Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Shkirme ta gazetes Tema E diel 8 prill

Mero tema at albaniaonline.net
Mon Apr 9 09:21:02 EDT 2001


 
Ekspertët e kriminalistikës pohojnë se makina e "TemA" është goditur me predhë

 

Ministria e Rendit të përcaktojë llojin e armës

 

Predha që ka goditur makinën ka shkaktuar një vrimë me përmasa 7.3 mm në hyrje dhe 8 mm në dalje, ndërsa ata janë shprehur se plumbi mund të jetë modifikuar.

Nga kjo vrimë që ka shkaktuar mund të pohohet se njeriu që ka qëlluar ka qenë jo më larg se 20 metra dhe ka qenë në lëvizje. Qitja është e freskët dhe kjo tregohet edhe nga niveli i ndryshkut që ka zënë makina

 

Nga Gjergj Koja

 

Ekspertë të policisë kanë pohuar dje se makina e gazetës "TemA" është goditur nga një plumb, ndërsa ata kanë dhënë si version paraprak se arma me të cilën është goditur mund të ketë qenë pistoletë e tipit Zastava apo Makarov. Sipas ekspertëve të policisë, predha që ka goditur makinën ka shkaktuar një vrimë me përmasa 7. 3 mm në hyrje dhe 8 mm në dalje, ndërsa ata janë shprehur se plumbi mund të jetë modifikuar. Ajo që pranohet si nga ekspertët e Ministrisë së Rendit po ashtu edhe nga ekspertët privatë është fakti se makina me të cilën ka lëvizur kryeredaktori i gazetës është qëlluar nga një predhë. Në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, makina i është nënshtruar një ekspertimi nga disa ekspertë privatë, të cilët kanë dalë në konkluzionin se predha që ka goditur makinën ka dalë nga armë zjarri, ndërsa ata kanë dhënë dy versione: arma ka qenë pistoletë tip Zastava ose Makarov, ndërsa pohojnë se plumbi i dalë nga këto armë ka qenë i modifikuar. Sipas tyre, makina është qëlluar kur ka qenë në lëvizje, ndërsa edhe personi që ka qëlluar ka qenë në lëvizje. "Nga kjo vrimë që ka shkaktuar mund të pohohet se njeriu që ka qëlluar ka qenë jo më larg se 20 metra dhe  në lëvizje. Qitja është e freskët dhe kjo tregohet edhe nga niveli i ndryshkut që ka zënë makina"- janë shprehur dje disa punonjës policie të cilët privatisht kanë shqyrtuar vendin në të cilin është goditur makina. Ata kanë pohuar se makina është qëlluar nga një vend me lartësi më të lartë se niveli në të cilin ka qëlluar predha, ndërsa shtojnë se arma mund të ketë qenë e drejtuar në nivelin e xhamit, por për shkak të lëvizjes së autorit apo për shkak të humbjes së ekuilibrit ka lëvizur edhe arma, e cila ka qëlluar në kapakun e pasmë të makinës. "Në radhë të parë, duhet të përcaktohet arma me të cilën është goditur, ndonëse për ne është Zastava ose Makarov.  Duhet të përcaktohet largësia, ndonëse për ne nuk është më shumë se 20 metra, si dhe në ç'pozicion ka qenë atentatori, pra nëse ka qenë në lëvizje ose jo.  Të gjitha këto duhet të përcaktohen nga laboratori kriminalistik i Ministrisë së Rendit.  Megjithatë, ajo që është e sigurt është fakti se makina është qëlluar nga një predhë",-shprehen ekspertët policorë. Sipas tyre, duke parë edhe vrimën që ka shkaktuar  plumbi është qëlluar direkt, pra përjashtohet pista se ai mund të jetë në gjendje të lirë ose i thënë ndryshe një plumb qorr. 

