Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Noli dhe Kisha Ortodokse Shqiptare

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Wed Aug 1 08:00:08 EDT 2001


Si mundi të bëhej Kryetari i Kishës Ortodokse Kombëtare Shqiptare, Fan S.Noli, studenti i ri që sapo vinte nga Egjipti
Ndodh që të sjell fat edhe një funeral

"Folësi kryesor do të ishte ai, shqiptari i ri nga Misiri (Egjipti), Fan Noli. Pasi dëgjoi fjalën tij për Spiro Kosturin, turma iu përgjigj me një brohoritje të tillë, që tronditi ndërtesën. As kisha e as kam dëgjuar një të ngjashme me të. Menjëherë njerëzit e zgjodhën njëzëri kryetar të tyrin"

Jo rastësisht karriera e shkëlqyer e Fan Nolit zuri fill pikërisht në Amerikë, vendin e lirisë fetare, apo siç njihet ndryshe, vendi ku ëndrrat bëhen realitet. Ishte kjo karrierë, që do të jepte një ndihmesë të pamatë në formësimin e një kombi të ri 

Nga Enkelejda Kumaraku
E gjithë historia nisi në 10 maj 1906, kur 24 -vjeçari Fan S. Noli (1882-1965), lindur në Adrianopojë, (Turqi ) braktisi mësimdhënien në koloninë shqiptare të Aleksandrisë, ( Egjipt) për t'u vendosur në koloninë shqiptare të Xhejmstaunit, Nju York. Pas vrasjes së dyshimtë të patriotit dhe tregtarit të famshëm Spiro Kosturi, të gjithë shqiptaro-amerikanët, kudo që ndodheshin, ishin ngritur më këmbë të irrituar. Të gjithë e dinin arsyen edhe pse për këtë gjë nuk flitej hapur. Nga hierarkët ortodoksë po këmbëngulej, që asnjë lloj shërbese fetare të mos bëhej në shqip. Ndërkohë që i gjithë komuniteti po kërkonte të kundërtën. Kjo ishte arsyeja që shërbesa përkujtimore në Boston arriti të shndërrohej shumë shpejt në një miting proteste, ku mësuesi i sapo ardhur nga Egjipti u ftua të mbante fjalën kryesore. Ja, sesi e përshkruan patrioti i njohur Kostandin Demo këtë ngjarje:
"Njerëzit u mblodhën grumbuj-grumbuj nga të gjitha anët. Delegacioni i Natikut, 82 burra, erdhi me një makinë të posaçme. Me të mbërritur në sheshin e parkut, zuri të binte borë. Ata marshuan dy nga dy në vendin e mbledhjes me Sotir Nokën në krye, që mbante një flamur amerikan. Në njërën anë kishin ngritur një flamur të vogël shqiptar, pikturuar me dorë nga zonjusha Ana Houi, sipas kartolinës së Princ Aladro Kastriotit. Ajo ishte mësuese në Shkollën e së Dielës në Kishën Kongregacionale të Natikut, ku shumë djem shqiptarë mësuan të shkruanin e lexonin anglisht...  Flamuri ynë i dashur dukej si një fëmijë, që bën hapat e para, dukej se mbahej fort pas udhëheqjes dhe mbrojtjes së flamurit amerikan, teksa parakalonte krenar për herë të parë në rrugët e Bostonit, duke bartuar mbi vete shpresat tona të mëdha për një të ardhme më të mirë. Te vendi i takimit në Rrugën Uashington nuk kishe ku të hidhje mollën. Kishte përfaqësues nga të gjitha kolonitë. Folësi kryesor do të ishte ai, shqiptari i ri nga Misiri (Egjipti), Fan Noli. Pasi dëgjoi fjalën tij për Spiro Kosturin, turma iu përgjigj me një brohoritje të tillë, që tronditi ndërtesën. As kisha e as kam dëgjuar një të ngjashme me të. Menjëherë njerëzit e zgjodhën njëzëri kryetar të tyrin ... . Ngjarja e dytë e rëndësishme e asaj dite ishte dërgimi i telegrameve dhe kabllogrameve për Fuqitë e Mëdha, në shenjë proteste kundër mizorive, që po ndodhnin në Shqipëri. Që prej asaj dite, shqiptarët në Amerikë nisën të vepronin si grup, nën një udhëheqje të fuqishme."
***
Më 1907 Noli shkoi në Boston, që të punonte me Pecin në gazetën e tij të përjavshme "Kombi". Ato ishin ditë të vështira. Kishte fare pak abonentë, që paguanin. Në fund të vitit botuesit kishin një borxh prej 485$, një shumë e madhe për atë kohë. Peci dhe Noli i bënë thirrje kolonisë së Natikut, patriotët e zellshëm të së cilës mblodhën të hollat dhe paguan borxhin. Thuhet se në ato ditë të vështira të fillimit, Noli dhe Peci kishin vetëm një pallto, që e vishnin herë njëri e herë tjetri! Kostandin Demo e përshkruan kështu këtë fillim prej prej pionieri:
