Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Shekulli - nga RTSH

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sat Dec 1 15:42:13 EST 2001


Kryetari i PS-së shpjegon marrëdhëniet me kryeministrin Meta pas kthimit nga Santo Domingo
Nano: Ilir, ndahu nga Angjeli
"Nuk kam ndonjë kartë në xhep për prapaskenë apo komplot për Metën"

TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i bëri thirrje edhe një herë dje kryeministrit Meta të largojë Angjelët nga qeveria. Nano, i cili ndodhej në emisionin "Dritare" të gazetares së njohur Rudina Xhunga në TVSH, tha se nuk kishte ndërmend të kërkonte dorëheqjen e Metës nga posti i Kryeministrit, por të shëronte PS-në nga fenomenet negative që ai i ka përmendur me kohë. 
Cili është komenti juaj për deklaratat e kryeministrit Meta, pas mbledhjes së kryesisë?
Nuk do t'u hyj vogëlsirave, nëse unë isha në krye të detyrës gjatë mbledhjes së kryesisë apo jo. Mbledhja e kryesisë u thirr nga unë me autoritetin që më jep statuti, për t'u zhvilluar me një rend dite të programuar, në të cilin u përfshi në mënyrë arbitrare, pa u diskutuar si çështje që duhet përfshirë në rendin e ditës, i famshmi dokument për mbledhjen e KPD-së, me firmën e 73 anëtarëve të saj në datën 3 dhjetor, për votëbesimin e kryesisë. Në këtë kohë, unë, sipas statutit, kisha deleguar drejtimin e mbledhjes tek sekretari i përgjithshëm, i cili zëvendëson kryetarin në të gjitha rastet kur ai nuk është fizikisht i pranishëm për të përfaqësuar kryetarin e PS-së dhe Fatos Nanon, që ishte në takimin prezantues të klubit politik të Ballkanit pranë Komisionit Evropian dhe administratës ose organizmave të Paktit të Stabilitetit në Bruksel. E bëra këtë detyrë njëkohësisht me deklaratën që paska bërë Meta në Tiranë. Në njohuritë e mia dhjetëvjeçare, stili letrar i njohur më tingëllon shumë i gjatë për stilin e Metës dhe më duket si linguistikë e Edi Ramës. Problemi është që unë vazhdoj të pres me të njëjtën qetësi, me të cilën u përgjigja nga Brukseli Ilirit, përgjigje të përgjegjshme dhe serioze për problemet jashtëzakonisht serioze që kam ngritur në forumet e partisë e që kam interpretuar në publik, për shkak të analizave kombëtare që po kryhen në PS, për mënyrën e administrimit të pushtetit nga ekipi aktual i drejtuar nga Meta, për bashkëjetesën e fenomeneve të abuzivizmit të klientelizmit, të korrupsionit, të trafikut të votave dhe të parave, të trafikut të votave të zgjedhësve dhe të parave të taksapaguesve shqiptarë nga dyshja Meta-Angjeli. Nuk po dëgjoj ende ndonjë përgjigje politikisht të pjekur dhe angazhuese për të kapërcyer krizën aktuale. Unë kam deklaruar që nuk hezitoj t'i formuloj edhe juridikisht këto akuza publike me funksonin e kryetarit të PS-së. Unë jam i detyruar të marr përsipër interpretimin politik dhe penal të fakteve, që më vijnë në tryezën e punës së kryetarit të PS-së jo vetëm nga qytetarë dhe punonjës të admnistratës, por edhe nga anëtarë të PS-së për fenomene të keqadministrimit të pushtetit. Por kam kërkuar njëkohësisht që institucionet e pavarura të shtetit ligjor, që nga Prokuroria deri te Presidenti i Republikës, të mbajnë një qëndrim të përgjegjshëm kushtetues.  Unë jam mësuar të vihem edhe në rolin e të akuzuarit nga Berisha dhe i kam kthyer gjyqet, ku na kanë akuzuar, në tribuna akuzash, të cilat janë të vërtetuara nga koha, ashtu siç vërtetoi koha pafajësinë time përballë burgosjes politike, që janë kthyer në instrumente të afirmimit politik e elektoral të PS-së, në mandatin e dytë. Unë nuk i jam shmangur asnjëherë ballafaqimit me përfaqësuesit e blerë apo të pablerë në detyrë apo në shërbim interesash private politike të drejtësisë. Unë nuk do të hezitoja të vazhdoja këtë komunikim publik me përfaqësuesit e institucioneve të shtetit të së drejtës, edhe në procese publike. Por pres nga Ilir Meta të përgjigjet qartë, nëse do të ndahet nga fenomeni "Angjeli" apo do të vazhdojë të identifikohet me të. 
Ju jeni shprehur se do ta çoni edhe në drejtësi, por ende në prokurori nuk ka asnjë dosje për ministrin e Financave. Akuzat tuaja do të mbeten teorike dhe nuk do të shkojnë në Prokurori? Mos janë shantazh?