 

Policia nguron të thotë të vërtetën

 

Më pas, makina i është nënshtruar një ekspertimi nga ekspertët e Ministrisë së Rendit, të cilët fillimisht nuk kanë pranuar faktin se makina është qëlluar nga një predhë, por vrima në të është hapur me një mjet rrethanor, p. sh me një trapan.  Ky ishte konkluzioni i një polici, i cili erdhi në zyrat e redaksisë për të bërë një ekspertim parësor. Më pas, ai është shprehur se është goditur me armë zjrari, por ka  parashtruar dy versione: ose ka qenë plumb qorr, ose arma ka qenë sportive. "Nuk ka plumb që mund të shkaktojë një shenjë të tillë me këtë diametër"-ka pohuar një nga oficerët e policisë.  Por shumë shpejt konkluzioni i tij është hedhur poshtë nga disa kolegë të tjerë të tijët, të cilët në vështrimin e parë janë shprehur se automjeti është goditur me armë zjarri. "Ne nuk mund të shprehemi se me çfarë arme është goditur, në ç'largësi është goditur apo kur ka ndodhur ngjarja"-janë shprehur ekspertët e Ministrisë së Rendit, të cilët kanë hedhur dyshimin se goditja mund të ketë ndodhur kohë më parë. 

Ekspertiza paraprake i është bërë nga një punonjës policie, i cili ishte më shumë i mërzitur pse gazeta kishte shkruar rreth atentatit se sa nga fakti që makina është qëlluar.Më pas, punonjës të zyrës së kriminalistikës, të cilët ndonëse nuk kanë hartuar një raport përfundimtar janë shprehur për një goditje me armë zjarri.  Përfundimisht pas matjeve të bëra, punonjësit e Ministrisë së Rendit, pra ekspertët zyrtarë, kanë pohuar se kemi të bëjmë me një goditje me armë zjarri, por nuk kanë përcaktuar kohën se kur ka ndodhur ngjarja dhe tipin e armës. "Laboratori duhet të bëjë ekspertimin për të parë se kur ka ndodhur ngjarja",-janë shprehur zyrtarisht punonjësit e zyrës së ekspertimit kriminalistik, ndërsa kjo ka përçarë në qëndrim këtë grup.  Disa prej tyre kanë pohuar se goditja është e freskët, ndonëse për këtë, kanë shtuar ata, duhet të pritet ekspertimi përfundimtar. Përfundimisht makina i është nënshtruar një ekspertimi, por ajo që është e rëndësishme është fakti se si ekspertët privatë ashtu edhe ata të Ministrisë së Rendit kanë pohuar se makina është goditur nga një predhë. 

 

 

 

 

 

Deklaratë  e Forumit Shqiptar për Mediat e Lira

 

Atentat i dështuar ndaj kryeredaktorit të gazetës "TemA

 

Makina personale e kryeredaktorit të  gazetës "TemA"  Mero Baze është qëlluar me armë zjarri në mbasditen e datës 6 prill, në pjesën e pasme të saj. Redaksia e gazetës tha në një deklaratë për shtyp, se makina është qëlluar ndërkohë që në të ka qenë i vetëm kryeredaktori i gazetës. Redaksia e cilësoi sulmin një përpjekje për shantazh ose një atentat i dështuar, i cili mund t'i merrte jetën kryeredaktorit. Makina gjendet e bllokuar në rajonin e policisë numër 1 në kryeqytet për ekspertizë balistike të plumbit që e ka qëlluar, ndërsa redaksia thotë se shkak për sulmin mund të jenë botimet e kohëve të fundit në faqet e kësaj gazete, që kanë pasur si temë të ditës, publikimin e dokumenteve që komprometojnë shumë zyrtarë të lartë shqiptarë të përfshirë në një rrjet droge, kontrabandë doganash, trafikun e refugjatëve dhe prostitutave dhe skafeve në Vlorë si dhe raportet mbi dëshmitë e pabotuara të pjesëmarrësve në vrasjen e deputetit Azem Hajdari.

