| [Alb-Net home] | [AMCC] | [KCC] | [other mailing lists] |
List: ALBSA-Info[ALBSA-Info] Per HimarenAgron Alibali aalibali at yahoo.comSat Oct 21 23:37:45 EDT 2000
. 22 Tetor 2000
Gazeta Shqiptare
SPECIALE
E vërteta historike
mbi autoktoninë e Himarës
Çështja e "Himara", e cila ridoli në skenë me
zgjedhjet e pushtetit lokal, nuk ishte një problem i
ri. Ka kohë që daullet e shovinizmit helen dhe të disa
qarqeve antishqiptare që i bëjnë iso atyre, bien në
sinkron të plotë me orekset e shfrenuara të një
politike shterpë e cila duke shtrembëruar të vërtetën
historike përpiqen që t`na e paraqesin Himarën si një
tokë greke. Pa dashur të biem në kurthin e atyre
qarqeve antishqiptare, të cilat dëshirojnë që të vënë
në pikpyetje dhe diskutim prejardhjen e himariotëve
dhe autoktoninë e tyre shqiptare, ju drejtuam për një
intervistë lidhur me këtë problem historianit të
njohur Prof. Sherif Delvina i cili me fakte dhe
argumenta shkencorë të bazuara në dokumenta arkivore
kryesisht të Vatikanit, Stambollit dhe Rusisë hedh
dritë të plotë mbi të vërtëtën historike të Himarës
dhe himariotëve.
A përmendet Himara që në lashtësi dhe cilët janë
historianët që i referohen asaj?
"Në lashtësi Himara ndodhej në Kaoninë e Epirit e
banohej nga fisi i keraunëve. Në veri Epiri kufizohej
me malet Keraunë (malet e Vetëtimës), ndërsa në Jug me
Greqinë, në fund të Gjirit të Ambrakisë. Nga
historiani Skylaksi mësojmë se Epiri, përkatësisht
Kaonia, fillon me keraunët (Skylaksi fq.26-28) Fisi i
Keraunëve e kishte marrë këtë emër nga malet keraune
(vargu Karaburun-Shëndelli-Çikë). Rripi i ngushtë i
prapatokës që nga Palasa në Hundësovë me dy qëndra të
paisura me kala që ruhen edhe sot, (kalaja e Himarës
dhe ajo e Borshit) ishte vendi ku banonin keraunët
(himariotët) e kohës së lashtë. Himara përmendet si
kështjellë nga autori latin Gai Plini i Dytë (shek. I
i-rë pas Krishtit) në veprën e tij"Historia e
Natyrës".
Në vitin 395 Himara u përfshi në Epirin e Vjetër. Ajo
përmendet në shekullin e gjashtë nga Prokopi i
Qezaresë, historian bashkohës i Justinianit.
(viti.527-568 pas Krishtit) Perandor i Bizantit. Deri
në shekullin e VIII-të Epiri i Vjetër, ku përfshihej
edhe Himara, ishte pjesë përbërse e patriakatit romak,
siç bëhet e ditur nga historiani Alain Ducellier. Në
vitin 1020, Himara figuron si peshkopatë, ajo varej
nga patariakana e Ohrit. Në vitin 1199, Perandori i
Bizantit, Aleksi i III-të Komneni, u njohu venedikasve
privilegjet në krahinën e Himarës. Në vitin 1275 Karli
i I-rë Anzhu e përmend atë në mbretërinë e Arbërisë.
Në shekullin e XIV, (viti 1385) princ Balsha i II-të
zot i Himarës, u vra në betejen e Savrës nga turqit.
Në zotërimet që trashëgoi gruaja e tij Komita Muzaka,
përfshihej dhe Himara. Në regjistrin osman të
Sanxhakut të Shqipërisë të vitit 1431, përfshihej edhe
Himara. Ajo është nahije e përbërë nga nëntë fshatra,
Balas, Vune, Belovode, Stefanaj, Kavalarilediç,
Rufani, Selcë, Shalsi dhe Kirderjani me 229 shjtëpi,
23 gra të veja dhe 22 beqare. Taksat e të dhjetave, që
i paguanin këto fshatra sunduesit osman, ishin 548
dukatë ari. Ato mereshin për një vit nga nahija e
Himarës."
