arta Dade, që erdhi ashtu si Natasha Paço, me fustan basme, në vitin 1991, në Partinë Socialiste, dhe sot abuzon me detyrën e përfaqësimit të Partisë Socialiste në bordin e kryediplomates së Shqipërisë për të mashtruar opinionin publik të brendshëm dhe opinionin ndërkombëtar se e keqja dhe zjarrvënësi Shqipërisë qenka, jo më Sali Berisha, por Fatos Nano; se Komisoini Evropian nuk paska asnjë vërejtje për ecurinë dhe përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e Asociim Stabilizimit raporti më i fundit i ekspertëve joqeveritarë të Komisionit Evropian, i hartuar dhe i dorëzuar pranë komisionerit të jashtëm të BE-së, Kris Paten, në shtator 1999, stigmatizon të njëjtat fenomene, me të cilat ne po ndeshemi dhe po shfaqim një angazhim të përgjegjshëm politik për të zhbllokuar ritmet dhe procesin e ecurisë sonë të mbarë drejt Bashkimit Evropian, stigmatizon fenomenin e llafeve, fjalimeve, propagandës dhe një punë thjesht për hartim projektesh legjislative, që afrojnë dhe standartizojnë Shqipërinë me BE-në dhe mungesën e funksionimit të institucioneve, administratës dhe rezultateve konkrete, që e çojnë Shqipërinë në nivele praktike, të ndjeshme dhe nga qytetarët, të afërta dhe të ngjajshme me standartet e shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut në vendet e 15-shes evropiane.

Në qoftë se ne do të themi "mbyllni gojën dhe mos na nxirrni të palarat në pazar!"; në qoftë se ne do të rreshtim angazhimin politik kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin tek qeverisja dhe qeveritarët tanë tani, atëhere ky nuk është një qëndrim parimor, ky nuk mund të jetë një qëndrim kundër interesave të atdheut; ky nuk është një qëndrim kukndër integrimit të vendit në Evropë, por ky është një alarm i përgjegjshëm politik, nëkohën e duhur, që të pastrohet përfundimisht terreni nga njerëzit, me mentalitete dhe interesa korruptive të së kaluarës, që pengojnë integrimin dhe ecjen e shpejtë të Shqipërisë drejt Komunitetit të vendeve moderne të Evropës së Bashkuar.

Shoku Bardhi dhe shokë të tjerë të kryesisë shqyrtuan në mënyrë jashtëzakonisht formale propozimet e kryeministrit për përmirësimet në qeveri, mbrëmë, në kryesi. Ndërsa unë, Perto Koçi, Makbule Çeço, Arben Malaj, Limoz Dizdari ringritëm shqetësimin që kompozimi i qeverisë nuk mund të jetë një çështje personale e kryeministrit Ilir Meta. Një ekip qeverisës nuk mund të vazhdojë të jetë një grup shokësh dhe njerëzish që i lidh një solidaritet për të mbyllur problemet, për të fshehur mëkatet dhe për të mos bërë operacionet e duhura, që shëndoshin qeverisjen tonë dhe rikonfirmojnë kredibilitetin tonë politik, qeverisës përballë zgjedhësve.

E ritheksoj, në qoftë se Anastas Angjeli vazhdon të mbetet një personazh qeverisës, jashtëzakonisht kritik, në vemendjen e pubblikut mbarë kombëtar shqiptar, jo vetëm socialist, dhe largohet nga qeveria me spektaklet e dorëheqjes në formë proteste ndaj Fatos Nanos, në një kohë që, 8 orë më parë, të dielën në mbrëmje ja kërkoi Ilir Meta këtë për të shpëtuar imazhin dhe kredibilitetin e tij. - Unë e përgëzoj Ilir Metën, që ia kërkoi këtë gjë - atëherë unë vazhdoj të pyes ju dhe opinionin publik: "Përse Ilir Meta kërkon t’i vërë kapakun e teneqes - nuk më mungon respekti për profesionistët dhe nuk po fyej Gjergj Teneqexhiun, që propozoi Ilir Meta për ministër të Financave - por nuk mund të mbahet "kazani" që zien, i abuzimit me financat publike, me një kapak teneqeje, me një njeri që është profesionist i mirë, por që nuk ka asnjë mandat politik, asnjë përgjegjësi politike, përveçse të ketë bërë karrierë, duke arritur sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Financave, duke i shërbyer ish-ministrit Angjeli.

