Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Zgjedhjet lokale/emigrantet

Kreshnik Bejko kbejko at hotmail.com
Thu Sep 28 09:41:57 EDT 2000


Zgjedhjet lokale në Shqipëri dhe emigrantët në Greqi

Nga Gazmend Kapllani

ATHINË, Greqi - Me sa duket "kontributi në zgjedhje" i emigrantëve shqiptarë 
në Greqi për zgjedhjet lokale në Shqipëri nuk do të ketë rëndësi, ndryshe 
nga zgjedhjet e mëparshme në të cilat pjesëmarrja e tyre ishte e dukshme.

Sidoqoftë, edhe protagonistët e zgjedhjeve, vetë politikanët, nuk duket se 
janë të shqetësuar shumë përsa i përket votave të emigrantëve. Shumë 
emigrantë shqiptarë duke përfituar nga dokumentet e tyre dhe nga pak ditë 
pushime, kryesisht në gusht, erdhën në Shqipëri këtë vit, duke shkaktuar 
kështu një vërshim të vërtetë të numrit të autobusëve të linjës 
Athinë-Tiranë-Athinë. Por tani, në prag të zgjedhjeve, nuk duket se është 
shtuar lëvizja, gjë që do të tregonte një farë interesi nga ana e 
emigrantëve shqiptarë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 1 tetorit.

Arsyet duket se janë të shumta dhe të ndryshme. Arsyeja kryesore mund të 
jetë se këto janë zgjedhje lokale, jo parlamentare, ndaj jo dhe aq të 
rëndësishme.

Nga ana tjetër, edhe pse shumë emigrantë kanë dokumente të ligjshme, ka 
shumë të tjerë që janë ilegalë (më se një e treta e shqiptarëve në Greqi) 
dhe asgjë nuk do t'i shtynte të ndërmerrnin përsipër një aventurë të tillë. 
Ata e dinë se kufiri është bërë pothuajse i pakalueshëm dhe se çmimi i 
kalimit të kufirit me vizë ka arritur shifra astronomike. Por edhe ata që 
janë të pajisur me dokumente të rregullta nuk dëshirojnë të ndërmarrin një 
udhëtim të tillë për shkak të kostos së udhëtimit.

Përveç kësaj, revoltat e vitit 1997, ngjarja më tronditëse në historinë e 
shtetit shqiptar, duket se ka ndikuar në mënyrën se si emigrantët e shohin 
të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Dritani është 35 vjeç, me diplomë në 
filologji. Në Greqi punon lulishtar. Edhe pse Dritani ka kartë jeshile, e 
shoqja, e cila nuk mundi të sigurojë dokumentet e nevojshme për sigurimet 
shoqërore, është e regjistruar si një pjesëtare e familjes e mbrojtur në 
kartën e tij jeshile. Megjithatë, tani edhe pse ajo ka gjetur punë dhe 
paguan sigurime, nuk mund të punojë pasi nuk e lejon ligji. Si pasojë, ajo 
është e detyruar të mbetet e papunë përkohësisht dhe e regjistruar në kartën 
jeshile të burrit të saj! "Pse duhet të shkoj të votoj? Deri në vitin 1997, 
kisha një farë shprese për t'u kthyer në Shqipëri...Pas revoltave, shpresat 
u shuan...Ndoshta duhet të përgatitem shpirtërisht se nuk do të kthehem më 
në Shqipëri...Por edhe në Greqi nuk jam absolutisht e sigurt se do të mund 
të qëndroj gjatë viteve të ardhshme..."

Gëzimi ka të njëjtin mendim me Dritanin. "Politikanët më bënë të emigroj në 
vitin 1997...Prandaj, a duhet të shkoj e të votoj tani?, pyet ai në mënyrë 
retorike.

Edhe pse Mimoza, punëtore që punon nëpër shtëpi, ka qëndruar si emigrante 
ilegale tre vjet, nuk do të shkonte të votonte edhe sikur të kishte 
dokumente të rregullta. "A kanë zgjidhur ndonjë problem të emigrantëve gjatë 
gjithë këtyre viteve? Sigurisht që jo...Kushdo që të vijë në pushtet do të 
vjedhë, ndërsa emigrantët duhet të mbështeten vetëm në forcat e veta, 
krejtësisht të harruar dhe të pambrojtur...Një vulë e thjeshtë në dokumente 
është gjithçka që kërkonte motra ime në Ambasadën Shqiptare, dhe e detyruan 
të paguajë 15 mijë dhrahmi. 15 mijë dhrahmi për një vulë...nga një emigrant 
që e fiton me gjak çdo dhrahmi!".

Toli ka probleme të tjera. Ai nuk ka kryer shërbimin ushtarak dhe ka frikë 
se do të ketë prbleme në Shqipëri. Shoku i tij, Alban, thotë se nuk do që të 
përzihet me policinë greke në kufi, pasi shumë herë gjejnë lloj-lloj 
justifikimesh për të të kthyer.

Violeta është 43 vjeç; ajo është e pajisur me dokumente të rregullta dhe 
punon si pastruese. "Unë dhe burri im humbëm në firmat piramidale gjithçka 
që kishim kursyer gjatë gjashtë viteve që kemi punuar si emigrantë ilegalë. 
5 milionë dhrahmi gjithsej". Kur e pyeta nëse do të shkojë të votojë, ajo 
qesh me ironi. "Një person na tha se do të na bënte të pasur dhe të lumtur 
dhe ne u treguam naivë dhe votuam për të...Dhe e pamë se çfarë na 
ndodhi...Një tjetër na tha se do të na i kthente paratë...Ne votuam për 
të...Nuk pamë asnjë qindarkë. Kjo është e mjaftueshme".

Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm që ua zbeh kurajon është frika se mund 
të shpërthejnë përsëri revolta para ose pas zgjedhjeve. Kjo frikë vjen nga 
situata e tensionuar që ekziston aktualisht.

Agroni nuk e ka këtë frikë. Ai thotë se do të shkojë të votojë, sepse 
dëshiron një të ardhme më të mirë për vendin e tij. Megjithatë, në fund më 
tregon se i ati është anëtar i një partie dhe se "lidhjet e familjes së tij 
janë shumë të ngushta me këtë parti".

Sidoqoftë, shumica e atyre që kemi pyetur, edhe pse nuk kanë parapëlqime të 
mëdha politike, shpresojnë që Berisha të humbë zgjedhjet. Së pari, sepse ata 
e konsiderojnë përgjegjës për "zhdukjen" e parave përmes firmave piramidale. 
Së dyti, sepse ai do të krijojë probleme në marrëdhëniet shqiptaro-greke, 
dhe për pasojë "operacionet e kthimit" të emigrantëve (siç ka ndodhur në të 
kaluarën) do të bëhen edhe më diskriminuese dhe të shumta. (AIM)

_________________________________________________________________________
Get Your Private, Free E-mail from MSN Hotmail at http://www.hotmail.com.

Share information about yourself, create your own public profile at 
http://profiles.msn.com.




More information about the ALBSA-Info mailing list