Cili është roli i himariotëve në periudhën e
Skënderbeut?
"Në atë kohë, vjehrri i Skënderbeut Gjergj Arianit
Komneni i theu në grykat e Kurveleshit ushtritë
osmane. Në ushtrinë e tij bënin pjesë dhe himariotët.
Kapedani i tyre Andon Lin Jerosa, u vra në betejën e
29 qershorit 1444. Pas kësaj ishte Gjergj Stres Balsha
ai që i udhëhoqi himariotët në luftrat në kohën e
Skënderbeut. Kjo krahinë e vazhdoi luftën dhe pas
rënies së Krujës në dorë të osmanëve. Pas pushtimit të
Shqipërisë në vitin 1479, në disa zona malorë të
Arbërisë u krijuan disa vatra qëndrese, ku një ndër
këtë ishte dhe Himara. Ajo atëhere përfshinte dhe
Labërinë. Dokumentet e vitit 1481 e paraqesin këtë
zonë me 100 milje gjatësi dhe 50 milje gjerësi. Shumë
banorë të saj u shpërngulën në fund të shekullit XV-të
për ti shpëtuar hakmarrjes osmane dhe u vendosën në
malësitë e Kurveleshit, ndërsa të tjerët përtej detit
Jon në Italinë Jugore. Me vendosjen e tyre në Jugun e
Italisë, ata vazhduan që të ruajnë idenditetin e tyre
me gjuhën e zakonet të cilat i kanë dhe sot. Atje, më
1592-in himarioti Lekë Matrënga përktheu nga
italishtja dhe botoi në Romë një katekizëm shqip.
Historiani i njohur Marin Barleti i cilëson himariotët
si një popullsi e pamposhtur dhe trime, që i përballoi
me sukses osmanët e harbuar. Kjo popullsi e vazhdoi
luftën kundër turqëve e komanduar nga Konstandin
Muzaka duke vrarë Komnen Aranitin, sanxhakbeun e
Vlorës. Më vonë ata zunë rob lufte bejlerbeun e
Rumelisë, Sulejman Ali Bej Eunukun dhe më 1481-in ja
dorzuan atë Gjon Kastriotit të II-të, të birit të
Skënderbeut. Ja ç` na thonë disa fragmente nga
dokumentat që bëjnë fjalë mbi luftrat e himariotëve më
1492-in kundra sulltanit osman Bajazitit të II -të.
"Dhe pasha dërgoi një anije në Korfuz, për të thënë që
të mos nxirrej asnjë njeri nga vendet e Arbërisë,
sepse aty ishin duke ardhur dy sanxhakbejlerë për tu
rënë arbërve të Himarës dhe Sopotit, Lajmi u muar më
26 qërshor (Stefano Manjo, bashkëkohës i cituar nga
Sathasi) Ata (himariotët) nuk iu nënshtruan urdhërit
perandorak dhe goditën e vranë komandantët që vanë
atje me daulle e flamuj e shumë prej tyre i zunë
robër. Nga ana tjetër, meqënse të pafetë e
arbërit,qenë fortifikuar në disa shpella, u ngarkua
Daut Pasha që së bashku me repartin e Jeniçerëve, ti
pushtonte ato vende domosdo." (Ali Kunh-Ul Ahabar
"Historia e Aliut" fq.159). Sipas Papadakis "Historia
diplomatike e çështjes së Vorio-Epirit", Athinë 1958)
himariotët përfunduan një traktat me Portën e Lartë
duke fituar venomet më 1518-të të cilat synonin :Të
qeveriseshin vetë, të mbanin armët dhe ti paguanin
haraç Sulltanit. Po kështu Joanis Leunclavi në veprën
e tij "Pandectae", të botuar më 1587-ën, kur flet për
luftrat e himariotëve kundër turqëve më 1572-it, na
bën të ditur (në C.H.R viti 1572.fq.342) se popullsia
e Himarës dhe krahina e tyre janë pjesë e Arbërisë. Më
tej po aty për të sqaruar se çfarë janë himariotët ai
përdor tre sinonime: arnautë, shqiptarë dhe epiriotë.