Nëse qeverisja jonë do të vazhdojë të karakterizohet nga angazhimi programor për të qënë transparentë dhe për të dhënë llogari se si e përdorim pushtetin dhe kontributet fiskale të taksapaguesve shqiptarë, që mblidhen tek buxheti i financave publike, atëherë ministria e Financave është struktura kyç e ekzekutivit, që duhet të bëhet transparente dhe t’u japë përgjigje socialistëve dhe opinionit publik për administrimin e buxhetit, fondit rezervë të qeverisë, si dhe të investimeve dhe donacioneve që kanë hyrë në buxhet për shkak të privatizimeve të disa pasurive themelore kombëtare që nga AMC-ja deri tek çimentot - e deri tek financimet e huaja, mbështetje buxhetore për qeverinë e Republikës së Shqipërsë; që nga kësti 640 milionë dollarë, në vitin 1998, të qeverisë Nano, deri në 600 milionë dollarë të tjerë, pas krizës së Kosovës, për qeverinë Majko.

Dhe, në qoftë se, i dashur Bardhi, ty, formalisht, këto të duken si kritika vetëm 70-ditore, unë po të kujtoj të gjitha mbledhjet dhe forumet përfaqësuese të Partisë Socialiste, jo vetëm "parlamentet" e vogla, jashtëzakonisht të rëndësisme për demokracinë direkte në PS, në këshillat zonalë dhe organizatat, por kam kryesi, KPD, aktive me konferenca kombëtare, kongrese gjithashtu, në të cilat unë kam vazhduar të ngrë të njëjtat probleme me të njëjtin angazhim parimor dhe me të njëjtin solidaritet me masën e gjerë të anëtarësisë socialiste dhe të zgjedhësve tanë.

Për fat të keq, Ilir Meta erdhi në mbledhjen e kryesisë, mbrëmë, me logjikën e numratorit të goglave: ikën katër vetë, po sjellë katër vetë. Dhe kryesia detyrohej të "arnonte" një qeveri që nuk e "shqepi" as kryetari dhe as partia. Iliri synonte, mbrëmë, thjesht, dhe të zëvendësonte, me çdo kusht, ministrat dorëheqës, pa dhënë ende asnjë garanci për korrigjimin e veprimit qeverisës në luftë ndaj fenomeneve negative, që rrezikojnë partinë, elektoratin e saj dhe Shqipërinë; e cila, nëse nuk largohet nga grupi i vendeve problematike për trafiqe, brenda vitit 2003, rrezikon të përfundojë nën embargon e aleatëve euroatlantike, që asistojnë Shqipërinë për t’u evropianizuar. Dhe kjo përbën edhe angazhimin edhe rrezikun kryesor të mandatit tonë të dytë politiko-qeverisës. O realizojmë, ose dështojmë bashkë me të!

Kryeministri duhet të kishte mësuar tashmë nga përvoja e mandatit tonë të parë qeverisës, (të gjithë kemi gabuar nga pak), por mua më bëhet zemra mal, kur asnjë nga kolegët e mi, që, si numërorë topi) u rreshtuan në mbledhjen e fundit të KPD-së për të akuzuar Fatos Nanon, nuk përmendej asnjë akuzë për abuzim të Fatos Nanos në detyrën e kryeministrit për 14 muaj që drejtoi qeverinë shqiptare në kohën më të vështirë. Pra, kryeministri duhej të kishte mësuar nga përvoja jonë se thjesht ndryshimi mekanik i emrave pa një konsensus politik dhe pa një terren përfaqësimi real të PS-së në qeveri, nuk përbën zgjidhje të krizave, kontradiktave, dhe një terren konkret për zhdukjen e sëmundjeve dhe fenomeneve negative.