"Për të shtypur "Kombin" duheshin tre njerëz: Peci, Noli dhe një hallkë tjetër e rëndësishme e zinxhirit, Efthim Naçi. Ky ishte njëkohësisht radhitësi dhe pompuesi i makinës së shtypshkronjës. Ajo ishte një shtypshkronjë e veçantë, që vihej në punë me anë të lëvizjes me këmbë. Pa përfytyroni nëse mundeni, Nolin në të djathtë duke ushqyer makinën me letër, Eftimin në mes duke pompuar me sa fuqi, që makina të shtypte faqet dhe Pecin në të majtë që nxirrte prodhimin e përfunduar. Eh, ç`ditë të lumtura ishin ato!"
***
Atë vit, më 1907, Noli themeloi në Boston shoqërinë patriotike "Besa-Besën". Më 1909 "Kombi" u mbyll dhe nisi botimi i gazetës "Dielli", organ i shoqërisë "Besa-Besën". Fan Noli shërbeu si redaktor i saj, duke përdorur  shtypshkronjën e Kombit. Më 1912 në Amerikë u formua një Komitet Federativ për të bashkuar të gjitha shoqëritë e shpërndara shqiptare në një Federatë. Në 28 prill të atij viti shoqëria Vatra u shpall si një ombrellë, e quajtur gjithashtu Federata Pan-Shqiptare, me Nolin si sekretar dhe "Diellin" si organ informativ. Qëllimi fillestar i saj ishte, që të katër vilajeteve shqiptare t`u jepet autonomi administrative brenda perandorisë turke, mirëpo shpejt ai ndryshoi në pavarësi të plotë.Vatra dhe një ndihmesë të pallogaritshme për mërgimtarët shqiptarë kudo në Amerikë, duke i informuar për gjendjen e trazuar në Shqipëri, duke ruajtur trashëgiminë e tyre etnike si edhe duke koordinuar veprimet e tyre në përkrahje të saj. Shqiptarët duhet të dalloheshin si një komb me identitet të përcaktuar qartë. Ja, pse u pa si e domosdoshme krijimi i kishës ortodokse shqiptare, që do të fliste fjalën e Zotit në shqip. Fati e deshi që mësuesi i shkollës, Fan Noli, kishte qenë këngëtar kishe në fëmijërinë dhe rininë e tij. Si i tillë ai ishte i familjarizuar me historinë kishtare dhe ligjin kanunor ortodoks. Ishte ai, që iu vu punës shumë shpejt për përkthimin e liturgjisë greke në një shqipe të kulluar. Kryepeshkopi ortodoks rus, Platoni, e shuguroi Nolin prift në Katedralen e Shën Nikollës në Nju Jork. E para liturgji hyjnore në gjuhën shqipe në historinë e gjatë të kishës ortodokse u kremtua në 22 mars në sallën e Kalorësve të Nderit në rrugën Tremont, në Boston. Historiani i njohur Demo, i pranishëm në atë shërbesë shkruan: " Sytë na u mbushën me lot". Jo rastësisht karrierra e shkëlqyer e Fan Nolit zuri fill pikërisht në Amerikë, vendin e lirisë fetare, apo siç njihet ndryshe, vendi ku ëndrrat bëhen realitet. Ishte kjo karrierë, që do të jepte një ndihmesë të pamatë në formësimin e një kombi të ri. Botimi shqip i Dhjatës së Re të Kostandin Kristoforidhit do të rrëmbente shumë shpejt zemrën e Nolit të ri duke e shtyrë në një kohë rekord drejt një karriere të ndritur prej kleriku.
Më vonë, në 1912, u ngritën edhe disa kisha të tjera shqiptare. Historiani i njohur Çekrezi vëren se dallimet midis shqiptarëve të krishterë dhe atyre myslimanë i nënshtroheshin plotësisht dashurisë së përbashkët për atdheun. Shumë shqiptarë myslimanë dhanë shuma të mëdha parash për ndërtimin dhe funksionimin normal të kishave ortodokse shqiptare. Madje shumë të dhëna historike tregojnë se disa prej tyre ishin  anëtarë të rregullt të këtyre kishave.  Sipas historianit Çekrezi "nga të gjithë komunitetet shqiptare jashtë atdheut, shqiptarët e Amerikës janë ata që kanë dhënë ndihmesën më të madhe në rritjen e ndjenjës kombëtare..." Për këtë një meritë të pamohueshme ka patur Kryetari i Kishës Ortodokse Kombëtare Fan. S. Noli. 

 

SHEKULLI



---------------------------------
Do You Yahoo!?
Make international calls for as low as $.04/minute with Yahoo! Messenger
http://phonecard.yahoo.com/
-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed


More information about the ALBSA-Info mailing list