Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Mendime per Shqiptaret

Kreshnik Bejko kbejko at hotmail.com
Wed Aug 22 14:54:55 EDT 2001


Ç'përfaqëson Shqipëria për Italinë

Nga Izedin Hajdini

Për "Limes" (revistë e specializuar për çështjet e gjeopolitikës), nuk 
ekziston çështja shqiptare. Ekzistojnë vetëm rreth tre milionë shqiptarë të 
shpërndarë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Ekzistojnë edhe qytetarët e 
Republikës së Shqipërisë, në një shtet që nuk kontrollon pjesë të territorit 
te vet dhe që në dhjetëvjeçarin e fundit është braktisur nga qindra e mijëra 
persona. Ekziston edhe një diasporë që vështirë të numërohet, pjesa më e 
madhe e së cilës, rreth 250 mijë, janë në Itali. Secila nga këto komunitete 
(!?) ka rivendikimet dhe rivalitetet e brëndshme. Shumë shqiptarë kanë 
vdekur nga duart e shqiptarëve në Kosovë, në Shqipëri dhe tani në Maqedoni. 
Pavarësisht nga një ndjenjë e fortë identiteti, sipas "Limes", shqiptarët 
janë thellësisht të ndarë nga strukturat klanore, kodi antik i maleve, 
diferencat kulturore e gjuhësore midis toskëve e gegëve, që ndahen nga lumi 
Shkumbin etj. Dhe konkluzioni i editorialit është: "I përkthyer në kuptimin 
gjeopolitik: populli shqiptar nuk përfaqëson një komb". Riunifikimi i të 
gjithë shqiptarëve të Ballkanit në një shtet të vetëm, i quajtur Shqipëria 
etnike, Shqipëria e madhe apo Panalbania është i destinuar të mos 
realizohet.
Çështja kombëtare shqiptare mund të ushqejë shpirtin patriotik për të 
luftuar kundër "shtypjes sllave", por në të njëjtën kohë ajo mund të mbulojë 
interesa e trafiqe të drejtuar kundër Evropës Perëndimore dhe Italisë. Sipas 
editorialit të "Limes", rreziku nuk qëndron në krijimin e Shqipërisë së 
madhe ose vetëm të një Kosove të madhe, por në krijimin e një Boshllëku të 
Madh në zemrën e Ballkanit adriatik. Kjo do të çonte në krijimin e një 
Mafialand në kufirin lindor të Italisë, diçka që do të ishte më e keqe se 
dhjetë vitet e krizës ballkanike. Shqipëria dhe derivatet e saj nuk ngjallin 
oreksin e askujt. Ajo është e dënuar nga gjeografia të bjerë në zonën 
italiane të influencës. Pa përballuar ndonjë risk të tepërt, Italia 
nëpërmjet Shqipërisë do të mund të fitojë disa karta për të luajtur në 
tavolinën e fuqive atlantike. Prandaj ajo duhet ta marrë seriozisht 
Shqipërinë si kreun e urës italiane në Ballkan, konkludon editoriali i 
revistës. Docenti Karlo Zhan në kontributin e tij në këtë botim shton se 
marrëdhëniet me Shqipërinë nuk kanë të bëjnë me ndonjë ndarjen të punës në 
nivel evropian, por "me interesa indirekte, që nuk janë të lidhura me 
Shqipërinë, por me peshën e vendit tonë në Evropë, në Aleancën Atlantike dhe 
në OKB,... me kredibilitetin e pakët dhe zvogëlimin e peshës që vendi ynë ka 
në kampin ndërkombëtar" (faqe 229). Sipas këtij autori, Shqipëria i ka dhënë 
Italisë shumë raste për të ndërhyrë dhe për të dalë në plan të parë në 
skenën ndërkombëtare. Përveç kësaj, Italia nga eksperienca e saj në Shqipëri 
ka mësuar se "nuk mund të bësh politikë të jashtme pa një komponent solid 
ushtarak dhe pa përcaktuar interesat kombëtare" (faqe 230). Docenti italian 
bën gjithashtu një analizë të politikës greke ndaj Shqipërisë, të 
rivalitetit italo-grek dhe tërheq vëmëndjen e italianëve në faktin "që 
