| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Shekulli, 13 Prill 2001Agron Alibali aalibali at yahoo.comFri Apr 13 19:16:53 EDT 2001
Patriotizmi i "çuditshëm" i Imamit Nga Zamir Alushi Ditët e fundit, erdhën një grup biznesmenë kosovarë, që biseduan me vëllezërit e tyre biznesmenë dhe me zyrtarët e lartë të Shqipërisë. Gjithçka kaloi shumë mirë: ata biseduan për biznes dhe u larguan me idenë për bashkëpunim më të ngushtë me vendin mëmë. Këta, me sa duket, mund të kenë qenë ngacmimi për një "iniciativë politike" surprizë. Dje, zoti Imami, i ka habitur shqiptarët këtej dhe andej kufirit me "patriotizmin" e tij, kur deklaroi se do të punojë për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Duke rikonfirmuar edhe një aspiratë shekullore, ai u tha gazetarëve se Aleanca Demokratike do të punonte legjislaturën e ardhshme për "unifikimin paqësor" të Shqipërisë me Kosovën, ndryshe nga ç'është bërë deri më sot nga Qeveria. Më tej, ai denoncoi (kjo fjalë më duket se i shkon veprimit të tij) një plan konkret se si do të arrihej kjo gjë, duke shpalosur masa në fushën e drejtësisë,institucioneve, ekonomisë, mbrojtjes, sigurimit etj. Këto deklarata të bëra qoftë nga posti i ministrit të Drejtësisë, apo si kryetar i një partie të koalicionit Aleanca për Shtetin, në qoftë se nuk janë lajthitje politike,janë një provokim dhe diversion ndaj politikës së tërhequr që po bën Shqipëria në rajon. Po të ndjekësh deklaratat e Kryeministrit, ministrit të Jashtëm, Presidentit, Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvend, nuk gjen askund ndonjë mbështetje për këtë platformë "unifikimi". Madje ai deklaroi se nuk i merrte askujt leje për këto qëndrime. Por le të shohim sfondin politik të aventurës. Dje ministri i Jashtëm u nis në Shkup për të marrë pjesë në takimin me sekretarin e shtetit Pauell, ku pritet që të rivlerësohet sadopak pozita e shqiptarëve ndaj maqedonasve, ndërsa kryeministri Meta mblodhi njerëzit e organeve të rendit dhe të ushtrisë për t'u kujdesur që të shuajë çdo dyshim të hedhur nga maqedonasit lidhur me përdorimin e kufirit shqiptar nga luftëtarët e UÇK-së. Diplomacia evropiane i është bashkuar zërit amerikan për respektimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërsa sllavët presin vetëm që ne të gabojmë. Në këto kushte, guximi i Imamit i kapërcen kufijtë. Vetëm kaq duhet që të fillojnë nga e para sllavët dhe grekët me avazin e "Shqipërisë së Madhe". Ligjërata romantike e Imamit ( ajo nuk i shërben për momentin interesave shqiptare) mund të kompromentojë jo vetëm qeverinë, por dhe partinë Aleanca Demokratike (e pashfaqur deri më sot si nacionaliste). E lançuar si pjesë e programit të PAD-it, platforma duket se synon të hapë një debat tjetër (ai duhet ta ketë parashikuar reagimin), që mbase mund të mbulojë çarjen me Cekën lidhur me aleancat e mundshme parazgjedhore. Më e pakta që duhet të bëjë Qeveria, në këtë rast, është të bëjë korrigjimet e nevojshme ndaj deklaratave të Imamit, ndërsa duhet të marrë masa për të disiplinuar ministrat, që t'u binden detyrimeve kushtetuese. --------------------------------- Do You Yahoo!? Yahoo! Mail Personal Address - Get email at your own domain with Yahoo! Mail. -------------- next part -------------- HTML attachment scrubbed and removed
More information about the ALBSA-Info mailing list |