Reduktimi, nga ana e kryeministrit, i zgjidhjes së krizës midis forumeve qëndrore dhe institucioneve të partisë, me ndryshime emrash brenda llojit, (do ta shpjegoj se janë brenda llojit), me mban shumë aktiv dhe kritik shqetësimin dhe bindjen se ai, jo vetëm nuk paska dëshirë të bëhet pjesë e zgjidhjes, por po mbetet pjesa kyçe e problemit për t’u zgjidhur.

U largua Bashkim Fino nga ministria e Punëve Publike dhe Turizmit. Eshtë hera e dytë që Bashkim Fino largohet nga Qeveria i përfolur për korrupsion. Hera e parë, ishte në krahun tim, zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal, pasi drejtoi me devocion, përgjegjësi politike dhe atdhetare qeverinë 3-mujore të Pajtimit Kombëtar, menjëherë pasi ra shteti-mars-qershor 1997. Edhe atëherë u përfolën Arben Malaj, Bashkim Fino dhe vetë Fatos Nano për korrupsion, me të vetmen arsye, sepse Fatos Nano dhe qeveria që ai drejtonte i kërkuan në mënyrë zyrtare dhe vullnetare Bankës Botërore të përfshinte Shqipërinë dhe Qeverinë e saj në studimin dhe programin e luftës kundër korrupsionit me mjete institucionale dhe me asistencën e Bankës Botërore. Gjithçka filloi me studimin dhe evidentimin e faktit që Shqipëria radhitej, menjëherë pas rënies së regjimit të Berishës në vendet me nivel korrupsion social, ekonomik dhe administrativ më të lartë në botë. Nga brenda Partisë, të njëjtët njerëz që sulmuan Fatos Nanon në KPD-në e fundit, nisën atëherë akuzën që Fatos Nano dhe Qeveria e tij janë flamurtarë të korrupsionit.

Motra dhe vëllezër, unë s’po bëj të njëjtën gjë sot. Aq më pak po marr hak apo revansh ndaj asaj që i ndodhi qeverisë që unë kryesova nga PS-ja. Sepse unë u largova bashkë me ekipin tim qeverisës, bashkë me arbën Malajn dhe Bashkim Finon të përfolur për korrupsion, në momentin që dikush duhej të mbante përgjegjësi pas ngjarjeve tragjike të 14 shtatorit. Kjo periudhë i dha mangësi PS-së të reflektonte dhe të bëhej më e pjekur dhe më e matur në administrimin e qeverisë së saj dhe në vlerësimin e shokëve, që marrin përgjegjësi qeverisëse. Kjo periudhë i dha mundësi edhe Arben Malajt, që kryeministri, edhe mbrëmë, e përfoli për korrupsion, sepse nuk i pëlqen që në ministrinë e Financave të bëhet transparenca totale për përdorimin e buxhetit dhe fondit rezervë të qeverisë; që të rishfaqej, siç është, një njeri profesionist dhe politikan i pastër dhe i votuar në sytë e opinionit publik, të partisë dhe në drejtim të grupit parlamentar socialist.

Kjo periudhë i dha mundësi Bashkim Finos të pastronte imazhin e tij të përdhosur më kot në periudhën 1997-1998 dhe të rikthehej si ministër i Qeverisë Majko dhe Meta. Por, nëse, për herë të dytë në mënyrë të përsëritur, i njëjti personazh, (dhe unë nuk jam këtu për të thënë “miku im” apo “armiku im, Bashkim Fino) I njëjti pjestar drejtues në kryesi apo udhëheqës i PS-së, vihet në fokusin e kritikave dhe të shqetësimit të opinionit publik për abuzim në detyrë dhe bëhet fjalë për njeriun, që, duke drejtuar, brenda 70 ditëve, i dashur Bardhi, ministrinë e Punëve Publike e Turizmit, ku funksionon dhe përgatitet rendi i ditës dhe vendimmarrja e mbledhjes së KRRTSH-së, ku, brenda 90 minutash, kalohen 26 akte të rëndësishme, që shkojnë, kryesisht, në dobi të kushërinjve apo të familjeve të ministrave si Angjeli. “Shkëmbi i Pëllumbave” është një projekt i kaluar nga Bashkim Fino dhe Ilir Meta në favor të Anastas Angjelit dhe është bërë pas një inspektimi me skaf të “Skëmbit të Pëllumbave” nga Meta dhe Angjeli, pa asnjëri tjetër, vetëm nga rojet e tyre, atëherë nuk është më faji i PS-së, as i Fatos Nanos, që Bashkim Fino detyrohet të japë dorëheqjen, të largohet nga ekipi ynë qeverisës.