Unë nuk kam ndonjë arsye të laj ndonjë hesap personal me ish-kolegun tim të Fakultetit  Ekonomik, Angjeli, një njeri që unë e kam mbështetur me vëmendjen time profesionale dhe politike për të bërë karrierë natyrisht të ndershme dhe ligjore edhe në radhët e PS-së dhe të qeverisë së saj. Problemi është që unë nuk mund të lejoj, në detyrën e kryetarit të PS-së, që ministrat t'i mbrojnë prindërit përballë partisë. Kam respekt për prindërit e Angjelit, siç kam respekt për prindërit e mi. Jam rritur me pleqtë e mi, duke vlerësuar edhe pleqtë e Angjelit në kohën që isha i lirë. Në kohën që unë humba nënën, më 1995, Angjeli më shkruante në burg gjëra të ndryshme, të çuditshme. Në arkivin tim të letrave të burgut ekziston një letër e Angjelit, ku thotë se jam gati të të shërbej deri në vdekje për idealet që ndajmë së bashku, në një kohë që, kur hynte e dilte në shtëpinë time, i kërkonte Fatos Pustinës që ai përmendi si ndërtues, të nënshkruante kalimin e një cope trualli ku Angjeli ka bërë vilën në të cilën jeton me gruan dhe me fëmijët, pa para, nga pronësia e këtij, që është sipërmarrës i ndërtimit, që është kunati im, në përdorim falas dhe në pronësi falas për Angjelin. Angjeli në atë kohë ka mbledhur paratë e dynjasë duke kërkuar sponsorizime se po bën vilën e Nanos. Nuk besoj se kanë prindërit e Angjelit apo brezi i të vuajturve dhe i sakrificave të luftës dhe të rindërtimit të Shqipërisë përgjegjësi për korrupsionin e Angjelit apo për fshehjen e titujve të pronësisë, që vijnë nga një abuzim me pushtetin, me emra që nuk kanë të bëjnë me prindërit e Angjelit, por, laraska apo pëllumba qofshin, këto janë fakte të hipotekuara, të cilat e përsëris, Prokuroria duhet t'i hetojë dhe, nëse Angjeli do të vazhdojë të bëjë shantazh, unë nuk i kam më asnjë borxh Angjelit dhe unë nuk po kërkoj të paguajë asnjë nga borxhet, që më ka mua Angjeli. Ky nuk është një reagim personal, por është një reagim politik dhe institucional, por Angjeli duhet të ndërpresë shantazhin ndaj Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, që është Ilir Meta i Partisë Socialsite. Edhe "Anjeli" është shumë i kujdesshëm në marrëdhëniet e tij me kryeministrat. Angjeli është shumë më i vjetër e me përvojë se sa "Anjeli". Kështu që Angjeli duhet të pushojë spekulimin me  emrin e me simpatinë e kryeministrit Ilir Meta, se nuk është pronë private e tij, por e PS-së dhe duhet me të njëjtën krenari fodulle të qartësojë në organet e drejtësisë, e cila duhet të hetojë, faktet e interpretuara për shkak të detyrës edhe në procese publike nga Angjeli me titujt e pronësisë dhe favoret e tjera që vijnë nga detyra e Angjelit, që i gëzojnë një numër çuditërisht i madh Angjelësh në zonat më të privilegjuara të Shqipërisë për sipërmarrje dhe pasurim të shpejtë.
Cila do të ishte zgjidhja e krizës së përgjithshme?
Unë nuk besoj se do të kthehemi tek analizat marksiste të gjërave. Nuk besoj se ka ndonjë xhungël apo ndonjë pyll ku, prapa drurëve, nuk shikohet bashkësia. Nuk besoj se është ky kaos apo errësirë. Nuk besoj se ndonjë zgjidhje magjike do të vinte nga një takim privat apo personal në Tiranë, Berat apo nuk e di se ku midis meje dhe Metës, meje apo Pëllumbit apo Metës me Berishës. Unë do të shkoj të bëj detyrën në Berat dhe Meta në detyrë është gjithashtu, meqenëse ka dhe disa ministra nga Berati në qeveri. Ne në partinë tonë jemi. Zgjidhjet janë në tryezë të hedhura. Pra, duhen goditur tani, nuk është vonë, fenomenet dhe sëmundjet që tentojnë të majisen dhe të përsërisin krizën e regjimit të Berishës në vitin 2001-2005. Është fjala për krahinarizëm. Unë kam shumë respekt për skraparlinjtë, por nuk besoj se ministri më i mirë nga Skrapari është ministri më i mirë i Drejtësisë. Nuk mendoj se administratori më i shkëlqyer i reformave të privatizimit është djaloshi Muç Muçi, që nisi një karrierë graduale kur isha unë kryeministër, si drejtor drejtorie, në Ministrinë e Punës kur ishte Angjeli dhe tani duket si ministër i parafabrikuar për të gjitha kohët. Nuk besoj se vazhdohet të qeveriset me Angjelët e patundshëm me kthetrat e tyre në bushetin e shtetit dhe nuk besoj  se mund të zgjidhet kriza, pa i hapur sërish rrugë rregullave të përzgjedhjes së titullarëve politikë dhe funksionarëve të lartë të administratës mbi bazën e meritokracisë. 
Mendoni se dorëheqja e Metës do të sjellë zgjidhjen e krizës?
Unë jam edhe sot para publikut për të ritheksuar se nuk kam ndonjë kartë të xhep për prapaskenë apo komplot për të hequr Metën. I kam thënë dikur Ilirit, mikut tim politik, të vendoste të zgjidhte mes varianteve italisht, greqisht dhe serbisht Meta-Majko apo Majko-Meta. Dhe nuk jam këtu për të hequr "Meta" gjysmën nga qeverisja, por jam për të mos lejuar vargun me njerëz të tjerë të përgjegjshëm, ku unë shpresoj të rendis veten dhe kryeministrin Meta, ndarjen e Partisë Socialiste më dysh.   
Marrë me shkurtime nga TVSH 



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Buy the perfect holiday gifts at Yahoo! Shopping.
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list