Kryeredaktori i gazetës i tha shtypit se të vetmet probleme që ka gazeta janë marrëdhëniet e këqija të saj me zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar, përfshi kryeministrin, shefin e shërbimit Sekret, ministrin e Financave dhe disa zyrtarë të akuzuar nga gazeta, të përfshirë në vrasje, trafiqe dhe korrupsion.

Plumbi ka shpuar dy shtresat metalike të veturës tip BMW. Në interpretimet e para jo zyrtare të ekspertëve që vëzhguan makinën,  mendohet se ajo është qëlluar me pistoletë në një distancë jo shumë të afërt, kur makina ka qenë në lëvizje. Plumbi ka shkaktuar një vrimë 7,3 milimetra në hyrje. Zoti Baze fajësoi për sulmin, klimën e presionit dhe revanshit që qeveria ka krijuar kundër shtypit që nuk ka nën kontroll para fushatës elektorale.  Ai tha se personazhet kryesorë  me të cilët gazeta ka pasur probleme, janë zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar dhe partisë në pushtet dhe e vetmja pistë që ai mendon se ka shkaktuar atentatin vjen  pikërisht nga këto drejtime.Në një deklaratë transmetuar nga radioja "Zëri i Amerikës", Baze tha se qëllimi më i pakët i sulmit mund të jetë shantazhi për të mbyllur gojën gazeta dhe gazetarët që punojnë me të, ndërsa më e keqja ka qenë një atentat i dështuar ndaj jetës së tij.Qeveria nuk ka bërë ende komente zyrtare, por shtypi i kontrolluar prej saj ka heshtur dhe ka shmangur njoftimet mbi atentatin. Partia Demokratike në opozitë e ka dënuar atentatin në një konferencë të posaçme për shtyp dhe ka akuzuar shërbimin Sekret dhe qeverinë shqiptare si të implikuara në këtë fushatë terrori mbi shtypin.

 

 

 

 

Raport i radios Zëri i Amerikës

 

Sulmohet me armë kryeredaktori i "TemA"

 