Eshtë momenti më i mirë që Bashkim Fino dhe drejtues si Bashkim Fino t’i dorëzohen partisë, jo me sharje, por me të gjithë transparencën e duhur politike, që jo vetëm rikuperon imazhin e tyre, por ruan kredibilitetin politik, qeverisës dhe elektoral të partisë, si dhe riintegron ata në ekipet tona de në transparencën e komunitetit tonë me zgjedhësit.

Unë dua të pyes, meqenëse avokati Braho është, në mënyrë të përsëritur, i afishuar si sulmues-skifter, shpifës (kujdes, zoti Braho, se je dhe jurist) i kryetarit Nano sa herë që kryetari Nano godet korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin. Perandoria juaj ekonomike është në sytë e durrsakëve që nga licensat dhe tenderat, jo vetëm në Maminas deri tek pallatet dhe trojet, që megjithëse pa leje, qarkullojnë para të pista të drogës dhe krimit.

(Braho: “Ju jeni shpifësi!)

Zoti Braho, ju jeni në vëmendje të partisë dhe opinionit publik dhe nuk mund ta kapërceni këtë situatë, duke u bërë avokat i kryeministrit në Durrës apo duke kërkuar që kryeministri të bëhet avokati juaj në Tiranë.

(Braho: “Pse nuk i keni thënë këto në KPD, por u larguat? Unë kam qenë avokati juaj kur nuk të afrohej njeri”).

Unë jam i detyruar ta shtroj dhe ta mbroj në të gjitha institucionet e shtetit ligjor dhe të partisë që na ka zgjedhur! (Duartrokitje).

Unë kam respekt për rakinë e Skraparit, por jo për shpërdorimet e skraparllinjve. E kam ftuar avokatin Braho, ashtu si dhe kryeministrin Meta, që të bashkëpunojmë për të luftuar këto fenomene dhe jo të përdorim autoritetin e pushtetit ekzekutiv për të mbuluar trafiqet dhe abuzimin me financat publike.

E ftova shokun tonë Ilir edhe mbrëmë të heqë dorë nga filozofia e një qeverie të gozhdës dhe të patkoit për të ndërtuar së bashku qeverisjen e socialistëve dhe progresistëve, që realizojnë shtet në shërbim të qytetarëve dhe ritme të rritjes ekonomike dhe shoqërore, të barabarta për të gjithë dhe jo duke diskredituar qytetarët dhe bizneset.

Si përgjigje, siç e ndoqët, mora rokadën e Angjelit me ish-vartësin e tij. Prandaj unë jam këtu, në Durrës, për t’ju ritheksuar se propozimet e djeshme të Ilir Metës, i miraton apo jo Meidani, janë në vëmendjen e grupit parlamentar socialist, si zgjidhje të mangëta që nuk garantojnë zhvillimin maksimal të përgjegjësive politike nga e partisë drejtuese të mazhorancës socialiste, pra, nuk garantojnë vazhdimin me sukses të mandatit tonë qeverisës deri në fund. Askush nuk na garanton dot se Gjergj Teneqexhiu nuk është pjesë e skemës Angjelo-Metiste të abuzimit me financat publike. Prandaj krizën e kemi sërish midis nesh për zgjidhje.