Karakteri etnik thjesh shqiptar i kësaj krahine nuk
vihet në dyshim edhe nga shumë autorë të tjerë."
Si qëndron e vërteta e letrës që himariotët i dërguan
Papës së Romës nga mesi i shekullit të XIX-të?
"Pa i bërë komente kësaj letre që himariotët i dërguan
Papës së Romës më 12 korrik të vitit 1577, po e citoj
atë ku midis të tjerash thuhet:"Shumë i shtrenjti
Papë, më të Lartit të Romës së Lashtë. Babait të
jetimëve dhe ngushëllues i atyre që kërkojnë ndihmë e
tij. O më i larti Papë! Perëndinë shumë të Shenjtë, më
të lartë nga të gjithë, e pranojmë o baba i jetimëve
dhe ngushëllues i të huajve, ne nga Himara e Epirit,
priftërinj, klerikë dhe laikë e gjithë shteti, të
gjunjëzuar vullnetarisht, i bëjmë homazh Shenjtërisë
Suaj! Të bëjmë të ditur o At shumë i shenjtë, se qysh
nga epoka e të madhit Skëndërbe, shumë i kthjellti
mbret, i mbiquajturi Skënderbej, kurrë ndonjëherë, as
dhe vetë armiku i fesë krishtere, e i egri e i
pamëshirshmi turk, me gjithë fuqinë e tij të
urejtëshme nuk ka mundur të na nënshtrojë, megjithse
çdo ditë e çdo çast ai nuk na lë, na torturon me prita
të vijueshme që na ngre, në mënyrë që të na shkaktojë
dëme të mëdha, humbje në njerëz, të vrarë në luftime
ose të na kthejë në skllevër. Turqit kanë shprishur
tri herë shtëpinë e peshkopit dhe pastaj i kanë vënë
zjarrin. Ne sot gjendemi në mizerjen më të
llahtarshme, nuk kemi asgjë për t` i bërë qëndresë
armikut dhe për të ngritur sërish rezidencën e
peshkopatës, sepse dhe qytetet e tjerë si dhe krahinat
e afërta, ndihen të nënshtruara dhe janë në pamundësi
të na ndihmojnë. Ndërkaq, për këtë arsye,
bashkëkombasit tanë Gjikë Nikolla dhe Gjergj Katasi,
vijnë pranë Shënjterisë Suaj si përfaqsuesit tanë dhe
nëpërmjet tyre ne lutemi: Ti do të na japësh prova për
mirësinë dhe mirdashjen tënde, në mënyrë që ne, me të
marrë ndihmën që do të na falni, do ë na bëhet i
mundur restaurimi i Peshkopatës si dhe blerja e armëve
për t` u rezistuar të pabesëve. Mos na lini pa na
plotësuar lutjet tona, sepse ne nuk shpresojmë të
marrim ndihma tek asnjë tjetër, por tek i vetmi djalë
i të Shenjtit dhe i të Pandashmit Trinitet i
Shenjtërisë Suaj, që jeni zëdhënsi i vetë Krishtit, të
cilit ne i jemi përkushtuar dhe ty, ne, të gjithë së
bashku, të lutemi t` u mirpresësh lutjen të dërguarëve
tanë. Perëndia e bëftë përherë të lumtur Shenjtërinë
Tuaj dhe i plotësoftë çka dëshiron! Nga Himara,
d.m.th. nga Epiri i Shqiptarëve. 12 korrik 1577,
Shërbëtorë dhe Shtetas të Shenjtërisë Suaj nga Epiri i
shqiptarëve, priftërinj, klerikë dhe laikë dhe i
gjithë shteti ynë." Pra siç shikohet edhe nga kjo
letër dërguar Papës së Romës, himariotët që nga ajo
kohë shpëtimin e tyre e kërkonin tek Vatikani, në
perëndim, ndonëse ata ishin krishterë ortodoksë si
grekët, kurrë nuk ju drejtuan Patriakanës së
Stambollit dhe kishës greke sepse ata nuk i lidhte
asgjë me ta."