Persona të panjohur sulmuan mbrëmë me armë zjarri kryeredaktorin e gazetës "Tema", Mero Baze, ndërsa po drejtonte automjetin në një nga rrugët kryesore të Tiranës. Një plumb pistolete ka shpuar pjesën e pasme të makinës së tij pa i shkaktuar ndonjë plagosje. Zoti Baze thotë se plumbi mund të ketë ardhur nga një armë me silenciator pasi nuk ka dëgjuar zhurmën e madhe të një të shtëne dhe dyshimi i vetëm i tij adresohet tek dy djem të rinj që e kanë shoqëruar kërcënueshëm me një makinë benz të bardhë me targë të huaj. " Në kohën kur po kaloja në rrugën përpara Parlamentit, në drejtim të Urës së Lanës, tek rruga e Elbasanit, kam patur një  skenë nervoze me një makinë mercedes të bardhë me targa italiane që e drejtonin dy djem të rinj, të cilët tentuan dy herë të parakalonin nga të dy anët e ndryshme të makinës duke e kërcënuar, por nuk i kam vlerësuar  shumë seriozisht këto gjeste. Nuk jam i sigurt nëse kam dëgjuar një krismë plumbi mbi makinën, por kur jam kthyer përpara redaksisë dhe parkova makinën konstatova vrimën e plumbit në pjesën e pasme të makinës, një plumb që sipas disa ekspertëve të policisë, i përket një pistolete me silenciator. Drejtimi i saj është në nivelin e shpinës së drejtuesit të automjetit".Gazetari Baze thotë se këtë goditje me armë e vlerëson si një shantazh ndaj gazetës "Tema" në prag të zgjedhjeve ose si një atentat të dështuar ndaj kryeredaktorit të saj. "Është një gjë shumë shqetësuese kur e shikon që ky sulm bëhet në prag të fushatës elektorale. Në rastin më të mirë, do ta merrnim si një shantazh ndaj gazetës përpara se të fillonte fushata elektorale dhe kur tensioni politik në Shqipëri është në rritje. Gazeta jonë ka një qëndrim shumë kritik ndaj qeverisë ndërsa, në rastin më të keq, kjo mund te ketë qenë një përpjekje e dështuar për atentat ndaj kryeredaktorit."Zoti Baze thekson më tej se nuk ka asnjë konflikt personal dhe se e vetmja arsye e sulmit mbetet qëndrimi kritik i gazetës së tij ndaj qeverisjes. "Për momentin, i vetmi dyshim i imi është nëse u ka rrëshqitur dora poshtë dhe s'kanë qëlluar drejtpërdrejt nga pas kokës apo kanë qëlluar vetëm për shantazh. Nuk kam ndonjë problem personal apo ndonjë hasmëri me dikë në Tiranë. Përkundrazi, jam një gazetar që përgjithësisht eci me këmbë në rrugët e Tiranës, i vetëm dhe i pashoqëruar. Nuk kam probleme personale. I vetmi problem është puna që unë bëj dhe qëndrimi im kritik ndaj qeverisë ."Mero Baze është një prej gazetarëve dhe analistëve më të njohur të Shqipërisë, shkrimet e së cilit u kanë sjellë jo pak shqetësime politikanëve dhe zyrtarëve shqiptarë. Autori i disa librave publicistike për ngjarjet në Shqipëri dhe Kosovë, ai është ndërkohë edhe kryetar i një forumi për mbrojtjen e lirisë së mediave. Sulmi i fundit me armë ndaj tij është në vazhdën e një serie kërcënimesh anonime dhe të drejtpërdrejta , të cilat i bashkon vetëm një element, faktet dhe analizat që ai shkruan. Sulmi me armë ndaj këtij gazetari të mirënjohur shënohet gjithashtu në valën e marrëdhënieve gjithnjë e më të acaruara mes shtetit dhe shtypit jo qeveritar. 

Zyrtarë të lartë të qeverisë kanë hapur ditët e fundit të paktën 50 procese gjyqësore ndaj gazetarëve opozitarë dhe jo qeveritarë të cilët, në të gjitha rastet, janë dënuar me gjoba tejet të rënda nën akuza për fyerje dhe shpifje ndaj zyrtarëve në shkrimet e  tyre për korrupsion dhe kontrabandë. 

Ndërkaq, një pjesë e madhe e shtypit shqiptar vlerësohet tani e komprometuar nga fondet e të hollave që kanë marrë nga qeveria, çka shpjegon, sipas vëzhguesve, uljen e ndieshme të toneve kritike ndaj qeverisë dhe mbajtjen e qëndrimeve të hapura proqeveritare të tyre me fshehje dhe manipulime të lajmeve..

 

 

 

Koment

 

 

Pse duhet hedhur poshtë projektligji i ri mbi shtypin

 

Gjithcka  është "Urdhri."

 

Nga Mero Baze

 

 Komisioni parlamentar i Mjeteve të Informimit  Publik ka shpërndarë kohët e fundit një projektligj mbi shtypin, i cili formalisht do të mbushë boshllëkun ligjor që ekziston në legjislacionin për shtypin në Shqipëri. Projektligji më shumë se i shkruar stilistikisht mirë, është i mbisunduar mirë, nga stili tinzar i të kontrolluarit të shtypit, përmes krijimit të burokracisë së censurës në Shqipëri. Ajo që parlamentarët e momentit e quajnë "Akt i Lirisë së Shtypit" në fakt, është një akt zyrtar për krijimin e një administrate politiko-juridike, e cila të shkëpusë përgjegjësinë e shtetit nga censura mbi shtypin dhe ta konsiderojë kontrollin e shtypit, një nevojë për vetë shtypin.