Besoj se dhe në emrin tuaj, unë, si kryetar i partisë, nuk mund të pranoj më të vazhdojnë në detyrën e shefit të qeverisë njerëzit që abuzojnë me detyrën e qeveritarit për qëllime ngutësisht private dhe ilegjitime. Unë nuk mund të pres që Arta Dade të marrë dhe shtëpinë e tretë, pasi ka marrë 50 milionë lekë kredi për shtëpinë e njërit djalë, 25 milionë për shtëpinë e djalit tjetër dhe një shtëpi në banesën e Diplomatëve, që administrohet nga kryeministri, përballë ish-ATSH-së.

Pra, të presim të marrë dhe një shtëpi tjetër që të mbrojë kryeministrin dhe të shajë kryetarin e partisë tek i huaji i parë që i vjen në derë apo tek i huaji i dytë që i shkon në derë!

Unë mund të pranojë më që një ministër, si Ndre Legisi, të vazhdojë të bëjë paradë dosjesh kërcënuese për të korruptuarit dhe shkelësit e ligjit, kur abuzimi dhe krimi ekonomik për shkak të shpërdorimit të detyrës, është ulur këmbëkryq dhe asnjë dosje nuk ka mbërritur në Prokurorinë e Shtetit.

Unë, pra, nuk po kërkoj qeverinë e Fatos Nanos, por forcimin e qeverisjes së PS-së, që sot më shumë se kurrë ndjehet e rrezikuar nga papërgjegjshmëria dhe mungesa e vullnetit për të bashkëpunuar për transparencën e shokëve tanë në qeveri.

Grupi ynë parlamentar i ka të gjitha shanset të ushtrojë përgjegjësitë kushtetuese të një institucioni të republike parlamentare si Shqipëria. Deputetët tanë kanë shansin të bëhen pjesë e zgjidhjes së kontradiktave midis institucionit të kryetarit të partisë dhe atij të kryeministrit, ose të lejojnë rrezikun e degradimit të pushtetit dhe të mandatit tonë të dytë qeverisës.

Pra, ne si legjislatorë dhe politikanë përfundimisht të ndajmë qartë përgjegjësinë e mandatit me nevojën për rehatin personal të disa individëve, duke zgjedhur mes radhëve pranë kryeministrit favoret që njeh statusi i deputetit apo rreshtimin progresist në të mirë të Partisë dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë.

Unë mbetem i motivuar dhe i bindur që përmirësimi i qeverisjes është aksioni ynë politik, organizativ dhe qeverisës prioritar. Unë do të vazhdoj të ushtroj të gjitha përgjegjësitë statutore dhe poitike që më takojnë, në bashkëveprimin me ju, me zgjedhësit në parti dhe me elektoratin progresist socialist që ky aksion të përfundojë me sukses, jo në dobi të Sali Berishës, por në dobi të PS-së në pushtet dhe të Shqipërisë në Evropë. Ky proces katarsisi i qeverisjes është ai që garanton stabilitetin në parti dhe në institucionet shtetërore; dhe jo mbyllja e problemeve dhe moszgjidhja e tyre për hir të qëndrimit të një grupi njerëzish në qeveri. Shqetësimi im dhe i ministrave tanë progresistë në shumicë nuk është ndryshimi i emrave apo zëvendësimi i ca shokëve të Ilir Metës me ca shokë të Fatos Nanos në Qeveri, por është eleminimi dhe bllokimi i të gjithë fenomeneve negative, që na rrezikojnë edhe të ardhmen tonë politike, elektorale e Shqipërisë në Evropë, pra, stabilitetin e qeverisjes dhe ecurinë e reformave tona që na bëjnë evropiane në shtëpinë tonë.

Unë kam besim se PS Durrës do të vazhdojë të jetë në këtë nivel përgjegjësish politike dhe qeverisëse dhe do t’i uroja edhe drejtuesve aktualë të partisë të ecin në gjurmët e drejtuesve të mëparshëm.



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Check out Yahoo! Shopping and Yahoo! Auctionsfor all of your holiday gifts!
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list