Cilat janë lidhjet e Himarës me arbëreshët e Italisë?
"Sipas regjistrave kadastralë osmanë të shekullit të
XVI-të, fshtrat e Bregut të poshtëm të Himarës u janë
nënshtruar taksave me të dhjetat. Në fillim të
shekullit të XVII-të në Himarë erdhën misionarët
bazilianë. Shumica e tyre ishin arbëreshë. Në vitin
1630 erdhi në Himarë misionari katolik Neofit Rodino,
një mësues i palodhur. Një nga nxëësit e tij që më
vonë u bë prift, ishte Papa Dhimitri nga Dhërmiu, prej
familjes Gjoleka. Me ndihmën e tij Neofiti përktheu në
shqip katekizmin. Sipas raportit të Vikarit Apostolik
të atëhershëm në Himarë, himariotët i paguanin Turqisë
gjysmën reale (monedhë argjendi e asaj kohe) haraç për
shtëpi. Himariotët vinin në shkollë dhe nga fshatrat e
ndryshme të krahinës së Himarës, bile vinin për të
mësuar dhe nxënës myslymanë. Murgu Zef Skiroi i
fillimit të shekullit 18-të, na tregon se himariotët
banonin nëpër kasolle. Ai u mësonte katekizmin edhe në
sheshe publike në gjuhën greke (gjuhë e ritit) edhe në
gjuhën shqipe. Zef Skiroi vazhdon:" Vinin shpesh
prindërit e kënaqeshin që shihnin predikatorët e
vegjël." ("Roma e Lindja", vëll.5, nëntor 1912-prill
1912) Zef Skiroi hartoi një gramatikë dhe një fjalor
shqip-italisht, të cilat gjenden në familjen e
Skirojve në arbëreshët e Italisë. Ai bashkë me
misionarin tjetër katolik Lekë Matrangën, me origjinë
himariote, bënë një punë mjaft të madhe për përhapjen
e arsimit në Himarë. Liku që vizitoi Himarën në
fillimin e shek.XIX-të, vë në dukje se gratë himariote
flisnin shqip në shtëpi, ndërsa burrat përveç shqipes
dinin ose italisht ose greqisht. Millingeri ,mjeku i
Bajronit shkruan shprehimisht se dyqind vullnetarë
himariotë që i shkuan për ndihmë revolucionit grek, të
gjithë të veshur me fustanella, nuk dinin asnjë fjalë
greqisht."
Pas fitores së pavarsisë Greqisë në vitin 1829, cili
ishte qëndrimi i shtetit helen ndaj Shqipërisë dhe të
ashtuquajturit Vorio-Epir?
"Pasi Greqia fitoi pavarsinë në vitin 1829 dhe
Kryeministër i parë i shtetit grek u zgjodh Jan
Kapodistria, ish minisër i jashtëm i Rusisë, bazë e
politikës së jashtëme të tija u bë vija e arrogancës
kombëtare dhe e shtypjes së minoriteteve. Në sfondin e
ideologjisë grekomadhe, shqiptarët i futën si viktima
të para që duhej të flijoheshin. Që të zinin mirë
themelet e Megaliidesë, u planifikua që të merrej
Epiri, kjo tokë etnike shqiptare nga Greqia dhe të
gjitha këto u bënë nga rusofili Jan Kapodistria. Për
të vënë në zbatim Megaliidenë u përpoq me mish e me
shpirt edhe Spiro Miloja. Më 1829 ai kërkoi të ngrinte
flamurin e Greqisë në Himarë, pastaj në Vlorë e, më
vonë, në tërë Shqipërinë e Jugut. Himara, sipas tij,
duhej t´i aneksohej Greqisë. Spiroja për disa vjet
arriti të bëhej ministër i Mbrojtjes i Greqisë. Ai s´u
kthye më në Himarë. Pasardhësit e familjes së tij,
brez pas brezi pasuan vijën e Spiros me diversione
ushtarake e politike; herë me pushkë e herë me penë
ata ndoqën rrugën e tradhtisë.