Projektligji është i ndarë në dy pjesë të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra tjetrën, nëse bëhet fjalë për një ligj për shtypin. Në pjesën e parë, rregullohen marrëdhëniet e shtypit me shtetin dhe shoqërinë dhe ka hapësirë për debat.  Në pjesën e dytë, flitet për qëllimin e vërtetë të këtij ligji, i cili është krijimi i një administrate për kotrollin e shtypit, i quajtur "Urdhri i gazetarit". Krijimi i kësaj administrate, duket se është bërë sipas modelit që çdo komision parlamentar të propozojë krijimin e një policie. Kështu, nëse Komisioni  Ndërtim- Strehimit ka propozuar ngritjen e policisë ndërtimore apo policisë bashkiake, Komisioni i Rendit ka propozuar krijimin e xhandarmërisë, komsioni i Medias ka propozuar ngritjen e Urdhrit të Gazetarit. Le ta shohim më konkretisht embrionin e kësaj policie që propozon Parlamenti shqiptar.



Defektet në koncept

 

 Projektligji për shtypin, i propozuar nga Komisioni Parlamentar, së pari ka defekt në objektin e tij, pasi ai, përveçse merr përsipër të rregullojë marrëdhëniet e shtypit me publikun dhe shtetin, merr përsipër të rregullojë edhe marrëdhëniet brenda llojit, pra raportet brenda vetë shtypit shqiptar dhe grupimeve të tij. Nëse  rregullimi i marrëdhënieve të shtetit me shtypin, është një detyrim shtetëror, kjo e fundit, është nga të paktat detyrime që kanë shtetet demokratike për të mos e bërë.  Për këtë arsye, ky projekt fillon keq qysh në nenin 2, në pikat 3 dhe 4 të tij, të cilat paralajmërojnë se shteti do të vendosë rregull edhe brenda vetë shtypit shqiptar. Dhe nëse një shtet ka vendosur të mbajë rregullin dhe qetësinë në një pushtet të tillë si ai i shtypit, atëhere, gazetarët nuk janë gjë tjetër, veçse nëpunës shtetërorë. Për më tepër, ky defekt në koncept bie në sy, se pavarësisht dëshirës për ta nisur projektligjin duke përcaktuar marrëdhëniet mes shtetit dhe shtypit, në të gjitha nenet, ndeshesh me kufizimet që vijnë nga "Urdhri i gazetarit" i cili për lexuesin e faqeve të para të këtij projektligji, është ende një projekt abstrakt. Fjala vjen në nenin 7 të këtij projektligji, përcaktohet qartë se kryeredaktori i një gazete duhet të jetë doemos anëtar i Urdhrit të Gazetarëve dhe të mos jetë i ndjekur penalisht, ndërkohë që të dyja këto kushte, nga mënyra se si është ndërtuar ky ligj, e lënë shtypin shqiptar, me kryeredaktor të emëruar nga qeveria. Mjafton të marrim si shembull kryeredaktorin e gazetës "Rilindja Demokratike" që është dënuar tetë herë, duke filluar nga gruaja e kryeministrit, kryeministri, zëdhënësi i kryeministrit dhe ministrat e tij. Ky njeri nuk duhet të jetë më kryeredaktor dhe sipas këtij projektligji, duhet