Google
  Web alb-net.com   
[Alb-Net home] [AMCC] [KCC] [other mailing lists]

List: ALBSA-Info

[ALBSA-Info] Nga Haga

Agron Alibali aalibali at yahoo.com
Sun Oct 29 19:48:28 EST 2000


DEL PONTE GJURMON PASURINË
E MILLOSHEVIQIT NË GREQI

Athinë, 29 tetor (KosovaLive)

Zonja e hekurt e gjykatës ndërkombëtare të Hagës,
kryeprokurorja Karla Del Ponte ka qenë incognito javën
e kaluar në Athinë, meqë Greqia konsiderohet si një
tjetër pistë e rëndësishme në hetimet rreth
veprimtarive ekonomike të ish presidentit jugosllav
Sllobodan Milosheviq dhe klanit të tij.
Sipas gazetës "Elefterotipia" të së dielës, misioni i
znj. Del Ponte ka qenë tepër sekret dhe ajo është
takuar me kryetarin e gjykatës kushtetuese, si dhe me
prokurorin që ka në kompetencë ekstradimet e personave
të kërkuar. Gazeta citon burime të drejtësisë greke të
kenë thënë se znj. Del Ponte ka kërkuar bashkëpunimin
e autoriteteve vendase për gjetjen dhe ngrirjen e
llogarive bankare të Milosheviqit në Greqi. Ajo u ka
thënë se ka të dhëna që Milosheviq disponon në një
bankë greke si dhe në degën që ka në Greqi një bankë
nga Qipro, depozita prej disa miliardësh dollarë, të
cilat i ka transferuar që më 1991 e këtej, nëpërmjet
personash të tretë. Po ashtu znj. Del Ponte ka thënë
se në Greqi kanë qendrën edhe pesë kompani që
figurojnë si administrueset e këtyre llogarive, çka
është bërë thjesht për të humbur gjurmët.
Gjithmonë sipas gazetës "Elefterotipia", gjykatësit
grekë i janë përgjigjur znj. Del Ponte se ata vetë nuk
disponojnë asnjë të dhënë konkrete që të materializojë
akuzat eventuale dhe se ata presin që këto të dhëna
t'u dërgohen nga Haga, për të vendosur pastaj se çfarë
duhet të bëjnë.
Prej vitesh është thënë se ish-presidenti jugosllav
Sllobodan Milosheviq disponon në Greqi llogari bankare
dhe pasuri të patundshme. Në nëntor 1997, kur në Kretë
u zhvillua samiti i parë ballkanik, Milosheviq kishte
shfrytëzuar rastin për të blerë një sipërfaqe toke e
ndofta edhe një shtëpi në ishullin më të madh të
Greqisë. Po ashtu, para një viti, gjatë kohës së
bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, në shtypin grek
u shkruajt për një vilë dykatëshe, pronë e djalit të
Milosheviqit-Marko, në një nga lagjet më të shtrenjta
në bregdetin e Athinës. (Robert Goro) 


__________________________________________________
Do You Yahoo!?
Yahoo! Messenger - Talk while you surf!  It's FREE.
http://im.yahoo.com/



More information about the ALBSA-Info mailing list