Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Re: Mirela Tushi: 'Shqipëria, rrënjë greke?'

Fatmir Cici foticici at yahoo.com
Sat Dec 1 12:14:01 EST 2001


Mesazhi i Mirelës është më se aktual për të debatuar,
megjithëse konsiderimi i Shqipërisë si pjesë përbërëse
e Greqisë, në gjuhë, histori dhe identitet kombëtar,
nuk është diçka e re. Përkundrazi, kjo teori i ka
rrënjët aq të thella sa edhe ëndërra e rilindasve
shqiptarë për një Shqipëri të mëvetësuar nga Turqia.
Ishin shqiptarë, nga ata që janë pjesë e ndërgjegjjes
sonë kombëtare si Thimi Mitko etj, ata që besonin se
këta popuj janë vëllezër. Edhe të gjithë ata që
besonin teorinë pellazgjike, si Kristoforidhi etj. pa
dashje e ndihmonin këtë teori. 

Si rrjedhojë origjina e përbashkët sillte dhe idenë
për tu bashkuar me grekët, kurth në të cilin ranë
shumë intelektualë shqiptarë dhe sidomos numra të
konsiderueshëm ortodoksësh shqiptarë, madje edhe këtu
në ShBA.

Fan Noli, i cili ishte për një bashkim të Shqipërisë
me Greqinë, iu kundërvu kësaj filozofie duke theksuar
bashkimin në diversitet dhe jo në shkrirje të dy
kulturave të cilat janë krejt të ndryshme. 

Mitko zhvilloi një teori gjuhësore që sot quhet 'folk
etymology', duke krahasuar me vesh fjalë nga të dy
gjuhet, gjë me të cilën po merren dhe disa adoleshentë
të neonacionalizmit shqiptar sot. P.sh. 'Afrodhiti'
është 'Afërdita' dhe 'Zeusi' na qenka 'Zoti', e të
tjera gjepura si këto që pinë unë vetëm në Ballkan.
Për shqiptarët 'ne jemi më të lashtë se grekët',
ndërsa për filogrekët shqiptarë 'jemi të një gjaku'.

Teorinë e pafajshme të gjuhësisë amatore të Mitkos e
kulminoi si ideologji politike peshkop Evllogji
Kurilla, një korçar i cili kur u fronëzua në Korçë si
Mitropolit në vitin 1937 tha: 'Çfarë do të ishte bota
pa ty, o Hellas!' Profesor Kurilla e formuloi
botëkuptimin e tij deledhi në shumë shkrime dhe libra
sidomos në veprën trilogjike 'Alvanikai meletai'
(Studime shqiptare) në greqisht (Kurilla krenohej që
nuk botoi asnjë faqe në shqip). Etimologjinë e fjalës
'shqiptar' ai e kërren nga fjala 'skiptron'. Kurilla
predikonte se ashtu si hegjemonët dhe patrikët që
mbajnë skeptër si simbol të pushtetit dhe trimërisë
kështu emërtohet dhe populli  trim i shqiptarëve. Këto
janë rrëfime të bukura t'i dëgjosh por shkencërisht
nuk e kapërcejnë cakun e përrallave. 

Mbas vdekjes së Kurillës (1961) pasoi një heshtje mbi
këtë temë, përderisa Enver Hoxha e kishte konsideruar
si 'reaksionare' teorinë e origjinës së përbashkët dhe
në qoftë se do të thuhej diçka kjo nuk mund të ndodhte
në Shqipëri. Kur në bibliografinë greke u shfaq
studjuesi arvanitas Aristidh Kolja çështja u infektua
edhe më keq. Kolja ishte arvanitas dhe fjala e
Kurillës 'Alvanos' u zëvendësua në veprën tij me
termin 'Arvanitis', gjë që megjithë gjuhën direkte të
trilogjisë së Koljes (edhe ky botoi tre libra mbi këtë
temë dhe shumë shkrime të tjera)e pështjellonte gjithë
filozofinë e tij. 

Pa qenë gjuhëtar edhe Kolja iu përvesh gjuhësisë
amatore dhe të qenurit e tij amator është shkaku që ai
nuk ekziston në asnjë bibliografi të studimeve
shqiptaro-greke jashtë Shqipërisë. Në fakt edhe në
Shqipërinë postkomuniste ai u çmua për ato veti që
vlente, dhe Kolja vleu shumë për vendin tonë, por jo
për temën e origjinës së përbashkët. Edhe librat e tij
u përkthyen në shqip nga njerëz qe e njihnin dhe a
admironin por jo nga shtëpi botuese të njohura.

I ndjeri Aristidh të cilin e humbëm vitin e kaluar
(vdiq nga leuçemia dhe jo i helmuar nga grekët, siç
përçarten disa supershqiptarë të fshehur në strukat e
internetit),ishte mbrojtës i profilit të Shqipërisë në
Greqi, kur pararendësi e tij Kurilla ishte një kuçedër
antishqiptare, por në teorinë e origjinës së
përbashkët janë pothuaj identikë, po t'i gjykosh nga
veprat e shkrura, gjë që sipas sistemit akademik
amerikan është dhe e vetmja e drejtë që kemi për të
folur për ta.

Me vdekjen e Koljes nuk besoj se dikush tjetër do të
merret me këto ujëra sepse nuk duhet të jetë
koincidencë e historisë që autorët që kanë lëvruar
këto studime kanë qenë të zhytur në politikë dhe kanë
shkruar nën presione personale, si Kurilla dhe Kolja,
apo kolektive, si intelektualët shqiptarë të periudhës
së Rilindjes.

Gjithë kjo mesele ka një mësim për ne, brezin që
ngrihet me një frymë tjetër. Që të reagojë dikush në
'National Geographic' për një gënjeshtër që është
shkruar atje, nuk mund ta bëjë me llafe dhe me
patriotizma. Unë mendoj se në qoftë se nuk jemi në
gjendje t'iu mbushim mendjen të huajve, sepse kërkohet
një kuvendim akademik dhe jo shkëmbim replikash, le të
përpiqemi të pyesim veten se cilët jemi dhe çfarë mund
të bëjmë në atë fushë ku jemi kopetentë, në qoftë se
jemi. Dhe kjo nuk është kaq e lehtë dhe do shumë punë,
studime dhe debat. 

Sinqerisht e falënderoj Mirelën për shkasin që na dha
të debatojmë mbi këtë temë. 

Fatmir Cici  
> 
> Miredita te gjitheve,
> 
> Ne revisten "National Geographic", versioni francez,
> pashe te botuar nje 
> artikull per Shqiperine. Qe ne kopertine ishte
> shkruar " Albanie: des 
> racines grecques" (Shqiperia: rrenje greke) dhe
> autorja trajtonte e mbronte 
> nje teze te tille ne shkrimin e saj. Nuk mund ta
> kaperdij kete. Do ju 
> lutesha atyre qe dijne frengjisht ta lexojne kete
> artikull dhe nese kane 
> mundesi te reagojne. Une personalisht nuk i perkas
> fushes se historise apo 
> arkeologjise, keshtu qe nuk mund ti pergjigjem me
> argumenta kesaj shpifjeje, 
> di vetem qe greket gjate gjithe historise kane
> dashur te asimilojne popullin 
> shqiptar me te gjitha format, dhe me se fundi ate qe
> po bejne me refugjatet 
> shqiptare, qe u nderrojne emrin e fene.
> 
> Me respekt
> 
> 

__________________________________________________
Do You Yahoo!?
Buy the perfect holiday gifts at Yahoo! Shopping.
http://shopping.yahoo.com



More information about the ALBSA-Info mailing list