gjetur dikush që nuk e ka inat as kryeministri, as gruaja e tij, as ministrat, bile as bodigardi i tij. Në një farë mënyre kjo do të thotë se duhet gjetur një kryeredaktor i përshtatshëm. Në nivelin e kulturës politike në Shqipëri, ku shteti bën kujdes të mos zbatojë asnjë rregull balance, ku kryeministri jep grante vetëm për gazetat që e mbështesin atë, ku gjykatat dënojnë vetëm gazetarët që kundërshtojnë kryeministrin, ku institucionet shtetërore, bëjnë reklamë vetëm tek gazetat të cilat janë servile të kryeministrit, përfshi dhe gazeta të cilat dalin në 100 kopje dhe nuk arrijnë dot as jetëgjatësinë e kontratave të nënshkruara me qeverinë, siç është rasti i gazetës "24 orë", një sanksionim me ligj i cilësive të kryeredaktorit i ngjan dhjetë cilësive të komunistit, të cilat dikur deklaroheshin por nuk kërkoheshin, kurse tani nuk deklarohen, por kërkohen për të kontrolluar shtypin. Po kështu, mënyra se si shteti përpiqet të shmangë detyrimet ndaj shtypit me përfaqësimin formal në gazetat partiake, është në funksion të arbitraritetit, në dhënien e informacionit, shpërndarjen e reklamës dhe kritereve që duhet të përbushë shtypi që të përfitojë këto të drejta. Duke theksuar se qeveria ka detyrime ndaj dy gazetave kryesore partiake, për publikim njoftimesh dhe informacioni qeveritar, në fakt, përpiqet të largohet përgjegjësia për atë që do të bëhet me gazetat e tjera të cilat nuk janë partiake, por kanë qëndrime të qarta pro dhe kundër qeverisë. Me këtë logjikë, kryeministri konsideroi se gazeta "Tema", e cila është nga më kryesoret në treg, nuk meritonte të merrte grant financiar nga qeveria, kurse disa periodikë që dalin për problemet e grave të pamartuara, por që shoqërohen  në çdo numër me një intervistë me Hysni Milloshin, të merrnin miliona lekë. Konsolidimi ligjor i kësaj praktike tashmë të provuar si negative, dëshmon se shteti po përpiqet të kthejë përvojën e tij më të keqe kundër lirisë së shtypit, në një institucion të përhershëm tashmë të mbrojtur me ligj. Duke qenë i konceptuar  si një projektligj i cili duhet të bëjë zap shtypin, parlamentarët e momentit, kanë ngatërruar detyrimin e tyre politik për të garantuar lirinë e shtypit me detyrën  e tyre partiake, për të bërë një shtyp në shërbim të tyre. Dhe defektet e konceptit të tyre nuk janë aq të mëdha në pjesën e parë të projektligjit, përveç disa neneve, që lidhen me pjesën e dytë. Por pjesa e dytë e këtij projekligji, jo vetëm që shumëzon me zero pjesën e parë, por e bën shumë të rrezikshme edhe praninë e pjesës së parë në ligj, pasi humbet çdo shans që marrëdhëniet e shtypit me shoqërinë dhe shtetin të rregullohen në ndonjë mënyrë tjetër,përveç kësaj.