Sipas Arvantinoit, të 7 fshatrat e Himarës (Bregu i
Sipërm) më 1856 kishin 3300 banorë. (P.Arvan-tinoi,
"Kronologji e Epirit", Athinë , 18556, V.II, f.178).
Në vitin 1870 gjejmë kajmekan të Turqisë në Himarë
Myslim Gjolekën, të birin e Zenel Gjolekës. Në mesin e
shkurtit të vitit 1878 shovinistët grekë nisën
pushtimin e Lëkurësit me andartë. Në sajë të manovrave
të sukseshme të reparteve të komanduara nga Myslim
Gjoleka së bashku me forcat e tjera që u derdhën në
ndihmë, grekët u shpartalluan. Kjo qe një aventurë e
armatosur me të cilën Greqia. Së bashku me Fanarin, u
përpoqën të shfrytëzojnë edhe faktorin fetar, por
dështuan me turp.
Sipas Megaliidesë, që ishte shtylla vertebrore e
politikës së jashtme greke, u shpall botërisht
diagnoza: " Epiri vuan nga sundimi osman . Terapia
është helenizimi i shpejt i tij". Me trinomin
"Patrikanë-qeveri greke- shkolla greke të Himarës" më
kot u përpoqën ta helenizojnë Himarën, sepse kurrë
grekët nuk arritën ta ndryshonin substancën
krejtësisht shqiptere të saj. Pas Revolucionit
Xhonturk, nëpërmjet doktor Epaminonda Kolekës, u
krijua në Himarë mësimi i gjuhës shqipe. Pleqësia e
Himarës mori një letër në të cilën shovinistët grekë
dënonin veprimtarinë e Konom Zotos, sepse kishte
lejuar përhapjen e gjuhës shqipe dhe këndimin shqip të
Ungjillit. Dënohej, gjithashtu, veprimtaria e
shqiptarëve Naqo Konomi, Kostë Kondi, Gaqo Kapore
sepse mësonin gjuhën shqipe në kundërshtim me gjuhën e
Zotit!"
Po folklori dhe veshjet himariote nga anojnë?
"Himariotët janë kënmgëtarë të mirë. Në folklorin e
tyre nuk gjen një krijim të pajtueshëm me folklorin
grek. Ka mjaft këngë trimërie me karakter politik, të
ngritura aty për aty nga populli. Ndër stilet muzikore
të polifonisë labe, kënga himariote dallohet për
bukuri dhe origjinalitet stili në ekzekutim. Ne
veshjen e Himarës përdoren derivatet të veshjes së
Labërisë. Në veshjen e grave mbizotëron një këmishë e
gjatë e bardhëe në pjesën e sipërme të sajë, spikasin
pjesë veshje prej leshi, zbukurime të bëra me fije
leshi me ngjuyra natyrore, të ngjashme me ato të
malësisë së Labërisë. Elementët e ndikimit të huaj në
veshje janë tepër të vona dhe kanë të bëjnë me
kurbetin. Shovinistët grekë kanë dashur të ngrenë
folenë e tyre në Himarë dhe të ngatërrojnë fenë me
kombësinë, por të gjithë himariotët janë shqiptarë
autoktonë dhe këtë e tregojnë në të gjitha aspektet e
jetës, bile dhe në vajtimet që i kanë të njëjta me
zona të tjera të Labërisë."
gazetari>> Dashnor Kaloçi
__________________________________________________
Do You Yahoo!?
Yahoo! Messenger - Talk while you surf! It's FREE.
http://im.yahoo.com/
More information about the ALBSA-Info mailing list |