grekët kanë një ndjenjë të shtetit, të identitetit dhe të interesave 
kombëtare më të fortë se italianët, e cila duhet të merret parasysh në 
politikën balkanike të Italisë". Karlo Zhan konkludon se Italia nuk duhet të 
tërhiqet nga Shqipëria, as t'ua lërë atë të tjerëve, ndryshe do t'i 
shkaktonte një dëm të madh imazhit dhe influencës italiane në Evropë e botë. 
Për më tepër që tani situata është përmirësuar dhe ndoshta është më e mirë 
se në vendet e tjera ballkanike, ekzistojnë premisat për konsolidimin e 
zhvillimit ekonomik dhe problemet gjeopolitike të hapura, si Shqipëria e 
madhe apo Kosova e madhe, nuk paraqesin një potencial për destabilizimin e 
situatës së brendshme politike. Por edhe Karlo Zhan është i mendimit se 
shoqëria shqiptare mbetet klanore dhe nuk ka kaluar procesin e krijimit të 
kombit, siç ka ndodhur në vendet e tjera të Evropës Juglindore. Dhe në 
mungesën e kombit, nuk mund të ekzistojë as "shoqëria civile", thotë ai.
Një spacio e gjerë, prej 8 faqesh, i është dhënë artikullit të grekut 
Angjelos Sirigos, i cili, me sa duket, ka shprehur më tepër dëshirën e tij 
se sa realitetin kur e paraqet Shqipërinë në këtë gjendje: "Shqipëria 
karakterizohet nga një mungesë e shtetit, kontrolli total i ekonomisë nga 
bandat kriminale, nga çarje kulturore e psikologjike midis Veriut e Jugut 
dhe nga rreziku që paraqet masa e emigrantëve ilegalë shqiptarë për 
stabilitetin ekonomik të vendeve fqinjë".
Po cili është vlerësimi për banorët e këtij vendi, për shqiptarët? Më qartë 
ky qëndrim jepet në editorialin e botimit. Sipas tij, shqiptarët janë 
fajtorë, sepse "kanë zgjuar tek italianët ndjenjat raciste, se "inklinimi 
kriminal i mijëra shqiptarëve në Itali është i dokumentuar", se ky 
kriminalitet duhet luftuar në mënyrë që të evitohet "konsolidimi i një 
racizmi që shpejt a vonë mund të gjejë impreditorë politikë apo më keq, mund 
të hyjë pa dashje në AND-në e kulturës politike" italiane. Sipas 
koordinatorit të "Etnobarometër", Alessandro Silj, në sytë e shumicës 
shqiptari është bërë sinonim i kriminelit. Sipas tij, ky është një problem 
që nuk i përket vetëm emigracionit apo vetëm Italisë, por gjithë 
shqiptarëve, jo vetëm atyre që kanë emigruar, por edhe atyre që jetojnë 
brenda Shqipërisë. Sipas këtij zotërie, as më shumë e as më pak Shqipëria na 
qenka një shtet ku jetojnë vetëm kriminelë. Sipas tij, të njëjtat 
paragjykime, frikë e urrejtje për shqiptarët mund t'i hasësh kudo, "në të 
gjitha vendet e botës" ku banojnë komunitete të konsiderueshme shqiptarësh 
(faqe 260). Bile një famë e tillë për banorët e Shqipërisë ekziston edhe 
midis popullsisë etnike shqiptare në rajonet e tjera. Këto ndjenja janë më 
të forta se "ajo diçka që quhet kombi shqiptar". Jo vetëm kaq, por për z. 
Silj, vlerat e shoqërisë perëndimore në sytë e një shqiptari rezultojnë të 
pakuptueshme e për më tepër të pavlefshme (faqe 261). Këto qëndrime të 
kujtojnë pikëpamjet raciste të prof. Luigi Luca Cavalli-Sforza se raca = 
grup etnik = distancë genetike (shih prof. Gunnar Adler-Carlson Super 
Hjarnornas Kamp, 1998 , f.220).


_________________________________________________________________
Get your FREE download of MSN Explorer at http://explorer.msn.com/intl.asp




More information about the ALBSA-Info mailing list