 

 Krijimi i institucioneve të censurës.



Duke theksuar gabimet në koncept të këtij projektligji, theksova se ai ka si defekt themelor përpjekjen për të vendosur rregull shtetëror brenda vetë pushtetit të shtypit. Ky defekt, i konkretizuar pastaj me pjesën e dytë të ligjit, ku kërkohen ngritja e infrastrukturës për censurë, kthehet në një "vrimë të zezë' e cila gëlltit gjithçka nga lira e shtypit në Shqipëri. Dhe e gjithë përpjekja është bërë përmes detyrimit ligjor që gazetarët shqiptarë t'i nënshtrohen "Urdhrit të Gazetarit" si institucion suprem i tyre.

Duke abuzuar me disa praktika të pakta të ngjashme në botë, por të cilat nuk kanë formën e detyrimit ligjor, parlamentarët e monetit në Shqipëri, përpiqen t'i imponojnë shtypit shqiptar, atë që mund të quhet fare mirë, "Diktatura e OJQ"-ve. Urdhri i Gazetarit, ekziston dhe në ndonjë shtet tjetër të këtij planeti, por ai është në formën e një organizate joqeveritare, që ka vetëkrijuar autoritet moral për t'iu bindur gazetarët. Ky realitet, jo vetëm që është i  paeksportueshëm në Shqipëri, por është aq larg realitetit shqiptar sa është vetë shtypi i këtyre vendeve nga shtypi shqiptar. Në një vend ku liria e shtypit ka personalitete vetëm me dhjetë vjet përvojë në gazetari dhe me një trashëgimi gati ideologjike të paraviteve 90-të, me një përvojë të hidhur të etheve për të kontrolluar shtypin nga qeveria dhe një mercenarizëm të papenguar nga askush, dhënia e fuqisë ligjore për një institucion të tillë, është as më shumë as më pak njësoj si "Zyra e Shtypit e Komitetit Qendror". Krijimi i një urdhri të tillë në Shqipëri,mund të jetë objekt i nismave personale të gazetarëve të njohur shqiptarë, të cilët kanë mundur të krijojnë vetë personalitetin e tyre dhe që janë pranuar në një shkallë të caktuar nga shoqëria shqiptare. Nëse ata ia mbërrijnë kësaj pune, do të thotë se në Shqipëri, ka një nivel të caktuar të komunikimit mes shtypit, nëse nuk ia mbërrijnë atëhere dhe ky është një tregues real i shkallës së emancipimit të shtypit. Ne nuk mund të krijojmë institucione që të mbushin me ligj humnerat e krijuara nga mungesa e vlerave në shoqërinë shqiptare. Për më tepër nuk mund t'i japim fuqi ligjore një institucioni të  krijuar kundër vlerave të lirisë së shtypit. Koncepti  i Urdhrit të Gazetarit në Perëndim, është koncepti i vendosjes së rregullave profesionale, dhe krijimit të gjuhës së aristokracisë së komunikimit mes gazetarëve kurse parlamentarët shqiptarë duhet të shpallin një institucion me emër të ngjashëm për ta përdorur si argument të luftës që shteti duhet t'i bëjë shtypit. Mënyra se si do të ndërtohet kjo infrastrukturë sipas këtij projektligji, është shumë e qartë. Në fillim flitet për "Urdhrin", pastaj për kriteret e pranimit në të, ku sipas nenit 37 pika 3, të gjithë gazetarët aktualë të shtypit shqiptar të cilët nuk i kanë punët mirë me qeverinë dhe që kanë të gjithë nga një deri 100 procese, nuk mund të jenë anëtarë të këtij urdhri. Më tej akoma rekomandimin për t'u anëtarësuar do ta japë një tjetër anëtar i urdhrit, i cili aktualisht nuk ekziston. Këtu fillon dhe zbulohet gjithë mekanizmi i kontrollit shtetëror mbi shtypin.



Kush janë Eva dhe Adami që do të 

lindin censorë



Në Dispozitat e fundit të këtij projektligji, në fakt, fillon i gjithë ligji dhe shpaloset i gjithë synimi i tij. Rrugëzgjidhja fillon nga Komisioni parlamentar i Medias, një institucion tërësisht politik dhe aktualisht tërësisht i kontrolluar nga shumica parlamentare. Ky komision do të shpallë "Evën dhe Adamin", do të shpallë pra dy institucionet e para që do të lindin pastaj qëniet që do të kontrollojnë shtypin në Shqipëri. Sipas nenit 64, Komisioni i Mjeteve të Informimit Publik, mbi bazën e propozimeve nga shoqatat dhe organizatat profesionale, tre muaj pasi të miratohet ky ligj, do të shpallë "Këshilltarin e Përkohshëm Kombëtar të Urdhrit" , i cili do të lindë regjistrin e gazetarëve dhe do të përgatisë për një vit infrastrukturën e Urdhrit të Gazatarve. Ky mekanizëm do të prodhojë pastaj hibride të pafund censorësh, të cilët gjenezën do ta kenë nga ky parlament, nga kjo shumicë parlamentare dhe nga ky mentalitet censure dhe kontrolli që ka sot qeveria mbi shtypin.Gjithçka që vjen nga pas është kurth. Kjo qënie e përkohshme do të lindë një qenie të përhershme e cila do të quhet Urdhri i Gazetarit dhe që do të ketë kompetenca shumë herë më të mëdha se ish- censorët e dikurshëm mbi gazetarët shqiptarë. Neni 48 i këtij projektligji parasheh kompetenca të barabarta të këtij urdhri me ato të një gjykate speciale për shtypin, i cili nëse merr fuqi ligjore, ngjan si mekanizëm ndihmës në duart e qeverisë për të vendosur nën kontroll shtypin shqiptar. Duke mos dashur të trembë gazetarët shqiptarë duke iu numëruar se sa shumë të drejta ligjore ka mbi ta ky përbindësh që do të quhet "Urdhër i gazetarëve", i ftoj ata ta refuzojnë lindjen e tij. Neni 52, 53 54, 55. 56. 57, 58 dhe 59, ku flitet për katet disiplinore të këtij urdhri, janë të tilla, që nëse i pranon t'i zbatosh, duhet të dorëzosh fillimisht kartën e gazetarit dhe të kërkosh statusin e nëpunësit civil. 

Asgjë të përbashkët me profesionin e një gazetari nuk mund të ketë një qytetar që pranon të vihet nën detyrime të tilla ligjore, sic është për shembul neni 58 i cili të humbet të drejtën e të qënit gazetar, nëse kryetari i këtij urdhri për intepretimet e tij të shumëllojshme që i garantohen nga 7 nene të çregjistron nga regjistri i urdhrit. Është pak a shumë si kompetenca që ka pasur dikur Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë apo Lidhja e Shkrimtarëve, të cilat i rekomandonin zyrës së shtypit të Komitetit Qendror heqjen e të drejtës për të shkruar gazetarëve ose shkrimtarëve që luanin nga vija e partisë shtet. Asgjë më pak e keqe se ajo praktikë, nuk është e mishëruar në praktikën e re. Asgjë më pak e keqe se sa hija e censurës dhe zyrës së shtypit të Komitetit Qendror nuk po shfaqet sërish. Dhe ata që e duartrokasin tani, të mos kujtojnë se kanë gjetur çelësin e shpëtimit për t'i mbyllur gojën shtypit, por thjesht janë kthyer në origjinë. Ky ligj, nëse bëhet ligj, është, mes të tjerash, i rrezikshëm për vetë ata, të cilët nesër kur të mos jenë më parlamentarë dhe kur të mos jenë më shumicë politike, të ndeshen me nje përbindësh që quhet Urdhër i Gazetarit, i cili, për paradoks, mund t'i leje ata të gjithë pa punë dhe pa të drejtë të shkruari, për arsye që në këtë projektligj i gjen shumë lehtë.Komenti i vetëm për këtë projekt është që të mbetet vetëm projekt, dhe të dënohet qoftë dhe si tentativë për të bërë një ligj. Ndryshe të gjithë do të dënohemi, pse pranuam që në Shqipëri, shtypi i lirë të ndalohet me ligj. Rekomandimi im i vetëm për hartuesit e këtij ligji, është të heqin dorë nga krijimi i një infrastrukture kontrolli mbi shtypin dhe të bëjnë një projektligj që garanton lirinë e shtypit, lirinë e marrjes së informacionit, imunitetin publik të gazetarit dhe të drejtën e qytetarëve për t'u informuar. 

Ky projektligj garanton të drejtën e shtetit, për te qenë arbitër dhe selektiv me shtypin, të drejtën e shtetit, për t'i hequr të drejtën një qytetari për të qenë gazetar, të drejtën e shtetit për të ndërtuar infrastrukturën e kontrollit të shtypit dhe të drejtën e tij për ta ushtruar këtë kontroll mbështetur në ligj. Kjo sepse gjithçka fillon dhe mbaron me "Urdhrin."

-------------- next part --------------
HTML attachment scrubbed and removed
-------------- next part --------------
  [ The following attachment was DELETED when this message was saved:    ]
  [ A Image/JPEG (Name="plumb-zjarr1.jpg") segment of about 65,514 bytes ]


More information about the ALBSA-Info mailing list